top of page

Një poezi me domethënie të thellë

I dashur Profesor Fatmiri,

Në Portalin tuaj të ditës së djeshme lexova poezinë mjaft mbresëlënëse të poetit të talentuar Vullnet Mato, e cila titullohet "Mes kafshëve me brirë".

Prof Dr Eshref Ymeri

Fakti që 1% e njerëzimit ka në zotërim mbi 80% të pasurive botërore, dëshmon më së miri se në këtë botë dyluftimin mes së mirës dhe së keqes e ka fituar e keqja. Kjo poezi e Vullnetit, më solli menjëherë në kujtesë një poezi të shkëlqyer të Profesorit të nderuar Vedat Kokona. Po jua citoj në vijim:

Me respekt.

Eshref Ymeri



Vedat Kokona

Vedat Kokona

E Drejta dhe e Shtrembta

E Drejta me të Shtrembtën nuk shkojnë kurrsesi:

Këtë nuk ka njeri që nuk e di.

Por dihet se një rregullë ka përjashtime,

Se mirësjellja e do të bëhen edhe lëshime,

Ose, nga halli, - dreqi ta hajë -

T’i thuash derrit dajë!

Të pleksesh edhe, nga zori,

Me një horr horri.

Kështu na e pësoi, or’ tungjatjeta,

Një ditë edhe e Drejta.

Nuk e di prej sa kohësh nuk kishte ngrënë

Dhe syt’ e shuar një re ia kishte zënë,

Dhe fytyrës, dikur si hënë,

Hija e vdekjes i kish rënë.

Me këmbët që i shkonin kuturu,

Udhës po ecte, kur për krahu e zu

E Shtrembta topolake, faqekuqe,

E çelur pranë saj posi burbuqe.

- Ku shkon kështu, moj, motër, si e dehur,

E zbehtë, flokëpakrehur?

Pupu, moj, ç’të ka gjetur

Që pikë gjallërie në sy s’të paska mbetur!

- Ah, moj e Shtrembët, ke të drejtë,

Se gjallëri nuk kam me të vërtetë;

Po si të kem kur zorrët gurgullojnë

Dhe sytë vagëllimthi më shikojnë?

E Shtrembta e merr për dore dhe e shpie

Në një lokal të famshëm për ngrënie e pije.

Lokali vetëtin plot drita dhe pasqyra;

Kudo shikon të qeshura fytyra

Dhe lule ngjyra-ngjyra.

Mbi mur, me shkronja ari, është shkruar në tapet:

“Klientët kanë përherë të drejtë”.

E Drejta, e hutuar, sheh veten si në përrallë:

Posi Hirushja mos është bërë vallë?

Vjen djali dhe e Shtrembta hap mënynë,

Pastaj së Drejtës i shkel synë.

- Hepjek, na sill biftek dhe çomlek,

Shampanjë për yrnek!

Këtu të gjithë djalin e quajnë

Garson, por meqë unë s’përdor fjalë të huaj,

E quaj thjesht Hepjek.

Hepjeku vjen me biftek e çomlek

Dhe me shampanjë për yrnek.

Dhe hanë e pinë, e i shtien gjithë gurmazit

Dhe shkulen gazit...

Në fund e Shtrembta kërkon llogarinë.

Djali ia sjell, ia lë mbi tavolinë

Dhe ikën se e thërret një klient tjetër.

E Shtrembta e merr atë copë letër

Dhe përsëri Hepjekun e thërret,

Edhe i thotë: “Kusurin sillma shpejt!”

- Kusurin? - thotë djali, - Po ti kur

Më ke paguar që më kërkon kusur?

Dhe ngrihet atë çast mbi tavolinë

Fjalësh e britmash një shakullinë.

Vjen shpejt i zoti i lokalit, pyet:

“Si është puna?”. E Shtrembta shpejt e shpejt

I thotë: “Pres kusurin e llogarisë!”.

Djali proteston: “S’është e vërtetë!”.

I zoti i lokalit me zemërim i flet:

- Klientët kanë përherë të drejtë!

Dhe djalin e shan rëndë, e dëbon.

Atëherë djali nis edhe vajton:

- Ku je, moj e Drejtë, veç ti më shpëton sot!

- Këtu jam, që mos qofsha, po s’flas dot

Se gojën e kam plot!

46 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page