Një model Njeriu përtej ikjes…
Prof Dr Fatmir Terziu
Sot në orët e para të mëngjesit në Elbasan ndërroi jetë një kushëri. Nuk na bashkonte thjesht gjaku, as thjesht mbiemëri, që mbajtëm në jetërrjedhën tonë, por mbi të gjitha ajo që lexohej dhe përshkruhej në mënyrën më të ndjeshme njerëzore mes katër syve, ndërsa ata ndiqnin udhën, jetën, rrugëtimin, sjelljen, përshtatjen, disiplinimin e vetë gjërave të vetë jetës së Tij. E ndërsa e mora lajmin e dhimbshëm të ikjes së Sami Rustem Terziut, ndjesia e dhimbjes natyrshëm shumëfishohet, pos shumë gjërave që lidhen me largësinë dhe në këtë rast dihen dhimbjet e tjera…Mes kësaj dhe mjaft pikave të tjera, menjëherë m'u kujtua Çehovi kur shkruajti „Unë i përbuz urtësinë dhe bekimet e kësaj bote. E gjithë kjo është e pavlefshme, kalimtare, iluzore dhe mashtruese, si një mirazh. Ju mund të jeni krenarë, të mençur dhe të mirë, por vdekja do t'ju fshijë nga faqja e dheut, sikur të mos ishit më shumë …, historia juaj, gjenitë tuaja të pavdekshme do të digjen, ose ngrijnë së bashku me globin tokësor“. Kjo ndoshta u tha prej këtij shkrimtari me emër, që emrin ia la memorjes së brezave, por në thelb ajo që mbeti është e qartë. Nëse nuk shkruhet, e nëse nuk thuhet dhe një grusht fjalësh, qoftë dhe në përcjellje të jetëve, Njeriu, mbetet aty ku mbetet derisa fiket një herë e mirë.
Në këtë kontekst ndjej trokamën e një djaloshi që lindi dhe u rrit në Elbasan, dhe në një mjedis mjaft të ngrohtë familjar, me një baba mjaft të aftë në fushën e ndërtimit, specialist dhe drejtues i zoti, me një nënë shembullore, në mjedisin ku rriteshin katër djem dhe dy vajza të mrekullueshme, i parafundit, Samiu, ndoshta do të kishte jo vetëm staturën dhe pamjen e tij fisnike, por dhe një sjellje që mbetej model në anekset e tjera, ku Njeriu gjithnjë kërkon të imitojë përsosjen e një modeli që transmetohet për brezat në vetë rrethin e jetës. Në këtë rreth të jetës, Sami Rustem Terziu, mbeti vërtet një model për të gjithë ata që e njihnin, e shihnin në udhë të jetës, në vetë angazhimet, edukimin, trajnimet, punën dhe profesionalizmin e tij. Dhe në këtë pikë gjithë përkushtimi i tij ngjan si një roman më vete, me të vetmin ndryshim, që ai ishte dhe mbeti autori i dukshëm dhe i padukshëm i atij romani, dhe ku ai ishte në gjendje të krijojë njerëz të gjallë, vetë njerëzit, dhe jo personazhet. Sepse ai e dinte fare mirë se një personazh është një karikaturë. Ndaj në rolin e tij jetik ai mbeti një një protagonist i tillë që ishte gjithnjë i aftë t'i bëjë njerëzit të jetojnë. Edhe pse jeta e tillë është si një roman, vetë ai protagonisti i tillë i bën faktet të mos jenë personazhe të mëdhenj në jetërrjedhën e tij, por është e mundur që vetë jetërrjedha e tij të mbetet e tëra; si entitet; si dashuri më vete.
E gjithë kjo dhe mjaft të tjera në këtë jetërrjedhë shërbejnë dhe shërbyen në kontekstin që është dhe mbetet arkitekturë, jo dekorim i brendshëm, dhe atëherë kur baroku ka mbaruar, mbetet një kryevepër. Që të mbetet e tillë, duhet lexuar vetë rrjedhëjeta e këtij Njeriu të qetë, të sjellshëm e të respektueshëm, që ishte gjithnjë i aftë të vendosë mendimet e tij të pjekura, të cilat ai mundi t'ia lërë familjes së tij të mrekullueshme, fëmijëve të tij dhe më tutje dhe nipërve e mbesave të tij e më gjerë. Në këtë kontekst Samiu, ndoshta nuk la pas ndonjë vepër të madhe, por la një histori jete të mirëfilltë, shembullore, ku mjaft të tjerë kanë se çfarë të gjejnë aty në të pashkruarëne saj. Fundja do të pyesnim se, Çfarë është historia? Fillimi i saj dihet, pasi është ai i udhënisjes së jetës, i edukimit, disiplinimit, punës sistematike kushtuar zgjidhjes së enigmës së vetë rrjedhës së jetës, në mënyrë që vetë ajo që mbetet përfundimtare të pagëzohet si jeta e një Njeriu të respektuar, ku pikëtakon modeli i Samiut, dhe që të jep asryen të kuptosh se vështirësia të mund të kapërcehet përfundimisht. Kjo është arsyeja pse për njerëzit e tillë të mirë, të urtë e shembullorë shkruhet vetëm kur ata e kanë kryer misionin e tyre të madh e atë që thuhet se kështu ishte shkruar nga Zoti. Ja kështu në fakt Samiu ishte një model Njeriu edhe përtej ikjes…
Comentários