top of page

NUK IU NJOH KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË


HAFIZ SHERIF LANGU (1877- 1956)

KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE, DELEGATI I PAVARËSISË QË NUK JU NJOH KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË



Nga Sakip Cami, studiues





KRYETAR I KLUBIT PATRIOTIK “BASHKIMI” DIBËR 1908-1912

· ORGANIZATOR DHE DELEGAT I KONGRESIT TË DIBRËS, 1908

· DELEGAT I KUVENDIT TË VLORËS , 30 NËNTOR - 7 DHJETOR 2012

· IMAM DHE KADI NË DIBËR TË MADHE 1918 -1938

· KRYETAR I ULEMA MEXHLISIT TË SHKUPIT 1938-1942

· KRYETAR I KOMUNITETIT MYSLIMAN SHQIPTAR 1942-1945

· BURGOSUR NGA REGJIMI KOMUNIST 1945-1950

Shqiptarizma asht për Fe e Atdhe. Sa ma shumë ta përqafojmë atë aq më pranë Zotit jemi dhe Ai padyshim do t’na ndihmojë në dëshirat e hallet tona”.

Hafis Sherif Langu




Dibra, qyteti ku lindi Sherifi


Qyteti i Dibrës në fundin e Shekullit XIX dhe fillimin e Shekullit XX kishte 3 lagje kryesore, Lagjen e Hinqarit, Lagjen e Bajram Begut dhe lagjen e Dervish Mustafës, ose Dollmahalla.

Në këtë kohë qyteti ka patur 20000 banorë dhe 3000 shtëpi. Shtëpi dykatëshe, me oborre të ngushta, me avlli të larta dhe pranë njëra tjetrës. Pastërtia ishte shembullore qoftë e banjove, qoftë e cezmave dhe puseve me ujë të bollshëm e të kristaltë. Me gjithë se është djegur tre herë nga pushtuesit turq dhe serbë Dibra edhe sot rrezaton kulturë dhe pastërti shembullore.

Në lagjen e tretë të Dollmahallës e kishte shtëpinë Sherif Langu. Lagjeja e Dollmahallës ndahet prej lagjes së Hinqarit me Pazarin qysh ke Ura e Selamit deri tek Shatërvani i Xhamisë së Haxhi Brahimit. Me Lagjen e Bajram Begut ndahen me Përroin tek Ura e Selamit deri në Tabkhane e Xhelis Tepe. Në bllokun 14 të kësaj lagjeje e ka shtëpinë Sherifi, ngjitur me shtëpinë e Dullë Nallbatit. Edhe sot njihet si shtëpia e Hafis Sherif Langut.

BABAI I SHERIFIT, OSMAN LANGU (1840-1912) “DËSHMOR I KOMBIT”,

IMAM I LAGJES DERVISH MUSTAFA NË DIBËR

Osmani shërbente si imam i xhamisë së lagjes Dervish Mustafa (Dollmahalla) (Haki Sharofi, “Historia ne Dibrës” Faqe 45. Ai është lindur në qytetin e Dibrës në vitin 1840. Familja e tij ishte ndër familjet më të dalluara të qytetit me prejardhje të herëshme, trashëguese e imamit, të njohur si intelektualë dhe atdhetarë. Përveç mbiemrit Langu mbanin edhe mbiemrin Imami, që sot e mbajnë trashëgimtarët. Ka qenë një familje e kamur me prona për bujqësi e blegtori.

Përveç Osman Efendi Langut që ka qenë imam i Lagjes së Dervish Mustafës, kanë shërbyer edhe dy imamë të tjerë në dy lagjet e tjera, Jusuf Efendi Skikuli, imam i Lagjes së Ilinqarit dhe Shaqir Efendi Imami, imam i Lagjes Bajram Beg. Imamët emëroheshin me dekret Sulltani nga Stambolli.

Në vitin 1912 Jusuf Efendi Skikuli dhe Osman Efendi Langu shkuan në luftë kundër serbve në Manastir dhe ranë në fushën e betejës në Fushën e Orizarit. Bashkë me ta në këtë luftë ra edhe komandanti i tyre Kapiten Aqif Rusi. (H.Sharofi “Historia e Dibrës Vëll I” , faqe 81)

Sherifi është i biri i Osman Langut dhe i Sabrije Rusit (Langut). Sabrija ishte e bija e Selim Bej Rusit, një familje e pasur bejlerësh, por atdhetarë të shquar.

