NJË ROMAN PËR NJË LEGJENDË
JAM PJESË E HISTORISË SË SKËNDERBEUT
PAK FJALË RRETH ROMANIT “BUNARI” TË SHKRIMTARIT FATMIR TERZIU
Nga Kostandin Vogli
Shkrimtar
Njohja me autorin
Me profesor Fatmir Terziun, prozatorin, poetin, studjuesin, publicistin dhe botuesin, jam takuar disa herë në festivalet poetike, “Trirema Joniane”, i ftuar nga shoqata jonë e shkrimtarëve “JONIANË”. Jam miqësuar me të, sepse është shumë miqësor, dashamirës me ata që shkruajnë, dhe shumë i gatshëm për të botuar në gazetën e tij, materialet që i kam dërguar. Shkrimi për romanin e tij “BUNARI”, megjithëse i vonuar, sepse ai pas tij ka shkruar shumë tregime, romane, poezi e të tjera, mendoj se ja vlen, pasi në të flitet për një legjendë të cilën e sjell tragjikisht deri në ditët tona.
Pikënisja rreth romanit “Bunari”
Shkrimtari me fantazinë e tij fluturon nëpër re, male, fusha dhe lumenj, çan shekujt e mesjetës dhe aty zbulon një tragjedi, një betejë ndërmjet luftrave të shumta të osmanllinjve me Gjergj Kastriotin, SKËNDERBEUN. Dhe atë legjendë e zbërthen për ne, për të na treguar me mjeshtëri artistike, me filozofi, me psikologji, me metafora te shumta e krahasime shumë të besueshme sipas atmosferës së kohës.
Një luftë gjaksore që zgjati tre ditë e tre netë. Është një legjendë për të gjitha kohërat. Kjo legjendë nis aty. Aty ku të gjitha sa ndodhën i ka tretur dheu. Janë zhdukur. Por fjala e lënë në mes, mes pluhurimit dhe harresës, e gjen pjesën tjetër të fjalës, dhe Fatmiri e lidhi. E lidhi duke e filluar me jetën e ujin. E fillon duke u bazuar ne histori dhe e mendon, dhe përshkruan se ka ndodhur një ngjarje tragjike për tre ditë e tre netë, duke na çuar edhe në vëndin ku është bërë ajo betejë, ku është derdhur shumë gjak dhe çdo gjë për rreth është skuqur.
Autori na çon si në film aty, në kalanë e Sfetigradit. Aty ku kanë luftuar Arbëreshët të udhëhequr nga i lavdishmi Gjergj Kastrioti. Lumi Ostrun ishte skuqur. Me siguri që do jetë zhvilluar nje luftë e madhe legjendare dhe e përgjakshme. Shkaqet e ngjarjes, ishin kohët e Gjergj Kastriotit. Nje legjendë ku megjithëse ndofta e pluhurosur në rrëfimin e saktë të kohës kur ka ndodhur, përsëri flet shumë për ato luftra, për vuajtjet, torturat, vrasjet massive jo vetëm të ushtrive të dy palëve, por edhe të popullatës së pa fajshme që po shuhej. Kjo legjendë flet shumë, sepse shkaku kryesor ishin luftrat e osmanllinjve për pushtime tokash, për pasuri dhe flori. Dhe një ndër vendet e lakmuara prej tyre ishin viset e Arbërisë të shekullit XV. Është Sfetigradi, një kala e lakmuar dhe deri në kohën e sulltan Muratit II. Lufta e Sfetigradit dëshmon për një ngjarje të dhimbshme.
Metafora e fuqishme
Me një metaforë të fuqishme, me një figuracion që të intrigon që në fillim me çfarë ka ndodhur. “Edhe malet qethin kokat?” Një legjendë historike e cila akoma nuk është harruar, por zverdhur, zhubrosur dhe gati në harresë. Dhe harresa don të thotë se merimangat kanë thurur rrjetat jo vetëm në vëndet ku u zhvillua ajo betejë për ujin, drurët, gurët, por edhe në trurin e njerëzve. Rrjetat e pa dukshme janë harresat, që kujtesat të flenë dhe të fshihen ato beteja për liri. Ato luftra pushtimesh, të cilat zhvilloheshin nga shkaku i fluturimit të mëndjeve të disave, të veshur me perde të vizatuara në to me pasuri, shpata e heshta, ku prinin në pushtime njerëz me sy të kuq si gjaku. Por për popullin duke kaluar shekuj, rrjeta e merimangës është bërë si me thurje telash çeliku. Harresë?! Por vjen një kohë dhe legjendat zgjohen. Dikush do t’i presë rrjetat prej çeliku të merimangës, dhe para syve dolën trimëritë, luftrat, ushtritë e vëndit, ato të huaja dhe sigurisht, madhështia e fitoreve. U zgjuan gurët, foli ujët. Foli vetë toka dikur e djegur dhe e përgjakur. Legjenda u zgjua dhe tregoi edhe për tradhëtitë, mallkimet, ku shkrimtari Fatmir Terziu i nxjerr edhe nga nëndheu. Edhe lumin e skuqur e solli para syve tanë për të parafytyruar legjendën e cila do të fliste tani vetë.
