NË ANËN TJETËR
Dua të jem aty,
Aty ,
Në anën tjetër
Të lumit,
Ëndrrash të paprekura,
Flirtimesh
Që flasin resh
Energjive
Të stampoj
Gjithë kujtimet
Që shpirtit
U shumfishuan
Foto çasti,
Fluturash,
Që ngërthejnë stomakun
Emocionesh,
Që mezi presin
Dashninë të vijë,
E ti bëj kornizë
Në sytë e mi
Të lundroj
Në platformën e natës,
Në anën tjetër
Të qiellit,
Me varkë ëndrrash
Ndriçuar yjesh
E më pas,
Ahhhhh,
Të degdis pyjesh
Të lartë,
Aty ku ajri të deh,
Dhe aty
Të pi me fund
Dashninë
E më pas?
Më pas…
Le të shkoj
Në anën tjetër të botës,
Ku djajtë
Luajnë kartat e fundit
Kazinove të ferrit,
Le t’më djegin
Rrathëve të zjarmit
Si të padëshiruarën e tyne
Dhe aty,
Do të gjej me se s’bën
Një anë tjetër
Dimensionesh,
Që të dua së largu
Dhe të fal dashni,
Të bëhem
Ëngjëll I dikujt
Që kurrë se deshën,
Paçka
Se shpirti I digjet
Vetëm tuj dasht.
GJURMË
E shkuara,
S’është e shkuar,
Nëse dhembja
Të shkon e harruar
Trupit tënd arnuar,
E udhëve
Rrënjësh shkretesh
E tashmja,
S’është e tashme,
Nëse çastit si gëzohesh
Vetes,
Ku lumturinë
Ta përqafosh
Në zgrip të pamundësive,
Dhe ti falesh ditës
Që dhe sot je gjallë
Jo fjalëve e
Kotësive,
E të mendosh
Sikur të nesërme s’ka,
Dhe se ajo
Asht e fundit ditë
Me e dasht
E nesërmja
S’mund të jetë
Aty pë ty,
Nëse,
Qëllim në vetvete s’ke,
Dhe rend
Kërkundit
Pa destinacion
Për veten,
Pa ditur
Ku ke ecur gjurmëve.
KONGRUENCË SYSH
Furfulisem dhembje,
Brinjë më brinjë,
Si peshku buzë zallit
Pa ujë,
Në frymëmarrje të mpira
Mushkërish,
Ditësh,
Të tjerruna me akrelik
Krekosjesh,
Vetëdijet
Avullojnë mjegullës,
Po ashtu
Dëshirat
Mendimet,
Ngricat e mospajtimit
Katrama
Kërcasin shpirtit,
Kongruencë e syve
Shprishet,
Tek shohin të pamundurën,
Unë,
Hijëzuar mbetem fjalëve
Krahëthyer,
Si një zog dimri
Harruar poezisë,
Tek këndoj nën zë
Nga një varg
Çdo ditë,
E buzësh shkumëzoj
T’më gjejnë aty,
Por,jam e humbur
Kotësish,
Duartrokitjesh meskine
Ku uni po pëlcet
Krekosjesh
Dhe,
Prapë se prapë
Kërkoj,
Të vërtetat
Njerëzve
Njëtrajtësisht,
Fytyrave t’u shkëlqejnë
Pa bujë.
BIJË MALI
Jam bijë visesh
Ku qiejt
Puthin tokën,
Dhe rrënjësh,
Ku pyjet
Thërrasin me zë zotash
Aty ,
Ku kuvendesh
Të ftojnë
Të kuvendosh,
Dhe ku malet,
Vënë kapuçë me borë
Aty ,
Ku malet vënë
Plisa mbi kreshtë,
Aty,
Ku fjala gatuhet
Magjave ëmbël,
Dhe sytë
Shpojnë si heshtë
Jam bijë
Kullash të larta,
Të ftohta mendimesh,
Ku cungun e fundit
E ruajnë der në maj,
Aty,
Ku fjala
Lidhet besa besë,
Dhe mbajnë
Zemrat zjarr
Jam stërmbesë
Zanash,
Shtojzovallesh,
Që udhëtojnë
Zabelesh e trojesh,
E zhurmojnë krojet
Jam bijë
E birit,
Të Sali malësorit.
(Saliu është gjyshi im)
SHTATË PASH NË DHE
Të kam fshehur zemrës,
Shtatë pash nën dhe.
Me dhëmbë, shpirtit,
Kafshuar nën be.
Ndër letra të pashkruara,
Heshtas të flas.
Mendimesh,
Djegur për ty,
Dergjur pritjesh,
Larg.
Ti,
Harrimesh
S’mund të mbetesh.
Vrug I ndjenjës sime,
Ani, pse koha nuk na deshtë.
Se, te ti,
Udhët e zemrës mora.
T’I qëndisja,
Me fije ylberi.
Të të vija e blertë,
E mjelmët,
E zjarrtë,
E kuqe si shegë.
Lëng,
Iu shtrydha shpirtit.
Melhem,
Pezmën me ta shëru.
Ndërkohë,
Vetëm murosur rri.
E ngurtë,
Kalasë sime të ftohtë,
Dhembjesh
Që s’të kam.
Ku humbe?!
Eja për tek unë,
Dashni..
SIMFONI
Simfoni ndjenjash
Luhet furishëm
Fshehur shpirtrash,
Brëndashkruar
Në rrathë të vërtetash
Dhe të tendosura
Në korda,zemrash,
Po marrin ndryshueshmëri
Ngjyrash,
Vlerash,
Tek shfaqen mizanskenash,
Zemrash,
Ku melodi e ëmbël
Violash
Valëzon vallen e trëndafiltë
Buzësh
Që po kërcejnë
Dalldinë e fshehur
Mallëngjimesh.
