top of page

Nuri Plaku: DISA TIPARE STRUKTURORE NË ROMAN


     


Romani “I arratisuri”vjenë tek lexuesi si një prurje e re, me një narracion të strukturuar në mënyrë të veçantë, me detaje dhe finesë artistike që dëshmojnë për aftësi dhe talent të spikatur të autorit. Struktura e romanit, ngrihet mbi tre arratisje të personazhit kryesor, Ermirit dhe brenda tyre, ka një galeri faktesh  e karaktere, sa interesantë aq edhe specifik për kohën e vetë. Nëse do ta “iventarizonim”fondin e kësaj galerie, do vinim re jo vetëm larminë e tyre, por edhe ngjyrimin dhe peshën letrare që ky fond mbart mbi vete, si pasuri e tekstit letrar. Është e natyrshme që kjo pasuri krijon edhe vetë stilin e autorit. Një nga elementët stilistikë tek “I arratisuri” është vetë arratisja. Teksa dy të parat zhvillohen në kufijë gjeografik, e treta zhvillohet mbi elementet e së bukurës. Për secilën nga këto arratisje, ka një zhvillim të brendshëm me karakteristikat dhe kulmet e veta. Ajo që të bije më tepër në sy, është kurba e zhvillimit të personazhit kryesor dhe ngjyrimi emocional i tablove të ekspozuara nëpërmjet kësaj proze.

    Në  arratisjen e parë, luajnë rol të rëndësishëm elementet e  mistershëm si; hijet në varreza, ankthi për djajtë, udhëtimi meditativ me personazhet po aq të mistershëm si Lalë Rrapi, Mentor Shelgu etj. Ndërsa kurba e zhvillimit të personazhit është në fillesat e saj. Kjo duket në zgjidhjen e problemeve të tij, e cila vjen nga faktorë të jashtëm si; ndihma nga roja i vorrezave, qetësimi shpirtëror që gjyshja ja realizon duke u lutur para malit të Tomorrit etj. Ndërsa ngjyrimi i tablove kulmon me dashurinë e ciganes së bukur Anja, pikërisht me dy burrat e mistershëm, Lalë Rrapin dhe Mentor Shelgun. Në këto tablo përshfaqet një lirizëm aq pikantë e i ngrohtë, sa i bëjnë ato të duken si piktura emocionuese. Në përfundim të arratisjes së parë, autori na jep edhe kontaktin e personazhit me karrocën e teatrit lëvizës, ose teatrit pa fjalë të Engjëllit, me të cilin strukturohet edhe e ardhmja e tij në arratisjen e tretë.   

   Taip Sulko, “I arratisuri”, roman, “Naimi”, Tiranë, 2024

Arratisja e dytë, zhvillohet gjithashtu mbi një truall gjeografik, por autori e ngarkon me elemente aventurorë, të cilët zhvillohen në një qytezë të çuditshme dhe në një pyll të rrezikshëm për jetën e një fëmije. Pikërisht te kjo arratisje, vihet re edhe zhvillimi i brendshëm i personazhit, një element ky mjaft i rëndësishëm për vetë gjininë e romanit.

Kurba e këtij zhvillimi fillon të ngrihet befas duke krijuar një kulm revolte që përbënë edhe motivin e arratisjes, duke u shndërruar kështu në një sfidë edhe për vetë realitetin e brustë të kohës.

Teksa realisht, Ermiri është një hero i vërtetë sepse rrezikoi jetën duke shpëtuar një vajzë të vogël, motrën e shokut të tij, Agimit nga mbytja në ujrat e lumit, mësuese Sosja, “një grua e sertë dhe me mustaqe si burr,” e konsideron shkaktar të kësaj fatkeqësie dhe e ndëshkon. Ndëshkimi bëhej kolektivisht me pjesëmarrjen e nxënësve  në mënyrë paradoksale. Fajtori nxirej para klasës dhe nxënësit çoheshin me radhë dhe e pështynin në fytyrë. Ishte  një dënim që fyente dhe denigronte personalitetin e fëmijëve. Pikërisht në këtë moment, përpara një akti të tillë kaq poshtërues, autori hap siparin e zhvillimit të personazhit duke pasqyruar ndërgjegjen e tij nëpërmjet meditimit. “Ah, - klitha së brendshmi, - unë për pak desh e humba jetën time për të shpëtuar një njeri dhe mësuese Sosja më shtyp me këmbë, më torturon. Pse? Kjo është tmerr, njëlloj si vdekja.”Dhe ai rrebelohet, hidhet nga dritarja dhe arratiset. Inkuadrimi kohor i ngjarjeve në këtë roman, bëhet në periudhën e diktaturës komuniste dhe prezantimi i tyre, nëpërmjet syrit dhe psikologjisë së një fëmije, krijon theksin e të ndëshkuarit deri në gjyqësi të diktaturës. Nga kjo pikëpamje kjo prozë merr një vlerë të shtresuar sociale e cila shpaloset para lexuesit faqe pas faqeje dhe në mënyrë krejt origjinale.

 Pas këtij rrebelimi, autori nuk merret më as me Sosen as me banorët e Anadellit, fshatit ku zhvillohen ngjarjet e romanit. Ai e ndjek personazhin në arratisjen e tij, duke u kujdesur që ai të rritet edhe në mendim, të analizojë dukuritë në mënyrë analitike dhe veçanërisht, të rritet në pjesën e ndjeshmërisë për të bukurën.

