top of page

Në portë, Ramiz Alia, në mbrojtje Lenka me Pali Miskën...


“Kur e pyesnin Rrapo Tahon për formacionin, ai thoshte: në portë, Ramiz Alia, në mbrojtje Lenka me Pali Miskën, ne na…”/ Dëshmia e futbollistit vlonjat


Gëzim Llojdia



Kreshnik Çipi, ish futbollisti i njohur i ekipit të “Flamurtarit” të Vlorës dhe i kombëtares shqiptare, në një intervistë shumë vite më parë, na tregonte kohën kur luante futboll, dhe sidomos “Flamurtarin” e artë të viteve tetëdhjetë, për sukseset personale dhe ato me kombëtaren. Mirëpo, cila është skeda e këtij sportisti elitar dhe ana e panjohur e karierrës sportive dhe jetës së tij? Kreshnik Çipi: ka lindur në 15 shkurt 1958. Ai është rritur në lagjen e njohur dhe me traditë të Vlorës, “Muradije.



Zoti Çipi, si e kujton fëmijërinë tuaj, pra kur luanit futboll me shokët e lagjes?


Në lagjen “Muradije” ku banonte familja ime asokohe, një pasion i dehte fëmijët. Ky ishte futbolli. “Muradija” e bë e njohur kur nga shtëpitë e saj të vogla, dolën dhjetëra talente, që kapën majat e sportit. Aty në Muradije e mësoi artin e futbollit Vasil Ruçi, edhe portieri Perlat Musta, aty mësoi të fshehtat e portës.

Kush ju zbuloi si sportistë?

Nëpër “Muradije” me një biçikletë, kalonte vazhdimisht një njeri i madh i sportit. Ishte Feredun Bejkosala, mësues fizkulture. Ngado që shkonte, ai kthehej aty në “Muradije” dhe vrojtonte djemtë e lagjes. Një ditë kur pushuan shirat e stinës, Bejkosala, ndaloi biçikletën dhe më tha: “Do vish në futboll”. Këtu dëgjova ofertën e parë. Zemra më ngriu. Ai i patundur në fjalët e tij, vijoi të nesërmen duke thënë se, duhej të veja, sepse ky lloj sporti, është art më vete. Nuk është i thjesht ti biesh fushës cep më cep. Ka bukurinë, shëmtinë, madhështinë, rënien e tij. Pranova duke u futur ëmbëlsisht kësaj magjie, përfundimisht në një lloj spartakiade, midis qyteteve të vendit. Me shpirtin të lodhur, atëherë mundem “Dinamon”, “Korçën”, Fierin. Po fituam vetëm një kupë qelqi, që s’kishte asgjë për zili. Aty për herë të parë, bëmë edhe refrenin e një këngë, që e futi Skënder Ibrahimi: “Ne jemi më të fortë, ne do të fitojmë”.


Si vijon më tej rrugëtimi?


Kur Feridon Bejkosala dhe Skënder Elmazi, kërkuan një mbrojtës në krahun e majtë me ekipin e të rinjve, ndonëse isha 15 vjeç, nuk do t’i fshija dot lotët. Një sezon e gjysmë do ta mbyllja me këtë ekip. Në mes të dimrit, janari i vitit 1975, kalova në ekipin e madh të “Flamurtarit”. Ishte ky ekip me një mbrojtje shtatlartësh. Kur shkova në pozicionin e ëndërruar të jetës time, që nuk m’u nda për 15 vjet, vërejta se shtatë lartësia e saj, krijonte një kordon lastarësh.


Ekipi i viteve ’75, kjo ëndërr e largët aso kohe përbëhej nga: V. Radhima, B. Nelaj, K. Shakaj, N. Saraçi, A. Ahmeti, G. Troqe, M. Zeqiri. Sulmi ishte kanonës. Mexhit Haxhiu, Sh. Zilja, S. Curri. Hyra në ekip me Petro Rucin. Vendi i “Flamurtarit” me gjithë vëmendjen nga kreu i tabelës, përfundonte aty nga vendi 5-6. Rreth e rrotull këtyre vendeve, vërtitej “Flamurtari” për vite të tëra. Maje tifozeria e qytetit nga tribuna C thërrisnin: “Bëje fole, atje ku je se të erdhi ujku”. D.m.th., qëndro aty tek vendi, 5-6 se vinte “ujku” “Tirana”, “Dinamo”. Ndeshja e parë me “Dinamon”. Ishte vjeshtë, 2 ose 3 tetor ’75. Ky ekip i fort ishte me një sulm arrogante me Përnaskën, Zërin, Ballgjinin. Ky i fundit ishte “preja” ime.


Si e kujton atë kohë?


