top of page

Një ndalesë tek vepra e figura e Akil Kocit


Prof dr Akil Koci

Nota jete mbi tastierë

Dr Fatmir Terziu


Një ndalesë tek vepra e figura e Akil Kocit


Aty fshihet një botë e tërë muzikore. Një botë e ushqyer ndër vite me nota jete. Një botë që ndihet amshëm mbi dihatje tingëllore. Një botë që zbret muzave të jetës nga thellësitë e skutave të Prizrenit historik, vendlindjes së Akil Mark Kocit. Një bashkudhëtare historike me tastierën e pianos, mikes së pavdekshme të kompozitorit shqiptar.

E ndjejmë lëvizjen ritmike mbi këtë konceptim jetik. E ndjejmë mbi tastierë. E shijojmë me tërë nervin e saj këtë botë-arkivë vlerash muzikore. Dhe në këtë larmijësim notash, në këtë rrugëtim muzikor është ndjesia e profesorit Koci, është urtësia e tij, talenti dhe fuqia e njeriut që me mjeshtëri di të përkufizojë shqiptarinë në muzikë, që me finesë di të skalisë nota mbi pentagram e të hulumtojë çdo gjë që lidhet me muzikën, forcën dhe timbrin e saj tek tjetri.

Thjeshtësia

Ai flet pak për veten dhe gërmon deri në detaje për të tjerët. Gërryen thellësitë e pambarimta të memories së tij dhe prodhon “Vibracione të shpirtit shqiptar” duke vënë në garën e jetës dhjetëra vlera të pazbuluara më parë. Vlera që gjurmojnë sepetet e shtrenjta të së kaluarës, vlera që i duhen së sotmes dhe dhurata të vyera për të nesërmen shqiptare, e pse jo edhe atë botërore të muzikës.

Dhe në këto “vibracione” është jo vetëm shpirti ndjellamirës i Kocit, por edhe tërë jeta dhe njohuria e tij që nënshkruhet me muzikën. Janë me plot kuptimin jetik të fjalës, nota jete mbi tastierë. Akil Koci është emër i respektuar në qarqet muzikore dhe intelektuale, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Ai, merret si një nga themeluesit e kompozimit në Kosovë, por edhe si autori i njërës nga Operat e para, ‘Sokoli e Mirusha’, e cila kishte zgjuar një interesim të madh. Tërë jetën muzikë dhe për muzikën, ky do të ishte profili artistik i Profesorit Akil Koci. Në intervistën e përgatitur nga gazetari Shaqir Foniqi, profesori Koci shton: “Mbi 250 vepra muzikore nga të gjitha zhanret duke filluar që nga kënga “Zambaku i Prizrenit”, që është sinonim i krijimtarisë sime, pastaj këngë të lehta, muzikë solistike, kamertale dhe skenike.

Qenia e tij

Akil Mark Kocin e kemi udhës. E kemi në mesin e vlerave muzikore, e gjejmë në fushën e letrave. E ndjejmë në ritme kulturore. E dëgjojmë në melosin e këngës shqiptare. E gjejmë ashtu të zhdërvjellët në botën e arkivave shqiptare dhe britanike që nisin në Kosovë, Sarajevë, Gjermani e bitisin në mesin e metropolit botëror në Londër. Dhe natyrshëm aty është edhe mesha muzikore që nënshkruhet nga finesa burrërore e gishtave të tij që shënojnë papushim edhe në këtë moshë delikate të tij nota jete mbi pentagrame e tastiera. Tek këto të fundit lëvron e gjithë qenia e tij. Aty është forca, vyrtyti, talenti dhe gjithë metafora e jetës muzikore të profesorit që kurë nuk iu kushtua vetes, por përkushtoi njohuritë dhe dashurinë për brezat. Brezat janë frymëzimi dhe emocioni i kahershëm i tij. Kështu pra me emrin e Akil Kocit jemi mësuar të lidhim fatin dhe tempin e notave muzikore, mbi tastierën e rrokur prej tij qysh herët. Mbi pianon e tij ka shenja gishtash në Londër. Janë shenja të freskëta, edhe pse ai tashmë është në moshë. Janë shenja brezash që ai ndjeshëm u dirigjon kompozitat e tij të ndjeshme. Por tashmë jo vetëm brezave edhe gjithë dashamirësve të letërsisë shqipe, kompozitori Koci u ka bërë një dhuratë në moshën e tij.

