top of page

NJË PËRVJETOR DHE NJË TAKIM


Kozma Gjergji

NJË PËRVJETOR DHE NJË TAKIM

Tregim nga Kozma Gjergji


      Toqen e mbanin organizatorin më me fantazi për krijimin e një skenografie sa më revolucionare në përkujtim të ngjarjeve historike dhe për veprimtaritë e politikës ditore. 

        Kur pëlqehej nga gjerarkët, atë e përgëzonin me rrahje të shpatullave dhe me fjalët: ”Bravo shoku Toqe! “, ndërsa kur kishin vërejtje mjaftoheshin vetëm duke i ndryshuar gërmën e parë emrit të  tij, në :”Bravo shoku Loqe! “.

          Aparatçikë si ky, kopje të të njëjtit model pune të skematizuar e tejet bajate, kishte në çdo komitet partie. 

           Meqënse vlerësohej si violinë e parë, e dërguan në rrethin fqinj të ndihmonte në përgatitjet për kremtimin e jubileut të ndarjes së tapive të tokës.

            Siç e kërkonte dhe rëndësia e ngjarjes në të do vinte një nga udhëheqësit kryesorë. Kështu që dhe kujdesi e përkushtimi qenë maksimal. Krahas ngritjes të një mjedisi flakërues, i tëri në të kuqen e revolucionit dhe me simbolet e përshtatshme, vëmendje e posaçme iu kushtua pjesëmarrjes së njerëzve, shpërndarjes së militantëve më të zjarrtë që nga rreshtat e parë e gjerë në thellësi, brohoritjeve e duartrokitjeve gjatë dhe në përfundim të fjalës së partiakut të lartë.

              Ky preokupim i shtuar ishte diktuar, veçanërisht, së fundmi nga kriza e tejskajshme, e cila sa vinte e më tepër po i ftohte njerëzit me regjimin. 

               Kur çdo gjë u bë gati sipas parashikimit, ata që u angazhuan shkëlqenin nga kënaqësia, përfshi dhe marangozin, i cili vetëm gozhdë nguli. Tashmë gjithçka ishte në pritje. 

                E para ia behu banda muzikore  me tingujt e gëzuar e solemn si preludi i festës. Pastaj nisën të vijnë njerëzit palë -palë, kryesisht kooperativistë. Në pak kohë e mbushën gjithë sheshin. Çuditërisht, tek ata, në vend se të vlonte gjallëria e hareshme, zotëronte një heshtje e zymtë, si të qenë mbledhur për ndonjë varrim. I tregonin tribunës fytyrat e menduara ngjyrë dheu e ndryshku dhe sytë e kapitulluar pa një xixë entuziazmi. 

                 Ata pritën me indiferentizëm ardhjen e udhëheqësit shoqëruar nga të vetët dhe drejtuesit lokalë. Ishte një burrë i bëshëm si hipopotam e me kapelen si të gardistëve kinezë. 

                  Shumë i qeshur e gjithë përzemërsi ai përshëndeti e shtrëngoi duart me këdo, duke ngulmuar t’ia ndizte flakët e gazit të festës. Teksa vërente mosinteres e guakëri mendoi se atyre baruti u kishte marrë lagështirë. Dëgjoi ta përcillnin deri në tribunë vetëm ca prrrrrëëë… prrrrrëëë.. .  të rralla duartrokitjesh, që iu dukën si pordhët e ndonjë gomari aty pranë. 

                 Tentoi sërish kur u vu para mikrofonave, me ca gjeste prej dirigjenti, si të shkruante në ajër vargjet më ndjellës. Iu përgjigjën as sa çereku i atyre që e shndërronin çdo shesh në det të stuhishëm. 

                  Shpresonte ta ndryshonte situatën me fjalimin, prandaj e filloi menjëherë. Me tone mburravece ai bëri propagandë për fitoret, bollëkun, mirëqënien…, ndërsa pjesmarrësit e ndiqnin sikur të mos kuptonin asnjë fjalë nga ato që iu thoshte. Ç’farë nuk shkonte?! Ç’të ishte?!.I erdhi shpejt në ndihmë një nga ato përgjigjet e gatshme: Kishte munguar me  ta puna edukuese, bindëse, sqaruese, por nuk përjashtohej edhe penetrimi i frymës armiqësore… 

                  Ky tutkun, ashtu si gjithë sëra e tij hamse, as e çonte hiç në mend, që atë sjellje e diktonte barku i uritur, duart e pa shpërblyera, vatra pa zjarr, tryeza bosh… 

                  Në hall të madh ishte vënë kameramani i TVSH-së, të  cilit për të ilustruar fjalimin e udhëheqësit i duheshin patjetër shuplaka të kënaqura që përplaseshin furishëm, gojë të ngopura që brohorisnin me krenari, fytyra të ngazëllyera nga jeta e lumtur… 

