top of page

Një emër që udhëton në harkun e pesë mijëvjeçarëve


Kujtim Mateli

Një emër që udhëton në harkun e pesë mijëvjeçarëve Nga Kujtim Mateli



Të shkosh në gjenezën e popullit tënd, ta studiosh dhe të sjellësh prej andej pamje sa realiste aq dhe të mrekullueshme, është një nga misionet më të bukura që njeriu ndërmerr në jetën e tij, por dhe nga më të vështirët. Këtë mision ka përmbushur dhe shkrimtari dhe studiuesi Ilir Cenollari me monografinë “Shën Mandili” që ndodhet këto ditë në duart e lexuesit të apasionuar pas historisë dhe identitetit tonë të spikatur në mijëvjeçarë. Për shqiptarët ky mision bëhet i vështirë, sepse gjuha shqipe është e dokumentuar vonë dhe përpjekjet e studiuesve shqiptarë deri në ditët e sotme për të lexuar disa nga mbishkrimet e gjetura në Ballkan, që vlerësohen si mbishkrime parahelene apo  pellazge si: stela e Lemnos etj., ku autorët e antikitetit kanë vendosur atje pellazgët, nuk kanë marrë ndonjë vlerësim miratues nga institucionet shkencore.

Mbishkrime të ngjashme ndodhen dhe në Itali, sidomos në truallin e etruskëve. Me gjithë përpjekjet e Nermin Vlorës dhe të pasuesve të saj për t’i deshifruar në gjuhën shqipe, përsëri institucionet shkencore kanë heshtur ndaj këtyre përpjekjeve dhe sakrificave që kanë bërë disa breza shqiptarësh përgjatë këtyre dy shekujve të fundit. Rezultatet e këtyre punimeve pritet të vlerësohen dhe procesi duhet të vazhdojë më tej, deri në zbardhjen e plotë. Mbase, në vitet e ardhshme do të hidhet dritë më tepër dhe gjuha e këtyre mbishkrimeve do të mund të lexohet në gjuhën së cilës i përkasin.

Por jo të gjitha fjalët janë gërryer nga erozioni i kohës. Shumë fjalë i gjejmë në po atë formë që janë përdorur dhe në antikitet. Mund të përmendim emrat e maleve. Olimpi është përdorur nën këtë emër që nga koha e Luftës së Trojës dhe përdoret në po atë formë edhe sot. I tillë është mali i Pindit. Shembujt mund të vazhdojnë dhe me emrat e njerëzve.

Në këto kushte, për të depërtuar në thellësi të mijëvjeçarëve para Krishtit, e vetmja mënyrë mbetet ajo e fjalëve që gjejmë dhe që lidhen me shqipen, por sidomos emrat e njerëzve dhe të vendeve. Në këto kërkime që bëhen në një terren tepër të vështirë, gjendet dhe studiuesi Ilir Cenollari, i cili kërkon të vërtetojë se emri Mandil, i përdorur në dëshmitë më të hershme që lidhen me Dodonën dhe rrethinat e saj, vazhdon të përdoret deri në ditët e sotme në truallin shqiptar dhe më gjerë. 

Në ditët e sotme është e vështirë të ndash qartë se cili nga dy popujt që kanë banuar jugun e Ballkanit, shqiptarët apo grekët, e kanë produkt të gjuhës së tyre këtë fjalë, sepse marrëdhëniet e këtyre popujve në mijëvjeçarë kanë bërë që gjuhët e tyre t’i japin dhe t’i marrin njëra-tjetrës fjalë që sot gjenden në të dy gjuhët. Në këtë kontekst gjendet dhe fjala Mandili. Studiuesi Ilir Cenollari për ta ndarë se në cilën gjuhë ka qenë zanafilla e kësaj fjale, ka ndërrmarrë një studim që e ka shtrirë në hapësirë, pra në vendet ku gjendet e përdorur kjo fjalë, por edhe në kohë. Pika më e largët kohore, kur dhe dëshmohet kjo fjalë, është ajo e Orakullit të Dodonës. Në Dodonë është përdorur emri Mandyl si emër njeriu. Kjo përbën dhe pikën më të largët kohore, e cila mund të dokumentohet dhe është e mjaftueshme për të thënë se emri Mandil është përdorur fillimisht si emër njeriu. Kjo do të thotë se midis emrave të njerëzve që përdoreshin në Dodonë, është dhe emri Mandil. Nga emër njeriu, e gjejmë si veshje që përdorej në atë periudhë, një lloj gune apo sharku që përdorin edhe sot barinjtë dhe autori është mbështetur mbi dëshmi të pakontestueshme që kanë si burim autorët e antikitetit. 

