top of page

NJË MËSIM NGA SUFIZMI PËR LIRINË SHPIRTËRORE


Pjesë nga libri: NJË MËSIM NGA SUFIZMI PËR LIRINË SHPIRTËRORE

Pir-o-Murshid Inayat Khan, Londër, 1914


Shqipëroi: Adriana Myrtaj





E VËRTETA

Janë adoptuar fe dhe filozofi nga kombe të ndryshme në periudha të ndryshme. Megjithëse forma dhe mësimet e disa besimeve duken të ndryshme, burimi i tyre është një i vetëm dhe përmbajtja e njëjtë. Që në fillim dallimet midis tyre kanë krijuar paragjykime, zili dhe antagonizëm mes njeriut. Mosmarrëveshje të tilla zënë një pjesë të madhe të historive të botës dhe janë bërë tema më e rëndësishme në jetë.

"Ka kaq shumë doktrina dhe kaq shumë lloje,

Kaq shumë besime dhe kaq shumë teori,

Të gjitha kanë lindur nga injoranca e njeriut,

I mençur është ai që koncepton vetëm të vërtetën.”

Një njeri i mençur e kupton se baza themelore e të gjitha feve dhe besimeve është vetëm një: e Vërteta. E vërteta është mbuluar gjithmonë me dy veshje: një çallmë në kokë dhe një mantel në trup. Çallma është misteri i njohur si misticizëm dhe manteli është morali, i cili quhet besim. E vërteta mbulohet nga shumica e profetëve dhe shenjtorëve, për ta fshehur nga sytë injorantë, ende të pazhvilluar për ta ruajtur atë në formën e saj të plotë. Ata që shohin të vërtetën të zbuluar, harrojnë arsyen dhe logjikën, të mirën dhe të keqen, të lartën dhe të ulëtën, të renë dhe të vjetrën, ndryshimet dhe dallimet e emrave dhe formave zbehen dhe i gjithë universi kuptohet si asgjë tjetër veçse si e Vërtetë. E vërteta në kuptimin e saj është një, në përfaqësimin e saj është shumë, pasi zbulimi i së vërtetës bëhet në kushte të ndryshme kohore dhe hapësinore.

Ashtu si uji që nga një burim rrjedh në një rrëke, por bie në shumë pika të ndara në kohë dhe hapësirë, ​​kështu është edhe zbulimi i së njëjtës përrua të së vërtetës. Jo të gjithë mund ta kuptojnë idenë e të vërtetave të ndryshme që rrjedhin nga e njëjta e vërtetë. Intuita është trajnuar aq ngushtë në këtë botë të larmishme, saqë nuk arrin të kuptojë gjerësinë dhe dimensionin e një fakti shpirtëror që është shumë më përtej mundësive që ka arsyetimi ynë i kufizuar.


SUFISTËT


Fjala Sufi rrjedh nga Safa që do të thotë i pastër, i pastruar nga injoranca, besëtytnitë, dogmat, egoizmi dhe fanatizmi, si dhe i lirë nga kufizimet e grupit shoqëror, besimit, racës dhe kombit. Sufistët besojnë në Zotin si Absolutin, Qenien e vetme, dhe se i gjithë krijimi është shfaqja e natyrës së Tij.


Pir-o-Murshid Inayat Khan

Sufistë ka pasur në të gjitha periudhat e historisë njerëzore. Ndonëse kanë jetuar në pjesë të ndryshme të botës, kanë folur gjuhë të ndryshme dhe kanë lindur në besime dhe fe të ndryshme, ata e kanë njohur dhe dashur njëri-tjetrin nëpërmjet unitetit të të kuptuarit të tyre. Megjithatë, me njohuritë e thella për botën dhe për misteret shpirtërore, sufistët ia kanë fshehur ato turmës dhe kanë ndjekur në fshehtësi rrugën shpirtërore për të arritur lumturinë më të lartë.


DASHURIA


Parimi më i madh i sufizmit është: Zoti është dashuri, dashnor dhe i dashur.