SELIM RUSI, GJYSHI NGA NËNA I SHERIFIT,

FIGURË E SHQUAR E LËVIZJES PATRITIKE SHQIPTARE

Selim Bej Rusi (1821-1905) njihet si diplomati që ja kishte frikën Sulltan Hamidi II. Me bëmat e tij patriotike Selimi I dha emër të nderuar jo vetëm fisit të tij, por edhe Dibrës dhe mbarë shqiptarisë. Veprimtaria e tij I përket periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe kuvendeve kombetare të Dibrës, të cilat I drejtoi dhe I organizoi. Ai ishte bashkëkohës dhe bashkëvepries me Haxhi Zekën , Hoxhë Vokrrin (Seit Najdenin) Hamdi Ohrin, Ibrahim Teëmon, Dervish Himën etj. Selimi trashëgoi nga gjyshi itij Riza Beu jo vetëm pasurinë , por edhe titullin bej, të cilin e ngriti edhe më lart në aspektin atdhetar.

“Selim Bej Rusi kishte marrë pjesë në Kongresin e Dibrës më tetor 1880, në Kuvendin e Pejës në janar të vitit 1989, kishte kryesuar Kuvendin e Dibrës më 1899 dhe deri në vitin 1905 kur vdes ka qenë promotor i lëvizjes kombëtare shqiptare dhe i përhapjes së gjuhës e të shkollave shqipe. (M.Murra. “Selim Rusi”faqe 106, 107, 108 dhe Sejfi Vllamasi “Balafaqime Politike 1897-1942” Faqe 54.

Babai, Osmani dhe gjyshi Selim Rusi ngulitën tek Sherifi ndjenjat atdhetare. Osmani dhe Sabrija patën 6 djem dhe 2 vajza: Sherifin, Dautin, Nebikën, Mirvetin, Shabanin, Rifatin, Edipin dhe Gafurin.

SHKOLLIMI

Për shkollimin e Sherifit u kujdes gjyshi i tij Selim Rusi, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare shqiptare. Synimi i Selimit dhe i bijës së tij, nënës së Sherift ishte që ai të mësonte shqip. Shkollën shqipe në Dibër të Madhe e hapi për herë të parë Said Najdeni, (Hoxhë Vokrri) në vitin 1888. Ky patriot dhe rilindas i madh i solli abetaret shqipe nga Stambolli. Nxënës të tij ishin Sherif Langu, Riza Rusi, Kadri Fishta, Shaban Pepa, Tahir Trena, Dalip Rusi, Ymer Rusi etj. Riza Rusi, i cili kishte kryer studimet në Stamboll, u bë nxënës i Seid Najdenit për të mësuar gjuhën shqipe.

Shkolla fillore shtetërore quhej iptidare dhe të tilla në Dibër të madhe ishin njëmbëdhjetë. Pas shkollës fillore kreu edhe Shkollën Rruzhdije, ose 8 vjeçare siç mund të barazvlerësohen sot. Në Dibër Sherifi kryen edhe Medresenë, në njërën nga 10 Medresetë e Dibrës së Madhe. Në vitin 1897 mbaron shkollën e Mesme te Manastirit dhe niset drejt Stambollit.

NË STAMBOLL, KONTAKTI ME RRETHIN SHQIPTAR PËRPARIMTAR

Në Stamboll Sherifi bie në kontakt me pjesën përparimtare shqiptare të kohës. Ai qëndron me Seid Najdenin, Dervish Himën, Kadri Fishtën, Ali Riza Shkupin, Ibrahim Temon, Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën, Mehmet Pashë Dërrallën. Në një foto të kohës Sherifi është me Ramiz Dacin, Haxhi Zekën, Shahin Kolonjën, Sotir Kolean, Dervish Himën dhe Rezhep Matin. Përveç këtyre atdhetarëve Sherifi padyshim ishte edhe nën ndikimin e veprimtarisë dhe shkrimeve të vëllezërve Frashëri. Në Stamboll Sherifi studion për teologji, megjithëse nuk dokumentohet se e mbaroi atë, për shkak të përfshirjes në lëvizjen e shkollave shqipe dhe të kthimit të parakohshëm në atdhe.

