top of page

Një qen ka vdekur


Xhemil Durbaku

Shqipërime nga angishtja

Një qen ka vdekur

(Pablo Neruda, 1904-1971, Kili; fitues i çmimit Nobel në letërsi)

Qeni im vdiq

E varrosa në kopësht

pranë një makine të vjetër të ndryshkur.

Një ditë unë do të bashkohem me të,

Por tani ai është larguar me gëzofin e tij të ashpër,

sjelljet e tij trazovaçe dhe hundën e tij të ftohtë,

dhe unë, materialist, që kurrë nuk besova

në ndonjë parajsë të premtuar në qiell

për çdo qenie njerëzore,

Unë besoj në një parajsë

që kurrë nuk kam për të hyrë. Po, unë besoj në një parajsë për të gjitha kolibet

ku qeni im pret mbrritjen time

duke tundur bishtin si freskore, me miqësi.

Ah, unë nuk do të flas nga trishtimi këtu në tokë,

e kam humbur një shok

i cili kurrë nuk ka qenë lajkatar.

Miqësia e tij për mua, si ajo e një ferrëgjate[1]

duke mbajtjur hijen e vet,

ishte miqësia e një ylli, e përmbajtur,

me jo aq shumë intimitet sesa ish’ thënë,

pa tepërime:

në rrobat e mija,

për të më mbushur plot me qime ose zgjebien e tij,

ai kurrë nuk nduku gjurin tim

si qentë e tjerë të sëmurë pas seksit.

Jo, qeni im i mësuar, m’i ngul sytë

më kushton vëmendjen që kam nevojë

dhe ta bëjë një njeri të kotë si unë

që ta kuptojë

se, duke qënë një qen, ai po vriste kohën

por, me ata sy më të qashtër se të mijtë,

ai do të vazhdojë të më vështrojë mua,

me një shikim që e ruajti për mua vetëm

gjithë jetën e tij të ëmbël dhe të ashpër,

gjithmonë pranë meje, kurrë shqetësim për mua

dhe pa kërkuar gjësend.

Ah, sa shumë herë e lakmova bishtin e tij

kur shëtisnim bashkë në brigjet e detit

në dimrin e vetmuar të Isla Negra

ku shpendët dimërues mbushnin qiellin

dhe qeni im leshator hovte

plot vrull nga gjallërimi i detit:

qeni im bredhacak, duke nuhatur larg

me bishtin e tij të artë të mbajtur lart

ballë-ballë me të oqeanit stërkalë.

I lumtur, i lumtur, i lumtur,
siç vetëm qentë dijnë të jenë të lumtur
me vetëm lirinë e shpirtit të tyre të pandrojtur
Nuk ka lamtumira për qenin tim që ka vdekur
dhe ne as tani dhe as kurrë nuk do ta gënjejmë njeri-tjetrin.

Sonte unë mund të shkruaj vargje të trishta... (Neruda)

Sonte unë mund të shkruaj vargje të trishta.

Shkruaj, për shembull: “Nata u thye

dhe yjet blu shkërmoqen copash në largësi.”

Era e natës bredh në qiell dhe këndon.
Sonte unë mund të shkruaj vargje të trishta.
Unë e desha atë, dhe ajo hera-herës më deshi gjithashtu.


Gjatë netëve si kjo, unë e mbaja atë në krahët e mij
E puthja pareshtur nën qiellin e pafund.



Ajo më deshte hera-herës, dhe unë e desha gjithashtu.

Si mundet mos të ketë dashuruar njeri akoma sytë e saj të mëdhenj.

Sonte unë mund të shkruaj vargje të trishta.

Të mendoj se nuk e kam atë. Të ndiej se e kam humbur atë.

Të kuptoj natën e pafund, akoma më të pafund pa atë.

Dhe vargu gremiset nga shpirti si vesa në lëndinë.
Ç’rëndësi ka se dashuria ime nuk mundi ta mbajë atë.
Nata është thyer dhe ajo nuk është më me mua.
Kjo është e gjitha.  Larg dikush po këndon. Në largësi.
Shpirti im nuk e besonte se e ka humbur atë.
Shikimi im kërkon për të sikur të arrijë tek ajo.

Zemra ime pret për atë, dhe ajo nuk është me mua.

E njëjta natë duke zbardhur të njëjtët drurë
Ne, të asaj kohe, nuk jemi të njëjtët më si dikur.
 
Por sa e kam dashur atë, dhe kjo është e vërtetë, tanimë nuk e dashuroj më.
Zëri im u lodh të gjente erën që të arrinte veshin e saj.

Një tjetër është. Ajo do të jetë e një tjetri. Njësoj si puthjet e mija më parë.

Kremi i saj. Trupi i saj i shndritshëm. Sytë e saj të paanë. Unë nuk e dashuroj më, kjo është e vërtetë, por mbase ende e dashuroj atë.

Dashuria është kaq e shkurtër, duke harruar që është po aq e gjatë.