Kur Ahadi, e vetmja Qenie, u bë i vetëdijshëm për ekzistencën e vetme përmes vetëdijes së Tij, atëherë pre dispozicioni i Tij për dashuri e bëri Atë të projektonte Veten për të krijuar aspektin e Tij të dyfishtë që Ai të mund të donte dikë. Kjo e bëri Zotin dashnor dhe krijimin e tij një të dashur. Përmbysja e radhës e bën krijimin dashnorin dhe Zotin të dashurin. Kjo forcë dashurie ka funksionuar përmes disa evolucioneve dhe involucioneve, të cilat përfundojnë te njeriu që është qëllimi përfundimtar i Zotit. Aspekti i dyfishtë i Zotit është domethënës në Zát dhe Sifat, në shpirt dhe lëndë dhe në mbretëritë minerale, bimore, shtazore dhe njerëzore, ku dy gjinitë, mashkulli dhe femra, janë të përfaqësuara qartësisht. Aspekti i dyfishtë i Zotit simbolizohet nga çdo formë e kësaj bote të mrekullueshme. I gjithë ky univers, brenda dhe jashtë, drejtohet nga burimi i dashurisë, i cili herë është shkaku e herë pasoja. Prodhuesi dhe produkti janë një dhe ai Një nuk është gjë tjetër veçse dashuri.


Sufitë ndjekin rrugën e dashurisë dhe të përkushtimit për të përmbushur qëllimin e tyre më të lartë, sepse dashuria është ajo që e ka sjellë njeriun nga bota e unitetit në botën e shumëllojshmërisë dhe e njëjta forcë mund ta kthejë atë përsëri në botën e unitetit duke e nxjerrë nga ajo e shumëllojshmërisë.


Dashuria është ajo gjendje shpirtërore në të cilën ndërgjegjja e të dashuruarit shkrihet me atë të objektit të dashurisë së tij; prodhon tek i dashuri të gjitha atributet e njerëzimit, si tërheqja, kundërshtia, përulësia, mirësia, kënaqësia, durimi, virtyti, qetësia, butësia, bamirësia, besnikëria, trimëria, me të cilat besimtari harmonizohet me Absolutin. Si një nga të dashurit e Zotit, hapet një rrugë për udhëtimin e tij qiellor: në fund ai arrin në unitetin me Perëndinë dhe i gjithë individualiteti i tij tretet në oqeanin e lumturisë së përjetshme ku zhduket edhe konceptimi i Zotit dhe i njeriut.


ASPEKTET MASHKULLORE DHE FEMËRORE TË ZOTIT


E vetmja Qenie manifestohet në të gjitha rrafshet e ekzistencës në dy aspekte, mashkull dhe femër, duke përfaqësuar forcat pozitive dhe negative të natyrës. Në rrafshin e vetëdijes ekzistojnë dy aspekte: vetëdija njerëzore dhe vetëdija e përjetësisë. Kështu edhe shpirti dhe materia, nata dhe dita, nënkuptojnë aspektin e dyfishtë në rrafshet më të ulëta. Në mbretërinë minerale dhe bimore seksi është në një gjendje evolucioni dhe kështu manifestimi më i lartë i mashkullit dhe femrës është burri dhe gruaja.


Njeriu duke qenë aspekti i parë i manifestimit, është më shpirtërori dhe më afër Zotit; gruaja duke qenë manifestimi i mëpasshëm, është më e pastër dhe më e aftë për njohuri hyjnore. Prirja e natyrshme e burrit është kah Zoti, ndërsa prirja e gruas drejt botës. Këto tendenca të kundërta rezultojnë në ekuilibër. Prandaj, burri ka nevojë për gruan për të drejtuar jetën e tij dhe gruaja ka nevojë për burrin për udhëheqjen dhe mbrojtjen e saj. Të dyja këto janë secila të paplota në vetvete.


Problemi i emancipimit të gruas mund të rregullohet duke krahasuar pozicionin e saj në Lindje dhe në Perëndim.


Gruaja orientale, liria e së cilës është e kufizuar, është gruaja më e mirë nga pikëpamja individuale, por pasiviteti i detyruar i gjysmës së popullsisë nuk është i dobishëm për kombin. Gruaja perëndimore, së cilës i jepet liria e plotë, është më pak e shqetësuar dhe më pak e aftë për jetën në shtëpi, por duke qenë jashtë, në mes të botës, ndikimi i saj promovon përparimin e kombit.


Në pamje të parë duket se gruaja në Perëndim është më e respektuar nga burri, por në realitet Lindja i jep gruas nderimin më të madh.