Ndonëse pat shprehur dëshirën të studionte Teologjinë Islame, në vetvete ishte i prirur që nëpërmjet mundësive që i jepte rroba e një patriarku të ndikonte sa të mundte për t’u orientuar bashkëatdhetarëve të vetë dritën e munguar të Shqiptarizmit.


22 vjeç imam në Dibër të Madhe

Ishte vetëm 22 vjeç kur kthehet në atdhe, në Dibër të Madhe dhe fillon punën si imam në këtë qytet. Pikërisht në këtë vit në Dibër të Madhe gjyshi i tij atdhetari Selim Rusi me shokë organizoi Besëlidhjen e Dibrës ku Sherifi mori pjesë në mënyrë aktive në këtë veprimtari atdhetare krahas gjyshit të tij dhe patrotëve të tjerë shqiptarë nga Dibra, Mati, Struga, Elbasani dhe Tirana. (Moisi Murra “Një emër në univers” faqe 35-37)

Ndërkaq në këtë kohë në Turqi kishte filluar lëvizja për përmbysjen e regjimit despotik të Sulltan Hamitit me emrin “Itihad ve Terakkki” (Bashkim e Përparim”) Kjo lëvizje filloi fillimisht në Manastir dhe më pas në vitin 1907 u krijua dega e saj edhe në qytetin e Dibrës së Madhe me kryetar Hafis Ismetin.

VËLLEZËRIT E SHERIFIT

Daut Langu (1883-1944)

U vra si patriot në vitin 1944 në mbrojtje të Dibrës së Madhe.

Shaban Langu

Shabani u inkuadrua në lëvizjen iluministe në Dibër

Rifat Langu (Imami), delegat i Kongresit të Dibrës

Rifat Langu me 22 gusht 1910 së bashku me një grup shokësh nën influencën e Sherifit dhe të atdhetarëve të tjerë dibranë kundërshtoi ekpeditën e Durgut Pashës. Rifati merr pjesë në Kongresin e Dibrës si delegat i këtij kongresi.

Gafur Langu, deputet i Kuvendit Kombëtar të Shqipërisë

Gafur Langu u lind në Dibër të Madhe në vitin 1905. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Dibër, në vitet 1934-1939 kreu studimet në Çeki për agronomi. Si antifashist internohet nga italianët në vitin 1941.

Në tetor 1943 zgjidhet deputet i Kuvendit Kombëtar të Shqipërisë, qëndron në këtë detyrë vetëm një muaj dhe për këtë pas çlirimit arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burgim. Në vitet 1954-1956 jeton në internim në Lushnjë. Për nevojat që kishin e thërrasin të drejtojë fermën e Peqinit. Vdes në Tiranë në vitin 1963.

KLUBI ATDHETAR « BASHKIMI » I DIBRËS SË MADHE

SHERIF LANGU, KRYETAR

Më 19 Shtator 1908, në Dibër u formua Klubi patriotik “Bashkimi” i cili ndikoi në hapjen e 250 shkollave shqipe në Dibër dhe Shqipërinë verilindore

Në fund të dhjetorit 1908 në Dibër të Madhe, klubi atdhetar « Bashkimi », i themeluar që në shtator të atij viti, u vendos me zyrë e qendër në hotelin e Haxhi Rexhës afër shatërvanit të papuçinjve.

Ky klub ka patur një këshill administrativ me kryetar Hafiz Sherif Langun. Fillimet e këtij klubi janë në vitin 1907, kur Hafiz Ismet Dibra themeloi organizatën « Bashkim dhe Përparim » dhe në kryesi të tij ishin Hafiz Sherif Langu, Riza Rusi, Ismail Strazimiri dhe Rushit Kusari. (Haki Stërmilli, « Dibra në prag të historisë » dorëshkrim, 1940)

Në vitin 1908 fill pas Kongresit të Manastirit, Klubi « Bashkimi » zhvilloi një veprimtari të gjërë për përhapjen e gjuhës shqipe dhe hapjen e shkollave shqipe. Në Kongesin e II të Manastirit , Klubi « Bashkimi » mandatoi Ibrahim Jegenin që ti përfaqësonte.

Me këmbënguljen e Hafiz Sherif Langut, Eqerem Camit dhe të Ismail Strazimirit u bë e mundur që në gjimnazin e Dibrës të mësohej shqip dhe mësues të caktohej Shefqet Daiu nga Elbasani.