Pse përgjatë netëve si kjo unë e mbaja në krahët e mij.

Shpirti im nuk e beson se e ka humbur atë.

Le të jetë kjo dhimbja e fundit që ajo më bën të vuaj

dhe këto vargjet e fundit që unë për të shkruaj.

Kurajo (Anonimus)

Kurajo është forca për të qëndruar lart,

Kur është më lehtë të rrëzohesh dhe të humbësh pikëmbështetjen.

Është bindja për të zbuluar horizonte të reja,

Kur është më e lehtë të besosh se çfarë të kanë pasë treguar të tjerët. Kurajo është dëshira për të ruajtur ndershmërinë tonë,

Kur është më e lehtë për të kërkuar tjetër rrugë. Kurajoja egziston duke u ndjerë i lumtur dhe i ndërgjegjshëm, dhe duke lëvizur përpara,

Kur është më e lehtë të ndihesh keq për veten dhe të ndalesh. Kurajo është vullneti për të rregulluar botën tonë,

Kur është më e lehtë që t’ia lëmë dikujt tjetër ta bëjë atë për ne.

Ajo (kurajo)  është pranimi se askush prej nesh nuk është i përsosur,

Kur është më e lehtë të kritikosh të tjerët dhe të merresh me cikërrima.

Kurajo është fuqia për të ecur përpara dhe të udhëheqësh,

Kur është më e lehtë të ndjekësh turrmat; lypjet e tyre që ushtojnë. Ajo (kurajo) është shpirti që u vendos juve në majën e malit,

Kur është më e lehtë që kurrë të mos i largoheni tokës.

Themeli i kurajos është i fortë,

Shkëmb që nuk lëkundet.

Kurajo është liria

e trupit, mendjes dhe shpirtit tonë.

Predikime - Ecclesiastes 3:1-8 (Anonimus)

(Verse të marra nga Bibla që kanë frymëzuar poemën[2])

Për çdo gjë gjendet një stinë

dhe një kohë për çdo synim nën kupën e qiellit; Një kohë për të lindur, një kohë për të vdekur; një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të vjelë atë që është mbjellë;

Një kohë për të vrarë, dhe një kohë për të shëruar; një kohë për të shembur, dhe një kohë për të ndërtuar;

Një kohë për të qarë, dhe një kohë për të qeshur; një kohë për të mbajtur zi, dhe një kohë për të vallëzuar;

Një kohë për të flakur gurët larg dhe një kohë për t’i mbledhur bashkë; një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar;

Një kohë për të fituar, dhe një kohë për të humbur; një kohë për ta vazhduar, dhe një kohë për ta hedhur tutje;

Një kohë për të grisur, dhe një kohë për të qepur; një kohë për të heshtur, dhe një kohë për të folur; Një kohë për të dashuruar, dhe një kohë për të urryer; Një kohë të luftës, dhe një kohë të paqes.

Vetmi (Solitude)

(Ela Uhilër Uilkoks-Ella Wheeler Wilcox, 1850-1919, poete amerikane)

Qesh, dhe bota qesh me ty; Qaj, dhe ti qan fillikat,

Pse toka e lashtë e trishtuar duhet të marrë hua gazmendin e saj,

se ka telashe mjaft të vetes, vetes së saj.

Këndo, dhe kodrat do të përgjigjen;

Pëshpërima, humbi në ajër; Jehona kërceu tek një i gëzuar tingull,

Por meket nga i shqetësuari zë. Gëzohu, dhe njerëzit do të duan ty; Brengosu, dhe ata kthehen dhe të braktisin, Ata e duan enën plot me të gjithë kënaqësinë tënde,

Por atyre nuk u nevojitet fatkeqësia jote. Ji i lumtur, dhe miqtë e tu janë të shumtë;  Ji dëshpëruar, dhe i humbet të gjithë. Nuk egziston ndokush që të ulë çmimin e verës tënde të nektartë,

Por vetëm ti duhet të pish vrerin e jetës. Gostia, dhe sallat e tua janë të ngjeshura nga turrmat;

Shpejt, edhe shoqëria ikën,

Dilja mbanë dhe dorëzoju, dhe kjo të ndihmon të jetosh, Por askush nuk mund të të ndihmojë të vdesësh.

Ka vend në sallat e kënaqësisë

për varganin e gjatë dhe madhështor,

Por një nga një, ne duhet të ecim njeri pas tjetërit

nëpër shtegun e ngushtë të dhimbjes.

Kur të plakesh

(Uilliam Batler Xheits - William Butler Jeats. poet irlandez, fitues i çmimit Nobel në letërsi)

Kur të plakesh, e thinjur dhe e ngopur me gjumë,

Dhe duke dremitur pranë zjarrit,

Merre në prehër këtë libër, lexoje ngadalë

Dhe ëndërro me të ëmblin shikim që patën sytë e tu dhe të thellat hije

të tyre dikur.

