top of page

Në nderim të 75-vjetorit të lindjes së shkrimtares-akademike Vilhelme Vranari Haxhiraj


Prof Dr Eshref Ymeri

Prof.dr. Eshref Ymeri

Talenti bën punën e vet


Në nderim të 75-vjetorit të lindjes së shkrimtares-akademike Vilhelme Vranari Haxhiraj


Sot, më 08 dhjetor, mbushen 75 vjet nga dita kur lindi shkrimtarja e shquar e kombit shqiptar Vilhelme Vranari Haxhiraj. Ajo ka lindur në Kaninë nga prindërit Veip dhe Bexhete Vranari. Në vitin 1951 i burgosin babain si antipushtet, duke e akuzuar padrejtësisht se pse vaji i distilerisë në Vlorë u derdh në det. Në vitin 1955 ka kryer arsimin fillor dhe në vitin 1958 ciklin e arsimit 8-vjeçar. Në vitin 1962 ka përfunduar arsimin e mesëm në Shkollën Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë. Po atë vit iu dha e drejta për të vazhduar studimet e larta (pa shkëputje nga puna) në Universitetin e Tiranës, dega histori-gjeografi, të cilën e vazhdoi deri në vitin 1966, duke punuar si mësuese në një fshat të Vlorës. Por më 16 gusht të vitit 1966 i heqin të drejtën e mbrojtjes së diplomës në fakultet dhe e përjashtojnë nga radhët e arsimit për shkaqe politike, me arsyen se ishte e paaftë të zhvillonte luftën e klasave, duke i mohuar edhe të drerjtën për botime artistike. Prej vitit 1967 deri në vitin 1990, familja e saj (si edhe gjithë fisi Vranari) ka qenë e internuar. Në vitin 1970, me kërkesë të Prokurorit të Republikës Lefter Goga, i jepet e drejta e studimeve të larta në degën histori-gjeografi dhe në vitin 1975 mbrojti diplomën me temë nga historia e Shqipërisë që titullohej“Krahina autoktone e Shqipërisë Jugore”.Në periudhën mes viteve 1969-1991 ka punuar si punëtore krahu. Në vitin 1991 rikthehet në profesionin e mësimdhënies që e adhuronte aq shumë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë zëvendësdrejtore e Shkollës “Ismail Qemali” në Vlorë. Në vitin 1997, neokomunistët që erdhën në pusht me dhunë, e nxjerrin jashtë radhëve të arsimit, paçka se i duheshin edhe 7 vjet për të dalë në pension. Prej vitit 1996 dhe në vazhdim merret me letërsi artistike, publicistikë, ese dhe studime në fushën e historisë dhe të filozofisë.

Diapazoni krijues i shkrimtares së shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj është tepër i gjerë. Tërë krijimtaria e saj përbëhet nga një korpus prej gati 50 veprash të të gjitha gjinive letrare, përfshirë edhe publicistikën nacionaliste. Këtu mund të përmenden 3 vëllime poetike, 9 vëllime me prozë të shkurtër (dy vëllime me skica, tregime dhe novela, gjashtë novela dhe një vëllim me skica), 20 romane, 2 vëllime me ese-publicistikë, 3 vëllime me studime (njëri i natyrës filozofike, kurse dy të natyrës historike), 8 vëllime me letërsi për fëmijë (me përralla, gjëegjëza, fabula dhe një roman historiko-fantastik). Presin dritën e botimit disa libra në gjini të ndryshme dhe një vëllim poetik, i përkthyer në greqisht.

Pjesë nga krijimtaria e kësaj shkrimtareje janë përfshirë në 24 antologji. Veç atyre me autorë shqiptarë, ato janë përfshirë edhe në Itali (Kalabri), në Mal të Zi, në Kosovë, në Rumani, në Angli, në Suedi, në Greqi (në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e vendeve përkatëse).


Vilhelme Vranari Haxhiraj “Mjeshtre e Madhe e Penës”.

Krijimtarisë së saj i janë bërë vlerësime me mirënjohje dhe me 22 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat veçohen Mirënjohje(Vlorë, Kaninë, Prizren, Greqi, Rumani), Çmimi i parë (Shqipëri, Mali i Zi, Suedi),Çmimi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Itali), Çmimi “Premio Internazionale di Poezia (Firence, Itali, 2011, ku ishte e vetmja autore shqiptare mes 100 autorëve nga e gjithë bota, të përfshirë në antologjinë italiane në tre vite - 2010-2012), tre Çmime karriere.Ajo është përzgjedhur dy herë personazh i vitit dhe ka marrë medalje argjendi, është vlerësuar me “Penën e Kristaltë” në Suedi, ka marrë “Medalje Ari”me rastin e dekorimit nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe e Penës”.