Aty rreth viteve ’80-të, “Dinamo” gjendej ngushtë për një mbrojtje të fortë, kundër “Ajaksit”. Sulmues të saj ishin Tahamata, Andersen, Lerbi. Kur shkuan në Holandë, në stadiumin e saj gjetëm Krojfin e madh, që qeveriste Vanbasten, Bosman, Rajkard. Me ekipin kombëtar në Austri, përballë kisha Prohaskën. Ishte mospërfillës, shtatlartë. Ishte lojtar që gjente “gjuhën” me Shaknerin, Pecei, Konsilja, Robertsaren.


Si i përballove këta lojtarë, yje të futbollit evropian e botëror?!


Si i kam mbajtur më kanë pyetur vazhdimisht, me mundim. Në ’86-ën, me kombëtaren, kisha për karshi “hipnozën” Bonjek. Ishte frikë të ruaja me forcë sulmuesin e Juventusit. Ai ishte energjik dhe çorientues i madh. Sulmin e mbështeste te pabesia. Në ’92-in në Spanjë, përballë kisha “magjistarin” të brishtin, e flokëkuqin, Butragenjo. Me Micell, Sanciz, Guardiola, Butragenjo, ishte fluturues. Ishte dinak, ngase tiparet e tij shprehnin fshehtësinë e hijes së tij. Mbrojtësit, nganjëherë i linte kushedi sa metra larg. Kurse me Barcelonën e madhe, ekipin lider të Evropës, mateshin të barabartë. Linekeri, i kombëtares angleze dhe Hjuxh-i i ishullit, ishin të vështirë për t’i ruajtur. Në ’86-ën, Barcelona erdhi me Shusterin e tmerrshëm, që kishte hedhur tej portierët e Evropës.


Si i kujtoni ndeshjet me Barcelonën?


Sapo kishte rënë muzgu në stadiumin e Beogradit. Katanec, një lojtar, (me pas trajner i Sllovenisë) e pamë me sy të trishtuar duke qarë. Përkthyesit i thanë ngushëllime, fundja kjo ndeshje ishte. Por ai na tha, është i dëshpëruar se; humbi 8000 USD. Në Barcelonë, mësuam një kuriozitet. Dikush aty na tha, ju luftoni për një mëngjes, aq vlen 8 USD. Kurse barcelonasit, për çdo ndeshje, shpërbleheshin me 15.000 USD. Qyteti i Barcelonës në terr, ndriçohej nga dritat. Ishim duke u kthyer nga aeroporti në hotel. Rrapo Taho, e provokon komisarin e ekipit, që na shoqëronte në çdo ndeshje jashtë vendit. “Ku i gjejnë gjithë këto drita o shoku komisar”?


Si reagoi komisari?


Ai i tha: “Lëri Rrapo këto, ato janë reklama”. Taho ja kthente: “E o shoku komisar, reklama janë, fshati që duket nuk do kallauz”. Komisarët e partisë që na shoqëronin jashtë shtetit, para se të largoheshin, na mbysnin me porosi. “Mos merrni këtë, as këtë, as atë”. Kurse vet nuk harronin të merrnin lugët dhe pirunët e avionit.


Çfarë kujtoni nga ndeshja në Finlandë?


Finlanda, ky vend i fjordeve të magjishëm, për ne shqiptarët, që vinim nga një vend i varfër, ishte një parajsë. Në qytetin e Helsinkit, kemi kaluar çaste të hidhura. Përfaqësuesi i kombëtares shqiptare, ishte me këpucë të grisura. Për të mos e mësuar arbitri, jam vonuar në dhomat e zhveshjesh. Por në vitin 1980, me austriakët ishte krejt ndryshe. Ata nuk e tresnin dot regjimin tonë. Duke e dalluar që larg varfërinë tonë, gazetat e këtij vendi shkruanin: “Erdhën shqiptarët me trastat në duar”.


Keni pasur probleme biografike?



Unë dhe motra, gjimnazin e mbyllëm me 10-ta. Për arsye biografike, nuk na dhanë arsimin e lartë. Shkaqet ishin, gjyshi Nusreti dhe dy dajat, të dënuara me burg politik. Ndjehesha po aq i dëshpëruar, 18 vjeç lojtar i kombëtares. Bëja çdo vit lutje me shpresë, megjithëse çdo javë fitoja anketën e gazetarëve dhe trajnerëve. Isha në rrugën e dyzimit, mes dëshirës së thellë dhe rrugës pa kthim. Djali i shkëlqyer, Agron Dauti, (i biri i ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, me origjinë nga Vlora), ish-futbollist i “Dinamos” në atë kohë, më rregulloi letrat të shkoja me “Dinamon” e, më pas me kombëtaren. Në ’76-ën nuk u thirra asnjëherë në ekipin “Shpresa”, ndonëse isha fitues çdo javë. Në ’82-in, më largojnë nga kombëtarja. Nuk më dhanë as shkollën. Shkova tek kryetari i degës, Llambi Peçini për t’u ankuar se cilat ishin arsyet, që më përplasin andej këndej, siç zhvillohej lufta e klasave. “Ti nuk e di kush je, ti je djalë kulaku dhe dajat e t’u, janë armiq të popullit e të partisë”, më tha ai.