                  Nuk po i gjente dot. Si t’ja bënte? Eprorët s’e falnin, s’i pranonin kurrsesi çfarëdo arsye. E dinte mirë ç’e priste  nëse paraqiste nga afër ato fytyra të majmunzuara, aktakuza tronditëse të mjerimit komunist. Për më tepër ishte dhe i ndëshkuar e vënë në shënjestër për nxirrje të realitetit socialist. Iu ndërmend si therje koke kërcënimi më i fundit i drejtorit :”Ajo kamera e jote na kthen pesëdhjetë vjet mbrapa…  Nëse vërtetohet se e bën me qëllim, ty të zë ligji për agjitacion e propagandë… Domethënë burgu… “

                 Teksa mendonte këto i mërzitur,  krejt rastësisht i kapën sytë më tutje  një grup fëmijësh të përfshirë në lojën e këndshme, se kush e hidhte shurrën më larg. “Eureka! “ thirri së brendshmi. Menjëherë i vuri në fokusin e kamerës. 

                  Sapo ata e përfunduan garën, ashtu rrëmujshëm e me gëzimin e shpenguar të moshës, ia dhanë vrapit  drejt njerëzve për të ndjekur festën. Shpëtimtarët e vegjël iu dukën si vogëlushët e lumtur të Danimarkës e Kalifornisë. I fiksoi në  dhjetra e dhjetra plane, të cilët do të bëheshin stolia e kronikës dhe e reportazheve të gazetave. 

                   Udhëheqësi pasi mbaroi fjalimin zbriti nga tribuna. Nuk mori nga makina për tek dreka që e priste, por shkoi e u fut midis të pranishmëve të ndiqte koncertin. U bë njësh me ta për t’ju shprehur me atë gjest se: “Unë jam ju…. Unë jam i juaji…. “

                   Koncerti e ndryshoi krejtësisht atmosferën. Njerëzit i mirëpresin e i duan këngët, vallet, meloditë…  Po i pëlqenin dhe partiakut të lartë, sidomos ato me vargjet-parrulla. Duartrokiti fortë e iu tha atyre pranë, se s’kishte gjë më të mrekullueshme sesa kur popullit i këndonte zemra. I bëri përshtypje veçanërisht një këngë rrëqethëse, që të këpuste shpirtin. Pikëllim shiu dhe fushe, sikur vajtonte vetë varfëria dhe i lutej qiellit ta shpëtonte. 

                     I emocionuar udhëheqësi pohoi, se ajo këngë ishte si një pus i thellë plotë me dhimbje, veç duhej korrigjuar urgjentisht teksti. Ashtu si melodia edhe vargjet duhej të flisnin vetëm për të kaluarën e jo për të sotmen, sepse siç ishte bënte efektin shkatërrues të minës në shpirtin e dëgjuesve. 

                       Ai e vlerësoi shumë kronikën që u dha në mbrëmje në TV. Sipas tij në të qenë harmonizuar bukur: Populli i kënaqur - zot i të mirave, fëmijët e lumtur - e ardhmja, dhe tribuna- udhëheqia që printe me grushtin lartë si busull. Megjithatë kjo nuk ia ëmbëlsoi sadopak hidhërimin që i shkaktojë mungesa skandaloze e entuziazmit në festën e jubileut të ndarjes së tapive të tokës. E bëri çështje dhe udhëzoi të analizohej thellë dhe përgjegjësit të ndëshkoheshin rëndë. Për rrjedhojë u zbrit nga detyra sekretari i parë dhe u shkarkuan sekretari për ideologjinë bashkë me katër aparatçikë. 

                    Ishte e sigurt që i njëjti fat e priste dhe Toqen. Për çudinë e të gjithëve ai ia doli ta kapërcejë greminën mjeshtërisht me një autokritikë të fortë e duke ua hedhur krejt fajin atyre të rrethit fqinj. 

                    Shkarkimi do t’i vinte fare kot, pakëz më vonë, nga një prej takimeve rutinë për fushatën e mbledhjes së prodhimeve bujqësore të stinës. Meqenëse atë takim e kishte kërkuar vetë kryetari i pushtetit të rrethit në zonën e banuar në shumicë nga komuniteti rom, përgatitja iu ngarkua Toqes. Kujdesi shkoi deri tek përcjellja e porosisë çdo pjesëmarrsi për t’ju përmbajtur rreptësisht tematikës, për të shmangur kërkesat e ankesat personale dhe mbajtur sa më larg zevzekët, sherrxhinjtë, llafazanët e provokatorët. 

                   Takimi nisi mbarë. Kryetari për t’u treguar sa më i afërt i pyeti pjesmarrësit për shëndetin dhe pasi mori përgjigjen në kor “Mirë” dhe”Shumë mirë”, i kënaqur filloi ligjëratën.  

                   Është koha, u tha, të finalizojmë mundin e djersën e kaqë muajve dhe me përqëndrim forcash të mbledhim e dorëzojmë në  shtet prodhimet… Më tej ngjiti e kapërceu malet e sukseseve dhe zbriti në fushën përplot lule të demokracisë proletare, e cila ndryshe nga ajo borgjeze e dëgjon zërin e masave. Prandaj, vijoi, ju ftoj të gjithëve të jepni mendimet e sugjerimet tuaja sesi ta realizojmë fushatën me rendimentin më të lartë dhe koston më të ulët, si të parandalojmë dëmet, firot dhe ruajmë  prodhimet nga zjarri e vjedhjet... 