Gjëma e Bunarit tregon për një dashuri të zhdukur në natën e zezë, me njerëz të zinj dhe si shuhen jetë. Dhe ajo zonë foli pas një memecërie. Foli vet uji tani i pastër. Bunari. Ajo kohë duhej zgjuar nga ai gjumë shekullor. Dhe shkrimtari flet duke treguar arsye pas arsyeje. Foli për krenarinë e saj. Flet për një tokë të pasur me njerëz të lashtë si vet toka, Dhe ato ngjarje tragjike të lexohen dhe të mbahen mend edhe nesër. Gjithë kohërat. Ato që zhduku dushmani dhe tretur dheu. Fjala është prerë në mes dhe gjysmën e dogjën, gjysmën e mbyti Bunari i skuqur. Por pluhuri i harresës u fry, dhe fjala e fjalës edhe kur dhëmb, sjell lumturi dhe buzqeshje, sepses jell fatin e jetës së shkuar që ta mësojmë vet atë jetë të mëshiruar në një zone jetëdhënëse të para disa shekujve, të kohës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Fatmiri këtë legjendë që udhëtoi gjatë, stinëve e viteve, kapërceu pengesat e gjerdheve, ligësive, politikave, natyrën e egër dhe e solli në një formë jetike. Bunari e kishte lidhur besën me malin ku e kishte edhe lindjen dhe trokiti në brendësinë e tokës që t’i lejonte rrjedhën e qetë. Dhe mali lidhi mirëkuptimin me zotin. Dhe Bunari ishte mirëkuptuar edhe me fushën, luginat dhe ato e lejuan të udhëtonte I qetë deri në det. Dhe lumi ishte mirëkuptimi dhe dhurata e jetës. Njeriu edhe kënaqej edhe hidhërohej, dhe e nënshtronte pastaj natyra. Dhe njeriu duke dëshmuar dhe deformuar forcën e tij nga arsyeja e mosarsyes. Por jeta gatuhet me brumra dhe lendë të huaja dhe ato nuk i kupton. Dhe lënda e huaj vjen dhe bëhet prezente për shumë kohë, megjithëse nuk e do dhe nuk mirkuptohesh. Debaton sepse kërkon arsyen e ekzistencës.
Legjendat kanë gojën e tyre
Por legjendat kanë gojën e tyre, na thotë autori. Ato nuk kanë faj pse janë fshirë nga kohëjeta. Por rrëfimet që vijnë ndërmjet filozofisë së jetës dhe lidhjes me natyrën, jetën. Fatet e njerëzve dhe kombeve lindin pavdeksinë e çdo gjëje dhe dëshmitë që kanë shkuar drejt harresës po ringjallen. Për ujin, tokën,gurët, drurët, malet, lumenjtë, luginat etj. Por me kalimin e kohës ato kaluan në tisin e zi të harresës. Portat e asaj legjende u mbyllën nga thurjet e merimangave. Dhe mbyllja e dyerve të kujtesës sjell harresën.
Por legjenda u zgjua dhe folën gurët, uji, drurët. Folën për trimëritë, luftrat, ushtritë. Foli për madhështinë e Skënderbeut, ku sulltan Murati II erdhi me 80.000 ushtarë, por u thye. Gjergji kishte vetëm 15.000, por korri fitore. Por luftrat kanë edhe tradhëti, edhe mallkime për tradhtarët. Tradhëtia e mbushi Bunarin me gjak.Dhe gjaku i grumbulluar në shkëmb, shpërtheu dhe u zgjua legjenda. Po zhdukej dashuria. Po shuhej jeta, po thahej Bunari. Shteroi. Megjithëse memorja e shekujve e kishte lënë në harresë. Flet sot ajo, sepse ka “njëmijë e një arsye më shumë në krenarinë e saj”, - thotë autori romanit. Flet për sot e për nesër. Flet për të gjitha kohërat. Sado që të tret dheu, e sa ka zhdukur dushmani, fjalët e ikura kohërave mes pluhurit dhe harresës. Dhe do të flasë fjala e fjalës. Në fakt fjala sjell lumturi, buzëqeshje, por sjell edhe dhimbje. Dhe dhimbjet nga fjala janë të ndryshme. Fjala mund të ndryshojë fatin e vet jetës. Fjala mund të ndryshojë edhe natyrën. Nga jetëdhënëse, në shkretëtirë. Ashtu si e ktheu dushmani vetëm me një fjalë. Të zhduket ujët. Por zhdukja e ujit do të thotë thatsirë, vdekje. Dorëzim. Dorëzim i kalave si ajo e Sfetigradit. Jo për shkak se Arbërorët nuk ishin trima, por uji…Uji që mban gjallë shpirtrat. Dhe ato shpirtra mbajnë peshë trimërinë. Peshën e luftës, qoftë edhe në formën jo të barabartë të heshtave dhe shpatave.
