NGA ANTON NIKË BERISHA
NJË MOZAIK POETIK I VEÇANTË DHE TEJET I PASUR PËR DASHURINË
Dy vëllimet me poezi të dashurisë “HYJNORJA IME JE TI” të Sabit Rrustemit janë dëshmia më e mirëfilltë artistike e punës së tij të krijuese, po dhe e rrafshit të lartë shtjellues e shprehës të poezisë shqipe të këtij lloji në përgjithësi. Asnjë poet i yni deri më sot nuk ia doli të japë një mozaik poetik kaq të veçantë e kaq të pasur për dashurinë, për të cilën në “Këngën e këngëve” thuhet: dashuria është e fortë si vdekja [...] / Ujërat e mëdha nuk mund ta shuajnë, / as lumenjtë nuk mund ta përmbytin (8, 6–7). Kuptimi i dashurisë në këto dy vëllime degëzohet në rrafshe e pikëvështrime nga më të ndryshmet, ku përligjet qenësia e përhershme e dashurisë për jetën e njeriut dhe mundësia e përjetësimit të saj në artin e fjalës, ashtu siç e thoshte në romanin e tij “Demonët” shkrimtari i madh rus, F. Dostojevski: “E çka është më e përjetshme sesa dashuria? Dashuria është më e lartë se ekzistenca, është kurorëzim i ekzistencës [...]?”. Gjithçka e qenësishme në këto dy vëllime përligjet nga teksti i poezive, nga mënyra e shtjellimit të strukturës gjuhësore, që është bërë me përkushtim e dije dhe asgjë nuk i është lënë rastësisë. Ato janë, siç do të thoshte mbreti i poezisë së dashurisë, Petrarka, zëri im në vargje, / psherëtima që e ushqen zemrën time. Poeti Rrustemi niset drejt të dashurës, po në të vërtetë kthehet drejt vetes dhe e zbulon para së gjithash vetveten. Kështu ndodh edhe me të dashurën: ajo niset drejt këtij, po i kthehet qenësisë së vet dhe njohjes së vetvetes. Në këto poezi të Sabit Rrustemit fjalët, si ndodh dhe në tekstin e Këngës së këngëve: “[...] janë si zogj të zjarrtë. A është e mundur t’i vësh në kafaz? Çdo shpjegim i mundshëm rrezikon të përjashtojë një përthellësi më të sakët, më të vërtetë, më të madhe nga ajo që është parathënë. Çfarëdo vendimi që të merret, dashuria, që për natyrën e saj është liri, burgoset në një rrjet të koncepteve të pamjaftueshme (të kufizuara), si prapa shpatëzave të një kafazi”(André Chouraqui). Këto poezi janë zëri më i fuqishëm poetik i Sabit Rrustemit po dhe i poezisë sonë të dashurisë, ku dëshmohet ajo që shprehet në Këngën e këngëve, siç thotë Christos Yannaras: “Tjetri bëhet ‘kuptimësia’, përgjigja e ndjeshme e dëshirës më të thellë e jetike të natyrës sonë [...] për arsye se marrëdhënia jonë me botën është e ndërsjellë. Tjetri është fytyra e botës, logosi i secilës qenësi objektive. Logosi që më drejtohet mua dhe më fton në universalen e bashkë-ekzistimit”.
Comments