top of page

Një bisedë me Dhimbjen poetike të poetit Fahredin Gunga

Updated: Oct 5, 2021


Fahredin Gunga


Fatmir Terziu


E kemi trajtuar atë si një "pritje dhe përcjellje mendimesh". Vakante, të harbuar, të lënë pas dore, dhe prapëseprapë presim që ajo të jetë në rend të lartë “pune”, sa herë që vendosim ta nderojmë atë me praninë tonë. Edhe kur e qortojmë, edhe kur na qorton, edhe kur bëhet e aftë të mbajë të dyja. Pra, ajo qorton. Ajo na qarton. Na qorton se është dhimbje. Është dhimbje e lexueshme, edhe pse mbetet narrative, dhimbje poetike…

Është e tillë se banon në qytetin e shkrimit, leximit, mendimit të ftohtë e të nxehtë, në brendinë e ndjeshme e të dihatshme të leximit, nëse vërtet lexojmë dhe hyjmë për të mbijetuar në maratonën e ditëve të inteligjencës së lodhur. Ajo proteston. “Pse më lini vetëm?” Sidoqoftë…, ajo nuk mbetet vetëm. Është dhimbje narrative, është dhimbje poetike.

Ne e marrim atë me vete. Ajo shpërqëndrohet, sytë të ngushtuar dhe gishti që hap librat disi i lodhur. Ajo është vetëm e dërguara, duke na thënë diçka që tashmë e dimë. E dimë, lusim ta mësojmë që ta dimë.

E provojmë me lutje. A duhet të bërtasim me zë? Nuk mund që t'i jepni më shumë kohë? Sigurisht që mund të bëjmë një marrëveshje. Nuk ka shkurtesa. Ajo përgjigjet, mbetet e fortë por e mirë, edhe pse është ende një dhimbje e mistershme me shijen e saj të athët tipike dhe tipologjike, letërsie. E çuditshme! Është një dhimbje e madhe poetike. E ndjej, por vërtet duhet ta dimë?

Duhet ta dimë. Duhet ta di..., ta sqaroj thjesht atë që kam mësuar të paktën jo në një ditë. Unë e kam udhëtuar të gjithë rrugën nga filli tek fundi i linjës së saj, deri sa nervat ende bëjnë punën e tyre nervore, herë pikëtakojnë sinusin e acaruar e herë ngucin majën e gishtit që nget shkronjën e radhës si ushqim për mushtin e Fjalës. Dhe ajo ka një kullë, një kullë disi të qartë. Dikush hyn dhe përtyp kullën e saj me fjalë. Nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të zbres narativin lehtësisht nga kulla e saj e lartë, nga qafa që mban mëkatet e kohërave me dihama të fryrë, përtej talentin dhe shpatullave të vërteta, që mund të durojë dhimbja poetike. Dhe e rithem se duhet të kurojmë dhimbjen poetike, sikurse kurojmë mëlçinë, veshkat dhe stomakun, deri te gishtërinjtë, duart dhe këmbët.

E tashmë rri e mendoj. Rri e qëndroj. Qëndroj me të, dhe ajo do të më dërgojë lajmin përtej dhe prej teje, si kujdestari dashamirëse e leximit të lexuesit, poezia tenton të buzëqeshë. E gjitha sjellë buzëqeshje në heshtje. Në heshtje dhe ne do të buzëqeshim edhe me dhimbjen. Dhe jo thjesht se është më shumë se dhimbje, dhimbje e poetit, dhimbje e shkrimtarit, jo thjesht se është “Vdekja e fshatarit”, por se toka qan, rrënkon, gjëmon si egërsira:

…se mbrëmë ka vdekur një katundar i fshatit tim

me duar të çara dhe fytyrë të vrarë nga lia

dhe me rininë e humbur në brazdat e jetës…

Do ta çojnë mbi katër krih,

do ta çojnë mbi katër zemra,

do ta çojnë mbi katër dëshira,

si ai – kur i ka çuar,

kur vetë i ka rritur

n’ara të bleruara.

E, ai – mbrëmë ka vdekur…ende duke parashikuar një Epifan Scroogian”.

Dhimbja poetike është një ushtar i thyer. E thyer, ndoshta dhe një herë dhimbja mund të kandidojë dhe të hyjë në rrjeshtin e madh të ditës me poezi. Edhe pse në heshtjen e zhurmërinë e kësaj ushtrie “poetike” vetë dhimbja poetike do të parathotë: “Më shpërfillen, por unë ende e përshëndes flamurin”. I dhashë disa gjëra nga jeta ime dhe disa të tjerë si unë i dhanë të gjitha, por unë shkova përpara dhe do ta bëja përsëri nëse përsëri do të thërriste. Dhimbja, pra dhimbja!

