NUMËROJ PETALET E TRENDAFILIT
Se si më erdhi këtë mbremje duke parë hënën
Të numëroj fletët e trendafilit
Një petal i kuq
Një jehonë tik-taku në zemër
Dy petale të kuqe
Niste notën e dytë të valsit të dashurisë.
Se si më erdhi këtë mbremje duke parë hënën
Të numëroj petalet e trendafilit
Një petale e kuqe
Një dallgë ngrinte në det
Dy petale të kuqe
Niste pushtimin e bregut të lumturisë.
Se si më erdhi këtë mbremje duke parë hënën
Të numëroj petalet e trendafilit
Dhjetë petale të kuqe
Si zogj çuçurisin mbi kaçurrela
Njeqind petale të kuqe
Një yllësi e terë varur te gusha jote
Se si më erdhi këtë mbremje duke parë hënën
Të numëroj fletët e trendafilit
Si grup lab iso të mbajnë..
Do marr kazmë e lopatë
Do shkoj t’i zbuloj varr
Të shikoj ç’nur i ka renë
Nuri kuq apo nur i bardhë?
Se si më erdhi këtë mbremje duke parë hënën
Të numëroj petalet e trendafilit
Si luledele t’i shkul
Të gjej burimin e ngjyrës flakë.
Gjeta shpirtin tend
Që shperthente e buiste në ekstazë
PRAPË E PYES BISTRICËN
Sa herë e kam pyetur e po e pyes Bistricën time
Eleganten, me fustan jeshil, rrugës kur e ndesh
Na çmende me atë sy larush,kush moj ta ka fal?
Kthen paksa kokën plot naze e vetem buzëqesh.
Prapë ngul këmbë, e ndaloj rrugës dhe e pyes
Me qerpikët ujëvara argjendi që i varen në vesh
Na çmende moj , me atë gushen e bardhë kristal
Ajo prapë nuk përgjigjet,por vetem po buzëqesh.
Prapë e prapë e pyes të bukurën Bistricën time
Më lindi dielli me dritë-më tha- në krahët e erës
Më atë bukuri e çmenda atë të poshtrën kuçedër
I qendisa sytë e mikës tende,motrës së pranverës
VONON TË DALË HËNA NË FSHAT
Hëna prapë vonoi të dalë edhe sonte
E qyqja ia nisi këngës pak me herët
Heshtja me qelloi fort me shuplakë
E më hedh batanien e murmë,të errët
Xha Nasi, gjitoni im, kollitet në oborr
Përkedhel qenin e plakur dhe bisedojnë
Zvarritje hapash e dera me qarje kercet
Një oh,rënkimi,pastaj ca hije vallëzojnë
Angullimat e qenve thyejnë terrin vrastar
Dhe xha Vasoja ngre televizorin pa kufi
Mos trembin zogjtë e trishtimit mbi pemë
Mos e natën e pafundme e shkurtojnë disi
KUR TË VISH TI
Gjyshi im i urtë theri dashin më të mirë
Kur po ndertonim shtepinë e re në fshat
Gjakun mblodhi e në themele e murosi
Të kercente hëna në kalanë time Rozafat.
Në dritarët e saj mbollëm borzilok me erë
Aromë dashurie të mbante e gjithë çatia
Gurë stralli tek muret, të thyej kokën era
Dritë agu për bojë,të ndritin nga bardhësia.
Pastaj i bëmë ftesë mbretit të qiellit,diellit
Ta kemi mysafir të parë të shtëpisë sonë
Ftuam edhe dallendyshet te balli i portës
Të vinë të na thonë kur vjen pranvera jonë
Në oborr mbollëm rrush të na ëmbëlsojë
Lule të bardha dhe trendafila të kuqe plot
Kur të vish ti e dashur tek pragu si nuse
Oriz do të hedhin e s’do të përmbahen dot
Comments