Një Përrallë e vazhdueshme për mbylljen e Fjalës
Dr Fatmir Terziu
Lajmi
Përfaqësuesit e shoqatave të gazetarëve kanë kërkuar të mërkurën në Komisionin Parlamentar të medias ku ka nisur diskutimi i dy projektligjeve të qeverisë, pjesë të paketës anti-shpifje, që të dy këto ligje të anulohen, pasi kufizojnë lirinë e medias në Shqipëri. Kërkesa është bërë në komision nga Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, i cili ka thënë se projektligji duhet të anulohet pasi krijon alibi për censurë. Ai më pas ka shtuar se besueshmëria ndaj AMA-s është e ulët, ndërsa gjobat e parashikuar do të shkatërronin ekonominë e mediave online.
Një gjurmë e qartë e mbetur në ekstazë më vë në lojë skriptin, lapsin, bojën e mendjes dhe letrën e hollë. Lojë me e pa bojë. Lojë, se si do të formoj fjalë. Lojë. Lojë në mënyrë extravagante, elegante, didakte. Lojë?! Lojë, duke hedhur format e tëra të skriptit, lapsit, bojës së mendjes, dhe letrës së hollë, sigurisht jo format e tyyre, por format prej tyre, ato forma të quajtura “madhështore” në një letër bosh, të përqendruar në krijimin e përrallës (na ishte, na është … apo do të jetë…): një truk i regjistrimit të kohës ka humbur.
Tani tingulli i vetmuar i gërvishtjes ka arsyet e veta. Është i tëri kundër letrës së hollë. I udhëhequr nga kalueshmëria e prishjes së tij, është tingulli i vetëm që mund të dëgjojmë. Ajo që dikur ishte një botë për të krijuar fantazi është mbytur. Është mbyllur. Është drynosur. Është nakatosur. Është… brenda një ligji që gdhiu me përrallën e vjetër, pikërisht aty në letër. Është e zezë si bojë në errësirën e kësaj përralle të pafund. Koha nuk mjafton dhe koha përsëri e pamjaftueshme. Dekada të tjera: ne, lapsat, letrat dhe … vetë koka personazhe të kësaj përralle kohore.
Sikur kërkon tashmë të mbajë përpara hajdutët, të frikësuar se po humbasin të gjithë dritën kur të dalë agdita e fundit e skriptit që gatuhet këtë pas-Vit të Vjetër. A bëhet lufta për një errësirë të ftohtë, të pashpirtëruar dhe të ndezur nga mendjet e tyre?
Me misionin për ta shoqëruar atë në të gjithë këtë shkresërimë, secilën në një këndëzim të vogël në këtë shkrim, ndërsa (zh)bëhet tërësia e ciklit, bëhet pjesa tjetër në jetë dhe thjesht lulëzon në krenari të përrallës. Përralla vazhdon pafund. Ndërsa dryni në emër të ligjit shkon deri në kërthizë, mposht kocin e zbuluara të artistit, shkrimit, mendimit, e diku tutje jashtë marrazit i pëlcet edhe cipali i fundit lapsit. Pastaj ka shtrëngim ligjësie!? Buzëqeshje idiotësie!
Ndërsa shoh një buzëqeshje të hedhur në fytyrën e saj, vendosmëria për të vazhduar më tej ndriçon mbi flakë, dhe pandërprerë mposht trupin e tërësisë së personazheve në këtë skript.
Kur gjurmët e shenjës intime fillojnë të veniten, pyetja se sa do të zgjasë, ndoshta është më e gabuara. Ajo tashmë dihet, derisa të mos ketë asgjë më shumë për të thënë, për të bërë, ose për të menduar.
Edhe sikur kjo përrallë e ëndërrueshme e pafund, e vazhdueshme nuk do të mbaronte kurrë ose të rrënohej, kurrë nuk do të shtrembërohej e as nuk do tëndërpritej cikli:
Edhe nëse nuk duhet të vdesësh në ëndërr,
dikush është i detyruar të zgjohet herët a vonë,
si një dorë e lodhur pa kujdes, përafërsisht, të shtron,
pyes lapsin se sa skripte mund të shkruaj,
para se të mbarojë nga boja e mendjes e këtij cikli… të (mes)jetës.
Cikli i (mes)jetës?
Heshtje. Heshta-dinakëri e zhurmshme prag - fundviti. Pas ligjësi në mbrolim zërrash. Duke marrë zërin e mbrolur mësyva në zemër të saj. U gjenda për të parë zhurmën që bredh rreth e qark kësaj heshtjeje. Heshtja më shtriqej gjerë e gjatë dhe zhurmështriqej nga lart…, nga atje Lart mbi shtratin e një marrëveshjeje të gjatë. Mbi një krevat, aty ku sipas kronikanëve mesjetarë zërat ishin kthyer pa pikë turpi në kryekurvëtarë.
Dhe aty terra dritën krenare të shkëlqimit të mëngjesit për të ngrohur lëkurën intime të vetmuar.
Nga lart … nga atje Lart nuk vinin vetëm fjalë. Ishte e gjitha orgazmë. Të gjithë zhurmërat ishin në garë. Të gjithë ishin me mendjen vërdallë. Të padëgjuar dhe të padukshëm nga kushdo, vetëm për shkak të frikës, që sillet si vjeshta rrumpallë.