Mungesa e informacionit të saktë për legjendën, e detyron autorin të gërmojë thellë, të mbledh gojdhëna dhe nëpërmjet Nuhit, të cilit i kishin mbirë brirët. Si ato brirë që mbante Skënderbeu në përkrenaren e tij. Brirët e cjapit. Simbolet surrealiste të Gjergj Kastriotit, dy brirët e cjapit. Lidhje bidirekte. Simbolizohen nga dhitë. Që u ngjiten skërkave si dashnore të jetës dhe lirisë. Brricjapi si symbol i njeriut që përpiqet për të arritur perëndinë, nëpërmjet ndërtimit të tempujve të përfaqësuara nga malet. Vëndet ku rrinin zotat. Del errësira e solisticit të dimrit, dhe dielli me shënjën e brricjapit nis ngjitjen drejt ekuinoksit pranveror. Është Dielli ai që simbolizon brirët me rrezet e tij. Dhe për Gjergjin ndofta është dhe një arsye tjetër. Shenja e horoskopit astrologjik.
Fluturimi nëpër legjendë
Fluturimi nëpër legjendë, ose për këtë radhë në zonën e kësajë legjende, e fantazon autorin të krijojë skena me derdhje gjaku, deri në përskuqjen e pemëve dhe të lumit. E bën këtë për ta pasqyruar sa më fantastike zhvillimet e ngjarjeve dhe mundohet të zgjojë nga mjergulla e shekujve dhe të zbërthejë rrjetën e merimangës me anën e Nuhi Karamuçës, i cili po përgjohet nga shkencëtarë të rizgjohet për të treguar se si ka ndodhur vërtetë tragjedia. Nuhi kishte parë tmerr me sy. Nuhi i ardhur nga shekujt. Autori e vendos si dëshmimtar mistik. Vetëm ai mund të flas për atë tmerr të kaluar që nga ajo kohë e Gjergjit në kalanë e Sfetigradit. Por Nuhin fillimisht e paraqet të përhumbur. Ishte koha e hithrave. Domethënë pranverë. Kështu e fillon tregimin Nuhi. Koha kur ndërrohet gjaku. Kur ishte duke mbledhur hithra, pa se u ça shkëmbi, dhe prej andej rrodhi shumë gjak. Po mjekohej dhe studjohej nga shumë mjek të botës. Nuhit po i rriteshin dy brirë. Ishin si dy brirë cjapi. Dhe autori nuk i vendos kot ato brirë cjapi në kokën e nuhit. Mjekët e lidhin me mutacionin e pa shpjegushëm. Domethënë përmes një rikombinimi gjenetik. Ishte një dopjo dublikim.Dhe kjo ndiqej me vëmëndje.
Stefani, një tjetër bluzë e bardhë. Ai midis bardhësisë kishte një tis të zi ende i pa dukshëm, megjithëse kishte studjuar shumë nëpër akademitë e universiteteve të huaja. As profesorët e botës nuk shkoqën dot një kalli të dobishëm. Ai filloi të lexojë një mutacion të sekuencës së një geni. Çdo studim e çonte tek stema e kastriotëve dhe përkrenarja e Skënderbeut. Brirët e cjapit. Përse e mbante atë symbol surrealist? Dhe pikërisht e mbante vetëm ai dhe asnjë fisnik tjetër. Dikush mendon meritat dhe japin tregime fantastike.
