NJË LETËR E PANJOHUR E MËSUESIT PATRIOT TAHIR HOXHA
PËR
AKTIVITETIN ANTIKOMBËTAR GREK NË HIMARË
Nga Enver MEMISHAJ
Propaganda greke në Himarë.
Kur u shpall Pavarësia Kombëtare më 28 nëntor 1912, krahina e Himarës, për arsye të njohura historike nuk iu bashkua administratës së qeverisë së Ismail Qemalit. Himara mbeti nën ndikimin e qeverisë greke dhe vetqeverisej sipas venomeve të kohës së Turqisë.
Më 25 gusht 1916, italianët, pasi kishin pushtuar Vlorën dhe Luginën e Shushicës, kaluan malin e Kallaratit dhe vendosën ushtarët e tyre në limanin e Porto Palermos të Himarës, duke i dhënë fund influencës greke atje.
Edhe pas përfundimit të Luftës së Vlorës, 5 qershor 3 shtator 1920, Himara mbeti përsëri jashtë administrimit të qeverisë së Sulejman Delvinës. Kështu para qeverive shqiptare dhe dhe patriotëve vlonjatë kundërshtimi i infulencës greke në Himarë dhe bashkimi dhe administrimi i kësaj krahine mbetej detyrë propritare.
Këtë barrë të rëndë dhe të shënjtë e mori përsipër major Ahmet Lepenica. Kështu ai po nisej drejt një shërbimi të shquar ndaj vendit të tij, me një plan të studiuar më së miri. Ishte hera e parë në historinë e lavdishme të kësaj krahine shqiptare, që një fuqi e shtetit shqiptar nisej drejt Himarës, për ta bërë Himarën edhe ligjërisht edhe botërisht pjesë të pandashme të tokës së shtetit shqiptar. Ky aksion duhet që të kishte vetëm një përfundim: suksesin, ndryshe mund të lindënin probleme për qeverinë.
Më 1 qershor 1921 kapiten Azis Çami kaloi Qafën e Llogorasë dhe nuk e ndali marshimin, në komandë të 100 xhandarëve, hyri në Palasë, ku u prit me gëzim, gratë dolën dhe tokën duart me ushtarët. Në mbasdite arriti në Dhërmi, ku u prit me të njëjtin entuziazëm, dhe atje e kaluan atë natë. Të nesërmen më datën 2 qershor 1921, hyri në Vuno, ku u prit me dashuri vëllazërore,
“Kjo vepër madhështore i detyrohet Aziz Çamit dhe nëntogerit Kolë Zadrimës, të cilët janë oficerë që nderojnë emrin shqiptar, dhe meritojnë çdo lavdi e krenari”, shkruan Sali Hallkakondi.
Për arsye strategjike ushtarake, Komandanti i Përgjithshëm i Operacionit major Ahmet Lepenica, kishte marrë udhën më të vështirë dhe me luanët e tij të Labërisë , kapiten Osman Tetova, toger Dhimitër Bala nga Vunoi, n/toger Anest Qesari nga Qeparoi, toger Rrapo Çelo nga Sevasteri, duke marshuar nga ana lindore e Himarës, kishte mbërritur në Pilur.
Këto masa ushtarake dhe strategjike ishin të domosdoshme, sepse në çdo moment mund të godiste djallëzia dhe pabesia greke, si dhe njerëzit që kishin shitur shpirtin e tyre tek grekët. Kjo vendosje bëhej me qëllim se i pari do të hynte në territorin e Himarës nga Qafa e Llogorasë, Aziz
Çami, në se do të sulmohej forca e tij, atëherë Ahmet Lepenica do të zbriste me vrull nga mali i Pilurit dhe do ta godiste armikun pas krahëve.
Më datën 7 qershor 1921, për herë të parë në historinë e krahinës së Himarës, Himara u vizitua nga qeveritarët e parë të shtetit shqiptar: ministri Spiro Koleka, prefekti Qazim Koculi, inspektori i doganave Rasim Hoxha, kapiten Aqif Përmeti etj. Sipas urdhërit të Komandantit të Përgjithshëm major Ahmet Lepenicës, gjindarmëria dhe vullnetarët dualën në paradë dhe i pritën përfaqësuesit e qeverisë me nderimet që meritonin. Nuk mund të rrinte njeri pa derdhur lotë gëzimi, kur shikonte këtë shfaqje të bukur të shtetit të tyre shqiptar!
Por në Himarë vazhduan të luhen drama të medha. Shovinistët grekë e kanë synuar pambarimisht, madje e kane deklaruar Himaren “krahine autonome”, minoritet, kanë bërë masakra etj.
Vazhdimisht që nga 2 qershori i vitit 1921, disa himariot që kishin shitur shpirtin tek Greqia kanë sjellë vazhdimisht vështirësi dhe pengesa të shumta përpara autoriteve shqiptare. Kanë propoganduar për krahinë autonome, për trajtimin e tyre si minoritet, për qeverisje me venomet e kohës së Turqisë dhe kryesisht që në krahinë të ketë vetëm shkolla greke dhe mësues nga Greqia!