UNË DHE TI
Unë dhe ti
Me largesa shpirtrash
Midis nesh,
Vektorë
Të kundërta shkojmë
Egosh,ndjenjash,
Të pingulëta dhembjet
Prerë në shpirt mungesë,
Unë dhe ti
Që kurrë s’po gjendemi bashkë
Njësoj
Në zgjatimet tona fjalëve..
VETËM
Jam vetëm,
Në askundin tim të fryrë
Me jashqitjen e micës
E cila,
Tund bishtin
Në fytyrë
Të ditës sime të mpirë,
E çjerrët dhe kjo kohë e vranët,
Ma mbyt edhe më
Trishtimin,
E vozitjes së vetes
Në pellgun e kotësisë,
Ku qetësinë e brishtë
Të orëve që nuk ecin,
Po e prishin
Llafazanët kritikë,
Që më cingrisin
Trurin e mpakur gllënjkave,
Të dollisë
Së vetes me veten,
Me mushtin e shtrydhjes
Së ditës bajate,
Që më lidhet zeher në grykë
Prish bezdisjen
Ua hap dritaren zogjve në parvaz,
Ndoshta
Dhe ato duan të dinë,
Pupthi I sillen mēndjes sime,
Dhe qukasin nga pak
Xhamave të palarë
Shpirtit tim
Nga trishtimi I vonë,
Zbehem
Vështrimesh të përhumbura,
Lutjesh,
Që nesër të jetë ndryshe.
HËNA E DËBORËS
Në hënën e dëborës,
Rrëshqas nën çarçafë të zjarrtë
Dashnish,
Ëndrrat,
Më pas mi veshin
Epshet lakuriqe
Gacash të zjarrta,
Që shkëlqejnë në sy ulkonjash
Që ulërijnë për hënën
E tyre të bardhë.
ËNDRRASH
Në trëndafilë ëndrrash
Netësh,
Dhe ditësh fluturake,
Shpesh,
Shpirtin shpova gjëmbash
VEGJETOJ
Vegjetoj n’dashni
Tu të dashtë shumë,
Aq shumë
Sa edhe qaj ,
Me më dashtë
Sa të du,
A kishe mujt veç pak
JAM GRUA
Jam grua,
E derdhun në mijëra
Forma dashnish,
E ndryshme
Nga një tjetër dashni
Grua,
E ethshme për tu dashtë,
Ashtu siç na vetë
Dimë të duam turpshëm,
Molisem në dashni
Gjer në ashtë,
Kredhun në të
Përhumbem unshëm,
Mjerisht kacafytyn në grykë
Me veten
Tu dasht me shpirt,
Der në gërhamë të vdekjes,
Jam grua
Detit ia dhashë
Dashninë e parë,
Se ish më I bukuri dashnor
Që të lante çdo mëkat,
Ia mora kripën
Për lotët që do derdhja për të
Më pas,
Në s’do të më donin
Ashtu
Turpshëm si unë,
Dashnitë s’kanë limite matematike
Që shuajnë zjarr,
Jam grua,
Kam nevojë me u dasht
E të dashuroj pafund.
MBI TË BARDHË DËBORË
Sytë e zemrës
Po më dalin vëndit,
Nuk po shoh më dhe aq mirë
Po më mbyt trishtimi,
Po prishet bluja
Përtej horizontit,
E kuqja
Po zverdhet shpirtit
Këtij dhjetori të ftohtë,
E zeza po nxin
Mbi të bardhë dëborë.
MË PATE THËNË
Më pate thënë
Që gjithmonë
Ke kërcyer vallen e bletës,
Udhëhequr krahësh
Hojezuar ëmbëlsisht
Me dritë,
Sa e sa herë,
Më pate thënë,
Se,
Nuk ka nevojë
Të jesh një mbretëreshë,
Për të mbretëruar
Natën yjësitë,
Vetëm ta dish,
Sa ëndrrat I thura si ti,
Më pate thënë,
Të duhet që
Në mbretërinë tënde
Të jesh e lirë,
Mjafton
Vetëm të kesh shpirt,
Dhe unë,
Rilindjesh,
Po guxoj,
Të jem si ty
Një ditë.
HIJET
Hijet u zgjatën udhëve
Me kokë të vegjël
E sy të mëdhenj babëzie,
Përndjekin ëndrrat
Në trajektoret e qiejve,
Në hënën e mjelmtë
Kacavirren shpirtrave,
Në muzgje pijnë lotin
Mbi qerpik
E kithët shpojnë
Shikime të qelqëta
Belbëzuese,
T’u rëndojnë qepallave,
Zgjimit të mëngjeseve,
Hijet,
Zvarranikë të së nesërmes,
Kacavjerrë
Kuajve të ndërgjegjes,
Derdhin helm
Të përpijnë
Çtë gjejnë
Pa drojë,
Funksionesh
Marrin e japin
Me dreqër
Pa mburojë,
Shigjeta gjuhësh
Të panjohura
Gjuajnë shtigjeve,
Aty
Ku shtojzovallet
Këndojnë këngë Ajkunash,
E zënë pritë pabesisht
Si judët,
Mbllefosur
Të çakordojnë
Orët e maleve,
T’ua presin ujin krojeve
E t’u thyejnë
Madhështinë maleve,
Duan
Të zgjaten
Në pafundësitë
E të pamundurës,
Por harrojnë
Se nuk mund të maten
Kurrë me diejtë
Comentários