top of page

Një gotë fryme mbi qelq për një ditëlindje


Një gotë fryme mbi qelq për një ditëlindje


Nga Fatmir Terziu


Tashmë kanë kaluar shumë vite. Kanë kaluar dhe kohëra në të cilat pasionanti i hershëm i sportit kërkoi më shumë në thellësi të vetvetes. E ndërsa rrëmonte mijëra ide dhe zëra të brendshëm e shtynin të kapërcente vite e të festonte ditëlindje sa me penë e aq me mikrofonin në dorë, duke i bërë emocionale fjalët dhe arritjet sportive tek mijëra ndjekës. E kështu emri i gazetarit Defrim Methasani, „Qyetar Nderi“ i Peshkopisë, udhëtoi të kapërcente ditë, muaj e vite e të rrokte përditë e më shumë zemrat dhe emocionet e dashamirësve të tij. Kështu ishte dhe atë ditë kur operacioni i polipeve në rrugët respiratore habiti jo vetëm stafin e spitalit nga lulet dhe vizitorët e panumërt që kërkonin ta shihnin, por dhe një mal me kërkesa të arsyeshme për Njeriun e tyre të zemrës. Aty e në mjaft raste të tjera vetë ky pasionant, talent që në lindje, aktiv dhe idemadh, e kuptoi se vlera më e madhe e Njeriut është të jesh Njeri. Aty ai ndjeu se sa shumë kishte bërë për këtë vlerë të madhe në jetë.


Promovuesi i sportit shqiptar


Defrim Methasani, nuk është e vështirë të kuptohet thjesht e menjëherë që ka dhënë një kontribut të çmuar në promovimin e sportit shqiptar, prej shumë vitesh, por përtej këtij promovimi është zëri, timbri, elokuenca, oratoria, dashuria për ata që e ndjekin dhe e rrethojnë, atë ta bëjnë më shumë se një dashuri njerëzore. E kështu është udha e tij. Kështu është përditësia, të cilën e kupton jo thjesht në një rrëkëllimë kafeje me të dashurit e tij, por dhe në një memorje të fiksuar herët në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.


Por ne e kuptojmë akoma më thellë në themelin e kësaj bisede, në ristrukturimin e asaj memorjeje mes miqsh. Defrim Methasani zgjohet gjithmonë gjatë orëve më të çuditshme. Koha supozohet të jetë një themel, diçka në të cilën si mjaft të tjerë dhe të apasionuar në vite me mikrofonin dhe penën të jenë të aftë e të gatshëm, të matin dhe organizojnë ekzistencën jetike, profesionale dhe mbi të gjitha njerëzore. Për atë, pra për Defrim Methasanin, ajo rrëshqet nëpër gishtat e një dore të shtrirë dhe shpërndahet në avull.

Nuk ka rehati në kalimin e kohës, vetëm një hije kalimtare e një miku të vjetër, e ai mik është ndjekësi më i madh i tij, ai që nuk e lë të ulet, të kalojë kohën në divan, krevat apo dhe në kafene, ai është Pasioni i tij. Kohët e fundit ka vozitur nëpër mjegullën më të keqe që mund të imagjinohet, ka kaluar peripeci, vështirësi, udhë të panjohura dhe çdo moment ishte një luftë për të mbetur mes vijave të panevojshme, të cilat ai me forcën dhe besimin evetë i quan të vjetëruara.

Duket sikur ende në atë bisedë dibranësh në themel na thotë: „I hodha sytë edhe më fort dhe feneri im i vetëm u përpoq të ndihmonte në ndriçimin e një shtegu. Përpjekjet ishin të guximshme, por të pakta. Kështu është për mua tani. Kështu vezullojnë ditët, në mjegull, në një mjegull, pa dallim të vërtetë nga njëri tek tjetri. I këput sytë. Është e kotë.“ Eh, ec e kuptoje po deshe! Gjuhë e thukët dibrani. Shkollë e fakultet më vete. Shkollë me yndyrë dhe përkushtim jete!


