top of page

NJERIU I VULES

Updated: Nov 19, 2019




Tregim nga Faruk Myrtaj


Gjer atë ditë, shefat e Pallatit thuajse nuk e dinin. I njihnin vetëm duart, më saktë parakrahët, shpullën, gishtërinjtë dhe thonjtë, thonjtë kur ai zgjaste dosjet përmes sportelit. Përpikmëria e lëvizjeve, korrektesa e shkujdesur gjatë dorëzimit të shkresave, saktësia nervoze në frazën e shkruar, fund e krye pangjashmëria me të tjerët, veti për të cilën e patën rekomanduar, do të shërbenin edhe si arsye për t’ia besuar pikërisht atij zyrën e re. Kohë më pas, do të verifikohej se edhe vet ideja e krijimit të Zyrës së Vulës paskej qenë e tij. Evret Dimrit.


Njerëzit humbasin pjesë të madhe të jetës për shkresat, kishte thënë si diçka të rëndomtë.

Tingëlloi si të ishte e para herë që kishte folur me zë të mjaftë për tu dëgjuar edhe nga eprori. Deri atë moment, tavolina e punës së tij, as ajo, s’kishte rënë në sy, mbase nga që ishte e vendosur në aneksin jo aq të ndriçuar, të pa dritare, gati-gati një hapësirë qorre. Deri atë moment që ai foli dhe u dëgjua.

Mbase përkuan edhe rrethana të tjera favorizuan pranimin e idesë së tij për një vule të vetme në tërë letrat e shtetit, por ishte e qartë se atë njeri nisën ta vështronin ndryshe, pas kësaj. Vëmendja gjithnjë është pohim i ekzistencës përtej vetes. Edhe shkresat e dokumentet po bëheshin më të paraqitshme, më serioze. Vërtetë që dhënia e vulës vazhdonte të ishte një formalitet e aq, por ajo çfarë besohej përgjithnjë se garantohej më pastaj ishte vërtetësia burimore e dokumentit. Nëpërmjet vulës. Dhe, s’mund të mos llogaritej se, për ta realizuar këtë njëjtësim, nuk u kërkua pothuaj asnjë shpenzim i paparashikuar.

E vetmja gjë që u lipsë pashmangshëm ishte hapja e një sporteli në murin e jashtëm nga ana e aneksit, që do të vazhdonte të funksiononte edhe më tej, siç edhe tavolina e tij, tashmë e kthyer me pamje nga muri me sportel, me shpinë nga nëpunësit e tjerë, tërë këta shndërruar dalëngadalë në prapavijë e tij.

Zyra, megjithatë, edhe për ditë të tëra pas hapjes së sportelit, vazhdoi të ishte po aq e heshtur. Kur s’kishte njerëz për të marrë vulë për shkresat e tyre, sporteli shërbente thjesht si dritare. Sidosi u bë tërheqës, kur e veshën me dru arre të lëmuar dhe më serioz akoma kur nga jashtë, përmbi sportel, u vendos një tabelinë ku ishte shkruar me germa kapitale: ZYRA E VULËS.

***

“Të vësh vulën, kaq është puna jote?!”, tha dikush aty, duke nënqeshur. “Për kaq gjë do ta marrësh lekun e shtetit?!”, pothuaj i pëshpëriti nëpunësi për verifikimin e shkresave, I pa fat të parandiente se ky njeri do fitonte shpejt një përmasë të pamenduar. “Të duket pak kjo që bëj?!”, ia ktheu Evret Dimri një të treti të sa-kthyer nga një udhë e gjatë rraskapitëse investigimi për shkresën e mbrame, në fund të së cilës ai, fare kollaj, vendosi vulën në një sekondë të vetme.

Lehtësia e punës te sporteli në murin e pasmë, pastaj ndarja për efekt përqendrimi e pastaj edhe sigurie e aneksit prej pjesës tjetër, dalja si zyrë më vehte, e tëra kishte nisur si një sipërmarrje thuajse naive. Evret Dimri, si të ishte lindur për këtë punë, do të mbante mend të gjitha hollësitë, edhe ato që dukej se nuk do t’i hynin kurrë në punë, por më kthjellët se çdo gjë do të kujtonte njeriun e parë ardhur te sporteli.

