“Fjalë dhe shprehje popullore nga Myzeqeja” Vasil M. Prifti, Sht. Bot. “YMERAJ”2024.
Libri “Fjalë dhe shprehje popullore nga Myzeqeja” është një botim i veçantë në fluksin e botimeve të sotme “të tavolinave”, sepse përmban një material gjuhësor të marrë drejtpërsëdrejti nga goja e banorëve të kësaj krahine.
Autori i tij, Vasil Mihal Prifti, ka një eksperiencë të pasur në fushën e arsimit dhe kulturës gjuhësore. Në vitet ’70 shek. kaluar, ai ka qenë pedagog në Filialin e UT – ës në Fier, ka marë pjesë në Kongresin e Drejtëshkrimit në vitin 1972 me kumtesën, “Shumësi i emrave në gjuhën shqipe”, botuar në vëllimin e dytë të Kongresit të Drejtëshkrimit dhe ka drejtuar kurset e kualifikimit të mësuesve të rrethit, Fier për ngulitjen e normave drejtshkrimore të gjuhës letrare shqipe. Në vitin 1980 u emërua specialist në Kabinetin Pedagogjik për lëndët gjuhë – letërsi shqipe dhe në vitet 1981 –’85, ka drejtuar aksionin për mbledhjen e leksikut e të frazeologjisë së gjuhës shqipe në rrethin e Fierit. Për kontributin e tij të spikatur, është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë dhe me titullin “Mësues i merituar.”Gjatë gjithë kësaj kariere, ai ka qenë një mbledhës dhe studjues skrupuloz i folklorit dhe trashëgimisë etnokulturore të krahinës së Myzeqesë dhe ka krijuar një opinion mjaft pozitiv nga i cili, konsiderohet aktualisht, si i vetmi studjues serioz i kësaj fushe në Fier. Ka botuar disa libra si; “Jakov Milaj, një jetë në shërbim të popullit” (bashkëautor), 1998, kushtuar autorit të librit shkencor“Raca shqiptare” botuar në vitin 1944. Në vitin 2014 ka botuar përmbledhjen studimore me këngë popullore kushtuar Luftës së Vlorës 1920, me titull,“Evropa shkruajnë e thonë,” , paisur me interpretime rreth kontekstit historik dhe psikologjik të kësaj lufte. “Mozaik kujtimesh për vendlindjen”2020, është një përmbledhje me rite dhe interpretime të praktikës zakonore të jetës së përditshme të vendlindjes së tij. Së fundi ai vjen me librin “Fjalë dhe shprehje popullore nga Myzeqeja,” i cili është fryt i një pune dhjetravjeçare hulumtuese në terren.
Libri është fjalor që përfshinë mbi 300 fjalë dhe 150 shprehje popullore të mbledhura në gjirin e banorëve të kësaj krahine. Na duhet të kujtojmë se vështimin e parë serioz në këtë trevë e ka bërë në vitin 1958 studjuesi Jorgji Gjinari me monografinë ,”Të folmet e Myzeqesë.” , ku ka mbledhur 412 fjalë. Më pasë, po në vitin 1958, prof. dr. Jani Thomai ka bërë studimin “E folmja e katundit Seman, Fonetikë e Morfologji,” botuar tre vjet më vonë në Buletinin e Shkencave Shoqërore në Universitetin e Tiranës, në të cilin përfshihet edhe një fjalorth me 440 fjalë. Vasil Prifti kap një periudhë kohore më të vonët dhe një rreze gjeografike që mbulon kryesisht Myzeqenë e vogël. Studimi përfshin 22 fshatra dhe qytetin e Fierit. Kjo hapësirë fillon nga fshatrat në veri të rrjedhës së lumit Vjosë, ndjek vijën bregdetare të minibashkisë së Semanit dhe përfundon në veri me fshatrat e njesisë administrative të Libofshës. Është pikërisht kjo gjeografi që ka “rrahur” edhe shkrimtari Jakov Xoxa për të dritësuar veprat e tij, sidomos “Lumi i vdekur.”