Hafiz Sherif Langu dhe Shefqet Daiu dhanë provim para autoriteteve të kohës në Manastir për të marrë të drejtën e mësimdhënies në shkollat shqipe. Shefqet Daiu, mësuesi i parë i shkollës shqipe të Dibrës së Madhe strehohej në fillim tek Hafiz Sherif Langu dhe më pas tek Riza Rusi.

Klubi pati në përbërjen e tij 65 anëtarë dhe një këshill administrativ prej shtatë vetash ku bënin pjesë : Hafiz Sherif Langu, Kadri Fishti, Riza Rusi, Ibrahim Xhindi, Eqerem Cami, Abdurrahman Tërshana dhe Ibrahim Jegeni. Razije Pregja ishte e vetmja femër, anëtare e këtij klubi.

”Pranë klubit “Bashkimi” dhjetra antarë zhvillonin një propagandë të gjërë në qytet dhe në krahina për të mbajtur të gjallë në popull dashurinë për atdheun, dëshirën për të kënduar e shkruar shqip. Kudo dëgjohej me interes fjala e kryetarit Sherif Langu dhe Vehbi Agollit për këto probleme, duke i bërë kështu një shërbim të çmuar çështjes kombëtare”.

( Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë , Dosja A.VII.63 , fleta 4 ).



DREJT VLORËS, DREJT FLAMURIT , (NËNTOR 1912)

Ngjarje kulmore në jetën e Hafiz Sherif Langut është padyshim pjesmarrja e tij në kuvendin historik të Vlorës.

Më 18 nëndor 1912, në zyrën e telegrafisë së bashkisë së Dibrës,do të mbërinte telegrami i plakut Ismail Qemali, i cili ftonte dibranët një orë e më parë të zgjidhnin përfaqsuesin e tyre,për të ngritur Flamurin në Vlorë dhe për të shpallur pavarsinë e trojeve shqiptare.

Në këto kushte, më 19 nëndor 1912, paria e Dibrës në bashkëpunim me udhëheqësit e shquar të maleve, u mblodhën në një kuvend madhështor, i cili u çel me leximin e telegramit të plakut të Vlorës.

Dy ditë pas këtij kuvendi, mes bisedimesh të shumta, u caktuan edhe dy delegatë që do të përfaqsonin popullin dibran në Vlorë. ”Është interesant fakti që mandati i përfaqsimit të Dibrës në kuvendin e Vlorës iu dha njëzëri dhe pa asnjë hezitim Vehbi Dibrës dhe Hafuz Sherif Langut. Të dy burra të shquar dhe të nderuar, të njohur si klerikë por edhe si luftëtarë aktivë të çështjes kombëtare”

.(Q.Xhelili”Vehbi Dibra personalitet dhe veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare” – Tiranë 1998 , faqe 90 ).

Menjëherë pas marrjes së mandateve, të dy burrat e Dibrës të përcjellë nga dashuria dhe respekti i mijëra dibranëve, nisen për në Vlorë. Atyre do t’u duhej të udhëtonin herë në këmbë e herë në kuaj, ditën e natën, duke iu shmangur sidomos luftimeve me formacionet e ushtrisë serbe. Dhe kurdoherë ata do të gjendeshin të rrethuar prej bujarisë dhe fisnikërisë shqiptare. Udhëtimi i tyre zgjati plot 7 ditë edhe pse në kushtet e vështira të mjeteve të komunikimit me të mbërritur në Elbasan ata muarën vesh për interesimin e vazhdueshëm të Ismail Qemal Vlorës.

Kështu, në një telegram që ky i niste në Elbasan, Aqif pashë Elbasanit, përpos të tjerave pyeste ; “A erdhën përfaqsuesit e Dibrës ? Sa më i madh të jetë rreziku aq më rëndësi kanë masat për ta përballuar këtë rrezik…

(A.Q.Sh-Tiranë. Fondi “Kuvendi Kombëtar i Vlorës”Dos.1.fl.23)

Delegati i dytë i Dibrës në Vlorë, Hafiz Sherif Langu është një nga figurat qëndrore të Dibrës dhe të lëvizjes mbarëkombëtare shqiptare, mik me atdhetarët e njohur si Hamdi Ohri, Zyhdi Bej Ohri, Hajdar Blloshmi, shok me Ibrahim Temon e Dervish Himën në Stamboll, në kontakte dhe me Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën e Mehmet Pashë Dërrallën që lanë gjurmë në jetën e tij. Ai mori pjesë në Kongresin e Dibrës të 1909. Kongresin e Dytë të Manastirit më 1910, në kryengritjen e 1910. Disa kohë me kërkesën e banorëve të Dibrës shërbeu si mësues i gjuhës shqipe. U përfshi dhe në kryengritjen antiosmane të vitit 1912, si luftëtar dhe organizator në rrethinat e kësaj krahine, shkruan Dr. Laurent Bica.