Ai fatlumi ishte qasur aty si fëmija tek një lodër e re e panjohur. U bë edhe më i ndrojtur kur Evret Dimri i bëri shenjë të afrohej edhe pak. Mbase e kishte menduar fjalën që do t’i thoshte, teksa e siguroi se pikërisht kjo ishte zyra që u ishte dashur atij dhe tërë njerëzve, për vulën që tek e fundit ishte thjesht një shërbim, ndaj tij dhe ndaj atyre pas tij. Ndaj dhe ai, I pari që kërkoi vulë, duhet ta dinte dhe ta besonte se ishte i mirëseardhur te ai sportel si në shtëpinë e vet. Si në dritaren e shtëpisë së vet.

“Është Zyra Jote!, i tha atij, si në ngut për të përcjellë gëzim, edhe pse ca si rreptas. “Ju i hidhni vulat?”, kërkoi të sigurohej tjetri. “E pranova si detyrë. Hallin tuaj, shteti e bën të vetin.”

I mëshoi vulës mbi formularët dhe ia ktheu tjetrit, gjithnjë përmes sportelit, duke u kujdesur të përcjellë edhe ftohtësinë e shkresës së vulosur.

“Eja përsëri, sa herë të duhet. Ne prandaj jemi këtu!”

Tjetri, edhe për pak, mbeti aty, tej sportelit, si ai qengji hutuar pasi ujku i murrmë i ka hedhur hijen. Instinktivisht, I pajisuri me vulë futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës së vet. Përderisa ishte vulë, mbase do duhej dhënë diçka. Qoftë edhe thjesht si mirënjohje. E mendoi për krye të vet këtë, se nëpunësi i vulës, brenda kuadratit, nuk kishte dhënë asnjë shenjë se priste gjë. Punëmbaruari falënderoi sërish dhe u shkund, duke u kujtuar se tek e fundja do duhej të ikte prej aty. Provoi të ecte, mbrapsht fillimisht, më tej disa hapa i bëri brinjazi, gjer kur ishte pothuaj i sigurt se e kishte humbur dimensionin për t’u perceptuar e vëzhguar ende prej syrit të nëpunësit.

***

Kush e di se si e rrëfeu njeriu i parë te Të Tjerët marrjen e vulës që fill në orët më pas, më shumë akoma ditën e javët e muajt vijues, te sporteli u shfaq radha për vulën dhe nisi të zgjatej si prej milingonash e të lakohej si bisht reptili përgjatë sheshit.

I ngarkuar në atë detyrë, Evret Dimri vazhdoi të vinte vula në shkresat që i zgjateshin, duke shquar ngutin, ndjesinë e pritjes, pastaj lehtësimin, te fytyrat e atyre që shfaqeshin në sportel. Përbrenda tij, vazhdoi t’i gëzohej edhe ëndjes së fjalosjes me veten. Vërtetë që shkresat copa letrash ishin, deri në momentin kur futeshin në sportelin aty, por sapo ai ngrinte dorën për të vënë vulën, ato nisnin e tjetërsoheshin, a thua vërtetë merrnin vlerë të shtuar, bukuroheshin do thoshte dikush më pas, u binte një nur, një si energji që kush e di nga cilat guva misterioze buronte...

Ngaqë të tërë kishin nevojë për Vulën dhe meqë kjo vulë lëshohej vetëm aty, vetëm nga sporteli ku shërbente ai, s’vonoi që Evret Dimri të bëhej njeriu me më kontakte ndër nëpunësit e Pallatit me Zyra.

***

Dikur, prej brenda-vetes, që komunikonte me përtej-sportelin përmes ndjesish që prej aty fluturonin dhe ktheheshin sërish aty, shumëfishuar nga jehona, ndjeu se ditët kur e hidhte vulën kollaj-kollaj pothuaj kishin fluturuar. Një ditë, prej verifikuesve të shkresave që tashmë ishin shtuar edhe ata, kërkoi të ishin më seriozë, më kërkues. “Më të rreptë të jemi...” Nuk e tha fjalë për fjalë, por ata e morën mesazhin nervoz të tij: “Se, e hedh unë, vulën në to. Mua më mbajnë përgjegjës njerëzit...”