Dollia për jetën


E kështu momenti i atij operacioni që ka qenë i komplikuar, teksa ka zgjatur 4 orë, tashmë para kësaj dite u shënua me dolli, që mblodhën mes fluskave të gotave plotë stërkla milionëshe në urime. Është mes tyre, urimeve dhe dashuria e përditshme, memroja dhe kujtesa e vrullshme. E duket sikur përshkon tej e tej tyre me një tonë… „Ulem befas dhe sytë e

mi sillen nëpër dhomën që është bërë e imja për pak kohë. Mendja ime e vetëdijshme është ende duke zhbërë të dhëna, duke ndarë ëndrrën nga realiteti nga kujtesa. Gjithçka vjen në fokus dhe gjoksi im ngrihet ndërsa kujtoj kohën që fluturon larg. Ata janë ndjenja të përkohshme. Gishtat e mi prekin vendin në shtratin tim ku fjalët trazojnë dhimbjen. Unë në mënyrë konjitive vazhdoj ta përpunoj flakjen tutje dhe të bëj këto kujtime akoma më të largëta.“

Kush ka pirë një kafe me Defrim Methasanin, kush ka ndjerë fjalën e mjalttë të të Atit, shoqërisë që e rrethon, fjalës që të pushton momentin dhe kohën, kujtimet dhe memorjen, natyrisht e gjen të udhës të shkruaj disa radhë për talentin, përkushtimin, atmosferën dhe angazhimin që të ysht vetëm një pakëz kohë, me një emër të thjeshtë e të shtrenjtë: Njeriu takon Njeriun!


Ecja dhe urimi binjak


E ditët pasojnë ditë, në këtë oazë vijnë dhe urimet, ato qindra e qindra që kërkojnë jetëgjatësi, urimet janë vetëm një arsye, tjetra është më shumë se kaq. Me këtë rast dhe unë eci rrugëve të njohura të Londrës, rrugët që për disa vite më shpien drejt institucionit ku punj, dhe hyj enkas në një kafene që është e mbushur me kujtime të panumërta miqsh të vjetër, dashuri dhe të qeshura.

Duket se jam aty dhe nuk jam aty. Duket se kam projektuar atë tavolinë të thjesht në Tiranë. E ndërsa ndodh kështu, është e habitshme se si Njeriu mund të jetë në të njëjtën kohë, në dykohësi. Tavolinat tani janë të zhveshura dhe karriget bosh, por unë ende mund të shoh fantazmat e kujtimeve të projektuara në të gjithë pakohën. Pronari më pyet si jam dhe sa fëmijë kam tani. Unë përgjigjem me aq pak fjalë sa të jetë e nevojshme, pa u treguar i vrazhdë. Unë paguaj për latten dhe skonën time, pastaj kthehem dhe pyes veten nëse do të blej përsëri kafe këtu, ndërsa zhurma gërryese e derës njofton daljen time. I fus sërish kufjet dhe ul volumin e botës rreth meje.

Gjithçka duket më kinematografike kur unë jam duke orkestruar partiturën. Makinat vërshojnë pranë dhe shalli im fluturon në erë, se këtu është Londër dhe mëngjeset janë të ftohta, era në Elefant and Casttle fryn lezetshëm ndërsa më soqëron një kreshendo violine lypësi teksa ngs ashensorin dhe më pas një banjo afër zyrës sime bën një gargara të shpejtë.

Unë kthehem përsëri në vendin e meditimit të përkohshëm. Mjaft reflektim largëudhës në vetvete për sot. Është koha për pak produktivitet dhe ulje për punën më thelbësore të ditës. Gjithçka është shumë ndryshe tani. E çuditshme dhe e dhimbshme, por e bukur dhe misterioze. Unë jam ende unë. Shokët dhe miqtë janë ende ata. Mendoj për to ndërsa marr frymë në ajrin e lagësht të mëngjesit dhe ngadalë shikoj përreth edhe një herë, duke u përpjekur të regjistroj çdo detaj në kujtesën time.


Përtej urimit


Gjithçka është e qetë. Nxjerr frymë thellë dhe xhami më bën disa miniatura artistike në frymë e sipër. Ndërsa fryma ikën nga goja ime lë një avull që kërcen lart dhe zhduket në një sekondë duke vallëzuar me ato, pra me kujtimet dhe dashuritë njerëzore, për miqtë, kolegët, shkët, për ata që kanë ditë të shënuara në jetën e tyre.

Në atë moment, koha duket përsëri e prekshme. E prek sikur takojë gotën edhe me Defrim Metahasanin, për ta uruar në këtë ditë të shënuar të tij. Gëzuar Ditëlindjen gazetari sportiv Defrim Methasani! Thjesht! Një gotë fryme mbi qelq! Thjesht për një ditëlindje…, ditëlindjen e një Njeriu.

35 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page