top of page

Një sfond, që po merr përmasa gjithnjë e më të ndërlikuara


Një sfond, që po merr përmasa gjithnjë e më të ndërlikuara


Fatmir Terziu


Do të ishte marrëzi të pohosh se poetët modernë arrijnë ta mbajnë veten aq mirë të informuar mbi teoritë më të fundit shkencore, sa të mund t'i përvetësojnë ato dhe t'i shndërrojnë në poezi, por do të ishte po aq marrëzi të mbash mendimin, se ata mund të mbeten të paprekur nga këto konceptime të reja për njeriun dhe universin, dhe megjithatë jo gjithnjë, kanë ndonjë gjë të vlefshme për të na thënë.

Dikush mund të këmbëngulë që poetët, duke qenë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të mendimit që kanë të bëjnë me njeriun në lidhje me mjedisin e tij, (sidomos kur janë tashmë të ndikuar nga hapësira, vendi dhe koha, emigrimi, po aq nga kushtet jetike, mosha, lëvizja e ekonomia) vështirë se mund të ndihmojnë vetveten.

Ata duhet të jenë në arsyen e tyre, jo thjesht në moshën e tyre, natyrisht kjo s'ka të bëjë me moshën fizike, e rëndësishmja mbetet që të përpiqen të pajtohen me materialin dhe situatat përreth tyre. Në një mënyrë, apo në një tjetër, shumica e poetëve në këtë studim kanë tendencë të pasqyrojnë në punën e tyre me pasigurinë e periudhës dhe ndjenjën e tyre të pasigurisë rreth një ndryshese në kohë, hapësirë dhe vend, dhe në këtë drejtim, ato u japin shprehje adekuate, relative, të ndjeshme dhe të domosdoshme ndjenjave dhe shijeve tona, sepse të gjithë po bëhen dhe të gjithë po bëhemi gjithnjë e më shumë të vetëdijshëm për kompleksitetin e botës në të cilën jetojmë, ndërsa rritemi të fokusuar në aftësinë e njeriut për të përdorur burimet e tij shkencore dhe teknike për të mirën e racës njerëzore. Nëse në thelb, subjektet e poezisë mbeten të njëjtat si gjithmonë, ato duhet të vendosen në sfond të ndryshëm të përshtaur me kohën, hapësirën e vendin, pra shkurt le të thuhet, një sfond, që po merr përmasa gjithnjë e më të ndërlikuara, por që i shërben gjithnjë e më shumë „territorit të ri letrar të krijuesve shqiptarë“, ajo që në vitet e monizmit i mungoi dhe i kushtoi shumë shkrimtarit, poetit dhe vetë letërsisë.

Është koha kur Tjetri është larg ndikimit tënd, por i papërjashtuar nga ndikimi. Ndryshe?! Ndryshe do të ndodhë të jetë një Vetë-Dashuri. E kjo pastaj do të përhap papastërti në çdo çarje të zemrës së thyer të kopshtit të letërsisë. Por e kundërta dhe dedikimi tek ndikimi dhe të ndikuarit do të mbjell lule aq të mëdha dhe të bukura, sa rrënjët e tyre do të rregullojnë të gjitha pjesët e copëtuara dhe do t'i ribëjnë përsëri të jenë së bashku. Por në fakt, disa kurrë nuk do të jenë në gjendje të shohin rrëmujën që ka qenë dikur e që nuk ikën me lehtësi. Ky ndikim nga e ndikuara ende është një sfond, që po merr përmasa gjithnjë e më të ndërlikuara.

24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page