Hafiz Sherif Langu së bashku me Vehbi Efendi Dibrën i shkruajnë Ismail Strazimirit se po bëjmë përçapje për të marrrë fshehtas librat që na ka dërgue Josif Bageri i Rjekës prej Sofje por xhonët (xhonturqit L.B.) kanë ushtrue kontrolle të rrepta”. Në kujtimet e tij Ismail Strazimiri jep dhe caktimin e atdhetarit Shefqet Daiu si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Dibrës së Madhe. Kuvendi i shpalljes se pavaresise ne Vlore. Sherif Langu arrin në Kuvend me datën 30 nëntor 1912.

Kuvendi i mbajtur nga 28 nëntori deri në 7 dhjetor 1912 njihet nga botimi i proces-verbaleve të shtatë ditëve të tij në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” (numrat 6-11, janar-shkurt 1914) drejtuar nga Dhimitër Berati dhe ribotimin pas tij nga Lef Nosi në fletoret e tij “Dokumenta Historike” nr. 1(1924)-nr. 12(1925

Ishin 78 delegatë që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë, nga 28 nëntor më 7 dhjetor 1912, ndër to edhe Sherif Langu. Njihen vetëm 40 firmëtarët dhe janë harruar e anatemuar 38 delegatë të tjerë, ndër to edhe Hafiz Sherif Langu



Në foto nga e djathta në të majtë janë disa nga delegatët e Kuvendit të Vlorës, në mes tyre Hafis Sherif Langu me çallmë në kokë; Eqrem Bej Vlora, Rexhep Mitrovica, Dervish bej Biçaku, Hafiz Sherif Langu, Lef Nosi, Rauf Fico, Ali Asllani, Ferid Vokopola dhe Dhimitër Berati.

38 VJET NË DIBËR DHE NË SHËRBIM TË DIBRËS E TË ATDHEUT

(1900 – 1938)

Periudhën e gjatë kohore të Hafiz Sherif Langut në shërbim të interesave fetare të myslimanëve të Mbretërisë së Jugosllavisë, ku shumica ishin shqiptarë, sipas Prof. M. Hysës e dallojnë dy veçori :

1) Në vitet 1900-1938 ka mbajtur poste të larta fetare e me përgjegjësi, duke arritur postin më të lartë të hierarkisë fetare myslimane në këtë mbretëri në katër vitet e fundit 1938 – 1941, në postin e kryetarit të Ulemave të Shkupit.

2) Veçoria e dytë ka të bëjë me vendshërbimet e këtyre posteve. Ai ka qenë ndihmës imam, imam, imam shtetëror, imam ofiqar, gjykatës i sheriatit të gjyqit të Qarkut të Dibrës, gjykatës gjyqi, kadi i Sanxhakut të Dibrës, anëtar i Ulemave të Maqedonisë dhe në fund kryetar u Ulemave të Shkupit, që drejtonte të gjithë myslimanët e Mbretërisë së Jugosllavisë.

Pra shërben për 38 vjet me rradhë në Dibër dhe për 4 vjet në Shkup si Kryetar i Ulemave. Ngjitja e shkallëve hierarkike fetare është bërë në saje të punës së tij të palodhur, të aftësive profesionale, menaxhuese, drejtuese, juridike, fetare, psikologjike dhe mbi të gjitha humanizmin e tij.

Sipas ASHM (UM Shkup 1930-1941) , shërbimi i parë fetar i Hafiz Sheërif Langut daton datën 1 maj 1900 në moshën 23 vjeç dhe vazhdon si imam shtetëror deri më 10 dhjetor 1913. Kjo vërtetohet nga çertifikata e lëshuiar nga Kryetyari i Komunës së Dibrës M. Zllatku dhe të dëshmive të imamëve shtetërorë vSheh Hyseinit dhe Mahmud Ahmetit.

