top of page

NUK MË NJEH KUSH NË TIRANËN “SHTATZËNË”…



Shefqet Meko


-Rikthim tek kryeqyteti i dashur pas një dekade-



Koha fluturoi dhe erdhi momenti t’i rikthehem vendlindjes sime me emrin e bukur Shqipëri. Asnjë nga miqtë e mi amerikanë nuk ka mundur të shqiptojë saktë këtë emër kur ua them në shqip. Unë thjesht kam qeshur se, me sa duket, edhe emri im ka të njëjtin fat: keqshqiptueshëm nga të huajt. Por kur u them miqve të mij se jam nga kombi që i dha botës Nënë Terezen, ata befas qëndrojnë gati-tu… Është magjia e hyjnores, që rastësisht ndodhi të ishte shqiptare…

Gati një muaj më parë para nisjes, më mbytën ëndrrat “me Shqipëri”, ëndrra që ishin fashitur në vrullin e përditshëm të punës në Amerikë. Është e vërtetë se jeta në këtë kontinent gjigand është “kominoshe dhe gjumë”, siç thonë shumica shqiptare, por besomëni, ka edhe po aq mundësi qejfi dhe argëtimi sa edhe në Shqipëri. Sepse këtu së pari punon për egon tënde, pastaj për atë se “ç’thotë komshiu…”

Jam nga ata ikanakë të shekullit të shkuar, që e dua vendlindjen… Është pjesë e jetës sime, edhe pse e shkuar. Verbërisht i dashuruar pas ëndrrave varfanjake, pas të shkuarës me “njëshin në krye”, pas të shkuarës ku “ç’thotë partia bën populli” dhe të gjithë në turmë brohorisnim me xhepat bosh, por shpresëplot se do vinte një ditë… Ajo kohë erdhi. Nuk ka më “Njëshi në krye”… Jemi të gjithë në krye dhe po aq të marrë sa e kërkon koha që me shumicë e jeton njerëzimi i këtij globi… Kam aq shumë ëndrra për të treguar, kam aq shumë mall për të rrëfyer, kam aq shumë brenga për të ndarë dhe fluturimi drejt Atdheut tim më duket si “fluturim drejt ferrit”…Me një ankth të çuditshëm pres avionet të ndërrohen dhe hesht. Kam një mall të madh, që më duket idjotësi në sytë e atyre që jetojnë në Tiranë. Por unë shpresoj të më kutpojnë. Ndërsa fluturoj andej nga lind dielli, kam një ndjesi se do humbas mes ujrave të Atlantikut. Më duket sikur do vdes pa arritur në Tiranë, pa shtrënguar duart me ata që kam mall dhe i dua, edhe pse ma kanë harruar ermin… Frikem. Më duket se do le vejushë timeshoqe në Amerikë, më tmerron fakti se ç’fat mund të ketë ajo dhe nuk e di pse nuk kam hiçhall për veten time që mund të vdes pa arritur në Shqipëri…

Arrij në Tiranë në një mbrëmje të vonë.Desh zoti nuk ra avioni në flakë si dikur Drago Siliqi. Pata fat të vij i gjallë në Shqipëri. Dritat llamburisin kudo. Adriatiku dallgëzon njësoj, si dikur në “kohën e diktaturës”, ndërsa rrugët janë ndryshe…Lëvizin mijra maqina, mijra ëndrra dhe dëshira…Nga lartësia shoh rrugë të bukura dhe një llamburitje konstante… A thua jam diku në Zvicër?!... Nga lartësia e qiellit vendlindja më duket një “parajsë e munguar” ndërkohë që e di se kudo ka një jetë, një problem, një dashuri apo një vdekje…Ligji i hekurt i jetës nuk mund ta anashkalojë Atdhuen ku unë rastësisht linda dhe kurrë nuk e vura në pikpyetje…

