top of page

Një dedikim për një njeri fisnik


Një dedikim për një njeri fisnik

Fatmir Terziu


E gjitha ishte thjesht një dëshirë më shumë. Një dëshirë që shkonte përtej asaj që ai bënte përditë. Përtej punës së tij të përditshme. Ndërsa në Berat po xhirrohej filmi „Tomka dhe shokët e tij“ i gjithë formacioni ushtarak i kohës që ai shërbente si drejtues i makinerisë së lëvizshme ndohej në fushim. Skenari i filmit kërkonte sa më shumë makina të viheshin në dispozicion, por dhe koha dukej e pamjaftueshme. Pasi në atë kohë përveç planeve ishin dhe raportimet që gjithkush që ka jetuar në atë kohë i di se ku të përfundonin. Një nga miqtë e tij të afërt i kishte kërkuar kësisoj ndihmë, duke i thënë se nëse nuk do të realizohej në kohën e duhur, ai e kishte litarin në fyt. Ai, sikurse ishte, gjithnjë i qeshur, i gatshëm për të bërë të pamundurën për Tjetrin, njeriun e mirë dhe atë në nevojë, menjëherë bisedon me disa anëtarë të ekuipazhit të makinerisë së lëvizshme dhe pastaj ndërsa gjeti përkrahjen e tyre dhe me drejtuesin e lartë ushtarak të fushimit e kur ata e aprovuan ai i dha një „Po“, që gëzimi i Tjetrit gati sa nuk e bëri që t'i binte të fikët. E që nga ajo ditë Bilal Balla, ushtaraku i dalluar i Elbasanit u bë dhe protagonist i filmit „Tomka dhe shokët e tij“, dhe jo vetëm ai por dhe makina e tij ushtarake që drejtonte prej vitesh në gatishmëri.

Bilal Balla, një ushtarak model, por dhe një familjar i denjë, gjithnjë një sy kishte tek puna e tjetrin tek familja. Në familje, Kleri Balla, e shoqja e tij, e vlerësuara dhe e përkushtuara e mjekësisë në spitalin e të sëmurëve mendorë të Elbasanit të atyre viteve, gjithnjë thoshte me mburrje se ajo kishte gjetur njeriun më fisnik të jetës. Fillimi i një dashurie mes një vajze kristiane, dhe Bilalit i besimit musliman, ndoshta u pëshpërit, por dashuria e tyre, sjelljet e dy protagonistëve të një familje të mrekullueshme më pas u bënë model jete.

Sot familja e tij e madhe, djemtë, vajza e vetme, nipër e mbesa, vetë Kleri Balla, përkujtojnë 26 vjetorin e ndarjes së një fisniku e njeriu model nga jeta. Unë e kam njohur nga afër dhe ai ishte djali i tezes së babit tim. Shkonin të dy si vëllezër. E tashmë, sikur fjalët e mia të thjeshta të mund të magjepsnin çdo emocion që po përpiqem të përcjell do të më thoshin shumë fjalët, dhe jo vetëm ato. Për të përmbledhur një histori të shquar që e mbaj në memorjen time, atëherë do të kërkoja të shtrydhja të gjitha kujtimet dhe rrëfimet që kam dëgjuar e magazinuar për atë burrë fisnik.

Bilal Balla si shumë të tjerë i doli zot vetes dhe jetës që në moshë të njomë. U rrit gjysëm jetim, por gjithnjë ata të barkut tjetër nuk i ndau, i konsideroi të barabartë dhe të një gjaku, të një udhe jete, të një familje. Që në moshë të vogël ai punoi si fillim në ndërtim, pastaj në disa fronte të tjera, derisa në kohën e shërbimit ushtarak ai u specializua dhe për një profesionalizëm të dedikuar u mbajt në radhët e ushtrisë së asaj kohe. Bilal Balla edhe pas 26 vjetësh të ikjes nga jetë mbahet mend sikur të ishte mes nesh, në tryezat e gjera e të fisme, që ai i respektonte gjithnjë.

118 views3 comments

3 Comments


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Jun 29, 2022

I dashur Profesor Fatmiri,

Ju falënderoj nga zemra dhe ju shpreh mirënjohjen time të thellë për fjalët tuaja aq të ngrohta dhe aq frymëzuese për mua. Unë, si shqiptar, e ndiej veten mjaft krenar, që, në Londër, në njërën nga kryeqendrat më të shquara të Kulturës Botërore, banon familjarisht një personalitet i shquar i kulturës sonë mbarëkombëtare, një erudit në disa fusha të dijes, që na nderon si kombin më të lashtë dhe me gjuhën më të lashtë në kontinent. Ju më shkruani “… keni marrë një falënderim hyjnor…”. Më prekët, ore mik i shtrenjtë. Se kjo puna e hyjnores më ngjall emocione të fuqishme. Dikur në të ardhmen mund t’ju dërgoj një ese me titull “Hakmarrja” dhe…

Like

I dashur Profesor Eshrefi, mik i nderuar dhe personalitet që di të respektojë edhe në momente që shënojnë aspekte nga memorja. Në këtë rast miku i nderuar ju keni marrë një falenderim hyjnor dhe ky është ndoshta një nga të miliontat që meritoni Ju, falë asaj që keni marrë e trashëguar në vite, edukatë, qytetari, kulturë, mirrënjohje. Ju falenderoj pa masë për këto fjalë të mrekullueshme, që gjithnjë na bëjnë të konsiderojmë shumëzimin pa kufi të respektit ndaj jush. Falenderime dhe nga Kleri, bashkëshortja e kushëririt të babit.

Respekte

Fatmir Terziu

Like

Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Jun 29, 2022

I dashur Profesor Fatmiri,

Në këtë Ese përkujtimore është shpalosur madhështia e shpirtit tuaj fisnik, në respekt të ushtarakut të dalluar të Elbasanit, Njeriut të Mirë Bilal Balla. Me këtë Ese ju më kujtuat fjalët e kompozitorit të talentuar gjeorgjian Dare Maçavariani (1913-1995),i cili ka thënë:

“Njerëzit e mirë… Ata kanë një vështrim të ngrohtë, dhe kjo për arsye se në zemër ata mbartin diellin me vete. Për ta është e huaj urrejtja dhe e keqja. Këta njerëz nuk ju braktisin në raste fatkeqësish. Ata janë si puna e pranverës, shpërndajnë ngrohtësi dhe shpresë”.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 29 qershoir 2022

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page