Para pak ditësh dëgjova se Timo Merkuri do të nderohet nga Bashkia Himarë me titullin "Nderi i Himarës", dhe ceremonia do organizohet në fshatin e tij të origjinës, Pilur. Ndaj, desha të jem aty me ju qoftë edhe përmes kësaj letre. Dua të përshëndes këtë akt të denjë për njeriun e merituar - poetin, shkrimtarin e studiusin më origjinal që kam njohur. Njeriun e veçantë që gjithmonë e kisha parë duke mbështetur e stimuluar vlerat e tjetrit.
Kisha fatin ta takoja në vajtjen time të parë në manifestimin poetik të Sarandës, atëherë një poete e re dhe e ndrojtur. Sot i shkruaj si një shkrimtare e pjekur, mirënjohëse për besimin me të cilin më shoqëroi në rrugën time të kërkimit të fjalës së duhur për shpirtin.
Në një mënyrë a një tjetër, a nuk jemi të gjithë kërkues të tillë? Kërkues të diçkaje që arrin të shprehë shpirtërat tanë. E në rastin tonë është fjala. Vetëm fjala e tillë arrin tek tjetri. Sepse shpirti i njeriut është një, i njëjti. Dhe i pastër nga veshjet sipërfaqësore me të cilat e mvesh koha, ai ndjen njësoj tek secili prej nesh.
Tek Timo Merkuri njoha një margaritar të tillë të fjalës. Nga ata margaritarë për të cilët, ashtu si për isopolifoninë, mësova nga vetë ai. Nga ata margaritarë, gjegjësisht, pina, të cilët gjithçka që iu ofron dallga e jetës arrijnë ta kthejnë në perla të çmuara. Perla të cilat mund të kenë pas vetes shumë mund e sakrificë, shumë furtuna e bunaca siç do të thoshte Timo, por para nesh qëndrojnë të bukura, krenare, të pathyeshme.
Uroj Timo Merkurin nga zemra. Uroj familjarët e tij. Uroj Pilurin dhe Himarën.
Albina Idrizi, nënkryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës
Kommentarer