Gjuha e Dodonës duke qënë në marrëdhënie të ngushtë dhe me popujt e tjerë, ka patur më shumë mundësi se çdo gjuhë tjetër, që këtë fjalë të përgjithshme siç është fjala mandile për veshjen, ta “përcjellë” dhe te popujt e tjerë. Autori e dokumenton këtë fjalë në një terren gjeografik tepër të gjerë, përtej hapësirës ballkanike. Në këtë hapësirë jugore të trojeve shqiptare, ku ndodhet dhe Dodona, ky emër ka një përdorim të gjerë, veçanërisht në mbiemrat e njerëzve. Emri Mandil, i përdorur fillimisht si emër njeriu dhe më pas si emër i përgjithshëm për veshje të ndryshme, nuk e ka humbur kuptimin e parë të përdorimit. Ato territore përreth Dodonës që e lindën këtë emër nga gjuha e tyre, të paktën tre mijë vjet më parë, ato vazhdojnë ta ruajnë deri në ditët e sotme. Atëherë fjalën Mandil e lindi Dodona pellazge, sot këtë fjalë e ruan shqipja.

Po ndërsa helenët apo grekët e sotëm e kanë të provuar nga autorët e antikitetit se gjetën pellazgët në territorin ku ata u vendosën dhe emrat e perëndive i morën nga pellazgët, sigurisht bashkë me to dhe emrin e bariut që shërbente në Dodonë, mbetet që emri i Mandilit të ketë shkuar nga ajo popullsi që quhej pellazge deri në ditët e sotme si vazhdim i trungut të së njëjtës popullsie. 

Studime të kësaj natyre, të thelluara në aspekte të tjera, do të bëjnë që të hidhet më shumë dritë në atë pikë të errët të origjinës sonë që e ka zanafillën te Dodona pellazgjike.

Ilir Cenollari: Për Shën Mandilin, përkthyer në italisht

Në këtë sprovë pasqyrohet historia e jashtëzakonshme e emrit të shenjtë Mandili, i cili rron ende sot në krahinën e Zagorisë së Gjirokastrës, Shqipëria Jugore. Ky emër shërbeu si “fanar” për të “çarë” errësirën e dendur të shekujve, për të ndriçuar aspekte të ndryshme të historisë së popullit shqiptar por dhe të qytetërimeve të tjera, si ai pellasg, grek, latin, mesdhetar dhe bizantin. Emri Mandili është parë në marrëdhënie të ngushtë me historinë, gjeografinë, fenë, mitologjinë, etnografinë, gjuhësinë dhe kulturën duke i shkrirë në një paradigmë të vetme. Mandili, qoftë si emër familje, qoftë si fjalë, ka shtrirje të madhe kohore dhe gjeografike, nga antikiteti deri në ditët tona,; atë e gjejmë në Shqipëri, në Itali të Jugut, në Greqi, etj. Për herë të parë emrin Mandili shfaqet në traditat dhe legjendat Dodonase të përcjella nga historian i Piros së Epirit, Prokseni dhe shkrimtarë të tjerë. Heroi Mandilas tenton të presë Lisin e Shenjtë por e ndalë plaka profeteshë, plaka-orakull.Emri Mandili sipas gjasave buron një lloj veshje e stërlashtë, mantile, që shfaqet në gjuhët e vjetra, qoftë të Mesdheut, qoftë të Lindjes së Afërme. Për këtë arsye, krahas shpjegimeve gjuhësore, përshkruhen dhe veshjet e lashta të fiseve ilire dhe romake, sikurse përputhshmëritë dhe ngjashmëritë e mëdha mes tyre. Në epokën e hershme të Krishterimit, emri / fjala Mandili merr kuptim të ri, kuptim simbolik duke u bërë ikona e parë e Jezu Krishtit ose Shën Mandili. Në këtë sprovë përshkruhet historia e lindjes së shëmbëlltyrës së Krishtit, e peripecive të pafundme të ikonës së shenjtë, e transferimit nga Edesa në Kostandinopojë, e luftrave dhe përplasjeve të forta mes qytetërimit perëndimor, përkatësisht bizantin dhe atij islamik, e ngjashmërisë së madhe midis eposit bizantin “Digenis Akrites” dhe baladës shqiptare “Kostandini dhe Dhoqina”, e lindjes dhe përhapjes së disa lëvizjeve heretike, si Manekizmi, Bogomilizmi, etj! Kulti i Mandilionit u rrrënjos fuqimisht në kishat e Lindjes, në Kostandinopojë, në Italinë e Jugut, në Siri, Armeni, Kaukaz dhe arriti deri në Torino e Gjenova të Italisë. Nuk është rrugëtimi i një emri në histori por dhe rrugëtimi i qytetërimeve botërore në marrëdhënie me njëri-tjetrin.

Tiranë më, 10. 07. 2019

21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page