Nga 15 dhjetori i vitit 1913 deri më 31 dhjetor 1917 ka shërbyer si kadi i Qarkut Dibër me rrogë mujore 1800 groshë. Kjo vërtetohet nga shkresa e Kryetarit të Bashkisë B. Shapati e datës 18.07.1936. (M.Hysa faqe 291, ASHM , 16/3.

Nga janari i vitit 1918 deri më 14 dhjetor 1920 ka shërbyer si imam shtetëror i Xhematit ‘Dervish Mustafa ‘ Dibër e Madhe. Nga 14 dhjetori 1920 deri me 13 mars 1928 ka shërbyer si imam me Vendim të Ministrisë së Fesë, vendim që mban datën 14 dhjetor 1920. Nga 14 dhjetori 1920 deri me 31 dhjetor 1931 përsëri ka shërbyer si imam.

Me Dekretin Mbretëror të datës 7 janar 1933 është emëruar si gjykatës i Sheriatit dhe ka qëndruar në këtë post deri më 24 shtator 1935.

Gjatë gjithë veprimtarisë së tij fetare, shtetërore dhe juridike, Sherifi, është përballur me presionet e shtetyit jugosllav për ta futur në shërbim të tyre dhe për tja kundërvënë popullit të tij, gjë që kurrë nuk e bërë p[atrioto Sherif Langu dhe kurrë nuk do ta bëntë ai njeri që kishte qenë delegat i shpalljes msë pavarësisë së shtetit shqiptar në Vlorë.

Ky presion vinte për faktin se besimi kryesor në Mbretërinë e Jugosllavisë ishte besimi ortodoks. Ndaj atij besimi tregohej kujdes më i madh politik dhe ekonomik, ndërsa myslimanët ishin në monorancë dhe kisjte tendencë që ta minimizonin deri në zhdukje. Por qënia në detyra e klerikëve myslimanë dhe në drejtim e njerëzve atdhetarë si Sherif Langu bëri të mundur që shqiptarët dhe myslimanët të mos shuheshin dhe sot të kenë ato të drejta që gëzojnë.

KRYETAR I KËSHILLIT TË ULEMAVE NË SHKUP 1938-1941

Sipas librit me studime të Prof Mahmud Hysës “Studime 6” botuar në Shkup vitin 2013, kushtuar Hoxhë Vokës dhe Hafis Sherif Langut, ky i fundit nga viti 1938 e deri në vitin 1941 kryen detyrën e kryetarit të Këshillit të Ulemave në Shkup.

Si anëtar i Ulema Mexhlisit të Shkupit Hafis Sherif Osmani (Langu) u betua me datën 15 qershor 1938. Betimi u bë në Zyrën Qendrore të fesë islame të në Mbretërinë e Jugosllavisë në Sarajevë të Bosnjes. Tre anëtarët e rinj të zgjedhur dhe të betuar po atë ditë përveç Sherif Langut ishin Idris Hajrullahu, Bedri Hamiti dhe Ataullah Kurtishi. Kanë shkuar në Sarajevë me shpenzimet e tyre. Fshehurazi duke e veshur me kostum të fshatarëve të atyre anëve, këta mundën ta nxjerrin Sherif Langun përtej kufijve politikë politik, duke e dërguar në Tiranë.

Aty, burri i Dibrës pritet me gëzim prej qeveritarëve shqiptarë, madje Këshilli i lartë mysliman e vendos në funksionin më të lartë, në atë të kryetarit të Komunitetit Mysliman.

Falë atdhetarizmit të kulluar të tij, luftës pa kompromis me kundërshtarët e Shqipërisë, si edhe përgaditjes së lartë teologjike e filozofike, ai qëndroi në këtë detyrë deri në tetor 1943. I prirur kurdoherë nga ideja e Shqipërisë Etnike, Hafiz Sherif Langu pranon të jetë në tetorin e vitit 1943 në Këshillin e Naltë të Shtetit Shqiptar si anëtar i këtij Këshilli. Ai do të bashkëpunonte me burra të tillë të shquar si Rexhep Mitrovica, Lef Nosi, Patër Anton Arapi, Mehdi Frashëri, Thoma Orollogaj, Fuad Dibra etj.

Arrestimi dhe burgosja ….