Një miku im i vyet më pret në aeroprotin “Nënë Tereza”.Duke u përqafuar me të, sikur përqafoj gjithë Shqipërinë. Ndiej frymëmarrje shqiptare, miqësi që nuk e gjen kurrë në Amerikë. Vite më parë kur vija këtu Shqipëria buçiste “Nano ik”!.. Ato kohë do më priste gazetari dhe botuesi shpirtmadh Medi Koxhaj dhe unë, më një karton në dorë do dilja nga aeroporti më fjalët e shkruara “Medi, mos ik”…Tanimë, Medi Koxhaj ka ikur me të vërtetë atje ku është “shumica” njerëzore… Tani është një “klimë tjetër”. Krejt çuditshëm opozita është bërë “përshesh”.Ca bërtasin egërsisht “Basha ik” e të tjerë mallëngjueshëm si dikur para “tribunave të 1 majit” kur çirreshim “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”, një shumicë sikur evokon të njëjtën dijotësi shqiptare që kam kujtuar se ishte “histori e shkuar”.Harrova se historia përsërit veten. Shqipëria nuk bën përjashtim… Unë hesht. Dua të shijoj Tiranën time në heshtje dhe melankoli dekadore Ajo më duket si një bunker hitlerian, ku betoni dhe hekurat sikur ia marrin frymën qytetit më të bukur të rinisë sonë, Tiranës. Ndiej me dhimbje rënkimin e qytetit të “bërxollave” dhe “krikove të birrës”…Ndiej në heshtje hapat e lehtë në bulevardin e madh që sikur janë koncentruar në sheshin “kurrizo” në mes të Tiranës, që e bëjnë “loken” tonë si shtatzënë…Si një llavë vullkanike ndërtimet janë përhapur gjithandej. Pa formë, pa plan, pa ide, pa vision,pa shpresë….Beton dhe hekur kudo. Pluhur, zhurmë dhe klafene kudo. Njerëz që i bien tavolinës me grusht, si dikur “Opinga e Hrushovit” në OKB.. “Pse nuk mori afganë Austria, por vetëm ky “I gjati ynë”?... Ku po shkojmë?...” Nata përcjell zëra revolte gjithëandej, ndërsa jo pak kontrollojnë koshet e plehrave… Kjo dodh edhe në Amerikë, të varfërit dhe të pashpresët janë pjesë e shoqërive. Ata kanë vendin e tyre dhe ne, me fat ndryshe,ofrojmë mëshirë dhe lutje për ta… Këtu nuk lutet kush, këtu prania e tyre sikur lumturon një shumicë tjetër fatkeqe…

