top of page

Një letër e hapur për shkollën time në fotografi


Dr Fatmir Terziu

Një letër e hapur për shkollën time në fotografi


Dr Fatmir Terziu


Shkolla ime e dashur,

E plasaritur nga koha. Bardhë e zi që nga lindja. Të mbaj në gji, në zemër, në këtë letër. E mes drithërimave të tua sa herë i hutuar mbes, duke të mbajtur me kujdes. E zverdhur në të katër cepat, e lodhur në tërë qasjen tënde me më të thjeshtat.

Shkolla ime e dashur,

Shpresoj të jeni duke bërë më të mirën në sytë e mi të malluar. Edhe pse më keni bërë të urrej absolutisht vetveten, duke parë veshjen time, ende më bëni të ndjehem të skuqur nga fytyra, sikur të mos kisha marrë të gjitha notat më të mira. Ndjehem sikur nuk ia vlente të isha në rrjeshtin e njëjtë me ndonjërin, që duhej të mendonte ndyshe nga koha, apo nga vëmendja juaj.

Ne, e shtrenjta shkolla ime, kemi pasur së bashku aq shumë kujtime. Asnjërin prej tyre nuk dua ta shënoj si të kot, edhe pse ndonjëri prej tyre më sjell vetëm lotë. Por ama, ta them me shpirt e me zemër, se të gjitha këto kujtime më ulin në gjunjë, dhe më zhysin në një tjetër botë, ku dua të shtrydh vetëm lotë.

Pjesa ime e preferuar ishte kur muret e tua tw ftohta, më pyesnin për heshtjen time, dhe unë ndjehesha ndoshta si i huaj në të ftohtën tuaj. Ndoshta kisha ndonjë vegim, dhe kjo ta them pastër thjesht mbetet vetwm për mendimin tim. Dhe nëse mendimi im nuk do të ishte i njëjti si i juaji, atëherë më së miri besoj se më besoni, duhet të mirëkuptohesha, se do të mbyllesha në atë dhomëzën e vogël, ku mbanim drutë, ose do të ndëshkohesha pwrtej fisit e racws me fjalën e përtej mureve të tua si “armiku i klasws”.

Shkolla ime e dashur,

Kur të takova për herë të parë, ti më the që do të më doje me zemër tw mbarw, edhe pse nuk më pe kurë duke qarë. Atë ditë madje biseduat me prindërit e mi dhe u premtuat atyre që nuk do të zhgënjeheni. Ju u shqepnit syve të prindërve të mi fjalimet, letrat, broshurat, vëllimet, të gjitha të deleguarat dhe të seleksionuarat, dhe ata ju shikonin duke mos lëvizur as edhe qerpikët, sikur të ishin roje-nderi para një trupe të mbledhur për të vlerësuar saktësisht pesëqind mijë vite jetë (duke mos përfshirë të gjitha udhëzimet “sporadike” që vinin thuajse çdo ditw kalendarike). Eh, syri juaj vigjilent! Fakti që më “këshilluat” më shumë, sesa më thatë mundësinë, se mund të përballonim të gjithë ato udhëzime, duhet të ishte një sinjal paralajmërues, por unë nuk mund ta injoroja kalimin e kufirit tej sjelljes suaj simpatike. Marrëdhënia jonë ka qenë gjithmonë ulje-ngritje, por kohët e fundit, ajo ishte përkeqësuar shumë, dhe së fundmi dua të them ato dhjetë vitet e fundit. Nuk e di pse? Vërtet nuk e di pse?

Shkolla ime e dashur,

Unë ju dhashë zgjidhjen më të mirë, që të bëheshim palë me muret, pra unë një mur më tepër në atë murëzimin tënd, por ju e sakatuat mendimin dhe vendimin tim, mbetët më e vetmuar, përfunduat akoma më vetëm duke më dhënë më shumë probleme intime edhe me idenë time. Marrëdhënia jonë ishte më shumë për të dhënë e për të marrë, përveç të vetmes gjë që më dhatë, ishte ushqimi i keq dhe prishjet mendore me atë ushqim, që nga të gjithë anët isha i rethuar me armiq. Dhe nuk më zinte gjumi natën. Ditën i afrohesha Globit dhe netwve tw gjata hapja hartën. Nga asnjë anë nuk kisha armiq. Nga të gjitha anët vwllezwr të të njjëjtit gjak. Ndaj habitesha me ty. Dhe e vetmja gjë që pastaj e bëtë me dorën tuaj të murosur, ishte vendimi ta përdornit si një dorë ndwshkimin për të gllabëruar edhe nga sukseset e mia dhe paratë e prindërve të mi për përfitimin tuaj.

Shkolla ime e dashur,

Ende do të doja të endesha në stendat e tua të muzeut, dhe të shihja se si ndjehen tërë ato ngulma në gozhdë të mëdha në prag të një sulmi armiku, të shihja se si lexohet ende në sytë e tyre paniku, kohë e paskohë, përsëri nw pakohw me frikw, ama madje sikur ta vwsh re, ti ishe vërtet e mirë ndonjëherë në injorimin e tij.

