top of page

Një “Doppelganger” për të riprodhuar “Ekstra Superhënë”


Vangjush Saro

Një “Doppelganger” për të riprodhuar “Ekstra Superhënë”

Dr Fatmir Terziu


Vangjush Saro, vjen për lexuesit me një prozë të re. është proza e tij e gjatë, që forcon idenë e një romani të tejshtruar mirë që në strukturë e zanafillje. Gjuha, stili dhe mjaft risi të reja narrative vijnë e shtrohen sa mes gjuhës, aq dhe mes urtisë së saj në stil, ku dubli rrok sa mendimin, aq dhe leximin shtysë të karakterit. Pra, romani historik “Misioni” tejshtrohet pikërisht mes një karakteri tjetër, që në fakt është një produkti i dyfishtë shpirtëror i vetë karakterit.

Është fytyra e këtij procesi, të cilën A. Kamytek romani i tij “I huaji” e citon si “Gjithçka është e vërtetë dhe asgjë s’është e vërtetë.” Kështu ju do të lexoni dhe do të qeshni, por dhe do të lexoni dhe që të mos-qeshni në të njëjtën kohë, duke ndërtuar vetvetiu një “Doppelganger”, një karakter që ndjek homologun e tij.

Një “Doppelganger”, në gjermanisht, do të thotë “këmbësor i dyfishtë”, pra që është si një kopje e karbonit të një karakteri me një shpirt tjetër. Megjithatë, ashtu sikurse dihet se një nga kriteret për një “Doppelganger” nuk është se ai duket si homologu i tij, në leximin e romanit historik “Misioni” mes humorit ngjashëm kuptohen sikurse Frankensteini dhe përbindëshi i tij, të cilët konsiderohen të jenë “doppelganger”, dhe pse tek romani i Saros, ajo që dualizohet, dyfishkarakterësia vjen sa në një formë të lexueshme, aq dhe të kontrakonceptueshme, mes leximit dhe mesazhit.

Kështu ndodh dhe me karakterin e romanit “Misioni”, Ndrio Bedalla, që është vetvetja e karakterit, por dhe aq kopja e tij e deformuar “nga një fije tension, fare pak marrje mendsh, por shumë e shumë lodhje e dëshpërim, ngaqë, siç i dukej atij, gjithkund punët nuk po shkonin mirë”. Dhe ndërsa “Jeta po rëndohej dita-ditës. Natyra, ia ktheu ai sakaq me zë, nuk duket e lumtur. Disa dukuri të padëshirueshme janë trashur…”.

Leximi të shpie tek dualiteti tjetër. Tek ai që vjen mes ish-studentes Julinda Plasa, që është dhe s’është vetvetja, që kërkon të realizojë Masterin e saj, por që në fakt e ka për të mbrojtur vendin e punës. Dhe kuptohej qartë dyzimi kur vetë proza të shpie thjesht e saktë pikërisht atje ku tani “ajo punonte në ESHKN, Enti Shtetëror për Kujdesin Natyror, dhe ishte duke mbrojtur masterin; por tema e saj nuk e kishte kënaqur dot profesorin. Ai i kishte shkruar asaj para disa ditësh që lënda ishte e thatë dhe e ftohtë. Ajo qe përgjigjur me njëlloj dyzimi: Të gjithë kemi nevojë për pak ngohtësi, profesor.” Duke shkuar më tej pena e Saros na jep dhe atë që shkon përtej mesazhit, kur karakteri real kërkon të mbrojë hijen e tij, pra atë karakter të vendit të punës, që del qartë me fjalët e vënë në gojën e ish-studentes: “Dhe për këtë, mund të bëj çdo sakrificë”.

Në këtë prozë edhe vetë Bota është duale dhe misterioze, ku ambienti është deri kundërmues dhe dualiteti kapërcen vetë formatin e tij plot hije dhe dritëhije deri në brejtjen e planetit. Në fakt “Në gjithë Planetin, në daçi… ku autori mes narrativit premton se do të shtroj “këto çështje”, po të ketë ftesë, po sigurisht që do të ketë, “në Konventën e Pesëmbëdhjetë të Kombeve të Bashkuara për Korrigjimet Klimatike (KPKBKK)”.

