Një sy miqësor mbi dy përmbledhje me poezi
Anthula Tili i ka “fshehur” dhjetëra vite poezitë në thellësitë e shpirtit. Edha ato që ka derdhur në letër, kyçur i ka mbajtur, bashkë me “diamantët” më të çmuar të jetës; dashuria, shoku i jetës, djemtë, prindrit, gjithçka që është familje, miqësi, bashkëjetesë.
Përmbledhjet poetike “Zemër gruaje” dhe “Në rrugët e botës” shtrojnë në sofrën e lexuesit zemrën e femrës- bijë, motër, grua, nënë.
Nga nëna e babait ngjaj, / kam marrë hijeshinë /nga nëna zërin e ëmbël
shpirtin e butë nga babai/ edhe urtësinë .../ guxim më dhanë të dy/ të ngjis të përpjetën/ njerëzit t’i shikoj në sy / të dua të vërtetën. ... vëllezërve t’u bëhem krah/... si nënë e mirë të jem për ta /tim shoqi t’i jap besën (Zemër gruaje, fq29)
I përcjellin lexuesit mallin e mërgimtarit, drithërimat që shakëton këputja në mes e jetës ”dhe lënia e vendlindjes diku, larg.
Një notë/ fjalë/ një dritë/një shpresë/ në KRYQËZIM” (Zemër gruaje, fq 15)
Duket që Anthula ka notuar tërë jetën në det me valëza e dallgë duke kërkuar mirësinë:
A do mundem vallë / botën të ndryshoj?/ me dorën e mirësisë /lotin e hidhur ta ndaloj?
Te “Një degë mimoze”:
Më ngjajnë lulet / me tufa zogjsh/ të ardhur nga vendlindja/ .. /zemra nuk rreshti regëtimat / ... /një zog në degë/ atë çast u ndjeva/ në shtegëtime ... prej teje, mimozë e shfaqur në mërgim/kujtimet si lule / në zemër më mbinë. (Në rrugët e botës, f 54 )
Arteria që ushqen frymëzimin e saj është tingulli muzikor. Ky tingull, kjo mbifuqi që depërton në shpirtrat e gjithë gjallesava e ka shoqëruar tërë jetën në veprimtari dhe në zgjedhjen e dashurisë.
Me Spartakun kanë udhëtuar, kënduar, vallëzuar dorë për dorë disa dhjetëvjeçar dhe akoma ecin pa ia lëshuar dorën njëri-tjetrit.
“këngë mjelme/ kënga ime/ veç për ty/ do jetë refren. (Në rrugët e botës, fq85
Asnjëherë nuk ka dashur të joshet, aq më pak të imponohet nga “ndërrimi i stilit”
Ka derdhur në letër vargje që të drithërojnë me sinqeritetin, me tejdukshmërinë, me fillin e dashurisë që thur tej e tej shpirtin femëror.
Nuk e ka stisur vargun as strofën, por ka shtruar lulet e livadhit të shpirtit për t’i pasuruar me dlirësi lexuesit.
Në çdo fjalë e varg ndihet tingëllimi i zërit të saj melodioz.
Comments