Çfarë ndodhi pas kësaj?


Ndërkohë vajtjet dhe largimet e mia në kombëtaren, kanë përshkruar një amplitudë të atillë, kur dobësohej lufta e klasave, më thërrisnin, kur ashpërsohej, më largonin, por ajo asnjëherë nuk u shua për mua. 22 vjeç kam marrë shiritin e kapitenit. Kur thërrisnin shokët në kombëtare, ndihesha në vështirësi. Sapo isha grumbulluar në atë pranverë me kombëtaren, kur nga qyteti i Vlorës, drejt Komitetit Qendror të PPSH-së, kishin vërshuar qindra letra anonime. “Përse të vejë në kombëtare djali i kulakut”?


Po probleme me doganat kur ktheheshit nga jashtë, keni pasur?


Kur u kthyem nga Polonia, u derdh vreri mbi ne. Agjentët e Sigurimit të Shtetit, pikasën ca orë të padeklaruara dhe përjashtuan nga ekipi më shumë se gjysmën e skuadrës, duke filluar nga Vasil Ruci, Rrapo Taho, Petro Ruci, Viron Daullja, Aalfred Zijai, etj. Na kanë thirrur në Komitetin e Partisë së rrethit të Vlorës, sepse kishin humbur ca ndeshje. Merrni shembull nga Novosela dhe Kuçi, na thanë, që ka rritur rendimentin e grurit dhe të misrit 10 herë. Ç’punë kishim ne me grurin dhe misrin, kjo s’ merrej vesh. Ata rritësit e rendimentit jetonin 10 muaj me bukë misri.


Në atë kohë, me shokët e ekipit, a bënit muhabete me zarar, pra a flisnit kundra regjimit komunist në fuqi?


Kur shkuam në Barcelonë, Petro Ruci, doli tek shkallët e autobusit dhe bënte formacionin. Trajneri: Ramiz Alia, portier: Lenka Çuko, qendërmbrojtës, Pali Miska, mesfushor, etj. Një futbollist beratas na tha: “Siç flisni, ju të fusni në burg”.


Si e kujton rrëzimin e regjimit komunist?


Në dhjetorin e vitit ’90-të, një pjesë e jona mblidheshin aty tek xhamia, diskutonim për erën e demokracisë. Çdo natë shkonim tek shtëpia e Ventigjar Hamzarajt dhe dëgjonim Elez Biberaj tek “Zëri i Amerikës”. Ishte aty Fred Ziaj, Agim Bubeqi, Luan Birce, Petro Ruci, etj. Ishte 12 dhjetor, ishim në stërvitje. Vjen Luan Birçe duke thërritur: “U formua Partia jonë, Partia Demokratike”. Ai me Zijain, mori një letër dhe dërguam këtë përshëndetje të firmosur nga 18 vetë. “Flamurtari”, përshëndet themelimin e Partisë Demokratike. Jemi pjesa juaj”.


Po më pas, çfarë kujton…?


Në mitingun e 6 janarit ’91, në sheshin historik, në ditën e stuhisë, kur ka ardhur Sali Berisha, ka gjetur ekipin e “Flamurtarit” të lidhur dorë pas dore, në tribunën e sheshit, duke thirrur “Liri-Fitore”. Pasdite, kishim ndeshje me Elbasanin madje, këta kishin dalë në fushë ndërsa, ne festonim erën e demokracisë. Atë ditë, ndeshjen e humbëm, por nuk u ligështuam, prisnim lirinë që na kishte munguar. Mbledhjet e Partisë Demokratike, i bënim tek shtëpia e Alfred Ziajt. Aty vinte Vasil Ruci, Rrapo Taho, Luan Birçe, Agim Bubeqi, Fred Ferko, që gjithmonë i ironizonte pushtetarët. Me ardhjen e demokracisë ekipi ynë doli kampion.


Cilat janë disa nga shifrat nga ndeshjet e “Flamurtarit”?


