Opinion Një takim i paramenduar i Rifat Plakut
-Një dashuri e zjarrtë për letërsinë
-Pritja reagimin e tij për një tjetër problem
-Një bisedë e thjeshtë, por brenda qytetarisë durrsake
Nga BUJAR QESJA
Nuk më kishte shkuar në mëndje, se thjesht dhe pa bujo më vjen e më takon në vendqëndrimin tim të njohur, një burrë me thinja të dukshme, me një komunikim për tu patur zili. Me një qetësi, me sa duket pjesë e tipareve të tij të kristalizuar, me një të folur që mezi e dëgjova më thotë: -Erdha të ndaj një kafe me ju! -Hajde ulu, reagova. Kafen nuk e preferoj, por bisedën po.
Si me nxitim, ende pa pritur të flasë ky burrë i qetë, i cili kishte mbledhur diçka me një gazetë, i fola: -Të prita për të diskutuar një thënie, që i ka mbetur në mëndje dhe e ka shqetësuar mikun tonë të respektuar Esat Ypi. Të shkruajta, por nuk mora përgjigje. Me sa duket, mund të flasim edhe për këtë tani.
Rifat Plaku, emrin e të cilin e kisha dëgjuar dhe prej kohësh e përshëndesja, thjesht si një durrsak dhe qytetar të vjetër në këtë qytetin tonë të lindjes, ruajti qetësinë aq të vlefshme në kësi rastesh. -Unë e quaj të mbyllur këtë problem miku im. Mbase sjam kuptuar, apo mbase skam qenë edhe unë i qartë, në atë që kam shprehur. Por kjo ska rëndësi tani. Skam patur tendencë dhe qëllim të paragjykuar. Kam ardhë për tjetër gjë.
Hapi gazetën. Kishte mbledhur me shumë kujdes dy libra dhe me vëmëndjen e një nënë për fëmijën, më thotë me shumë respekt: -Të solla gazetari ynë dy libra që mbajnë firmën time. Njëri mban titullin “Pasuri të bibliotekës time” dhe tjetri vëllimi me poezi “Pranverë gjithmonë ti mbete”. Kjo është pasuria ime më e çmuar. Dhe nuk mund të rrija pa ti dhuruar.
Në faqen e parë pas kopertinës lexova: “Me shumë kënaqësi durrsakut, publiçistit dhe gazetarit sportiv z. Bujar Qesja.” 1 qershor 2020. Autori.
U ngrita në këmbë dhe e përshëndeta dhe i çfaqa respektin tim për këtë dhuratë të çmuar. Nuk i thashë se do të shkruaja, por ngacmim i i profesionit nuk më linte të qetë pa thënë dy fjalë për miqtë tanë që na ndjekin.
Rifat Plaku është i datëlindjes 30 janar 1940 dhe ka pak muaj që i ka kaluar të 80-tat. Është një shkrimtar modest, por me një dashuri të zjarrtë për letërsinë. Nuk është i zanatit për këtë zanat, por pasioni i përmbys këto raporte dhe ai shfaqet me kostumin e një shkimtari që kërkon të dëgjohet zëri i tij. Nga katër botime, Rifat Plaku më dhuroi vetëm dy prej tyre. I lexova me shpejtësi brenda ditës dhe i bëj komplimenta krijimtarisë së tij. Janë libra që janë shkruar me ndjenjë, me frymëzim, ku pasqyrohet realiteti ynë sipas këndëvështrimit të autorit.
Më erdhi keq, që Rifati nuk ndjehej mirë. Përdorte edhe oksigjen. Kishte dhimbje në mushkëri. Në fakt nuk e kishte dinamizmin, me të cilin isha mësuar ta shikoja që shëtiste rrugëve të Durrësit. Jo pa qëllim publikoj edhe një foto të tij, për ti dhënë kurajo dhe për ti treguar se mund ti rikthehet kësaj pamje dhe këtij humori. Rifat Plaku është njeri i mirë, njeri i urtë dhe i vlefshëm për shoqërinë. E inkurajova. Bëmë edhe një foto, që pavarësisht nga cilësia jemi të sigurtë që jam unë dhe Rifat Plaku. Një kujtim i bukur, në ditën e parë të qershorit, ku sigurisht nuk do të jetë dita e fundit, që mund të takohem sërish me Rifat Plakun.
Ishte një ditë e freskët 1 qershori 2020. Por u mundova ti krijoj ngrohtësi këtij njeriu fisnik, këtij durrsaku të hershëm, i cili pikërisht në këtë ditë erdhi të më çfaqë respekt dhe të më dhurojë pjesë të shpirtit të tij, siç trajtohet shpesh krijimtaria.
Dhe e përcolla me fjalët që mua mu dukën si më të përshtatshmet:
-Të falenderoj Rifat për dhuratën. Por kujdes me shëndetin. Tregohu optimist si poezitë e tua. Dhe si pa dashur dhe për fatin tim, librin “Pranverë gjithmonë ti mbete” , e hapa në një faqe dhe në ikje i lexova këto katër rradhë:
....I vetëm në këtë shëtitje, Veç hëna më ndjek pas. Njëherësh e shkunda mërzitjen, Me valën fillova të flas.....
Dhe me siguri edhe më pas, do të flasim për poezinë tënde. Shëndet, kurajo dhe optimizëm Rifat Plaku!
Durrës: 2 qershor 2020
Comments