Në këtë dualitet është dhe vetë Tirana, kryeqyteti i shqiptarëve, po aq dhe Tirana e sëmurë. Kjo ndodh sipas narativit se “ngado jemi të rrethuar prej zhurmave, tymrave dhe pisllëkut”. Natyrisht e gjitha varet sërrish mes dualitetit, mes nënshtjelës së “Doppelganger”, ku kjo varje është sa nga doktori, aq dhe nga pacienti. Pra, “Varet nga doktori. Varet nga pacienti.” Dhe ky doktor e ky pacient është në siparin kryesor, pikërisht aty ku vjen dija, aty ku hidhen themelet. Dialogu disi rrënqethës mes humorit të tij na sqaron më shumë: “-Të dashtun nxans e kulek, - klithi ai - sot na kem mes nash prefesërin e nëversëtetit “Tezja”…

-Universiteti “Rrezja”, - ndërhyra unë me takt.

-Siurno, “Thjerrza”, zotnënë e tëj…

-Rrezja…

-Zotnënë e tëj, Ndreu.

-Ndrio, byrazer…

-Ndre…”

Dhe Saro pyet: “Nuk e di çfarë ka ndodhur këto kohë me arsimin...” kurse karakteri i tij, Profesor Bedalla bëhet nervoz një çast. Pikërisht humori të pason tek pshërëtima dhe vetëtima dhe të zhyt te Liqeni Artificial, bataku është bërë kënetë…, më saktë aty ku Ekstrakti i plehrave, një sipërfaqe ujore, në gjuhën profesionale quhet shllam dhe aty ku mbrohen të drejtat pra, edhe Kompaninë me Përgjegjësi të Pakufizuar “Hiç frikë nga mbetjet!”

E gjitha shkon tutje, thellë e më thellë dualizmit, realitetit dhe qasjes së tij reale, shkon në tërë dinamikën e profesor Bedallas. Dinamikja dhe dualja zgjohet në pushime, në pjesë të dritës, me natën e leckosur nga tërheqjet e sfilitura e të shtrënguara pak nga të dyja qasjet. Ajo është e ëndërruar në diçka, një ëndërrim të qëllimit dhe me qëllim. Çfarë është ajo? Drejtimi, përpjekja për të kapur, duke u ndjekur nga vetvetja, nga sikleti dhe rrëmuja e gjërave? Ndjenja e saj është një garë. Ajo dëshiron. Ajo kishte dhe s’ka kapacitet më të mirë brenda ajrit të ndotur nga ndtësitë dhe brenda vetë mushkërive.

Ajo është vetë ikja e 4 nëntorit të vitit 2016. Është vetë “Ferma e kafshëve”. Është padija dhe shëndeti për Kryeministrin. Pastaj është liria e njeriut pa njeriun e lirë. Është ajo kur “Kishte nga ata që bënin be se profesori qe arrestuar; por ai ishte liruar menjëherë, ngase kishte protestuar në mënyrë energjike një organizëm shumë i njohur botëror, ku Bedalla, së shpejti, do të merrte një detyrë të rëndësishme, siç thuhej, në kushtet kur “përpjekjet për mbrothësi shoqërore dhe për shpëtimin e Planetit, po hynin në një fazë të re” e kur, ndërkohë, po ndodhnin procese të jashtëzakonshme astronomike, sikundër ai që pritej më 14 nëntor, kur njerëzimi do të kishte rastin të shikonte të ashtuquajturën “Ekstra Superhënë”.”

Disa fjalë për shkrimtarin


Vangjush SARO lindi më 1952 në Korçë. Më 1971, përfundoi shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi”. Më pas, Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji. Punoi për disa vjet arsimtar në rrethin e Gramshit. Më 1986, kreu Kursin pas-universitar për redaktor e skenarist pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve dhe ish-Kinostudio “Shqipëria e re”. Pas vitit 1986, punoi redaktor-skenarist në ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, mandej në gazetat “Alternativa SD” e “Sindikalisti” dhe, më pas, gazetar e zëdhënës pranë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe në Dhomën e Tiranës.


