top of page

NJË MISIONAR PËR MISIONARËT


Agim Bajrami

Shkruar nga Agim Bajrami

NJË MISIONAR PËR MISIONARËT


Refleksione mbi librin e Kadri Tarellit “Misionarë në udhën e dijes”

Fjala mësues, gjithmonë ka zgjuar e zgjon brenda meje përfytyrimin e një njeriu me një kulturë e përmasa krejt të ndryshme nga njerëzit e tjerë, qoftë edhe me punëtorët e shkrimeve që dinë të gdhendin e ta lëmojnë fjalën. Ndofta kjo ka të bëjë me lidhjet e forta që ky emër ka me fëmijërinë dhe shkollën tonë. Aq më shumë zgjerohet ky dimension, kur një mësues është edhe shkrimtar, apo gazetar i mirëfilltë.

M`i zgjoi këto përfytyrime libri “Misionarë në udhën e dijes”, i #Kadri #Tarellit, mësues dhe bashkëpunëtor i njohur ndër vite në shtypin tonë pedagogjik dhe më gjërë. Dua të them që në krye, unë i jap të drejtë vlerësimit të shkrimtarit dhe studiuesit Viron Kona kur thotë: “Në shkrimet e Kadri Tarellit lexuesit gjejnë tema që u intersojnë, që prekin “telat” dhe i venë në mendime…”.

Personalisht unë jam nga ata njerëz që përpiqem të mos më shpëtojnë pa lexuar shkrimet e miqëve, shokëve, apo të njohurve të mi, të çdo fushe qofshin. Ndonjëherë i lexoj sa për të mbushur një detyrim që kam ndaj tyre, por me shkrimet e Kadriut, jo vetëm provoj kënaqësi estetike, por mundohem të mbush edhe shumë zbrazti në njohuritë e mia në fushën e bukur dhe me shumë problematika të arsimit shqip.

“Misionarë në udhën e dijes”, del në një kohë të vështirë që po kalon shkolla jonë post komuniste, kur shumë koncepte e praktika të deriatëherëshme janë zëvendësuar e lënë mënjëanë. Duke ndjekur metodën e krahasimit dhe ballafaqimit, idetë dhe vizioni që shtron ky libër para lexuesit, janë aq të shumta dhe të gjëra, sa mund të krahasohen me vlerat e dhjetra simpoziumeve dhe konferencave shkencore të marra së bashku. E gjitha kjo ndodh, sepse përpara se autori të marrë pozicionin e gazetarit, mendon dhe shpërfaq së pari, staturën e mësuesit dhe drejtuesit të vjetër e me përvojë.

Të bëjnë përvete emrat e mësuesve të vjetër të arsimit shqip, të cilët, autori me mburrje e krenari i quan “Misionarë” dhe “Shenjtorë” të shqipes, duke shtruar pyetjen: “Ç`bënë më shumë misionarët e përhapjes së karishtërimit? Më tej vazhdon: “S`besoj se mësuesit tanë, këta “apostuj” të mësimdhënies e patën më të lehtë……” Figurat e tyre në libër zenë një hapsirë të madhe. Disa janë nderuar me titullin më të lartë “Mësues i Popullit”, disa “Mësues i Merituar” dhe të tjerë “Qytetar nderi i Durrësit”. Me shumë nderim portretizohet mësuesi #Sulejman Ali #Zalla, i “pagëzuar” nga populli si “Sul Shqipja”, më pas Prenk Kaçinari, Petrit Velja, Agim Shehu (profesori i kimisë), Eqerem Shijaku, Sabri Tuçi “Skulptor i Merituar”, Islam Alikaj, Zyber Sallaku, etj etj.