Si në të njëjtën valë me mezipritjen e tij, ndodhi që dikush përtej sportelit u ankua. Për pasaktësi shkrese. Evret Dimri e falënderoi, heshturazi edhe më shumë se u dëgjua me zë. Pezulloi tërë veprimet në sportel dhe në Pallatin e Zyrave. Intuitivisht, e pa të udhës të mblidheshin tërë nëpunësit e katit përdhes, por vuri re me ngazëllim të fshehur se u mbushë edhe korridori, edhe shkallët që çonin në katet e tjerë. Kishte rënë një qetësi prej humbëtire, kumbuese dhe e kudoshme, kur ai dëgjoi veten që tha:

“Ne duhet të bëjmë që njerëzit të betohen “Për atë Shkresë” jo më “Për atë Besë!”

Brenda frymëmarrjes që u thellua tek ta, do donte të shtonte se “tek e mbramja, nëse s’vonoheshin për të marrë Vulën, për ç’dreq tjetër do t’ia vlente koha e njerëzve”, por e gjykoi të udhës që kjo më mirë të merrej me mend. Hijet e fjalëve, si tërë hijet, mbeteshin më gjatë në memorien e njeriut.

E dëgjuan, aty brenda, por edhe tërë ata atje jashtë, që mbanin radhën për vulën e shtetit. Me siguri do t’ja thoshin të vetëve dhe do ta përsërisin kudo që do të shkonin. Pasi jehoi gjer kudo kishte ajër, zëri iu rikthye në Pallatin me Zyra, që tashmë ishte e tëra hapësirë e tij. Të dyja valët, baticës e zbaticës së vajtje-mendjes, nisur si ftesë, ide, artikuluar si refleksion e shndërruar në dallgë, do t’i hynin në punë më pastaj, si detit që përplaset në brigjet për tu kthyer sërish në thellësi. Bëri gjithçka që të binte në sy sidomos e mbi gjitha kënaqësia e atyre që mbaronin punë shpejt me marrjen e vulës.

***

Vajtje-mendja për mundësinë e pastaj për nevojën e një vonese në procesin e vulë-hedhjes i lindi së brendshmi, një ditë, kur dikush prej vulë-kërkuesve jo vetëm s’po shqitej nga sporteli por sinqerisht e bezdisi, në mos edhe e tronditi, me këmbënguljen për ta marrë vulën doemos, atë ditë, atë orë, si diçka që i takonte. Ai njeri guxoi edhe ta artikulonte, se vulën sigurisht do ta merrte, si shtetas, se i takonte. Nëse jo prej atij, Evret Dimrit, prej dikujt tjetër...

“Ti je njeriu që hedh vulën, nuk je vula!”, i tha ai përtej sportelit.

Gati-hakërrima në zërin e tjetrit, e ndezi së brendshmi Evret Dimrin. E kundroi ngultas, për pak çaste, pastaj ia mbylli me vërtik sportelin. Që ta përcillte ndjesinë edhe te të tjerët brenda Pallatit, që ndodhën dëshmitar të kësaj thyerje në ritualin e paqmë të vulave, pështeti kryet mes pëllëmbëve të duarve.

“Do duhet të mësohen të presin ca…”, tha për herë të parë. E mendoi për ata atje jashtë, por bëhej mirë që e dëgjuan ata brenda Pallatit.

Ndenji një copë herë ashtu, duke e lënë trurin t’i ndizej flakë, vajtje-mendjet t’i ktheheshin në prush dhe vetëm kur si thëngjij të strukeshin nën hirin e vetë, për disa orë kështu, mbase disa ditë, diçka do të shndërrohej në zë. Pothuaj u gëzua, s’e fshehu që edhe u befasua, kur hapi sërish sportelin, i pa aty, tërë ata prisnin të merrnin vulën. Prej Tij.