Krijimtaria letrare e shkrimtarit është e gjerë dhe e larmishme. Në të, krahas groteskut dhe rrëfimit gazmor, vihen re nota lirike, ndërkohë që thurrja e krijimeve të tij, karakterizohet nga struktura të kohës dhe një koncizitet bindës. Vangjush Saro ka botuar disa libra me tregime për të rritur, ku mund të veçohen “Dy orë dramaturg” dhe “Biri i ambasadorit”, si dhe romanin humoristik “Kurora e Ballkanit”. Ai është autor i kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm”; ka shkruar gjithashtu skenarë për filma dokumentarë dhe vizatimorë, pjesë teatrale, etj. Aspekt i veçantë i krijimtarisë së tij, janë fabulat, zhanër në të cilën autori performon në një mënyrë origjinale dhe qaset me thjeshtësi te lexuesit e çdo moshe.

Pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij artistike, është gjithashtu proza për të vegjëlit, tregimet dhe novelat gazmore. Në këtë fushë, janë të njohur sidomos librat “Një ditë pa mamin”, “Polic Këmbëvogli”, “Dy fëmijë në Kampionatin Botëror të Futbollit”, “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri” dhe “Rrëfime nga shkolla ime”.

Krahas krijimtarisë letrare, Vangjush Saro është marrë edhe me gazetari, duke bashkëpunuar me disa gazeta kombëtare, si “Republika”, “Alternativa SD”, “Sindikalisti”, “AlbBiznes”, “Metropol”, “Telegraf”, “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli”, “Shqip”, etj. dhe me portale si “Fjala e lirë”, “Zemra Shqiptare”, “Kritika”, “Dituria”, etj.

Vangjush Saro ka marrë çmime kombëtare për vëllimin me tregime satiro-humoristike “Biri i ambasadorit” dhe për novelën për fëmijë “Polic Këmbëvogli”.

Prej disa kohësh, jeton në Vankuver BC (Kanada).


Nga krijimtaria e autorit


  1. -Prolog satirik /Skica/ Sht. Botuese “Naim Frashëri”, 1974

  2. -Dy orë dramaturg/ Tregime satiro-humoristike/ “Naim Frashëri”, 1975

  3. -Në kërkim të studentit Mete/ Tregime satiro-humoristike/ “Naim Frashëri”, 1979

  4. -Ora nuk ha çokollata / Poemë për fëmijë/ “Naim Frashëri”, 1980

  5. -Një copëz jetë/ Pjesë teatrale, 1983

  6. -Miku i vogël / Poemë për fëmijë/ “Naim Frashëri”, 1983

  7. -Autogol/ Komedi, 1984

  8. -Biri i ambasadorit/ Tregime satiro-humoristike/ “Naim Frashëri”, 1988

  9. -Shkëlqim i përkohshëm/ Kinokomedi, 1988

  10. -Ervini dhe miqtë/ Novelë gazmore/ “Toena”, 1993

  11. -Një ditë pa mamin / Novelë gazmore/ “Toena”, 1994

  12. -Polic Këmbëvogli/ Novelë gazmore/ “Reklama”, 1995

  13. -Dy fëmijë në Kampionatin Botëror / Novelë/ ASD, 2001

  14. -Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri / Novelë/ ASD, 2003

  15. -Aventurat e Bubit Çamarok/ Përrallë/ “Mësonjëtorja”, 2003

  16. -Rrëfime nga shkolla ime/ Tregime për fëmijë/ ASD, 2004

  17. -Një ditë pa mamin /Botim 2/ ASD, 2005

  18. -Shqipëria, Porta e Ballkanit/ Film dokumentar, 2006

  19. -Dhelpra shpërblen Lepurin/ Fabula/ ERIK Botime, 2012

  20. -Trumcaku ftillon Ferrën/ Fabula / ERIK Botime, 2014

  21. -“Kurora e Ballkanit”/ Roman humoristik/ Amazon, 2016

16 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page