Po ndalemi vetëm tek vitit 1923. Zëvëndës prefekti Faik Bregu më 31 gusht 1923 i shkruan Komisariatit të Policisë së Vlorës: “Në qarkun e Himarës me shtytjen e anëtarve të propagandës greke asht shfaqë dëshira për emrimin e mesuesve të gjuhës greqisht… Andaj lutemi t’i shkruhet nënkomisarit të atjeshëm rezervisht …, t’ju paraqiti një raport mbi situatën e vërtetë të qarkut të Himarës e sidomos për shtytësit e faktorët e rrjedhimeve të fundit…”
Dhe pas kësaj kërkese nënkomisari i Himarës B. Kruja më 25 shtator i shkruan Komisariatit të Policisë së Vlorës: “Në qarkun e Himarës çiltazi asht çfaqun propaganda greke nga ana e Spiro Milos (Himariot) që ndodhet në Greqi si nëpunës i atij shteti, e propaganda e të cilit asht e përhapun në shtatë katundet e Hinrës me ndërmjetësinë e 5 – 6 personave si parësi që gjenden banues në këtë qendër: është i vëlli i Spiros, Jan Milua, Thanas Bollano, Miço Kara, Andrea Ilia, av. Petro Kiço dhe një prift i quajtun Papa Spiro të cilët jo vetëm në këtë qendër por edhe në gjashtë katundet e Himrës njihen si kryetarë… Më 10 të këtij muaji katundi Qeparo ka dhënë një lutje mbi emrimin e një mësuesi për gjuhën greqisht…, edhe katundi Dhërmi ka dhënë një lutje për emrimin e një mësuesi greqishtje…, shkolla e Himarës akoma nuk është hapur …, nga mos vajtja e nxënësve në shkollë. Sidomos mjeku i qeverisë z. Stefan nga Himara ka dhënë një raprt që ka sëmndje fruthi në çilimij dhe shkollat janë mbyllë e në fakt vetëm një djalë pati fruth të lehtë, kështu përpiqen të plotësojnë dëshirat e tyre për mësues grekë…” Më tutje nënkomisari policisë jep vlerësimë për nëpunësit e Himarës. Kjo situatë ka qenë para dhe pas vitit 1923.
Situata ka shqetësuat edhe mësuesin patriot Tahir Hoxha i emruar si mësues në Himarë.
Cili ishte Tahir Hoxha?
Pas dënimit Tahir Hoxhën e shpunë në burgun e Burrelit. Atje i morën shenjat e gishtrinjëve dhe e urdhëruan të shkruante 4 – 5 rreshta për të njohur kaligrafinë e tij. Tahir Hoxha pa iu dridhur dora shkruan: “Vuaj dhe vajtoj tragjedinë e trishtueshme të jetës, në këtë burg të errët, ku nuk shof të më përshëndesë e të më ngushëllojë njeri, veçse gjendjes që është në të njëjtat kondita e që s’kanë as gëzim dhe as liri.(Arkivi M.P.B. Dosja 2454)
Tahir Hoxha kishte lindur në vitin 1900, në Tragjas të Vlorës. Kreu arsimin në San-Demitro Korona, Itali, me rezultate të shkëlqyera, dhe punoi si mësues në disa fshtra të Vlorës.
Në vitin 1942, la detyrën si drejtor shkolle në Tragjas, dhe iu përkushtua luftës për liri. U zgjodh në Komitetin Qarkor të Ballit Kombëtar, detyrë që e mbajti deri në dhjetor 1944, kur u arrestua nga komunistët.
Ndryshe nga ai, tre djemtë e tij Lufteri, Kujtimi, Abazi, si edhe nipi Niko Hoxha, ishin kundërshtarë të vendosur të babait të tyre dhe nuk u pajtuan me të gjatë gjithë jetës. Ata u u bënë komunist të vendosur, dhe kryen studimet e larta jashtë shtetit, ndërsa babi tyre dergjej në burgun e Burrelit.
Më 12 dhjetor të vitit 1944,shokët e djemve të tij, e morën zvarrë nga shtrati dhe i vunë prangat. E nxorrën para një gjyqi qesharak dhe e dënuan me 30 vjet burg. Arriti të dalë i gjallë nga Burreli, më 12 maj të vitit 1962, pas afro 18 vjet vuajtje.
Gjatë vuajtjes së dënimit bijtë komunist e mohuan, e harruan dhe nuk i shpunë në burg as një cingar duhan, sjellje çnjerzore, karakteristike e komunistëve.
Pavarësisht nga këto privacione Tahir Hoxha kurrë nuk e zbehu personalitetin e tij si njeri, si patriot e mësues. Në jetën e tij, në burg, dhe jashtë tij, mbeti shembulli i mësuesit patriot, fisnik i vërtetë dhe shembull frymëzimi për brezat.
Komunistët vlonjatë, së bashku me bijtë e tij, e kishin lënë pa pension, të braktisur, dhe në këtë gjendje të mjeruar, e dorëzoi shpirtin e tij të bukur, më 2 korrik të vitit 1972, i përcjellë në banesën e fundit vetëm nga 5 – 6 miq të tij që i kishin mbetur besnik.
