top of page

NOVELA "VIZA AMERIKANE", E SHEFQET MEKOS...


Pata kënaqesinë që këtë shënim për novelën "Viza amerikane“ të shkrimtarit e publicistit të talentuar shqiptaro-amerikan Shefqet Meko , ta prezantoja para një publiku elitar të kryeqytetit, me rastin e promovimit të këtij libri!

NOVELA "VIZA AMERIKANE", E SHEFQET MEKOS NJË DËSHMI LETRARE AUTENTIKE E TRANZICIONIT SHQIPTAR

Viza amerikane e cila per ne shqiptaret, mund të perkthehet edhe si ëndërra amerikane, është një titull po kaq intrigues sa ç’është intriguese edhe novela e publicistit dhe shkrimtarit Shefqet Meko, i cili për fatin e mirë, është edhe miku im i vjeter prej katër dekadash, kohë në të cilën Shefqeti, botoi në gazetë, poezitë e mia të para.

Faleminderit Shefqet për për botimin e poezive të mia, por veçanarisht mirënjohje dhe falenderim për “Sagën përtej Atlantikut” dhe së fundmi, “Vizën amerikane”, dy libra që i bëjnë nder bibliotekës shqipe.

Teper i vëmendshëm ndaj ngjarjeve, dukurive, personazheve, dilemave dhe hamendjeve që kanë shoqëruar tranzicionin e stërgjatë shqiptar, Shefqet Meko është shndërruar në një dëshmitar autentik letrar të kesaj periudhe plot plagë e dhimbje , të cilat në një formë apo në një tjetër i kemi provuar të gjithë. Me këtë rast, me lejoni të them se ndërgjegja krijuese e Shefqet Mekos, instikti i tij prej artisti dhe përvoja e madhe jetësore, kanë bërë të mundur që sot, ne të kemi në dorë një dëshmi letrare të kohës që jetojme, novelën “Viza amerikane”.

Një novelë rrënqethëse, sic shprehet me të drejtë Halil Rama. Tronditëse, do të shtoja unë! Që në fjalinë e parë: "…doli i djersitur dhe shumë i zhgënjyer nga ambasada amerikane…” autori paralajmëron aksion, cili do ta ndjekë lexuesin e vëmendshëm, deri në epilog….

Më pas, libri në çdo faqe të tij, shkakton vorbulla ere, stuhi, dhimbje, herë herë ndonjë dritë shprese, pastaj zhgënjim, rrënim, përpjekje për ringritje dhe pastaj prapë rrënim, mishëruar të gjitha këto në një nga personazhet më dinjitozë, siç është Artur Pojani, ose qiriu i një stuhie letrare, për të cilin personazhi tjeter, Pandi Pllaha, mundohet ta mbajë ndezur për të ndriçuar të gjitha të vërtetat tragjike, të një tranzicioni të korruptuar në çdo qelizë.

Për të shkruar këtë novelë, autori ka vendosur në një beteje sa reale aq dhe surreale, disa personazhe që do të mbeten në letërsi, si Artur Pojani, Pandi Pllaha, Gogo Përculla, e padiskutim Arshim Gatrani, që në mënyrë intuitive mund të lexohet edhe si Arshim Katrani. Personazhet, ngjarjet, përplasjet, kujtimet e një kohe të hershme, peisazhet e Malit të Thatë dhe ato të Minesotas me lumin e Missisipit, përsiatjet dhe dilemat psikologjike, kudërvëniet, dialogjet dhe monologjet vetmitare, impresionizmi, stili unik dhe dhimbja therëse me të cilën është shkruar Viza amerikane, e bëjnë këtë novele kaq të dashur, të rrijë krenare në bibliotekat tona.

Shkrimtari Shefqet Meko ka gjithë vëmendjen dhe përqëndrimin, që edhe disa personazhe që unë po i quaj dytësorë, ti ngrejë në nivelin e personazheve që përmenda pak më parë, dhe që të gjithë bashkë, krijojnë një harmoni estetike letrare, si tipari themelor i prozës së gjatë.

Autori ia ka dalë me sukses që të ruajë kohezionin, të mbajë lidhur më së miri të gjithë lëndën e kësaj novele, nga fillimi deri në fund, duke na dhënë një vepër solide, që pasi e ke mbyllur së lexuari vazhdon të ulërasë honeve të vetëdijes tonë. Kjo është magjia e të bërit letërsi elitare. Për më tepër do të doja të perifrazoja një shkrimtar shumë të dashur për mua e sigurisht edhe për ju, Gabriel Garcia Markes. “Ka dy lexime një vepër e mire! E para është ta lexosh me vëmendje fjalë për fjalë dhe e dyta është, që pasi ta kesh lexuar, të flasësh me vete! Unë tashmë jam tek e dyta.

Faleminderit që më degjuat, faleminderit Shefqet! Ju uroj shëndet, suksese dhe rrugë të mbarë “Vizës amerikane”!

16 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page