top of page

NË KOPSHT ME NJË ARVANITAS


NË KOPSHT ME NJË ARVANITAS

Tregim

E kam një kopsht ku shkrij shpirtin. Shkoj çdo të enjte duke bërë një gjysmë ore rrugë me autobusin 7 dhe një gjysmë ore tjetër në këmbë. Në këmbë ndonjëherë e bëj edhe më shumë. Edhe sot kështu ndodhi. Në një kopsht të një ndërtese shumëkatëshe sapo hyn në Kefalari të Kifisias më kishin mbet sytë në një cung shege, në disa filiza të holla me gjatësi një deri në dy pëllëmbë që dilnin nga pjesa nëntokësore e trungut. Më kishte tërhequr gjithnjë ajo shegë diku tre metra e lartë. Më pëlqenin lulet mes degëve të gjelbra në pranverë. Më tërhiqnin kokrrat e kuqe mbi degët që kapërcenin kangjellat dhe vareshin në këmbësoren e rrugës me ftesën memece të zgjasje dorën e të hyje hojeve të kuqe si të hyje hojeve të bletës. Ishte një kultivar nga ata që i plotësojnë të gjitha kërkesat e një konsumatori të zakonshëm. Doja ta merrja e ta bëja pjesë të kopshtit që e quaj “imi” se kam pesëmbëdhjetë vjet që kujdesem me tërë pasionin e profesionit që do më dalë nga shpirti bashkë me trupin. Hapa portën dhe pasi nxora nga çanta thikën dhe gërshërët krasitëse gërmova në kërkim të pjesës që lidhte degëzat me trungun. I gjeta dhe fillova ti nxjerr një nga një disa me një rrënjëz e të tjera me një pjesë të vjetër trungu, kërkesa këto për rrënjëzimin e bimës. Ndërsa punoja më erdhi pranë një burrë që thinjat mbi flokë e rrudhat mbi fytyrë e afronin, në mos e kalonin, me vitet e mia. Më pyeti se çfarë po bëja. I tregova për degëzat e vogla që me pak kujdes lëshonin rrënjë e rriteshin e bëheshin të larta si shega që na mbulonte me kurorën e saj. Hymë në bisedë. Më pyeti për kopshtin e përbashkët të ndërtesës së përbashkët trekatëshe se çfarë mund të shtonim. I hodha një sy sipërfaqes djerr dhe i dhashë mendimin tim. Buzëqeshi dhe më pyeti: - Nga jeni? - Nga Shqipëria, i them - Arvanitas? Ma tha me një zë që i dilte thellë nga qenia e tij, si një gëzim, si të nxirrte në shesh një mall që e mbante ndry në zemër. - Nëna ime fliste vetëm në gjuhën arvanite. Nëna e saj nuk dinte asnjë fjalë greqisht. - I thashë se kam shumë miq arvanitas, ndër të cilët edhe një mik që tash është 102 vjeç. E kam takuar dhe dëgjuar kur u flet në gjuhën e të parëve si djalit po ashtu edhe nipit. Kam bërë edhe një intervistë me të kur ishte “njëqind pa tre vjeç” dhe jam befasuar nga fjalori i tij që nuk kishte ndryshim nga shqipja e sotme. U ngroh muhabeti. - Ma ka treguar nëna, më tha. Kur ishte e vogël vjen në shtëpinë tonën një amerikan. Grek ishte por me qenë se vinte nga Amerika kështu e quanin. Pyeti në greqisht. Fëmijët nuk e kuptuan dhe u ngjeshën njeri me tjetrin të frikësuar. E kuptoi se fëmijët nuk dinin greqisht ndaj ua ktheu në arvanitisht. - Ku është nëna? - Ne kopsht- thanë fëmijët njëzëri E tha me shpirt si të kishte qenë aty. Kur nisëm bisedën më tha se ai nuk e dinte gjuhën e nënës së tij. Kur u ndamë më tha: - Orë e mirë... - Mirë u pafshim- I them me respekt. Ngjarja që më tregoi me siguri nuk ishte nga tregimi i nënës së tij, ishte e jetuar prej atij vetë me dy vëllezërit dhe motrat.

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page