SHPENDI TOPOLLAJ
VALENTINO MUSTAKA NË 75 VJETORIN E LINDJES, ME KRIJIMTARI
TË GJERË PËR HISTORINË E ARUMUNËVE
Gjithmonë më ka tërhequr historia e arumunëve të mirë vendosur herët në vendin tonë. Qysh i vogël, kur babai na shpinte në fshat te gjyshërit gjatë pushimeve shkollore, ruaj në kujtesë mikpritjen e vllehëve, siç i quanin çobenjtë që sillnin për verim bagëtitë e tyre në kullotat e malit të Radomit aty pranë Novoselës në Kolonjë. I kam parasysh, ata burra e gra, të veshur me rroba të zeza dhe të rënda shajaku në ato kolibet e rrumbullakta prej kashte, të bëra me aq mjeshtëri prej artistësh të vërtetë, si gëzonin kur u vinin mysafirë. Ishin tërë gjallëri dhe bënin gjithçka për t`i kënaqur ata. Më pas, të tillë i njoha ata edhe në Tiranë, Kavajë e Durrës ku banova dhe punova, por tani me statusin e qytetarit, si punëtorë, nëpunës e drejtues, por që nuk kishin humbur asgjë nga ato vlerat që unë ruaja në kujtesë për atë etni. Mes tyre, rastisi që të njihem dhe miqësohem me Valentino Mustakën, i cili ishte ndofta njëri nga përfaqësuesit më të shquar të tyre. Them më të shquar, jo thjesht se ai ka po ato cilësi; si kulturën, ndershmërinë, sinqeritetin e bujarinë, por se ka punuar gjithë jetën e tij për të evidentuar me anë studimesh, hulumtimesh, udhëtimesh, kujtimesh, monografishë e deri përkthimesh, historinë dhe cilësitë e larta të arumunëve në fushat e traditës, artit, veshjeve, menyres se jeteses, gjuhës, zakoneve, riteve, folklorit, besimit fetar, profesioneve, shtegtimeve, demografinë, lidhjeve familjare e deri marrëdhënieve nga më vëllazëroret jo vetëm mes tyre, por edhe me banorët e trevave ku ata u vendosën. E nisi intensivisht këtë punë me shkrimet e tij në revisën “Fratia - Vllazëria” dhe e vazhdoi me revistën “Arumunët Albania Durrës” të cilën e boton me shpenzimet e veta. Dhe përsëri nuk u ndal, por u shndërrua në një veprimtar të palodhur, aq sa u caktua nënkryetar i shoqatës “Arumunët e Shqipërisë” dhe kryetar i kësaj shoqate në Durrës. Pastaj, nga viti 2011 është zgjedhur Kryetar i Partisë së Parë “Arumun/vllahe”. E gjithë kjo punë e ka bërë të njohur dhe të respektuar ngado e sidomos në Durrës. Librat e tij të shumtë, ku bijen në sy “Nëpër labirintet e historisë së arumunëve...” në dy volume, “Latinët e harruar”, “Arumunët në Shqipëri” etj. deri tek ai autobiografiku “Një jetë dedikuar etnisë”, janë shkruar thjeshtë, me vërtetësi dhe me shumë dashuri për njerëzit.
Valentino në çdo faqe e manifeston mirësinë që ndjen si për ata të të njëjtit gjak, ashtu dhe për mikpritësat shqiptarë. Madje, ai nuk e fsheh që ndihet sa arumun aq edhe shqiptar. Por meraku i tij është ai që thuhet edhe në “Kënga e Pindit e vitit 1896”: “Thuani, male të larta / Thuani fusha, thuani karavane / Trego Pind, mbushur me dele / Tregoni ju, çfarë dini për ne / Tregoni popull, nga të cilët ne kemi ardhur / Meqenëse nga të tjerët / Nuk kemi mundësinë të dimë të vërtetën...” Dhe për të arritur te kjo e vërtetë, ky autor i është referuar edhe veprave dhe mendimeve të studiuesve, historianëve dhe shkrimtarëve të tjerë autoritar. Ja pse i ndeshim në librat e tij emrat e Zhan Klod Faverial, Nikolla Jorga, Edvin Jacques, Oliver Jens Shmidtt, William Martin - Leake, Johan Georg von Hahn, Milan Shuflaj, Zef Mirdita, Antonio Baldacci, Nicholas Hammond, Pouqeuville, Dhori Falo, At. Giuzeppe Valentini, Sami e Mehdi Frasheri, At. Gjergj Fishta, Eleni Kocaqi, Ndriçim Kulla, Fatos Lubonja, Indro Montanelli, Aristidh Kola, Kristo Frashëri, Kopi Kyçyku, Pëllumb Xhufi, Perikli Jorgoni e deri historiani i qytetit tonë Meçan Hoxha. Rumuni George Munru në veprën e tij “Vllahia e madhe” sikur definon drejtë, kur duke folur për shpërndarjen e arumunëve arrin në përfundimin se: “Vendosja e tyre në grupe të shpërndara në malet Pind, Ballkan dhe Karpate, vende ku shfaqen në historinë mesjetare, daton pa dyshim përpara shekullit të X - të”. Siç shihet, Valentino Mustaka nuk e ka pasur aspak të lehtë trajtimin e kësaj çështjeje, kur edhe gërmimi nëpër arkiva, nuk do të ndihmonte shumë. Por, pavarësisht vështirësive, ky autor ia ka dalë me shumë sukses që me veprat e tij të hedhë dritë mbi historinë e kësaj etnie dhe mbi gjithçka ata patën dhe kanë të shenjtë për të ruajtur vazhdimësinë e prejardhjes së tyre. Dhe kur vjen fjala tek origjina e gjuhës, Valentini pajtohet me mendimin se “rëmënët, arumunët, vllehtë etj. sepse nuk dua të kem mbetje qejfi nga rryma të ndryshme, që përfaqësojnë vllehtë, arumunët, rëmënët, maçedo - rëmënët, vllasët, çobenjtë etj. të cilët po t`i përmbledhësh mund t`i quash vetëm me një emër e që përfaqëson gjuhën e tyre: Latinë! Gjuha jonë është cilësuar si “Latinishtja popullore”. Ai që e njeh, zotëron, e kupton latinishten, do të gjejë në gjuhën tonë shumicën e fjalëve në latinisht, gjë që nuk ndodh në asnjë gjuhë neolatine”. E parë nga ky këndvështrim, librat e Valentin Mustakës (nga Mustaqe që i mbeti qysh kur katragjyshi i tij përcillte karvanet e korçarëve e voskopojarëve aty nga viti 1860), janë studime të mirëfillta shkencore, po të marrim në konsideratë edhe pafundësinë e statistikave që ai na sjell. Ai është mirënjohës dhe falenderues me të gjithë ata që e kanë ndihmuar në këtë ndërmarrje të vështirë dhe neve s`na mbetet veçse ta urojmë në 75 vjetorin e tij të lindjes për jetë të lumtur dhe t`i shohim sa më shpejt të botuara librat e tjerë të tij që janë të përfunduar.
Comments