Në janarin e vitit 1945, ndërsa po jepte mësim në Medresenë e Tiranës, Hafiz Sherif Langu arrestohet. Akuza ndaj tij mund të përmblidhet “bashkëpuntor me Ballin Kombëtar” e “Legalitetin”, mik i ngushtë me Rexhep Mitrovicën dhe Lef Nosin, ka luftuar për Shqipëri Etnike duke sabotuar rëndë lëvizjen nacionalçlirimtare”.

Ja përse e pranoi Sherfi detyrën e Kryetarit të Komunitetit Mysliman të propozuar nga Kryeministyri i asaj kohe Mustafa Kruja

Jo të gjithë e kanë ditur se Mustafa Kruja (Merlika), kryeministër i Shqipërisë në periudhën e pushtimit italian dhe Hafiz Sherif Langu ishin njohur që më parë në nëntorin dhe dhjetorin e vitit 1912 në Qeverinë e Ismail Qemalit, në shpalljen e pavarësisë.

Duke e njohur nga afër ishte M.Kruja që ja propozoi Sherifit këtë detyrë të rëndëshme dhe ai e pranoi për dy arësye: për ti shërbyer Shqipërisë në aspektin fetar dhe atdhetar dhe që t’i ruante shqiptarët nga fashizmi.

Si e ndihmoi lëvizjen antifashiste Sherif Langu edhe në detyrën e Kryetarit të Komunitetit Mysliman

Në kujtimet e bashkëvuajtësit në burg, të Beqir Ajazit mësojmë se Sherifit nuk i humbi shpirti dhe energjia pozitive. Ky burrë i shkurtër, tregon Beqiri, kishte energji të jashtëzakonshme shpirtërore.

Shyqyri Barkaneshi me detyrë protokollist i Kryesisë së Këshillit të Ulemave të Komunitetit Mysliman Shqiptar deklaroi në gjyq me 16 maj 1945 se kryetari i zyrës sime, Hafiz Sherif Langu ka patur dijeni të plotë se unë qëndroj me Lëvizjen Nacional Çlirimtare gjatë gjithë kohës së okupacionit dhe se nuk ka zbatuar ndonjë mase kundër meje.

Haxhi Hafiz Ismet Dibra ka deklaruar më 15 maj 1945 se Hafiz Sherif Langu ka derdhur muaj për muaj nga 100 (njëqind) franga shqiptare në arkën e Komitetit Nacional Çlirimtar , të cilat unë ja kam dorzuar Ismail Strazimirit për me i dorzuar atje ku duhej. Për këto të holla ka dijeni edhe Z. Haki Stërmilli. Kjo deklaratë jepet për me u paraqitur para gjyqit të popullit.

Telegrami i dërguem nga Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar

Kryqit Kuq Ndërkombëtar rreth bombardimit të Pejës

Zotnisë së Tij, Presidentit Kryqit Kuq Ndërkombëtar

BERNË

Ngjarjet e luftës së tashmë dhe pasojat e saj tragjike mbi popullin Shqiptar, më kanë shtyrë t’i drejtohem, me cilësinë t’eme si Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipnis, Institutit të lartë humanitar të kryesuem prej Zotnisë s’Uaj, me lutje që të keni mirësinë t’ua njoftoni përmbajtjen e këtij telegrami autoriteteve kompetente aleate, Qendrave të Gjysmë-Hënës së Kuqe Turke, Egjyptase, Persiane, Irakjane dhe Indiane si dhe Komitetit Panarab.

Dy ngjarje tragjike e kanë goditur në kohët e fundit vendin t’em:

1) Bombardimi tragjik i Pejës shkaktoi më 13 gusht ‘944 një numër të madh viktimash, të cilat, simbas vërtetimeve më të fundit, arrijnë trimijë të vrarë dhe disa mijëra të plagosur, midis popullsis muslimane shqiptare, e cila ka qenë ajo vetëm e goditur, mbasi ajrorët aleatë kanë synuar vetëm lagjet Muslimane.