Vilhelmja, si mjeshtre e penës, ka aftësinë t’i bëjë njerëzit të përloten. Me frymën realiste të veprave të saj, ajo prek zemrat e lexuesve, sepse nxjerr në pah mjeshtërisht edhe anët tragjike të jetës njerëzore. Prandaj lexuesi fillon të bashkëpërjetojë dertet e shpirtit të heronjve të veprave të saj.

Veçanërisht mbresëlënëse është krijimtaria e zonjës Vilhelme në fushën e publicistikës nacionaliste, në të cilën ajo ka bërë thirrje për të demaskuar ashpër pushtetin absolut të diktaturës komuniste gjysmëshekullore, çka më kujton një thirrje të profesorit Vedat Kokona:

“O pushtet absolut, ti që shpërthen te njeriu instinktet e tij më të këqija, ti që himnizon mashtrimin, dredhinë, hipokrizinë, krimin, që poshtron virtytin dhe i thur kurora poshtërsisë dhe ligësisë, dhëntë Zoti të fshihesh nga faqja e dheut bashkë me stuhinë që ke mbjellë... Vuajtjet e popullit shqiptar nën pushtimin shqiptar, të pakrahasueshme me ato të pushtuesve të huaj, do të mbeten të paharruara në analet e Historisë dhe brezat që do të vijnë nuk do ta zgjidhin dot këtë enigmë” (Vedat Kokona. “Endur në tisin e kohës. Kujtime”. Botimet Kokona. Tiranë 2018, f. 301)

Emocione të veçanta i ngjall lexuesit bota e heronjve të veprave të saj artistike. Prandaj, fjala vjen, nuk mund të rri pa përmendur lirizmin e thellë tragjik që karakterizon heronjtë e veprës së kësaj shkrimtareje, me titull “ Dashuria plagoset.., por nuk burgoset. Letra nga ferri”, e cila doli nga shtypi në maj të vitit 2016. Në analizën që i kam bërë kësaj vepre asokohe, kam theksuar:

“Kur e mbaron së lexuari këtë vepër, vetvetiu të krijohet bindja që tema e dashurisë në krijimtarinë e çdo poeti ose shkrimtari, është rrezatim i botës së tij të brendshme, i ndjenjave dhe i përjetimeve të tij. Prandaj, sipas rastit, dashuria dikë e bën me flatra, kurse dikë tjetër e zhyt në honet e një dëshpërimi të pamatë. Kjo është edhe arsyeja që poetët dhe shkrimtarët janë shumë më të ndjeshëm ndaj kësaj ndjenje hyjnore sesa njerëzit e zakonshëm”.

Në gushtin e vitit 2018, kur isha me pushime në Vlorë, në Ujët e Ftohtë, me zonjën Vilhelme dhe me bashkëshortin e saj, zotërinë Fitim Haxhiraj, takoheshim shpeshherë në njërën nga kafenetë në Ujët e Ftohtë, ku ata vinin çdo ditë për shëtitje. Në njërin nga ato takime, zonja Vilhelme më dhuroi librin e saj më të fundit që sapo kishte dalë nga shtypi, me titull “Simfonia e shpirtit”. Është një përmbledhje emocionuese me skica letrare, në të cilën shpërfaqet aq bukur ngrohtësia e shpirtit të kësaj Mjeshtreje të Madhe të Penës. Është një ngrohtësi që përcjell dridhërimën e zemrës, delikatesën e ndjenjave dhe fisnikërinë e shpirtit të saj bujar. Është aftësia për t’i ngrohur njerëzit rreth e qark me dritën e shpirtit të saj. Është gatishmëria për t’iu përgjigjur thirrjes së kujtdo që ka nevojë për ndihmë. Ështe gatishmëria për të ndarë me njerëzit e mirë pasurinë shpirtërore dhe zjarrin e zemrës së saj. Është tipari shpirtëror i një zonje të shquar të letrave shqipe, i cili shfaqet në çdo hap të jetës së saj dhe tërheq drejt vetes njerëzit me zemër të madhe. Është aftësia për të ndarë me njerëzit e afërt hapësirat e gëzimit dhe honet e trishtimit. Është aftësia për të përjetuar bashkërisht lartësitë e haresë dhe tatëpjetat e dëshpërimit.