Me dekret nr. 557 datë 11.6.1993, të Presidentit Sali Berisha iu dha titulli “Mësues i Merituar”
Më poshtë po botojmë një letër të tij drejtuar ministrit të arsimit të asaj kohe Rexhep Mitrovicës ( 1888 - 1967) i njohur si veprimtar i çështjes kombëtare, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, nëpunës, ministër dhe kryeministër i Shqipërisë gjatë viteve 1943-1944. Ministri Mitrovica ia përcjell letrën Ministrisë Brendshme: “Këtu ngjitun, u paraqesim kopjon e letrës që marrim nga mësuesi i shkollës së Himarës z. Tahir Hoxha për t’u marrë masat e nevojëshme mbi gjendjen e atjeshme”.
Theksojmë se këtë letër në formë proteste e thirrje e hartonte një djalë vetëm 23 vjeç, përmbajta e së cilës flet për shpirtin atdhetar, zgjuarsinë dhe guximin që e karakterizuan patriotin Tahir Hoxha gjatë gjithë jetës së tij.
Letra e Tahir Hoxhës për Ministrin e Arsimit z. Rexhep Mitrovica.
Himarë 1.11.1923
Z. Ministër!
Ndjenja patriotike më shtërngon të informoj, gjithë çbëhet në këtë krahinë, juve që kini timonin dhe drejtoni arsimin kombëtar në këtë kohë fort kritike.
Simbas urdhërit të përgjithshëm shkollat e krahinës së Himarës duhet të çeleshin që në fillim të shtatorit, por fatkeqësisht u çelën vetëm një pjesë e tyre, ose vetëm në ato katunde që fatbardhësisht ndodhen shqiptaro- fonë. Gjithë të tjerët greko-fonë ndodhen çelur, por pa nxënës.
Popullsia këtu kanë demarshuar në Ministrinë e Brendshme dhe në atë tuajën, siç e dini, për t’u njohur të drejtat e minoritetit të cilëve fisnikërisht u përgjigjën në mënyrë negative.
Mirëpo me gjithë urdhërat, nuk u bindën dhe prapë insistojnë të realizojnë qëllimet e dobëta dhe antikombëtare të tyre, pranë nënprefektit këtu, të cilin e kanë si krahun e djathtë. Disa prova na bindin që edha ay ndjek po ato programe dhe atë qëllim.
Disa ditë më parë popullsia ka dërguar me anë të Korfuzit një telegram në Lidhjen e Kombeve, në mënyrë proteste për njohjen si pakicë dhe nashti prapë duan të bëjnë kërkesë në qeveritë e Europës. Nënprefekti këtu s’ka lajmëruar qeverinë.
Propaganda është zgjeruar mjaft. Populli ka ngulur këmbë të mos dërgojë djemtë në shkollë dhe me të vërtetë në katundet Palasë, Dhërmi dhe Himarë s’po i dërgojnë. Mësusit janë duke shëtiur kot, me psherëtima të thella, pa punë, si ajo nëna që e sheh djalin e saj që t’i vdes pa kujdes e pa doktor. Populli qesh me to.
Në emër pra, të idealit kombëtar, merrni masa dhe lëshoni urdhërat e shqipes, tregoni energjinë e duhur, që kjo çështje me rëndësi të zgjidhet kryekëput në favorin tonë dhe jo të sosen qëllimet e himariotëve , qëllime të cilat duhet të alarmojnë një qeveri idealiste.
Jo vetëm këtu në Himarë, duhet të marrë fund kjo çështje fort me rëndësi e shkollave, por edhe në Dropull e Delvinë, nuk duhet të gjënden shkolla grekeke këto të fundit i ngutën himariotë të kërkojnë të drejtat e minoritetit .
E vërteta është që e zmadhoni shumë çështjen e Himarës, por na që jemi këtu dhe e dimë mirë psikologjinë e popullit të këtushëm, e gjykojmë që sot, të lehtë zgjidhjen e këtij problem. Gjithë fuqia qëndron në gjashtë persona të cilët po të shtërngohen nga autoritetet të cilët doemos do bien barkas.
Unë i mbytur nga dëshpërimet e mëdha, me gjithë shumë shokë idealista që nuk punojnë për rrogë do të jemi të shtërnguar të japim dorëheqje. Jam fort i sigurtë që në kohën tuaj do zhduken të tilla gjëra. Mbi keqveprimin e disa zyrtarëve arsimtarë në këtë krahinë, që nuk kujdesat asnjë inspektor do të shkruaj herë tjetër.
Mbetem me shumë respekt. Tahir Hoxha mësues në shkollën e Himarës.
Ministria e Arsimit ia përcjell letrën Ministrisë së Brendshme për të marrë masat e nevojshme për sa ngre në letër mësuesi Tahir Hoxha.
Burgu i Vlorës, 1945. Nga e majta: Muhamet Gjonzeneli, Tahir Hoxha, Mete Kuçi, pushkatuar, Tasim Halili – Bonjaku, pushkatuar, ulur Muharrem Sharra, pushkatuar.
Comments