top of page

Nuk ma hapi telefonin


Ilir Levonja

Ilir Levonja

Nuk ma hapi telefonin

Një nga detajet që kaloi në heshtje në opinionin publik shqiptar qe deklarata e kryeministrit në ikje të Kosovës, zotit Ramush Haradinaj, kur tha midis të tjerave se e kishte kërkuar Edi Ramën në telefon që atë mesnatë të tërmetit por ai nuk ia kishte hapur. Ashtu i sinqertë siç edhe është në natyrën e tij Rramushi nuk tregoi ndonjë qejfmbetje dhe se nuk ishte fare i surprizuar nga një gjest i tillë. Megjithatë na la neve të kuptojmë apo të shohim sharmin e ulët të një shtetari nga atdheu amë. Mu duk ekspozeja më bajate e shtetarit tim, kundruall shpaloseshin ato deklaratat publike në lidhje me një marrëveshje atëhere për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë etj. Ku faktori politik shqiptar si ai në Kosovë dhe në Shqipëri ishin si gjithmonë në një kontradiksion të çmendur. Madje çështja kombëtare që barazuar me programet e fushatave dhe e drejtë legjitime e një force që mjafton të fitoj një palë zgjedhje dhe aq, mund të lëvizi edhe kufijtë. U përmenden presione palësh, gjyqe, u adresuan akuza dhe romuze, madje u përdor edhe gjuha buliste, ajo dominantja e Tiranës që po e injekton dhunshëm edhe Prishtinën. Megjithatë Rramushi e kapërdiu, apo i hodhi mbrapa të gjitha, Shqipëria qe mbushur në gërmadha. Eshtë e logjikshme që mërive karshi një hundëpërpjeti që e kujton shtetin e fortë pasi ka ngjyer me të kuqe muret e Kryeministrisë, vendos portretin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, t'i përgjigjesh me frymën e solidaritetit të njerëzve të tu. Mirëpo hundëpërpjeti, hundëpërpjetë mbetet, nuk ka kohë, është i ngarkuar, është i zënë, është një sundimtar që i del për zot vendit të vet etj.

Por është edhe një dëshmi e madhe e atij soji, ai zhgun tipik i sundimtarit që çështjen kombëtare e ka një top letër higjenike përballë fatit të vet. Një shtetar që mban mëri fëmijësh kur tarracat e tejrënduara të pallateve nga depozitat e ujit, tejet të amortizuara nga ndërhyrjet a shtesat vend e pa vend. Kur pallatet fringo të rinj të çara vertikalisht e të thërrmuar qosheve, me hekur kolonash fryrë si kapuçe, me betonin skarco etj., janë shembur dhe kanë zënë poshtë njerëz, me plot gojën e them, nuk i duhet një vendi, një shteti, jo e jo kombit. Eshtë një mbeturinë e dekompozuar mijra herë dhe që qelb gjithandej. Por është edhe një dëshmi që vazhdon të na ulërasi për ringritjen e një sundimtari a diktatori modern, që edhe koha e fatkeqësive po i kthehet në një fat me kapul.

Ky është me plot gojën një Enver modern, një diktator i ri që shqiptarët po e suportojnë me të dyja duart. Ai ia ka arritur qëllimit, flet gjithë ditën në tv, madje edhe në studiot e Italisë, në parlament. Ka një makineri propogande të shkëlqyer ku tema e ditës është lufta pa kompromis kundër panikut, lajmet flesh mbi arrestimet e ndërtuesve informal etj. Nëse Enver Hoxha i riparoi dëmet e tërmetit në Shkodër të vitit 1979 në 5 muaj, duke refuzuar ndihmat nga jashtë, veprim i logjikshëm për një diktaturë në izolim, me punë vullnetare, pa pagesë, për më tepër që në situata të tilla solidariteti njerëzor është në pikën e vlimit, gjithçka kthehet në aksion. Ky i sotshmi po del nëpër botë për të lypur megjithëse orë e çast deklaron se do bëj lagje të reja edhe me forcat e veta. Se i ka paratë e mjaftueshme dhe se nuk ja ka nevojën botës etj. As një fronti më të gjerë gjithëpërfshirës për të kontribuar në atë që Shqipërisë i ka munguar maksimalisht, shteti ligjor. Por nga ana tjetër nuk harron të vrapoj e të deklaroj se 15 milionshi që dha Europa është vetëm kapari. Megjithatë sundimtari i Tiranës sot është një telefon i mbyllur karshi Kosovës, pasi Kosova nuk bën si do e thotë ai, por siç duan vet shqiptarët e Kosovës. Një demokraci e shkëlqyer bashkëkohore, një shtet në këmbët e veta.


9 views0 comments

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page