    E bukura te ky roman shfaqet si një kult i lartësuar kryesisht tek femrat dhe marrëdhënija e tyre me meshkujt. Përgjatë arratisjes, pasi  kalon dy fshatra të varfër deri në pikëllim, ai qendron në  një qytezë me emrin e çuditshëm, Pllana e Kuqe dhe aty, dëgjon gjëra mjaft interesante. Qyteza kishte gratë më të bukura dhe burrat e saj martoheshin vetëm me gra të bukura. Ky pasazh, na jepet me dy momente shumë domethënës; biseda me djaloshin e fejuar dhe rrëfimi i murgeshës.

Djaloshi i fejuar i cili edhe pse e pranon se e dashura ishte një vajzë shumë e mirë, nguron gjithsesi të martohet me të dhe shprehet i dëshpëruar se ajo nuk është shumë e bukur. Ndërsa rrëfimi i  murgeshës, për dashurinë e saj të fshehtë, për hir të së cilës kishte ndodhur drama e familjes, është dëshmia më e plotë e kultit të dashurisë që na përshkruhet në roman. Episodi dramatik i ish burrit të saj të çmendur, i cili , kur gjendet përpara këpucëve të dashnorit, në koridorin e shtëpisë së tij, si dëshmi e tradhëtisë të së shoqes, mbyllet në vetvete dhe bën “vetëvrasje” nëpërmjet heshtjes, është një gjetje artistike mjaft e goditur. Pasi konstaton tradhëtinë, ai nuk i thotë asgjë gruas së tij të bukur, nuk e dhunonë dhe as e ndanë duke mbetur i kryqëzuar midis moralit dhe ndjenjës, aq sa sakrifikon të burgoset në vetvete deri në masën e çmendurisë. Dhe dëshmija e tradhëtisë i bëhet refren i jetës së tij të përditshme. Ai endet rrugëve të qytezës duke parë kalimtarët nga këpucët, si shkakun e çmendurisë së tij dhe të gjithë e dinë se këpucët janë imazhi i degradimit mendor të atij burri. Ky kapitull, përbën një pasazh mahnitës në  roman dhe njëherazi dëshmonë për aftësinë e lartë të mjeshtërisë artistike të autorit.

    Më tej, Ermiri fillon të bëhet më i përgjegjshëm e më veprues ndaj realitetit. Kurba e zhvillimit të tij merr vlera më konkrete dhe më praktike. Teksa në arratisjen e parë ai pushtohet nga ankthi, por nuk vepron dhe qetësohet nga element të jashtëm, këtu e mer vetë situatën në dorë dhe kur futet në pyll, lufton për të mbijetuar. Ai siguron strehën e natës, shuan urinë me frutat e shkurreve të mares, sulmon maçokun e zi dhe vrapon për tu mbrojtur nga njeriu i armatosur i pyllit. Janë tabllo që të mbeten në mend dhe të bëjnë të meditosh në vetvete për skenat origjinale dhe vlerat e spikatura të këtij romani..

 Me këtë rritje përgjatë arratisjes së tij të dytë, Ermiri kthehet sërish në Anadell por, më i pjekur dhe sidomos më i ndieshëm ndaj së bukurës, aq sa, në arratisjen e tretë, ai duhet konsideruar një i rritur para kohe. “Unë tashmë isha në një arrati tjetër, në atë të së bukurës, dhe jo vetëm gjatë provave, por edhe në gjumë rrethohesha e mbushsha me një dritë tjetër si nga lart.”Ai bëhet pjesë e teatrit shetitës të Engjëllit duke shijuar madje edhe puthjen e aktores simpatike Sidritës. Në kufijtë e kësaj arratisjeje, shfaqen edhe fundet e personazheve të tjerë, nëpërmjet të cilëve zbërthehet drama e madhe e artistëve në diktaturë, si rasti i burgosjes dhe vdekjes makabre të Ëngjëllit dhe internimit të familjes së tij.

   Gjatë leximit të romanit, të bije në sy edhe një kontigjent fjalësh, fjalishë dhe shprehje figurative të cilat shkëlqejnë aty këtu si luspa argjendi nëpër faqet e kësaj proze. Mjaft nga situatat dhe karakteristikat e personazheve, autori i vizaton pikërisht me këtë ngjyrim poetik. Nga kjo mori shprehish, mund të veçohen disa të tilla si: “… thelbi i drurut të thatë, që të sillte ndër mend veç pamjen e mëkatit të pafalshëm ndaj vetes.”Ose: “Çdo gjë që thoshte ajo ishte e pandryshueshme për mua si diamantet,”ose,“ … pllakat e gurta ishin të mbuluara me një shkëlqim të lëngshëm, si vuajtje.” Ose:“Gjethet gjysmë të zverdhura tundeshin e dridheshin gjithë fshehtësi.”

Përposë këtyre frazave në roman ka edhe një numër të madhë togëfjalësha kolorativë të tillë si:“Ngjyra klithëse,” “pylli kryengritës,”“skllav i mjerë i ankthit”,“natë me ankthe macesh”,“qiell i vogël lotësh,” etj., etj. Të gjitha këto tregojnë se romani “I arratisuri”është një prurje dinjitoze dhe zë një vend nderi në letërsinë e sotme shqipe.

Nuri Plaku

121 views2 comments

2件のコメント


ゲスト
11月12日

Më pëlqeu shumë analiza. No coment.

いいね!

ゲスト
11月12日

Mirënjohje të veçantë për poetin dhe shkrimtarin Nuri Plaku për këtë shqyrtim të kujdeshëm dhe me profesionalizmin të lartë të romanit “I arratisuri”. 

Po ashtu i shpreh mirënjohjen time botuesit të Fjala e lirë,  Fatmir Terziu, për hapësirën që i ka kushtuar analizës mbresëlënëse të N. Plakut.

Ju uroj suksese!

いいね!

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page