                   Takimi, si dhe herë të tjera, degradoi vetëm në kërkesa e ankesa të shumta si, për mungesën e vajgurit e artikujve bazë, mosfurnizimin e rregullt të dyqaneve… 

                    Kryetari u tregua i duruar, tolerant, mirëkuptues dhe u zotua t’ua zgjidhte.Megjithatë kërkesat e ankesat nuk reshtnin. Këmbëngulte t’i jepnin fjalën në mënyrë të veçantë një mesoburrë. Ngrinte e ulte të dy duart dhe thërriste “Me leje…. Me leje… “, ndërsa drejtuesi i takimit e injoronte. Iu desh vetë kryetarit t’ia jepte fjalën. 

                    Mesoburri u ngrit menjëherë në këmbë bashkë me të bijën rreth të  pesëmbëdhjetave dhe duke treguar me dorë nga ajo pyeti: “Mbanë rr..çkë kjo shoku kryetar?!...“

                    Shpërtheu një e qeshur e papërmbajtur e zhurmnajë e madhe. Kryetari s’arriti dot ta dëgjonte se çfarë tha, prandaj iu kërkoi të pranishmëve : ” Ju lutem qetësi…  Ta dëgjojmë shokun... “

                    Mesoburri e përsëriti edhe dy-tre herë pyetjen. Ndërsa të gjithë gajaseshin, kryetari u vrejt dhe u bë shumë serioz. S’dinte ç’të thoshte. Mërmëriti me vete: “Bah, ç’mut pyetje që bën ky budalla me brirë!” Gjatë tërë karierës kurrë nuk ishte ndeshur me pyetje kaqë të sikletshme. Ç’dreqin t’i thoshte faqe tërë popullit?! U nervozua: Ç’mi sjellin të tillë idiotë në takim?! Mund të ma kenë bërë qëllimisht për të më diskredituar... Iu kujtua Toqia. E kërkoi me sy dhe e gjeti. E vështroi rëndë-rëndë e me kanosje. 

                      Toqia duke e ndjerë rrezikun i bëri shenjë atij që ishte në krah të kryetarit ta sqaronte. Ai veproi menjëherë. I tha se personi ishte një arixhi, vajzën e të cilit e dashuronte një djalë. Meqenëse ky s’ishte dakort  ai për ta bërë të tijën e përdhunoi. Me pyetjen don t’ju thotë, se a ka moshë e bija për të tilla gjëra, dhe për krimin kërkon nga ju të urdhëroni arrestimin e atij. 

                     Kryetari, tashmë i sqaruar, e qetësoi ankuesin me premtimin se do të ngarkonte shokët t’ia zgjidhnin. 

                     Takimi u mbyll i qeshur, por jo zemërimi i kryetarit. Ndër gjërat e para që bëri më pas ishte shkarkimi i Toqes. Ky ndëshkim i tij, krejt i pafaj, vetëm për pyetjen e arixhiut tregohej e ritregohej gjithandej si barsaletë. Kjo ia bëri emrin shumë popullor. 


278 views3 comments

3 Comments


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Jan 08, 2020

I shumërespektuari prof. Terziu! Analiza -slntezë dhe konsiderata Juaj për tregimin më bën të ndihem tepër i privilegjuar. U jam shumë mirënjohës për angazhimin!

Të nderuar z.Athanasi e z.Russo! Mendimet e gjykimet tuaja prej krijuesish të talentuar ia rritin më tej vlerën këtij krijimi. Ju faleminderit!

Kozma Gjergji.

Like

Sotir Athanasi: Një përvjetor dhe një takim 

Të gjithë i kemi parë njerëzit e Tribunsve, dhe jemi mjaftuar në një qesëndisje , a tallje të maskuar. Por tipat e Podjumeve, këta "L-ë", të spikatur si në tregimin e z.Gjergji, kanë qënë më pranë nesh. Prandaj I kemi mëshiruar në fatkeqësinë e tyre dhe jemi gajasur,  megjithatë. Urime, z.Gjergji! 

SOTIR ATHANASI

Like

Fatmir Terziu: Është pikërisht ajo që sedërtohet në raste të tillla. Sedërtim karakteri?! Në fakt është një enigmë që shtjellon dy formatimet me të cilat “Toqe” dhe “Loqe” kanë një diskurs më vete. Atë të karakterizimit “sipas…”

Pra “sipas…” organizatorët e krijimit të kësaj skenografie e kanë më të lehtë të zhbirojnë dhe të zhbirohen deri në detaje nga tregimi i Kozmait.

Gjuha që ai vë në funksion të këtij zhbirimi shkon përtej diskursit: “Aparatçikë si ky, kopje të të njëjtit model pune të skematizuar e tejet bajate, kishte në çdo komitet partie.”

Një tregim i qasur thjesht por me një arsyetim të pastër e të bukur, se shkarkimi është “vetëm një ndëshkim i tij, krejt i pafaj, vetëm për…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page