Libri ngjan si një zbërthim deri në hollësi i thënies së vjetër të Aristotelit: “Ata që edukojnë fëmijët mirë, duhet të nderohen më shumë se sa prindërit, sepse këta i dhanë jetën, ata i dhanë artin e të jetuarit mirë”. Këto fjalë u drejtohen mësuesve të të gjitha kohëve, që u shkojnë për shtat edhe mësuesve tanë të nderuar, që me përkushtim ndriçojnë mendjen dhe pasurojnë zemrat e fëmijëve dhe të rinjëve. Edhe shkrimet kushtuar figurës së tyre, tentojnë që në mënyrë sa më të thjeshtë të nxjerrin vlerat dhe gjurmët që ata kanë lënë në kohë e hapsirë. Nuk është e tepërt kur shumë nga këta krahësohen me emrat e profetëve të cilët edhe me gjakun e tyre kanë arritur të mbjellin fidanë të shëndoshë në trpin e atdheut. Jeta dhe veprimtaria e pashembullt e tyre është model për të rinjtë, që me idealizëm guxojnë të hyjnë në rrugën e mësuesisë. Më kanë mbetur në mendje fjalët e Fadil Elezit, ish drejtor i shkollës “Met Hasa”, në Portoromano të Durrësit, si mesazh drejtuar “misionarëve” të rinj: “Një jetë e tërë e trazuar me gëzimet dhe shqetësimet që sjell puna fisnike e mësuesit. Një privilegj që i takon vetëm atyreve, që të mbeten përherë të rinj në shpirt”….


Me fotoaparatin e përditësisë, syrit të Kadriut nuk mund t`i shpëtojnë edhe mësues që s`para mburren e s`bien në sy, por që kanë një shpirt të madh e mendje të ndritur, si bie fjala: #Hasan #Ulqini, #Lirim #Harka, Mustafa Faja, Ibrahim Enesi, etj. Bukur e me ngrohtësi shkruhet për Muzemil Osmanin, me rrënjë nga Çamëria, që mban titullin “Qytetar nderi i Durrësit”, mësues e matematikan i palodhur i arsimit durrsak, hartues e botues librash. Duke ndjekur këtë hulli të vlerësimit të mësuesve, mendoj se u shkon përshtat, ndaj autori me shumë dashamirësi i quan “ambasadorë” të shpirtit dhe kulturës shqiptare, mësuesit veprimtarë, Rukije Rama në Belgjikë dhe Sokol Demaku në Suedi, që jetojnë e punojnë në mërgim, të cilët sakrifikojnë edhe nga vetja, për të mbjell farrën e shqipes te fëmijët e bashkëatdhetarëve tanë. Në një farë mënyre shkrimet për ta, janë një apel ndaj mediave tona që tregohen shumë të kursyera ndaj këtyre “Misionarëve” në diasporë, le pastaj qesëndisjen e zyrtarëve tanë, që siç thotë Kadriu: -“Ambasador”? Po si shkoi në Suedi pa “fermanin” dhe vulën tonë?”….

Duke i parë një nga një, të gjithë sa përmenden në libër, janë pesonazhe të cilët vetëm një penë dashamirëse e pakompromis si ajo e Kadriut, arrin t`i gdhendë kaq bukur. Secili prej tyre aq sa është një jetë më vete, aq mund të konsiderohet, një copë, apo fragment i çmuar në tërësinë e historisë së shkollës shqiptare.

Që në krye të librit bie në sy përdorimi i fjalëve të urta e të mençura, të qëmtuara nga personalitete të mendimit botëror dhe nga rilindasit tanë të ndritur. E gjitha përbën një punë mjeshtërore, pasuri e gjetje interesante, sepse çdo thënie të fut në brendësi, duke përcjellë mesazhin universal të mësimit dhe edukimit me norma qytetarie e shqiptarie. Duke lexuar librin, më ngjason se po bisedoj me një plak të urtë e të mençur, i cili pasi ka gjezdisur shumë në jetë, nuk pranon të flasë shumë, por të ve para pasqyrën e të vërtetës dhe të thotë: “Kjo është jeta, këta janë njerëzit, kjo është koha të cilën e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë këta”.