Shkolla ime e dashur,

Ju ma morët atë që dëshiruat për shkak të situatës sime të vështirë, por unë jam akoma ai që nuk përfundova duke u depresionuar. A nuk është qesharake se si dua tani të qaj që të më marrë malli, megjithatë të gjithë ata që të lënë ty pa ndonjë kujtim nw sy, a janë vërtet aq më të lumtur pa ty? Ju kurrë nuk i dëgjuat problemet e mia, nuk u kujdesët kurrë për shëndetin tim trupor, dhe kurrë nuk keni dashur asgjë të mirë për mua (dhe nëse e keni bërë, veprimet tuaja kurrë nuk i treguat), ju ishit si i dashuri toksik që unë kurrë nuk e kërkova në letrat e fryra të armikut të klasës. Kjo edhe për shokun e shoqen time të bankës. Vërtet e dinin ata këtë gjë tek ti? Unë ende të shoh dhe i shoh të gjitha bardhë e zi.

Shkolla ime e dashur,

Ju ishit aq e mirë, sa na nxorrët para publikut, kjo ishte ndoshta arsyeja pse unë mbeta ende me ju, ju më vendosët në gazeta kur u bëra i mirë sipas jush dhe sytë tuaj të zbrazët kërcyen nga muri i i izolimit dhe vallëzuan me gënjeshtra duke prodhuar madje një buzëqeshje të zvarritur nëpër fytyrën tuaj kur takuat prindërit e mi. Prindërit e mi ju deshën aq shumë. Prindërit e mi do t’ju lavdëronin papushim dhe unë i lija ata, sepse si t’u thoja atyre se ju urreja, se nuk doja të isha më me ju kur i mashtronit syhapur me të gjitha truket tuaja manipuluese. Ju gërshetuat një rrjet mashtrimi dhe prodhuat gjithnjë e më shumë armiq, por kurrë nuk ishit të kënaqur me atë që prodhonit, sepse dëshironit gjithmonë më shumë.

Shkolla ime e dashur,

Unë u thirra prindërve të mi, një ditë, duke u thënë atyre se nuk mund të dilja nga shtrati për të shkuar përsëri tek ju, se çdo minutë që kaloja me ju, merrte një tarifë për shëndetin tim mendor. Se nuk mund të isha më me ju, pavarësisht sa u përpoqa të shtiresha, por sigurisht koha më ktheu trysninë. Ata do të më pyesnin se si nuk mund t’ju vlerësoja kur u kujdesët aq mirë për mua. Ata në fakt më pyetën se si nuk mund t’ju vlerësoja kur ju shfaqnit emrin tim nëpër një mur, me numra të shkruara pranë emrit, sikur të isha një numër barcode për një produkt të ri në treg. Para se prindërit e mi të mund të përballeshin me ty, ti i kishe thirrur tashmë dhe do t’u thoshe atyre se shqetësoheshe për mua, se thjesht po përpiqeshe të më shpëtosh nga vetja, se ti më doje pa kufi. Atëherë pse nuk u ndjeva i dashuruar, nëse do të ishte se më doje shumë, atëherë pse nuk bëre asgjë kur pe se isha duke luftuar me mendimet që i vuajmë ende sot të dy, pse i injorove të gjitha klithmat e mia për ndihmën ndaj fjalës së lirë, pse më ktheve dhe luftove të më bësh kundër prindërve të mi.

Shkolla ime e dashur,

Unë dëshiroja që një ditë të mund të largohesha nga ju, por e shihja edhe pse isha i lidhur me ju, me këto tela të padukshme, që janë ngulur thellë në kyçin e këmbëve dhe kyçeve të dorës, se të dukshmet i shihnin sytë, e ndjeja se kurrë nuk do të shpëtoj me të vërtetë, plagët do të qëndrojnë gjithmonë.

Por unë nuk mund të të lë ty, një pjesë prej meje nuk dua as ta duash me zor, se fundja ti nuk ishe thjesht vetëm një shkollë, sepse ke sjellë kaq shumë njerëz të mahnitshëm në jetën time, dhe unë kujtohem për vitet e para të marrëdhënies sonë kur ishim çmendurisht në dashuri me ty. Kujtoj për vete kohën, për dorën që më zgjate dhe më mësove gjuhën më të bukur në botë, Gjuhën Shqipe, kujtoj gishtat me bojë që na dhimbnin të dyve, kujtoj… torbën e vogël ku futa librat e para dhe shtrëngoja në gji Abetaren, kujtoj ditët kur më çove në udhëtime të shkurtëra të shkruaja parrulla, dhe të gjitha shpërthimet spontane të fjalimeve që më linin më shumë shenjëza që më bënin sikur isha në një vend ku flasin vetëm të çmendur.

Shkolla ime e dashur,

Shokët e mi thonë, se njerëzve u duhen dhënë shanse të mjaftueshme, të dyta, mirëpo, këtë herë ti tenton të japësh më shumë, kështu që ju lutem mos më bëni të pendohem nëse ende qëndroni me të njëjtat mendime.

Shkolla ime e dashur,

Unë do të të dua akoma më shumë, pa marrë parasysh sa herë koha më bënte të ndihem i pavlerë, ajo kohë me kolerë, sepse si mund të ndalem ndonjëherë të dua dikë me të cilin kam kaluar gjysmën e jetës sime me të.

Shkolla ime e dashur,

Faleminderit për gjithçka!


72 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page