2) Masakra janë kryem në Çamëri prej çetave të armatosura Greke të Zervës të cilat e kanë grirë në kohët e fundit popullsin civile shqiptare të Paramithis dhe të krahinave fqinje. Disa qindra Shqiptarë muslimanë, ndër të cilët Myftiu i Paramithis dhe shumë nga parija, janë masakruar pa mëshirë në këtë rast. Shumë katunde e xhamia janë plaçkitur e djegur dhe popullsia civile, e tmeruar nga rreziku i çetave të armatosura të Zervës, ka lënë krejt vendin. Afro njëzetmijë refugjatë kanë kaluar kështu lumin Kalama dhe kanë ardhur përkëndej për të kërkuar mbrojtje duke vuajtur tash nga mungesa e ushqimeve e të tjerave sende të nevojës së parë.Nxitoj t’Ju shpreh me këtë rast falënderimet dhe ndjenjat e mirënjohjes së Komunitetit Mysliman të Shqipnis dhe të mijat personale për ndihmat e para që Kryqi Kuq Ndërkombëtar pati mirësinë t’i japë kësaj popullsije fatkeqe.

…Edhe gjatë kësaj lufte lista e vuajtjeve të hidhta përmban shumë viktima, që kanë rënë ndër ngjarje tragjike. Nga më të dallueshmit, përmendim masakrimin e afro 5.000 muslimanëve i ndodhun në muejin Janar 1943 në krahinën e Bihorit midis Malit të Zi dhe Shqipnis dhe i shkaktuar prej sulmeve agresive të çetave çetnike serbo-malazeze. Herë mbas here sulme të reja ndodhin kundër krahinave Shqiptare të Kosovës – Metohis-qoft nga ajri prej ajrorëve aleatë, qoftë nga toka prej çetave serbo-malazeze të ç’do tendence.Do t’ish mirë që zhvillimet e rënda të luftës të mos shtrihen mbi një popullsi të pambrojtun dhe mbi qytete që nuk përbëjnë asnji objektif ushtarak dhe kemi arsye të besojmë se aktet terroriste ajrore kundër popullsis s’onë myslimane janë kryer vetëm mbi shtytjen e fqinjëve t’anë armiq shekullorë të racës t’onë, të cilët nuk kërkojnë tjatër veçse çfarosjen e saj.

Po i drejtohemi ndjenjave njerëzore të Kombeve të Bashkueme dhe opinionit të tyre me qëllim që të bëjnë pranë Komandave të tyre përkatëse ndërhyrjet e nevojshme me qëllim që akte terroriste të këtij lloji të mos përdoren kundër popullit Shqiptar kaq shumë të goditur gjer më tash nga kjo luftë botore.


Kaluan shumë vite, edhe në demokraci dhe vetëm më 7 qershor 2017, me propozimin e Shoqatës “Bashkësia dibrane” Hafiz Sherif Langu së bashku me Sahit Najdenin (Hoxhë Vokën) , Josif Bagerin, Jashar Erebarën, Izet Dibrën (Shatku), Abdurrahman Dibrën u dekoruan nga Presidenti i Republikës me nderimin e lartë “Nderi i Kombit” .

BIBLIOGRAFI

1. Prof. Mahmud Hysa “Studime 6”, ITKSHSH Shkup 2013

2. Prof. Kristo Frashëri “Historia e Dibrës” 2012

3. Prof. Qazim Xhelili “Vehbi Dibra”

4. Prof. Arian Kadiu “Dibra e Madhe”

5. Haki Stërmilli “Dibra në prag të historisë” 1940

6. Haki Sharofi “Historia e Dibrës Vëll I” Viti 2003,

7. Haki Sharofi “Historia e Dibrës Vëll II” Viti 2008,

8. Haki Sharofi, “Kujtimet e Qenan Manastirit për Kongresin e Dibrës”, sipas botimit të vitit 1944

9. 100 Personalitete shqiptare të komunitetit mysliman, 2012

10. AQSH, fondi 482, dosja 81, viti1942, 1943, 1944, 1945

11. ASHM, 16/3, Ulema Mexhlisi Shkup

12. Arkivi i MPBSH, viti 1945

13. Dr. Valbona Ramci, “Hoxhë Hasan Moglica” , 2012

14. Eugen Shehu, “Hafiz Sherif Langu personalitet i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare”, artikull studimor

15. Prof. Bardhosh Gace, “Delegatët e Kuvendit të Vlorës”, 2012

16. Prof. Aleksandër Meksi, “Dokumenti i Pavarësisë”, korrik 2012, gazeta “Panorama”

17. Dr. Moisi Kamberi “Roli i klerit mysliman në çështjen kombëtare”

18. Dibra dhe etnokultura e saj, “Konf. Shkencore”, Vëll 1 dhe 2, 1995




251 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page