Si Vjeshta? Si vargjet e rrebeshta në vjersha. Ajo po riparon sitën e saj. Atë sitë të shpuar sa nga mallkimet e Jugut, aq nga Shfryrjet e Veriut. E gatshme të riprodhojë retë e shiut.
Fundja le të ndodhë. Le të ndodhë sipas shiut… Sipas tij fundja fundit, ndoshta mund të lajë atë pluhur që la pas ikja e Dimrit. Dhe mëkatorëve heshtanakë po i del për hunde edhe pika e fundit të qumështit.
Vjeshta, po aq edhe shirrat për të bërë marrzira në fakt, tashmë më duket se po synojnë të bëhen bashkë. Megjithatë, çmimi për marrëzi të tilla konsiderohet shumë i lartë. Ndërsa edhe Vjeshta po e përkund ende në djep besimin, për çfarë tjetër do të duhet të merakoset e nesërmja.
Nga malet. Nga lart … nga atje Lart po i del edhe kësaj rradhe boja së vërtetës… Cikli i (mes)jetës?
Nga lart … nga atje Lart
Nga malet? Nga majat? Dimri i konakosur ia sheh më shumë kurrizin vetvetes. Po aq sa zvarritmës. E gatshme për t’u ngjitur përtej qiejve, lart … atje Lart? Një rrugë me yje. Një rrugë që i përket lakuriqësive. Një udhë që lidh skeletimin e trupave, qelqërimin e mbulesës së ajërt, deri në zvetënimin që u shpalos sot në retinën e syve. Një lidhje në errësirë të plotë. Një lidhje nën re e mbi re. Një lidhje për ata dhe jo për ne. Një imazh i një peizazhi të pajetë, memec, shurdhaplotë, … zverdhanak, dështak, spurlljak, i zbehtë. Ajri i hollë. Aq i hollë sa ia merr frymën, në heshtje tërë kësaj zallamahie. Pa mëshirë.
Në këtë heshtje, Pemët përqafojnë buzë malit një pjesë të mëngëve të gjelbërta. Dhe shiu që po vjen të shprishë këtë heshtje domosdoshmërisht po i shqep zërrat e tepërta.
Shkëndijëzat tona
Ku jeni? Kur do të ktheheni mes nesh? Pa Ju nuk do të jemi në gjendje të shkruajmë, nuk do të mundemi të bëjmë emisione televizive, të mbushim gazetat, të riprodhojmë anketat. Në pamundësi për të regjistruar thelbin në këtë mikro-ese, do të vazhdojmë të mbetemi në kthinën ku deheni, duke pritur që të ktheheni. Por duket se ju keni gjetur tashmë një anije të re. Duke lënë një të vjetër pas me nge. Ju lutemi kthehuni …, kthehuni të marrëveshur tek ne! Kthehuni se përralla vazhdon! Ligji ju ndëshkon?!
Çfarë parashikon paketa anti-shpifje e miratuar nga qeveria?
Paketa anti-shpifje e miratuar nga Këshilli i Ministrave më 3 korrik 2019 parashikon masa të ashpra ndaj portaleve në rastet e publikimit të lajmeve “fake”. Ndryshimet në ligj parashikojnë gjoba dhe penalizime të rënda deri në mbylljen e portaleve. Por për të mbërritur deri te masat e ashpra, pra mbylljen e këtyre portaleve, do të duhen disa hapa. Fillimisht projektligji parashikon legalizimin e portaleve, evidentimin e pronësisë, dhe ç’është më e rëndësishmja burimet e financimit.
Do të jetë këshilli i ankesave te AMA ai që do të kujdeset për të shqyrtuar ankesat që bëhen për publikimet “online”. Personat e cënuar, sipas projektligjit të ri, ankohen në Këshillin e Ankesave pranë “AMA-s”. Nëse media “online” nuk bënë sqarimin, atëherë merren masa duke vendosur gjoba që nisin nga 100 mijë deri në një milionë lekë. Gjoba fikse prej 800 mijë lekësh parashikohet kur ankesa e qytetarit nuk merret në konsideratë nga Operatori i Publikimit të Shërbimit Elektronik.
Proejktligji parashikon rastet kur media “online” mbyllet për periudha të ndryshme. Nëse në një vit publikon 3 “fake neës”, bllokohet 24 orë, nëse bënë 4 “fake neës”, bllokohet një javë dhe me 5 “fake neës”, bllokohet për një vit.
Masat që parashikon projektligji anti-shpifje:
-Pezullim/bllokim të aksesit në internet, për një afat 24 orë, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer 3 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.
– Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat 7 ditor, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se katër kundërvajtje administrative.
– Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat njëvjeçar, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se 5 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.
– Bllokimin përfundimtar/mbylljen e aksesit të shërbimit të publikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se katër herë gjatë një viti kalendarik”.
Gjobat:
– Me gjobë nga 100 000 lekë deri në 1,000,000 lekë kur nuk respekton detyrimet e nenit 33/1 të këtij ligji.
– Me gjobë në masën 800, 000 lekë kur nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave apo të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53/1 të këtij ligji”
تعليقات