Këtu mendon autori se në mesjetë ekzistonte dhe misteri i mistikëve e të tjerë. Rreziku i osmanëve e detyron Gjergjin të mbronte me vetdije këtë kulturë. Por, thotë shkrimtari, mund të ketë patur dije mistike të alkimistëve. Në atë kohë Arbëria kishte drejtim perëndimor evropian dhe kishin dije në nivelin e kuptimit. Ishin në zinxhirin evropjan të dijes. Atë e vuri re edhe Stefani. Kishte të mirëqënë filozofinë e asaj kohe. Mendoi se astrologët kishin vendosur shënjat astrologjike me anën e pozicionit të yjeve. Saturni ishte kalorsi i ditur, dhe simboli i tij është brricjapi. Dhe lejohej ta mbanin ata që kishin njohjen e kodeve të fshehta Arkane dhe Ermetiste, dhe që njihnin misterin e rimëshirimit.
Beteja e Sfetigradit ishte zhvilluar në muajin e hithrave. Në muajt që ndrrohet gjaku. Dhe hithra është një bimë, e cila influencon fuqishëm në atë periudhë. Beteja e komanduar nga sultan Murati II, Së bashku me të birin e tij 21 vjeçar, Mehmetin II. Ushtria e madhe u vendos para Sfetigradit. Pra autori e lidh me ngjarjet historike të asaj kohe me emra konkretë dhe zhvillimin e ngjarjeve, betejë për betejë, deri sa Osmanët zbuluan furnizimin e ujit. Pra, uji. Dhe mungesa e tij dorëzon kështjellat. Osmanët e morën me marrveshje. Ngjarje këto historike që lidhen me legjendën. Me mbytjen e një djaloshi, me tharjen e lumit të Trebishtit. Dhe Doktor Stefani vazhdonte studimet. Koha që ikën nuk duhet humbur. Duhet bërë të flasë. Përndryshe ajo vdes. Dhe bashkë me të vdes edhe ardhja jonë. Humbet vetvetja. Dhe ajo është vdekja më e madhe. Deri në atë kohë i mbanin fort lidhjet në kulturat e kryqëzuara. Martesat me fshatra të largëta. Dhe ashtu gjaku ishte i përbashkët. Sulltani me anën e informatorëve mësoi për sekretet e ushqimit dhe burimin e ujit. Dhe ndodhën ato që nuk i prisnin. U dëgjuan klithma…
Logjika shkencore do të zgjidhte mjaft enigma. Hyjnia antropomorfe. Perëndia me këmbë dhije. Perëndia Pan. Lidhja bidirekte e mbrojtjes. Por edhe e forces gjenetike të jetës. Pra perëndia Pan kishte dy brirë dhish në kokën e tij. Brirët simbolizonin mbrojtjen e fertilitetit mashkullor. Dhija malore që simbolizon malet, sepse më shumë në male rritet. Brricjapi i Skënderbeut. Fatmiri si studjues i vëmëndshëm i mitologjisë, i legjendave dhe shkencës, na zbulon një enigmë të pa ditur nga shumë për simbolin e Skënderbeut të brirëve të cjapit.
Autori i çvendos nëpërmjet Nuhit ndodhitë. Dokumenta në manastirin e Heladonit Selanik. Brirët e dhive. Bunari, murgj, florinj. Përsëri histori reale. Ndodhi të vërteta të dokumentuara. Dyndje, shkretime, ndryshime të mëdha. Dhe këto autori i lidh me legjendën e Bunarit.Popullsitë autoktone pakësoheshin në gjithë Ballkanin. Autori bën një përshkrim të vëndeve, fiseve, shteteve të Ballkanit Perëndimor. Karamuça tregonte të pa thëna, të pa njohura, labirinthe. Fakte dhe jetë njerëzish. Të gjitha lidhje në një tru, me fate të shqyera si rrobat e vjetëruara. Shkrimtari i lidh ngjarjet me kohën pak të kaluar komuniste. Kohë gënjeshtrash, mashtrimesh, fukarallëk, burgje. Tregon ngjarje reale, deri edhe në dënime të fëmijëve të pa fajshëm.
Këtu autori jep edhe efektet e hithrës dhe qershive. Dhe jo më kot. I permënd që në kohë të para përdoreshin si ilaçe. Përdoreshin edhe nga ushtarët e Skënderbeut, sepse ato rritnin rezistencën e ushtarëve. Ato janë përdorur nga ushtria arbëreshe për ushqim dhe kurime. Këtu Fatmiri na fakton se e njeh shumë mirë historinë dhe kulturat e saj që nga kohët e vjetra. Kur ra Sfetigradi, të gjithë me në krye Gjergjin e ringritën Bunarin. Por përsëri tradhti, shesh beteje, dheu u skuq përsëri. Të vriste sytë e kuqja, thotë autori, dhe i ngeli nga kodra e kuqe, kodra e gjakut. Këtu shkrimtari përshkruan bukurinë e Ançës. Një djalë i dashuruar pas saj, dhe fundi i Ançës dhe djalit të mbytur në Bunar. Legjenda flet përsëri për brirë. Edhe asaj i kishin mbirë brirë. Një tragjedi e rimëshiruar.