Tërë krijimtarinë e Zonjës Vilhelme e përshkon si një fill i kuq një brengë e heshtur për padrejtësinë që i bëri sistemi i kaluar totalitar, duke ia mohur të drejtën për t’u marrë me krijimtari letrare. Diktatura “e burgosi” pasionin e saj për krijimtari artistike në “tunelin” e izolimit në kuadrin e luftës së klasave. Por ajo qëndroi si burrëreshë, duke e konservuar në heshtje talentin e vet, sepse ishte e bindur se “vullkani” artistik brenda qenies së saj nuk do të shuhej asnjëherë. Ai “vullkan” do të shpërthente me “llavë krijuese” që do të zbriste poshtë “shpateve” të jetës shqiptare, për të zbuluar mrekullinë e penës së saj të magjishme pas ndryshimeve që ndodhën në fillim të viteve ’90. Domosdo, talenti do ta bënte punën e vet. Prandaj ka shumë të drejtë shkrimtari-moralist francez Zhozef Zhuber(Joseph Joubert - 1754-1824)kur thotë :“Pa ndërhyrjen e një talenti të jashtëzakonshëm, gjithë mrekullia mbetet e panjohur”.

Takimet dhe bisedat me zonjën Vilhelme janë mbresëlënëse. Ajo të tërheq si me magnet tek rrëfen për përpjetat dhe tatëpjetat e jetës së saj, për herojtë e veprave që ka nxjerrë nga pena gjatë njëzet vjetëve të fundit, për veprat në fushën e publicistikës nacionaliste dhe të studimeve me tema historike. Vetëm gjatë tre vjetëve të fundit ajo ka botuar tri vepra të nivelit akademik: “Rrugëtimi filozofik i prof.dr. Isuf Luzajt” (2017). “Tradhtia e madhe ndaj kombit” (2018) dhe “Elitat e mohuara… Krenari kombëtare” (2019). Kjo vepër e fundit u prezantua në mjediset e Universitetit “Pavarësia” më 10 gusht.

Nder dhe respekt të veçantë për shkrimtaren, poeten, publicisten e shquar dhe hulumtuesen këmbëngulëse të kombit shqiptar, zonjën Vilhelme Vranari Haxhiraj, për këtë ikonë të kulturës sonë kombëtare, e cila, me punën e saj të shkëlqyer kërkimore, ka hyrë thellë në rojtinat e historisë dhe ka nxjerrë në dritën e diellit personalitete të shquara të kombit shqiptar, duke filluar që nga periudha e mesjetës.

Kur njihet me këtë vepër madhore të kulturës sonë kombëtare, e cila ka dalë nga një penë e talentuar, lexuesi e përfytyron zonjën Vilhelme si një alpiniste të shkathët, që ka filluar t’u ngjitet me vendosmëri shpateve të maleve të thepisura, për të arritur deri në kreshtat e tyre, atje ku prehen ato 77 figura të ndritura të kombit shqiptar.

Pikërisht kjo këmbëngulje shembullore e zonjës Vilhelme, kjo vendosmëri e paepur e karakterit të saj burrëror, të kujton një thënie fort kuptimplote tëTomas Higinson(Thomas Higginson -1823-1911), personalitet i shquar amerikan, luftëtar i vendosur për heqjen e skllavërisë dhe për bashkimin e shteteve amerikane, i cili thoshte:

“Njerëzit e shquar rrallë përfaqësojnë maja të vetmuara malesh, ata përfaqësojnë më shpesh maja kreshtash malore”.

Dhe me të vërtetë, të 77 figurat e shquara, në penën e zonjës Vilhelme, përfaqësojnë një kreshtë malore plot hijeshi.

Zonja Vilhelme, me veprën e saj të shquar, hodhi hapin e parë në nderim të Elitave të Mohuara. Për këtë ajo e meriton të përgëzohet dhe të falënderohet përzemërsisht. Ajo arriti të përfshijë në këtë libër 77 figura nga e kaluara jonë historike. Studiuesit dhe hulumtuesit e tjerë duhet ta vazhdojë veprën e saj për nxjerrjen nga harresa edhe të shumë figurave të tjera të shquara të kombit shqiptar.

Kjo vepër e zonjës Vilhelme mund të vlerësohet pa mëdyshjen më të vogël si një panteon i shkëlqyer që ajo u ka ngritur 77 figurave të nderuara mbarëkombëtare. Ne, për fatkeqësinë tonë kombëtare, nuk kemi panteon, ku të prehen eshtrat e njerëzve të shquar të kombit tonë. Atje, në Vlorën tonë të lashtë sa vetë jeta e kombit shqiptar, duhej të qe ngritur me kohë panteoni i 40 firmëtarëve të Pavarësisë, ku në çdo përvjetor të shpalljes së saj, ne të shkonim dhe të përuleshim me nderim para vendprehjes së eshtrave të tyre.