Rrugëtim vlerash

Kohë më parë ne ndoqëm nga afër detajet e jetës së tij të fiksuar në celuloid. Në këtë udhëtim imagjinar të jetës së tij dalëngadalë zbuloheshin vlera të pathëna, të panjohura. Duke udhëtuar në këtë imagjinatë vlerash të profesorit Koci midis notave të jetës së tij përjetësoheshIN qindra kompozime, muzikalitete, opereta dhe arritje të tjera. Muzika e tij për mjaft filma me emër në Kosovë, natyrshëm e bën atë edhe më krenar në këtë rrugëtim të gjatë thinjash e rrudhash. Librat, esetë, studimet dhe artikujt e bëjnë këtë figurë më kompozicionale, ndoshta të ngjashme me mjaft figura për të cilat Kombi ndjehet mirë në vite, e pse jo më gjatë. Është një rrugëtim vlerash që binjakëzojnë tërë dimensionin intelektual të njeriut, profesionalist, që edhe në kohën e drudhjeve gishtërore di të prodhojë, madje edhe të nxjerë në dritë ‘Kontrapunt”-in, krenarinë e dëshmisë arkivore të tij. Në këtë rrugëtim vlerash majat takojnë majat. Dhe kjo ‘majë’ e vlerave natyrshëm ndjehet e qetë kur të tjerët e thonë fjalën hapur. Kur ajo vjen e flladtë mes freskisë së botimeve të tij. Në një intervistë të përgatitur nga gazetari Shaqir Foniqi, profesori Koci shprehet: “Në kohën kur kam vendos që të merrem me muzikë ka qenë kohë e vështirë, jo vetëm nga aspekti social e ekonomik, por edhe artistik. Formimi i institucioneve kulturore shkonte ngadalë, shkolla e muzikës e ultë u formuar 1948 ,kurse e mesmja 1953. Pas gjimnazit u regjistrova në Shkollën e Mesme, ishte një profesion jo fort i lakmueshëm, kështu mendonin prindërit e mi, kurse unë isha shumë i interesuar nga se kisha njohuri, sepse këndoja në korin e Kishës katolike në Prizren e më pastaj edhe në korin e Shoqërisë kulturo artistike "Agimi". Kur na shihnin me violina në dorë rrugës, na quanin "jevgjit e bardhë", sepse në atë kohë vetëm ata u merrnin me muzikë. Nga ajo shkollë doli një plejadë e muziktarëve dhe kompozitorëve të njohur. Pra, profesionin i muziktarit është disi i vështirë aq edhe i këndshëm. Po të lindja përsëri prapë do të merresha me këtë profesion.”

Emri i Akil Kocit në librin e tij

I botuar në Rumani “Vibracione të shpirtit Shqiptar”, vëllimi i parë, me redaktim dhe pasthënie të Kopi Kycykut s’ka thjesht emrin dhe autorësinë e tij. Nga shtëpia botuese “Librarium Haemus” në fakt është një parantesë për këtë vepër të cilën më parë Koci e kishte shpërndarë në gazeta dhe shkrime të ndryshme. Janë rreth 161 faqe dhe tërë shkrimet thuajse janë të njohura e të stërnjohura, pasi Koci i ka publikuar në linjat online dhe në disa gazeta. Shkrime si Besim Sahatçiu, korife i skenës teatrore dhe filmike në Kosovë, Lament për kompozitorin Esat Rizvanolli etj, janë botuar në Agimi.com. “Fjala e Lirë”, e mjaft media të tjera. Kështu këto shkrime të kompozitorit dhe muzikologut penëartë Koci me plot gojën mund të themi do ti vlejnë asaj pjese që nuk ka patur mundësinë të lexojë online atë. Në këtë mënyrë shkrimet e tij ngjajnë si një mesazh domethënës transmetimi, ku thesari i mbrujtur në vite flet shumë pastër dhe bukur. Nga fusha e muzikës dhe krijimtarisë muzikore një burim i tillë plotëson një mangësi të ndjeshme, dhe sidomos për njohjen e figurave të ndryshme të muzikës nga gjithë trevat shqiptare.

Duke përfunduar

Në parathënien e librit Koci thotë: “Për një krijues apo studiues të artit nuk është aspak e lehtë, madje përbën një sfidë të vërtetë, me shumë të panjohura, guximi për të shkruar rreth veprimtarisë krijuese të kompozitorëve shqiptarë të një periudhe të caktuar”. Thënë ndryshe, të flasësh dhe të hulumtosh veprat e personaliteteve që kanë bërë histori në lëmin e artit muzikor, do të thotë të jesh i ndërgjegjshëm për faktin që ata mishërojnë alfën dhe omegën në njërin prej lëmenjve artistikë, shkencorë dhe kulturorë, përderisa veprat e tyre, qofshin muzikore, apo etno-muzikologjie, kanë lënë gjurmë të thella në krejt krijimtarinë muzikore shqiptare. Koci shprehet se në ndërmarrjen e kësaj nisme, më ka nxitur e më ka dhënë zemër fisnikja Xhejlane Broqi. Edhe pse ka vite që ka ndërruar jetë, ngrohtësia e fjalës e jehonat e këshillave të saj më kumbojnë ende në vesh e në zemër. Kjo interpretuese e mirënjohur e këngës popullore, më pat ndenjur oreçast pranë, në ditë të mira e të vështira, jo vetëm si bashkëshorte shembullore, por edhe si kolege, si shoqe jete e devotshme dhe si burim i pashtershëm frymëzimi”. Në parathënien e këtij libri Kopy Kyçyku shkruan “Për një krijues apo studiues të artit nuk është aspak e lehtë, madje përbën një sfidë të vërtetë, me shumë të panjohura, guximi për të shkruar rreth veprimtarisë krijuese të kompozitorëve shqiptarë të një periudhe të caktuar.

Në fakt, libri, shkruan Kyçyku, përbën në vetvete “parathënien” e një serie punimesh shkencore kushtuar muzikës dhe atyre që e kanë lëvruar muzikën gjatë kohërave, në trevat shqiptare dhe jashtë tyre: personalitete të kulturës sonë mbarëkombëtare, por edhe të vendeve e popujve të tjerë. Kjo nismë e kompozitorit, muzikologut, eseistit Akil Koci, figurë e mirënjohur e kulturës sonë, pa dyshim do të ndihmojë ndjeshëm në lartësimin e nivelit intelektual të lexuesve tanë. Në paraqitjen e autorëve, të cilët i ka objekt shqyrtimi dhe analize, profesor Akil Koci ka përdorur kriterin alfabetik.


66 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page