Sa shumë i dashurova të tuat çaste të nurit të gëzuar,

Dhe e desha tënden bukuri me të rremen a të vërtetën Dashuri,

Por, një njeri si unë dashuronte Shpirtin bredhacak tek Ty,

Dhe dashuronte brengat e tëndes fytyrë të ndryshuar.

Dhe duke u krrusur ndanë shigjetave flakëruese

Mërmërit, paksa trishtueshëm, si u zhduk Dashuria

Dhe brodhi majë maleve

Dhe e fshehu të vetën fytyrë

Mes një grumbulli yjesh.

Invictus[3]

(William Ernest Henley, poet anglez, 1849-1903)

I.

Nga nata që më mbulon,

E zezë si pusi nga poli në pol,

Unë i falenderoj çfarëdo që mund të jenë zotat,

Për të paepurin shpirtin tim.

II. Prej gjëmës që më pllakosi,

Unë nuk u mpaka, as qava vajtueshëm,

Nën goditjen e fatit,

Koka ime është gjakosë, por jo-përulë.

III.

Tej këtij vendi të zemratës dhe lotëve,

qaset veçse llahtarë e hijes,

E megjithatë, kërcënimi i viteve,

më gjen dhe do më gjejë të patrembë.

IV.

Nuk ka rëndësi sa e ngushtë është porta,

Sa dënohem me ndëshkim,

Unë jam zot i fatit,

Unë jam kapiteni i shpirtit tim.

I.

Nga nata që më mbulon, (Vdekja i ndjek të gjithë, etj.)

E zezë si pus nga poli në pol, (Për gjithë njerëzimin, etj.)

Unë i falenderoj çfarëdo që mund të jenë zotat, (Pasiguri, por edhe besim në zot, etj.)

Për të paepurin shpirtin tim. (Njeriu e gjen fuqinë tek vetja, vetëm ajo nuk e lë në baltë, nuk e tradhëton. Nuk duhet të presë gjë nga të tjerët.)

II. Prej gjëmës që më pllakosi, (Vuajtje, hall që të bie mbi kokë apo që të ze derën, etj.)

Unë nuk u mpaka, as qava vajtueshëm, (Qëndrim burrnor, etj.)

Nën goditjen e fatit (Vuajtje, hall i madh, etj.)

Koka ime është gjakosë, por jo-përulë. (I vetëdijshëm, stoik, etj.)

III.

Tej këtij vendi të zemratës dhe lotëve, (Kjo është jeta, jetë hallemadhe, etj.)

Qaset veçse llahtarë e hijes (E pashmangshme, të gjithë i pret një ditë kosa e Vdekjes, etj.)

E megjithatë, kërcënimi i viteve, (E tillë është jeta, plot vështirësi e vuajtje, etj.)

Më gjen dhe do më gjejë të patrembë. (Qëndrim burrnor, etj.)

IV.

Nuk ka randësi sa e ngushtë është porta, (Vështirësi të jashtëzakonshme, etj. Kujtojmë portën që hapi Jezusi dhe u tha njerëzve “Hyni!”)

Sa dënohem me ndëshkim, (Dënime me ndëshkime të “shkruara” apo “të parathënë”, etj.)

Unë jam zot i fatit, (Zotërues i qënies time, i vetvetes, etj.)

Unë jam kapiteni i shpirtit tim. (Mbaj nën fre e kontroll dhe udhëheq gjendjen time emocionale, etj.)

William Ernest Henley, poet anglez, 1849-1903. Poemi apo poema me titullin “Invictus” është më e mira dhe më e njohura botërisht e Henley-t.

“Invictus” evokon në mënyrë të qartë stoicizmin Viktorian, filozofinë e vetë-disiplinimit dhe demonstrimit të forcës në përballimin e fatkeqësisë; mbi të gjitha është një poezi për qëndrueshmërinë përballë vuajtjes. Pra, është shprehje e qartë e stoicizmit. Poeti do të thotë se nëse doni të jeni vërtet “invictus” (i pamposhtur, i paepur), duhet të jeni i vërtetë me bindjet tuaja, duke tejkaluar kufizimet e besimit, etj.

[1] Ferrëgjat/ë, zool. Gjitar nga rendi i brejtësve, që e ka shpinën të mbuluar me gjemba të fortë e më të gjatë se të iriqit. [2] Një nga verset (vargjet) më të pëlqyera nga Bibla. Çdo gjë në jetë egziston, varet dhe është në funksion të një kohe. Me fjalë të tjera, egziston një kalendar hyjnor për çdo vepër. Prandaj Bibla thotë në Eccle 3.11 që Perëndia i bën gjërat e bukura në kohën e vet, etj . [3] Fjala “invictus” vjen ngë latinishtja dhe do të thotë “i papushtueshëm”, “i paepur”, i pamposhtshëm, ”i pakonkurrueshëm”.


Përktheu

Xhemil Durbaku

110 views0 comments

コメント


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page