Shkresat morën tjetër peshë, teksa u bë normale që njerëzve po u duhej të prisnin më gjatë në sportel dhe ata e bënin përunjësisht këtë. Edhe kur erdhi një kohë kur duhej të arrije te Pallati me Zyra herët në mëngjes dhe të gdhiheshe ditë të tëra aty, në radhë. U bë e pashmangshme, për shkresa të veçanta, të mbaje radhën për muaj e, ca më vonë, vite të tërë. Ndihmësit aty brenda ishin mësuar tashmë t’i rrinin më këmbë dhe të mos ndjeheshin ngushtë në sy të tjerëve për këtë. Ata e dinin një herë e mirë që, para se të verifikoheshin tërë shkresat që hynin në sportel dhe më në fund dora e tij të hidhte vulën, duhej mbushur më parë mendja e tij. Një pyetësor i hollësishëm nënshkruar prej tij duhej plotësuar paraprakisht. Le të ishe i lodhur vargu i njerëzve ardhur nga rruga e radha e gjatë, aq më lehtë të arrije rraskapitur e të pranoje firmën e vulën pa e lexuar çfarë ishte shkruar në të. Le të bezdiseshin të tjerët në radhë pas teje, le të grindeshin gjer në mëri me njeri tjetrin për të arritur sa më parë sportelin. Tek e fundit, pas tërë kësaj ishte hedhur Vula e Shtetit.

***

Edhe më kthjellët se njeriun të cilit i dha të parit vulën, Evret Dimrit do t’i mbetej në kujtesë njeriu i parë të cilit i vonoi dhënien e vulës.

Mbase ishte ai që diku dikur paskej thënë se “një copë vule ishte”. Dhe ai vet, Evret Dimri, “një copë vulaxhiu dhe aq”. Pak kohë më pas, me qetësi e dashuri, i sjellshëm si me të gjithë, pasi e pyeti për shëndetin e fëmijëve e sakrificën e gruas, për hallet e ditës e vjeljet e stinës, ia ktheu dokumentet. Pa e parë të nevojshme t’i jepte…se-për-se. Tjetri mbase e mendoi shkakun, që s’guxoi të pyeste më shumë. E lëshoi radhën, i djersitur. I tronditur. “Pse, dreqin...duhej të llapja?”, qortoi hidhur veten. “E ç’rëndësi kush ja solli këtij fjalët e mia…” “Është mirë ta marrin vesh që vula është në dorën time,” mendoi Evret Dimri pas sportelit, që tashmë ishte bukuruar edhe me stemën e shtetit, gdhendur në mermerin përmbi. “Ajo s’ishte vulë...ishte bubullimë...” këngëzoi dikush nga të ftuarit në oborr.

Në ditët e vitet më pas ktheu edhe të tjerë. Nisi të ndjente një lloj kënaqësie të pa-formë, teksa në fytyrat e vulë-vonuarve shfaqej një lloj trishtimi, që më pas shtresohej në ballin e tyre si lodhje e heshtur. Ndjente t’i gufonte një kënaqësi edhe kjo e paprovuar më herët, kur ata po flisnin gjithnjë e më kujdesshëm, të ndrojtur e pastaj trembur nga përmendja e emrit të tij. Aq më mirë kur, teksa gjendeshin bashkë, nxitonin ta lëvdonin e betoheshin për të, edhe pse do donin të bënin të kundërtën. Pikërisht kjo e ngazëllente. S’kishte më shumë vlerë se, pasi e mburrin aq shumë njëkohësisht bashkë, sapo ndaheshin nga njeri tjetri, dy e nga dy, e përflisnin, një e nga një e mallkonin. Ca-ve prej tyre u duhej të bënin rrugë të gjatë për tu gjendur larg veshëve të të tjerëve, për të arritur apo mbyllur diku ku, sapo mbeteshin vetëm, nisnin dhe e shanin, me zë të lartë, si të luteshin t’i dëgjonte edhe Qielli...