Ne nuk e kemi panteonin e personaliteteve të nderuara, të cilat, në vitin 1908, u mblodhën në qytetin e Manastirit dhe nxorën nga humnerat e lashtësisë iliriane alfabetin e gjuhës shqipe, që nuk është aspak alfabet latin, siç thonë mjaft intelektualë të painformuar, por është alfabet ilirik, siç e ka pohuar vetë shkencëtari i shquar i lashtësisë romake Plini Plaku (23-79 e.r.) në veprën me titull “Historia e natyrës” (Naturalis Historiae), ku shkruan:

“Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”.

Pra, zonja Vilhelme, me këtë vepër madhore, e cila, në këndvështrimin tim, shërben si “tafta mbi kadife”në krijimtarinë e saj të pasur në fushën e letërsisë artistike, të publicistikës shëmbullore nacionaliste dhe të memorialistikës sonë kombëtare, ka nderuar veten e saj dhe, tërthorazi, i ka dhënë një sinjal klasës politike shqiptare, që t’i thërrasë mendjes dhe të kujtohet të ngrejë panteonin madhështor në nderim të njerëzve të shquar të kombit tonë, ashtu siç i kanë ngritur shtetet e tjera në kryeqytetet e tyre.

Le të shpresojmë që pena të tjera të talentuara, të cilat nuk i kanë munguar kurrë kombi shqiptar, do të vazhdojnë ta pasurojnë panteonin e parë që ngriti zonja Vilhelme për 77 figurat e nderuara të këtij libri jashtëzakonisht mbresëlënës.

Jemi kombi më i vjetër i kontinentit, kemi gjuhën shqipe që është themeli i gjuhëve evropiane. Për këtë na kanë vlerësuar lart personalitete të shquara të kulturës evropiane. Studiuesi i talentuar Fotaq Andrea që jeton dhe punon në Strazburg, ka botuar para disa vitesh një vepër madhore prej 767 faqesh, me titull “Pena të arta franceze për shqiptarët”. Prandaj zonja Vilhelme, me këtë vepër, e radhit veten pranë atyre personaliteteve, mes të cilave po përmend vetëm dy personalitete të shquara gjermane.

Dijetari Leibnici (Gottfried Wilhelm Leibniz (1646 - 1716),ka thënë:

“Në qoftë se duam të dimë historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet t'i drejtohemi gjuhës shqipe”.

Studiuesi Johan Turhan, në librin me titull “Kërkim në histori”, të botuar në Lajpzig në vitin 1774, ka deklaruar:

“Asnjë popull tjetër i botës, në të cilën jetojmë, nuk është aq i panjohur për Evropën Perëndimore, për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës, se shqiptarët. E megjithatë, ai është populli kryesor i botës së lashtë e të rëndësishme që çdo historian do të donte ta njihte: historia e tyre do të plotësonte zbrazëtitë e mëdha në historinë e vjetër dhe të re të Evropës”.

Figura e shquar e zonjës Vilhelme, e cila vetë përfaqëson një elitë të nderuar të kombit shqiptar dhe që e meriton t’i kushtohet një vepër biografike profilit të saj intelektual, më sjell në kujtesë një thënie të Gjergj Brandesit (Georg Morris Cohen Brandes - 1842-1927), studiues i letërsisë dhe publicist danez, teoricien i natyralizmit.

“Njeriu i shquar asnjëherë nuk përfaqëson bilancin e qytetërimit ekzistues. Ai përfaqson burimin dhe fillimin e një gjendjeje të re të qytetërimit”.

Kjo vepër e pasuron me dinjitet thesarin e kulturës sonë kombëtare dhe mendoj që Vlora, duke filluar nga institucioni i Bashkisë dhe komuniteti i shkrimtarëve vlonjatë, t’i përcjellin Presidentit të Republikës propozimin për t’i akorduar Zonjës Vilhelme titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Në nderim të figurës së zonjës Vilhelme, Bordi dhe Senati i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve, me seli në Nju Jork, i dha titullin “Akademike” dhe më 10 qershor 2018 iu dorëzua Çertifikata e anëtarësisë.

Në figurën e zonjës Vilhelme bashkëbiseduesi njihet me një intelektuale me shpirt të madh humanist, me zemër të ndjeshme dhe me një zgjuarsi proverbiale, çka atij i ngjall një kërshëshëri të jashtëzakonshme dhe ia ka ënda ta dëgjojë dhe të mësojë prej saj. Sepse, siç thotë Bertold Auerbah (Berthold Auerbach - 1812-1882), shkrimtardhe poeti gjerman me prejardhje hebraike, “njerëzit e zgjuar janë si puna e luleve kundërmuese”.

Me rastin e 75-vjetorit të lindjes, zonjës Vilhelme i uroj shëndet, jetë të gjatë, harmoni në familje, humor të përhershëm dhe energji të pashtershme në krijimtarinë artistike dhe publicistike.

Santa Barbara, Kaliforni

08 dhjetor 2019


45 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page