Natyra sikurse jeta e njeriut
Të gjitha tragjeditë mblidhen nga historia në një grusht gërmash. Nga historitë e ngatërruara. Dhe fjalët bëjnë fjalitë. Dhe fjalitë historitë dhe tragjeditë. Dhe me ato fjalë duhet të kërkohet drejtësi. Të ndëshkohen ata që ndryshuan rrjedhën e historisë. Ato zona me kultura perëndimore, u ngjyen në të zi ku lanë gjurmë në histori e zakone të tjera. Duar të lidhura. Edhe Bunari i shteruar tani lotonte vetëm me pika. Por Bubari duhej rindërtuar nga e para. Kush punon i siguron të gjitha. Dhe Bunari solli jetë atyre anëve.
Me Bunarin autori simbolizon një zonë të populluar, me zakone e trimëri, me kulturë evropiane. Simbolizon një vend heronjsh ku u sakrifikua dhe u shkatërrua nga barbarët osmanë. Me Bunarin autori përfaqëson Dibrën me Sfetigradin me ujin e bollshëm. Bashkëjetesa e lumtur në një vend të lulëzuar dhe shumë pjellor. Kulturat e gërshetuara aty kishin nisur jetën, dashurinë. Natyra e bukur që shkrimtari e mendon si të gjallë. Ashtu si jeta e njeriut. Natyra ka dhënë bollëkun, dhe duke qënë një vend me bollëk, lakmohet nga dushmanët dhe lëshohen si kafshët e egra mbi bagëtitë. Por Osmanët nuk erdhën ashtu kot me ushtri të mëdha për atë kohë, dhe në krye të saj, vet sulltani me të birin. Ata lakmuan pasuritë, bukuritë, pozicionin e asaj kalaje, e cila ishte porta e hyrjes për në Arbëri, të cilën kishin shumë vjet që nuk e merrnin dot. Në Arbërinë e Arianitasve dhe Kastriotëve. Në vëndin e brricjapëve me përfaqësues Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Por Bunari u tradhëtua. Dikush u ble me flori, dhe sulltani në portat e BUNARIT i zbrazi, vetëm e vetëm të pushtonte atë kala. Dhe ja sa vlen uji. Gjetja e furnizimit solli dorëzimin e saj. Shteruan Bunarin dhe e mbytën në gjak.
Në përfundim
Shkrimtari Fatmir Terziu fillimisht fluturoi nëpër re, në ditë të mira e në furtuna, nëpër fusha, lugina male e lumenjë deri në Sfetigrad, dhe mbasi zbërtheu legjendën edhe me ndihmën e Nuhit, mbasi shfletoi të gjitha historitë dhe arkivat, u kthye përsëri me shumë fletë në duar të shkruara nga vet ai, na i solli neve të përmbledhura në një libër të titulluar BUNARI. Ai zbuloi edhe varrezat massive të dy palë ushtrive, ku nga ana e osmanëve ishin më të shumtë. Zbuloi se edhe vëndi i quajtur Koxhaxhik, i cili në turqisht përkthehet, betejë e madhe. Është vëndi ku janë zhvilluar luftimet. Osmanët i trëmbnin malet. Dhe malet ishin më krenar se minaretë e osmanllinjve, përmënd autori. Arianitët ishin si malet. Dhe nga malet “fluturonin” kur sulmonin.
Mendoj se Stefani që mblodhi këto të dhëna dhe që përjetoi vërtetsinë e asaj lufte, është vet Fatmiri. Ai flet me aq siguri, sikur të ket qënë vet në radhët e ushtrive që mbronin kalanë historike të Sfetigradit me komandant Pjetër Perlatin, ose midis kalorësve të Skënderbeut, të cilët tmerronin osmanët. Bunari ishte tradhëtuar. Ishte tradhëtuar vet Skënderbeu. Por toka dukej sikur fliste me brirët e dhive, të cilat përfaqësonin pushtetin, forcën.
Bunari u ringjall përsëri me natyrë të bukur, me djem dhe vajza të bukura si i kishte para pushtimit osman. Njerëzit janë të lidhur përjetësisht me ujin, gurin, tokën me pasuritë e saj, me bukuritë e saj, me brirët e cjapit si symbol të tyre, të ngrohur nga rrezet e Diellit si brirë.
KOSTANDIN VOGLI
SHKRIMTAR
#Kostandin #Vogli
Commentaires