Gjithmonë do të ketë një vend bosh,
por atëherë në botë do të ketë:
një karrige të tepërt,
që sot e zvarrisin në pazarin e vjetërsinave;
një palë këpucë, që dje mbetën pas dere;
një çantë shkolle me një spiderman, gjysmë e hapur,
varur në kangjellat e shkollës, e lënë për tu kthyer pas saj;
një lidhëse flokësh që humbet dhe shfaqet
midis kalldrëmeve të qytetit,
sigurisht rënë nga ngutia a nga dhimbja e tepërt;
një tufë zambakësh të një dasme,
nëpërkëmbur midis këpucëve t’baltosura të një dite rënduar me shi,
që zbresin hove-hove ndanë kodrës së varrezave;
një qen a njeri shtrirë në kthesën e pazarit të kafshëve
i tepërt ndaj rrezes së fundit të gushtit...
Ja, hapen, hapen vende me pjesë që iu zbrazën botës
me zhdukjen, zhbërjen, mosqenësinë e tyre...
Se dikur prishën baraspeshën e botës duke dhënë më tepër,
se dikur lëvizën gurë, kalldrëme,
shkundën male...
Se dikur ata mbushën ç’qe boshësi...
E tani,
shikojini të gjitha me radhë
para pazarit,
para dere,
mbi kangjella,
nëpër kalldrëme,
trotuare...
Gjithçka
shkërrmoqet, shprishet, shpërfytyrohet
si ngjyra e një afisheje e lënë gjatë nën diell...
Comments