Gjindem i humbur në Tiranën e ëndrrave të bukura.Më duket se vetëm mali i Dajtit “vështron” mbi mua me një mishërim të ftohtë e të hidhur. Tamam si “yjet” e Arçibald Korninit. Ndihem i lënduar nga brenda. S’mund të shpejgohem.Nuk di se ku të çojnë rrugët dhe unë mbetem i hutuar mes llafnajës dhe betoneve kryeneçe. Tirana ka dryshuar. Tirana është zhbërë. Ajo është marrë “peng” i parasë që nuk mund të numurohet, por thjesht konvertohet në beton , hekur dhe qiellgërruese të frikshme.. Kërkoj të gjej diku sahatin e madh, këtë symbol të qytetërimit shqitar, por nuk mundem. Është groposur mes kullash dhe betone pa fund. Më dhemb kjo katraure mbi ëndrrat dhe kujtimet tona. Më bën të bërtas si i çmendur në mes të sheshit ‘Skënderbej” që më duket si “Tirana me barrë”… “Këtu ka ndodhur “përdhunimi” më monstruoz i shekullit” belbëzoj në përlotje. Humb duke hedhur hapat sa në lindje aq në perëndim, sa në veri aq edhe në jug… Hedh hapat me frikë mbi “barkun” e një sheshi që e lashë të sheshtë dhe të vërtetë. Tani frikem kur çapitem se mbase ndjell “dështimin” e turpshëm... Kërkoj mos gjej ndonjë të njohur ndërsa çapitem me frikë mbi “28 mijë gurët” e gënjeshtra të “guvernatorit mashtrues” të këtij qyteti që ishte ëndrra më e madhe e brezit tim… Askush nuk më njeh me maskë në fytyrë, askënd mund mund të njoh. Më shijon tmerrësisht ky anonimitet. Kryeqyteti i përshëndetjeve dhe duarshtrëngimeve drithëruese është bërë qytet perëndimor.Nuk të pyet kush si të quajnë dhe ç’hall ke. Tirana është bërë qytet amerikan ku veç vetes, nuk ke kërkënd ta përshëndesësh në rrugë. Sillem si i marrë në disa ëmëlbtore dhe pyes “a keni mafishe?!”…Vajzat e bukura habiten me kërkesën time idjote. Nuk më kuptojnë. Ato më ofrojnë bakllava dhe kadaif… “Jo, jo..Dua mafishe…Kam mall” u them. Ato nuk më kuptojnë dhe unë ik me maskë në fytyrë…Diku njoha një fytyrë.Ishte Eduard Zaloshnja njeriu që bërtiste në ekranin e vetëm të kohës “prishni kooperativat” në 10 vjeçarin e fundit të shekullit që shkoi. I jap dorën dhe pres të ma thotë emrin. I habitur nuk flet. “Jam Lefter Daku, i them. Më harrove?...” Ai belbëzon dhe thotë: “Ai nga Devolli…Ai i gazetës…” Ja bëj me dorë dhe largohem… Shëtitja në Tiranë është një marri e bukur që mua më shijon dhe më lëndon në shpirt. Nuk kam fuqi ta ndryshoj.Më duket se kam zbritur në një kryeqytet tjetër të Europës plakë…Si i marrë ec kryq e tërthor.Tirana nuk ka “sokak të marrësh”, Tirana ka një “qeveri të marrësh” që së fundmi duan ta bëjnë “Fener femrash” në botë…Mbetemi si dikur “fanar ndriçues” dhe “rrugë zhvillimi”për krejt botën… Më dhemb kjo lloj madhështie ekranesh.Malet nuk mbajnë më parrulla “Lavdi PPSH”, peshën e maleve e kanë marrë ekranet e shumta… Zhurmë kudo. Llafe në çdo cep. Dua të bërtas, dua ta them “Poshtë qeveria”, dua të them “Rroftë opozita e përçarë”, dua të them “Turpi qoftë me ju”, por nuk e di se kush mund ta ma dëgjojë këtë brengë… Ec dhe nuk shoh dot asnjë fytyrë që mund të njoh. Dikur në atë shesh kam takuar aq shumë shokë e miq. Aq shumë vajza dhe gra të bukura, aq shumë intelektualë dhe akademikë… Ku janë sot? A vallë nuk e dinë për ardhjen time të beftë pas një dekade harruar? …

Askush nuk më njeh në qytetin ku rashë në dashuri dhe u bëra dy herë baba.Vajzat e bukura që ma rrëmbenin gjumin nuk duken kund në bulevard. Sikur janë futur në “bunkeret” që ofron me propogandë perfekte qeverisja socialiste. Buka shtrenjtohet 20% dhe askush nuk proteston. Jam gati të bërtas si i marrë në shesh “Ejani të protestojmë për bukë e gojës…”. Nuk më dëgjon kush. Të gjithë i kanë sytë tek “të mëdhenjtë” e partive këtyre “kurvave” shqiptare, që ja kanë kaluar “Kurvës Europë” të Fishtës. Askush nuk më flet në qytetin ku ëndrrat “putheshin” me qiellin.Kujtohem se edhe unë nuk jam ai që kam qënë. Kanë ikur aq shumë si puna ime dhe unë kot kërkoj të jem “i famshëm” si dikur kur bëja një kronikë në Radio-Tirana me shefe Zamira Kolecin dhe Iljas Spahiun.Tirana është bërë metropol ku ka gjuhë dhe forcë vetëm betoni, hekuri dhe “paratë e dyshimta”… E qeshura vanitet nën këtë dhunë të frikshme të atyre që derdhin miliona përmes grykës së beton-rrotullueseve. Pashë të ngrihej një qytet beton-fantazmë aty ku e qeshura jonë pushtonte dikur pafajësinë e Tiranës që na rriti….

“Zgjohu”- më thotë një zë.-“Është koha e brezit tjetër…”

Hap sytë dhe dua të shoh “brezin tjetër”, por nuk më lënë betoni, qiellgërryeset dhe tymi i fjalëve nga kafenetë pa fund…

Askush nuk më njohu në vendin tim, ndaj ulem diku tek 15 katshi, porosis një kafe dhe ujë dhe i them vetes si në perëndim:“Gëzuar…Mirseerdhe aty ku ishe…”


Shefqet Meko

Tiranë, Shtator 2021

59 views0 comments

Komentar


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page