Burri ka më shumë liri se gruaja në të gjithë botën, sepse ai ka më shumë forcë dhe fuqi, ndërsa delikatesa e femrës ka nevojë për mbrojtje, ashtu si syri, organi më i vlefshëm i trupit mbrohet me qepallat. Të dy shkëlqejnë në karakteristikat e tyre individuale.


Një virgjëreshë është një idhull tek burri, sepse ajo është modeli i manifestimit më të lartë; virtyti i gruas është një ideal që është më i lartë se bukuria fizike dhe intelektuale e saj. Natyra e ka vendosur gruan nën mbrojtjen e burrit, por ajo që është më e rëndësishme është që burri t'i japë gruas lirinë dhe që gruaja të dijë ta vlerësojë lirinë e saj duke e shfrytëzuar për mirë.


Ka tre lloje të virgjëreshave. Njëra, që konsiderohet zakonisht e virgjër është gruaja e cila nuk është shoqëruar kurrë me një burrë; lloji i dytë është virgjëresha në zemër, dashuria e së cilës përqendrohet vetëm në një të dashur; e treta është virgjëresha në shpirt, e cila e konsideron njeriun si Zotin. Vetëm ajo mund të lindë një fëmijë hyjnor.

Një grua mund të bëhet mjeke, avokate ose ministre, por është pakrahasueshëm më e madhe nëse mund të bëhet një grua e mirë dhe një nënë e sjellshme.


Monogamia dhe poligamia janë atribute të lindura njerëzore. Ato ekzistojnë edhe midis zogjve dhe kafshëve. Çdo individ lind me një nga këto prirje, por ndonjëherë zhvillohet njëra dhe jo tjetra sipas kushteve konkrete ku lind njeriu. Këto tendenca varen edhe nga kushtet klimatike dhe fizike të vendeve dhe racave të ndryshme. Poligamia mund të jetë më e zakonshme për burrin dhe monogamia për gruan, pasi poligamia ndihmon shumimin ndërsa monogamia e pengon atë. Poligamia e paligjshme është më e keqe se e ligjshme, sepse krijon mashtrim dhe vesin e gënjeshtrës. Jeta e mbështetur në monogami është më ideale, se është një rehati e komoditet për këtë botë dhe në tjetrën dhe e përsos njeriun në dashuri.


Gruaja është një mister në vetvete për shkak të natyrës së saj delikate. Të urtët që bënë gabimin duke e konsideruar gruan si me rëndësi më të vogël shpirtërore, harruan se ata vetë ishin produkt i gruas.


Shumica e profetëve dhe mjeshtërve kanë qenë burra, sepse burri është manifestimi më i lartë, siç nënkuptohet nga miti i Adamit dhe Evës, në të cilin Eva lind nga brinja e Adamit, që do të thotë se gruaja është manifestim i mëvonshëm. Fruti do të thotë se gruaja i drejtoi mendimet e burrit drejt riprodhimit. Interpretimi i përzënies së Adamit dhe Evës nga parajsa është simboli i dështimit të njerëzimit nga gjendja e pafajësisë së tij duke rënë në gjendjen fëminore. Ndarja dhe palumturia e Adamit dhe Evës tregojnë për qëllimin e Perëndisë të shfaqet në aspektin e dyfishtë, që Ai të mund të përmbushë dëshirën e tij të vërtetë për dashurinë. Sipas Vedantës, gjysma e trupit hyjnor, Ardhangi, është gruaja, duke dëshmuar se jeta e plotë është uniteti i të dyve.


Sufitë e konsiderojnë si më të ekuilibruarën jetën që ka unitet të plotë dhe nëse uniteti është i vërtetë dhe harmonik. Dashuria dhe mençuria krijojnë harmoni midis burrit dhe gruas; nëse këto mungojnë, harmonia pushon së ekzistuari.


Fëmija trashëgon më shumë atribute nga nëna sesa nga babai i tij, prandaj nëna është më përgjegjëse për të mirat dhe të metat e fëmijës. Nëse gruaja ka njohurinë, ajo mund ta mësojë shpirtin e fëmijës edhe para lindjes së tij me fuqinë e përqendrimit të saj, duke formuar të ardhmen e fëmijës sipas vullnetit të saj.

35 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page