top of page

Një “panteon” me vlera mbarëkombëtare*


Prof.dr. Eshref Ymeri


Dy fjalë për veprën më të fundit të shkrimtares, publicistes dhe studiueses së talentuar Vilhelme Vranari Haxhiraj, me titull “Elitat e Mohuara… Krenari Kombëtare”, të prezantuar më 10 gusht 2019 në mjediset e Universitetit “Pavarësia”, Vlorë


Nder dhe respekt të veçantë për shkrimtaren, poeten, publicisten e shquar dhe hulumtuesen këmbëngulëse të kombit shqiptar, zonjën Vilhelme Vranari Haxhiraj, për këtë ikonë të kulturës sonë kombëtare, e cila, me punën e saj të shkëlqyer kërkimore, ka hyrë thellë në rojtinat e historisë dhe ka nxjerrë në dritën e diellit personalitete të shquara të kombit shqiptar, duke filluar që nga periudha e mesjetës.

Kur njihet me këtë vepër madhore të kulturës sonë kombëtare, e cila ka dalë nga një penë e talentuar, lexuesi e përfytyron zonjën Vilhelme si një alpiniste të shkathët, që ka filluar t’u ngjitet me vendosmëri shpateve të maleve të thepisura, për të arritur deri në kreshtat e tyre, atje ku prehen ato 77 figura të ndritura të kombit shqiptar.

Pikërisht kjo këmbëngulje shembullore e zonjës Vilhelme, kjo vendosmëri e paepur e karakterit të saj burrëror, të kujton një thënie fort kuptimplote tëTomas Higinson(Thomas Higginson -1823-1911) personalitet i shquar amerikan, luftëtar i vendosur për heqjen e skllavërisë dhe për bashkimin e shteteve amerikane, i cili thoshte:

“Njerëzit e shquar rrallë përfaqësojnë maja të vetmuara malesh, ata përfaqësojnë më shpesh maja kreshtash malore”.

Dhe me të vërtetë, të 77 figurat e shquara, në penën e zonjës Vilhelme, përfaqësojnë një kreshtë malore plot hijeshi.

Zonja Vilhelme, me veprën e saj të shquar, hodhi hapin e parë në nderim të Elitave të Mohuara. Për këtë ajo e meriton të përgëzohet dhe të falënderohet përzemërsisht. Ajo arriti të përfshijë në këtë libër 77 figura nga e kaluara jonë historike. Studiuesit dhe hulumtuesit e tjerë duhet ta vazhdojë veprën e saj për nxjerrjen nga harresa edhe të shumë figurave të tjera të shquara të kombit shqiptar.



Kjo vepër e zonjës Vilhelme mund të vlerësohet pa mëdyshjen më të vogël si një panteon i shkëlqyer që ajo u ka ngritur 77 figurave të nderuara mbarëkombëtare. Ne, për fatkeqësinë tonë kombëtare, nuk kemi panteon, ku të prehen eshtrat e njerëzve të shquar të kombit tonë. Këtu në Vlorën tonë të lashtë sa vetë jeta e kombit shqiptar, duhej të qe ngritur me kohë panteoni i 40 firmëtarëve të Pavarësisë, ku në çdo përvjetor të shpalljes së saj, ne të shkonim dhe të përuleshim me nderim para vendprehjes së eshtrave të tyre.

Ne nuk e kemi panteonin e personaliteteve të nderuara, të cilat, në vitin 1908, u mblodhën në qytetin e Manastirit dhe nxorën nga humnerat e lashtësisë iliriane alfabetin e gjuhës shqipe, që nuk është aspak alfabet latin, siç thonë mjaft intelektualë të painformuar, por është alfabet ilirik, siç e ka pohuar vetë shkencëtari i shquar i lashtësisë romake Plini Plaku (23-79 e.r.) në veprën me titull “Historia e natyrës” (Naturalis Historiae),ku shkruan:

“Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”.

Pra, zonja Vilhelme, me këtë vepër madhore, e cila, në këndvështrimin tim, shërben si “tafta mbi kadife”në krijimtarinë e saj të pasur në fushën e letërsisë artistike, të publicistikës shëmbullore nacionaliste dhe të memorialistikës sonë kombëtare, ka nderuar veten e saj dhe, tërthorazi, i ka dhënë një sinjal klasës politike shqiptare, që t’i thërrasë mendjes dhe të kujtohet të ngrejë panteonin madhështor në nderim të njerëzve të shquar të kombit tonë, ashtu siç i kanë ngritur shtetet e tjera në kryeqytetet e tyre.

Le të shpresojmë që pena të tjera të talentuara, të cilat nuk i kanë munguar kurrë kombi shqiptar, do të vazhdojnë ta pasurojnë panteonin e parë që ngriti zonja Vilhelme për 77 figurat e nderuara të këtij libri jashtëzakonisht mbresëlënës.

Jemi kombi më i vjetër i kontinentit, kemi gjuhën shqipe që është themeli i gjuhëve evropiane. Për këtë na kanë vlerësuar lart personalitete të shquara të kulturës evropiane. Studiuesi i talentuar Fotaq Andrea që jeton dhe punon në Strazburg, ka botuar para disa vitesh një vepër madhore prej 767 faqesh, me titull “Pena të arta franceze për shqiptarët”. Prandaj zonja Vilhelme, me këtë vepër, e radhit veten pranë atyre personaliteteve, mes të cilave po përmend vetëm dy personalitete të shquara gjermane.

Dijetari Leibnici (Gottfried Wilhelm Leibniz (1646 - 1716),ka thënë:

“Në qoftë se duam të dimë historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet t'i drejtohemi gjuhës shqipe”.

Studiuesi Johan Turhan, në librin me titull “Kërkim në histori”, të botuar në Lajpzig në vitin 1774, ka deklaruar:

“Asnjë popull tjetër i botës, në të cilën jetojmë, nuk është aq i panjohur për Evropën Perëndimore, për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës, se shqiptarët. E megjithatë, ai është populli kryesor i botës së lashtë e të rëndësishme që çdo historian do të donte ta njihte: historia e tyre do të plotësonte zbrazëtitë e mëdha në historinë e vjetër dhe të re të Evropës”.

Figura e shquar e zonjës Vilhelme, e cila vetë përfaqëson një elitë të nderuar të kombit shqiptar dhe që e meriton t’i kushtohet një vepër biografike profilit të saj intelektual, më sjell në kujtesë një thënie të Gjergj Brandesit (Georg Morris Cohen Brandes- 1842-1927),studiues i letërsisë dhe publicist danez, teoricien i natyralizmit.

“Njeriu i shquar asnjëherë nuk përfaqëson bilancin e qytetërimit ekzistues. Ai përfaqson burimin dhe fillimin e një gjendjeje të re të qytetërimit”.

Kjo vepër e pasuron me dinjitet thesarin e kulturës sonë kombëtare dhe mendoj që Vlora, duke filluar nga institucioni i Bashkisë dhe komuniteti i shkrimtarëve vlonjatë, t’i përcjellin Presidentit të Republikës propozimin për t’i akorduar Zonjës Vilhelme titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Vlorë, 10 gusht 2019


#Prof.dr. #Eshref #Ymeri

28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page