Më bën përshtypje, ndaj ndjej të ve në dukje gjuhën dhe stilin e veçantë të shkrimeve, qofshin redaksionale, reportazhe, apo portrete, sepse idetë, përcillen përmes pyetjeve që në titull, shpesh pa zbukurime e llafe të shtuara. Gjykoni vetë kur të lexoni disa prej tyre: “A do të gjendet ilaçi kundër dhunës?”, “Kujt i vret veshët dhe sytë gjuha shqipe?”, “A ka doganë për fjalën e huaj? Po “doganier” kush është?”, “Pse je plakur matematikë!?”, etj. Mendoj se është gjetur forma më e mirë, për të goditur në thelbin e çështjeve. Kështu, me fjali të shkutra, rrëfimi bëhet më i kursyer. Autori, me përvojë të gjatë në arsim, gëzohet e trishtohet, ngre probleme, kërkon e shtron zgjidhje, më shumë bisedon e diskuton me lexuesin, shpreh shqetsimet, pyet dhe përgjigjen ia le po këtij të fundit t`i mendojë.



Më pëlqejnë reportazhet, jo vetëm se, që në krye ka një thënie brilante të Muamet Gazali: “Zemra dhe mendja janë dy gjëra që e bëjnë njeriun të përsosur……”, por më shumë për mesazhin që përcjellin te lexuesi, e sidomos te kolegët mësues e drejtues, se “Shkollës nuk duhet t`i humbasë asnjëherë identiteti kombëtar”. S`besoj se ka mbetur shkollë në Durrës, që mos të ketë një copëz vend në faqet e këtij libri, ku çdo shkrim veç të veçantës së gjetur, ka vlera përgjithësuese për këdo që punon, apo aspiron të bëhet mësues. Lexoni shkrimet kushtuar shkollave “Vinçenc Prendushi”, “Demokracia”, Qemal Mici, “Gj. Kastrioti”, “N. Frashëri”, “14 Nënrori” dhe “Kasa” e “Iliria” në Plazh, do të bindeni e do të më jepni të drejtë për gjykimin tim. Aq më shumë kur bëhet fjalë për koncepte të mësuesve dhe nxënësve, si bie fjala karakteristikat e nxënësve, apo ligjshmërinë në aktet normative, e më pastaj “Braktisja e shkollës”, dhe me tej akoma, detyrat dhe të drejtat e nxënsve, duke pyetur: “Kërkojmë të drejtat, po detyrat?”.

Pavarësisht se shkrimet janë publikuar kohë më parë në shtyp, (autori i shënon datat), ato tingëllojnë sikur janë shkruar sot. Kështu që me të drejtë gjykoj, se në kërkim të kohës së duhur, për të mos qënë asnjëherë vonë, pyetjet e autorit kthehen në një thirrje qortuese. Të gjitha këto i japin librit vlerën e një doracaku, për t`u përdorur e mbajtur mbi tavolinë nga çdo mësues e drejtues shkolle.

Nuk e di pse autori është ngutur të fusë në libër shkrime letrare, historike dhe analiza e reçensa librash, të cialt spikasin për tematikën e gjetur. E them këtë, se këto shkrime me vlerë artistike e njohse, duke pasur parasysh edhe shumë të tjera që autori ka e po publikon në vazhdim, mund të përmblidhen më vete, në libra të tjerë. Këtu po përmend disa tituj:, “Nga loti i nënëve deti u bë i kripur”, “Këmbana e dshurisë”, “Manastiri i “Shën Naumit”, perlë dhe plagë e historisë së shqiptarëve”, “Biro! Na e ngjallët Çamërinë. Kur këndohej kënga e Çelo Mezanit”, “Heronjtë e Kosovës Haki Taha e Bajram Gashi (Salihi), mësues në Shënavlash, etj, etj.

Në fund dua të shtoj, se “Misionarë në udhën e dijes”, i Kadri Tarellit, është një libër i rëndë, për mesazhet dhe problematikën që shtron, sepse arrin të mbjellë një frymë të re analitike e studimore në peisazhin në të cilin gjendet sot shkolla jonë, në Durrës e në shkallë kombëtare. Me këtë rast theksoj se, kur vlerësimet përzihen natyrshëm me kritikat dhe vërejtjet e drejta, dhe kur dalin prej penës së një personaliteti të njohur të arsimit e kulturës shqiptare, kanë vlera të pakontestueshme, për sot e për nesër.

Uroj autorin për libra të tjerë po kaq të mirë!


51 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page