Edhe e lodhur nga beteja e sotme poetike, dhimbësi i saj mbetet i gatshëm të rimarrë kauzën. Sakrifica dhe dashuria e vendit për shkrimin dhe shkruesin, madje edhe mbi britmat e djegura që më së shumti të gjitha shoqërojnë dhimbërisht edhe poshtë. E Ti shkruan, e Ti thua…

“Unë gjunjëzohem para Poezisë. Gjunjëzohem në dhe jo në shenjë proteste. Unë qëndroj sa më mirë që mundem kur të luhet hymja ime. Unë premtoj besnikërinë time ndaj flamurit dhe vëzhgoj një moment të qetë për ata që nuk munden. Unë shikoj si njerëzit pështyjnë në mënyrën e urryer të jetës dhe një lot mbush syrin tim. Unë dua të marshoj, por është e vështirë, dhe sa herë e bëj një gjë të tillë, aq herë lëndoj:

“Tokë, qaj, Tokë, rënko, Tokë gjëmo si egërsira –

se sot në krahrorin tënd do të shtrëngosh

katundarin e ri të fshatit tim…”

Unë jam gjithësesi një ushtar i thyer, më rregullohet dhimbja rreth vetes dhe unë do të sakrifikoj në vendin tuaj, ndërsa ju flini mirë, unë do ta përballoj natën e ftohtë dhe të rrezikshme.

Fundja „Për çfarë jam i gatshëm të heq dorë/për t’u çliruar nga ajo, pra nga dhimbja?“ e unë poetikisht duhet të ofroj ambiciet e mia si parakalime dhimbëse? Dhe duhet të kuptoj pse gjurmët e pasme derdhen më shpejt se këmbët e mia? Dhimbjet poetike më godasin?. Nëse e pyes poetikisht ai ende flekset të përgjigjet. Meket duke u zmadhuar…

Unë jam Fahredin Gunga! Dhe mbeta i tillë që nga 1936-ta kur linda. Që nga koha, kur fundi i viteve të ’50-ta dhe brenda viteve të ’60-ta, dhimbja më vendosi në një rrjesht me të tjerë si Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Dritëro Agolli, Din Mehmeti, Fatos Arapi, Ismail Kadare, Ali Podrimja, Adem Gajtani, Hivzi Sylejmani e të tjerë. Me mua është vetë Mitrovica, Kosova, Shqipëria dhe atje tutje mbaj vargimin poetik për të mbajtur jashtë dhimbjes “Pëshpëritjet e mëngjesit” (1961), duke i mbetur besnik kësaj deri te librat e fundit “Mallkimet zgjuara” dhe “Kepi i shpresës së mirë” të viteve të 80-ta.

Ndaj e ndjej…, e ndjej se dhimbjen e kemi trajtuar edhe si një shtëpi verore. Me padurim afrohet dhe duket sikurse është ndjerë përgjithmonë. Është dhimbja poetike. Dera e saj është e hapur ..., për atë që disa mund ta njohin si drita në fund të tunelit .. duke u përpjekur për të gjetur ritmin, kur na duhet vërtet një ritëm... duke luftuar këtë betejë të humbur të vetë urrejtjes. Ego, egoja e ndryshuar mes dhimbjes. Nuk mbaron cikli i asaj, që duhet të kishte mbaruar. Mund të ketë dhimbje dhe tani është bërë ky realitet i etur i gjakut përtej dhimbjes. Protesta në arsyen dhe mosarsyen e keqardhjes, ajo është “Zjarri i shëtitjes së vonë”, sepse:

“Mali u kall. Me të edhe unë. I thirra

zjarrfikësit e damareve tëmi, por ata i ka zënë

gjumi i parë, sepse janë dehur sonte. Kanë pirë shumë…” Kjo ndodh sikurse ndodh me të gjitha dhimbjet, sepse dashuria e vetes, shkëlqen urrejtjen e vetes:

“Qielli rrecka – rrecka është vjerrë nëpër lisa

e hënës iu kanë shkyer velat nëpër rrema

Vonë ka lindur sonte. E është e madhe sa ndjenja.”

Pak kohë më parë u bënë 24 vite nga ikja e poetit Fahredin Gunga, i cili e la këtë botë me dhimbje poetike dyfishe, në fillin e atij muaji, në prill të vitit 1997, ku dhimbja dyfishohej dhe sfumohej nga prushi që digjte një dhimbje Kombëtare në atë vit të trazuar. Ndoshta duhet ta kishim kuptuar:

“…nuk kalon këndej pari? Si duket

jam kalimtari i fundit i ditës që shkoi, (o, jam

bërë gjuetar ndjenjash, i dashuri im)… dhimbja ime poetike”.

33 views1 comment

1 Comment


Minush Hoxha
Minush Hoxha
Oct 05, 2021

Z. Terziu, kini bërë një veprim fisnik tek kini trajtuar edhe biografinë edhe opusin poetik të F. Gunges. Nxjerrja në suprinë e tij dhe cilësimi i lartësuar që ia bëni, vërtetë është gjest jo vetem human por letrarisht i duhur, i pranuar dhe i guximshëm. Gunga, ishte edhe njeri i vlerave edhe poet i plejades së famshme të viteve 60-ta- 70-ta./

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page