Vlera kryesore e këtij botimi është risia e tij. I gjithë ky material i mbledhur e i sistemuar është një punë disa vjeçare dhe vjen për herë të parë në këtë përmbledhje. Kjo përbën risi. “Asnjë nga këto shprehje dhe fjalë – thotë autori në parathënien e këtij libri, - nuk përfshihet as në Fjalorin frazeologjik të gjuhës shqipe (Tiranë, 1980) dhe as në atë të prof. dr. Jani Thomait (Tiranë, 1999)”
Një tjetër vlerë, është kriteri shkencor i ndjekur me rigorozitet nga autori. Pranë çdo fjale dhe shprehje popullore, është shënuar edhe burimi, emri i fshatit apo qytetit ku është mbledhur. Edhe
shembujt ilustriv të përdorimit të tyre, janë marrë nga ligjërimi popullor. Autori ka bërë kujdes për shmangien e perifrazimeve të njësive frazeologjike. Për çdo njësi të tillë, është dhënë trajta përfaqësuese e saj, kufizimet ligjërimore e stilistike, ngjyrimet emocionale etj. P.Sh:
Fjalë:
ALLTYST (ndajf.) Lëmsh, lesh e li, tym e flakë. - Dëgjo çfar të them: unë atje nuk vete, alltyst të bëhet! (Pojan), ose;
ANAGJORE (ndajf.) Po ashtu, gjithashtu. – Asnjë nga burrat nuk ndodhet në shtëpi. Pilua me dy çunat shkuan të shkulin zhuka, Kozmai po anagjore. (Sop).
XHINGËL (ndajf.) Shumë i fortë, shumë i tharë. – Nuk e ha dot këtë bukë, është bërë xhingël! (Pojan).
RRAXHOJ (kal.) E mendoj thellë e nga të gjitha anët një punë, një problem a një çështje.
- Ndenjëm deri vonë mbrëmë, por problemin e shtëpisë e rraxhuam mirë.(Topojë).
PILOS (kal.) – A, - UR. Di të ndërtoj mirë bisedën... – Llazi është i gojës, e pilos mirë bisedën. (Seman).
Shprehje frazeologjike:
“E mbanë (e mbajti) si pashkë e madhe.” E mbanë mirë, e trajton mirë...- Pas vdekjes së prindërve, ajo u mbështet pas vëllait. Ai e mbajti si pashka e madhe derisa vdiq. (Fier).
“Është masat pa zjarr.” I paaftë, i plogët... – Atë e njoh unë, është masat pa zjarr. (Libofshë)
“Mbeti si lejek pas Shën Mitrit.” Mbeti vetëm, i ndarë nga të tjerët... – Të gjithë janë larguar nga fshati, vetëm familja e Leksit ka mbetur si lejlek pas Shën Mitrit. (Shën Pjetër)
Një tjetër vjerë e këtij botimi është referenca arkivore që ai mbart në vervete. Një punë e tilla në fushën e gjuhësisë është e vështirë, sepse kërkon përgatitje shkencore, kohë dhe mund. Ndërkohë, brezat që i trasmetojnë këto fjalë e shprehje janë në ndryshim të vazhdueshëm, si nga ana biologjike, ashtu edhe nga ana gjuhësore. Dihet tashmë se fenomeni i “modernizimit” të gjuhës i largon të rinjë nga traditat e trashëguara. Parë në këtë prizëm, ky botim është një “fletë arkivi” e kësaj të folure, ku studjues të ndryshëm do ta shfrytëzojnë në të ardhmen.
Popullsia e Myzeqesë, dallohet për të folurën e saj me aftësi të lartë kumtuese dhe ngjyrime të theksuara emocionale. Në këtë ligjërim, spikatin një përdorim i madh shprehjesh frazeologjike, proverba e fjalë të urta të cilat e bëjnë atë të pasur e mjaft të bukur. Pikërisht për këto veçori, gjuhëtarët e kan cilësuar atë “të folme të abstraguar.”Në këtë këndvështrim, duke patur parasysh edhe zhvillimin e brendshëm të gjuhës, autori në parathënien e ktij libri, bën edhe thirrjen kujtesore për brezat: “Mbetet detyrë e përhershme – thotë ai, - gjurmimi, regjistrimi dhe studimi i kësaj pasurie me vlera të larta kombëtare.”
Nga ky këndvështrim, botimi i këtij libri duhet konsideruar një pasuri e rrallë e të folmes popullore të krahinës së Myzeqesë dhe një gur xhevahiri në gjerdanin e vlerave të saj gjuhësore.
תגובות