Në vitet ’80-të, mbërriti Kupa Ballkanike me “AEK”, të Athinës, 3:2 dhe 2:1, me gola të Ziles dhe Spiro Currit. Në vitin 1982, dolëm nën kampion, në ’85-ën, fitues i kupës së Republikës në Elabasan, në ’86-ën, finalistë të Kupës dhe nën kampion, në ’87-ën, fitues të kupës, 2:1 me “Partizanin” në Shkodër. Në atë kohë, Federata e Futbollit, ruante një parim: “Kupa të mos dilte nga Tirana”. Në takimet me Tiranën, ndeshja luhej në Tiranë, ekipi i Ministrisë së Brendshme në Gjirokastër. Kupa kishte shkuar qysh në mëngjes në Gjirokastër, pa e ditur si do të dilnin ndeshjet. Rasti i tretë: Aty pabesia shfaqet hapur. Federata na zuri pritë. Fituam me “Vllazninë” 5 – 3 në Shkodër. Në këto rrethana pyetëm federatën, do të zhvillohej ndeshja finale me “Partizanin”?


Çfarë u thanë, si u vendos?


Ne u nisëm dhe në qytetin tonë mbërritëm rreth orës 04 të mëngjesit të hënën. Në mëngjes, Federata na lajmëron se, duhej të shkonim prapë në Shkodër, nga ku qemë kthyer sepse, aty do të luhej finalja. U kthyem sërish, u nisëm me një autobuz që e bënte 10 orë atë rrugë. Të mërkurën, ishte finalja. Fituam, megjithëse udhëtuam 2 ditë. Por kupa ngeci. U vonua dhënia e kupës sepse, Federata i kishte shkruar diplomat me emrin e futbollistëve të “Partizanit”. Na dhanë vetëm kupën, kurse diplomat e kësaj fitoreje, asnjëherë nuk u morëm. Në vitet ’88 – ’89, ishim finalistë të kupës. Gjatë këtyre viteve, kemi dalë disa herë nën kampionë. ’90 – ’91. Era e ndryshimeve e kishte bërë të paqëndrueshme Federatën, që u detyrua të siglonte emrin e “Flamurtarit” si kampion.


“Flamurtari është ekipi i parë shqiptar që doli nga qerthulli i skuadrave shqiptare, që nga kupat e Evropës, ktheheshin të gjunjëzuar. Në ’85-ën, Kupa e Kupave, humbëm me Helsinkin. Në ’86-në, kupa “Uefa” me Barcelonën 1 – 1 dhe 0 – 0. Në ’87-ën, eliminojmë “Partizanin” e Beogradit 2 –0 dhe 2 – 1, fitojmë me “Vismut Aue” e Gjermanisë Lindore dhe eliminohemi nga Barcelona në takimin e katërt. Në vitin ’88, me “Lots”, ishte brengë e madhe, pasi nga që humbëm, sëpata preu gjysmën ekipit.


Cila është trashëgimia e familjes Çipi?


Askush nuk do të mendonte se Çipajt, do të formonin një traditë në sportin vlonjat. Dy dajo, i pari Xhevat Llupa, dhe Luan Llupa, që ka bërë burg politik, bënë emër. Me një këmbëngulje, vëllai i madh, Vilson Çipi, matematicien, ka luajtur në volejboll me Vlorën. Bashkëshortja, Natasha Çipi, është regjistruar si sportistja e Vlorës dhe e kombëtares në volejboll. Në vitin ’92, në moshën 32 vjeç, unë ja dorëzova fanellën, nipit, djalit të Vilsonit, Geri Çipit, që luante me “Gent” të Belgjikës dhe me kombëtaren e Shqipërisë. Çipi ishte mbrojtësi rebel, që “bllokoi” Oliver Bierhovin në “Bay Arena” të Leverkusenit. Arnold Çipi, është nipi tjetër, djali i Vilsonit i vogli, ishte lojtar, i “Flamurtarit”. Pema e familjes, zbret me një radhë sportistësh. Janë degë të shpërthyera nga trungu bazë.

23 views1 comment

1 Comment


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Mar 14, 2023

I nderuar Gëzim,

E lexova intervistën tuaj me shumë dëshirë dhe kënaqësi. Paragrafi i parë, ku citoni të Madhin Rrapo Taho, më bëri të shkrihem gazit.

Përgjithësisht, intervista juaj është shumë prekëse, sepse dashamirësve të futbollit vlonjat u ngjall emocione të fuqishme për epokën e Flamurtarit të famshëm.

Diktatura e kryekriminelit Enver Hoxha, me luftën e përbindshme të klasave, juve dhe motrës suaj, si dy nxënës të shkëlqyer në mësime, nuk ju lejoi të vazhdonit studimet universitare, sepse ai kryetradhtar, si njeri pa kulturë universitare, duke qenë vetë “askushi”, siç e pati cilësuar Mustafa Kaçaçi në Konferencën e Labinotit në mars të vitit 1943, njerëzit e talentuar i kishte halë në sy.

Në fillim të paragrafit të fundit, më preku…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page