Dhënia e vulës, vonimi i dhënies së saj, e kishte mbushur më në fund Evret Dimrin me bindjen se ai kishte në dorë fatet e tërë njerëzve. Kjo do të ishte megjithatë vogëline, e brishtë, as-se-si e krahasueshme, me ç’e mbushi si llavë e zjarrtë kur dikujt ia refuzoi vulën përgjithnjë. Sikur mezi e kishte pritur atë moment. Mbase vonimi i një numri jo të vogël vulash, shtimi i listës së atyre që duhej të riktheheshin sërish e sërish, e kishte ofruar pa ndjerë çastin kur njeriu iu shfaq si gjahu gjahtarit në shqekëzën e armës.

Një si energji e prej-kush-e-diku-ku-shme, mbase jashtëtokësore- do thuhej më vonë, ajo që ia tha pak sekonda amë vonë, i gurgulloi prej brenda vetes:

“Nuk ke për ta marrë Vulën...”, i tha.

“Ndonjë gjë nuk shkon në shkresën time? Duhet plotësuar...diçka?”

“Nuk mund t’i plotësosh dot, kurrë...”

Tjetri e humbi gojën. Buzët provuan, pa mundur, t’i belbëzonin. Dora e tij arriti të ngrihej, paksa, deri te syprina e lëmuar e sportelit, por ra aty, njëherazi. U këputë. Si lëvizja e fundit e një të gjalli.

“Pa vulë shteti, s’shkojmë dot gjëkund. Kemi fëmijë...”

“Sa të jem unë, s’ke për të marrë vulë shteti!”

Pas këtyre fjalëve, Tjetri sikur po shndërrohej në copëra, në pluhur e tym, por edhe vet Evret Dimri po ndjehej tjetër. I bëhej se dëgjonte pa pra, rrokjezuar, tërë fjalët dhe jehonën e çfarë sapo kishte thënë. Prej atij momenti e më pas do kujtohej nga të gjithë se ai kishte folur në emër të Shtetit. Për herë të parë. Dhe, për më tepër, ai përballë, përtej sportelit të Zyrës së Vulës, jo vetëm s’kishte kundërshtuar. Ishte bindur.

Distanca mes të dyve vazhdoi të rritej, duke ripërtypur si refren sentencën e Evret Dimrit: “…sa të jem unë në këtë sportel...”

Pas kësaj fraze që endej si gjeratore, Tjetrit, qenies njerëzore përtej sportelit, në shpresë vule i mbetej të priste heqjen e Evret Dimrit, i duhej të shpresonte zëvendësimin e tij prej një vulë-dhënësi tjetër. Nëse nuk do ndodhte asnjëra prej këtyre, o ndonjë varianti të kësaj natyre, pashmangshëm ishte i detyruar të priste…vdekjen e tij. Ose...ose, vetë shteti i kësaj vule, refuzuar përgjithnjë ndaj tij...s’duhej të ishte ky që ishte. Se, pavarësisht të gjithave, s’mund ta merrej aq lehtë kjo vajtje-mendje prej dikujt që, së paku deri atë orë, deri atë ditë, kishte pranuar, ishte mësuar, të zinte radhën për të marrë vulën, aty…

Njeriu i gjorë, sado pa-fajshëm u ndje i tmerruar nga ideja që shkoi ndërmend ndryshimin e vet shtetit, vetëm e vetëm për ta gëzuar edhe ai të drejtën e vulës së tij...Po sikur edhe këto, ndër-mendjet e tij, të bëheshin të dëgjueshme, të prekshme e të dokumentueshme, dhe të arkivoheshin brenda sportelit të Zyrës së Vulës...si i bëhej me të, me fëmijët e tij, si…?

“Mirë është që Shteti të di për njerëzit që provojnë të bëjnë pa vulën e tij...”, tha ditë më pas Njeriu i Vulës.

Ia tha këtë rojes së parë të Zyrës Vulës. Nëpërmjet tij, me kohë tashmë, komunikonte me tërë atë trumbë njerëzish që, dihej, shërbente për të. Nëpërmjet tij dinte udhën e vulave, kudo ku shkonin. “E kemi rregulluar, shef…Dosje të përbashkët vulë-vonuarve, dosje vetiake për të pa-vulët...”

***

Me kalimin e viteve, ushtroi kujtesën t’i harronte sa mundte njerëzit e pa vulë, njëlloj dhe ata që e merrnin atë. Mirënjohësit janë njëlloj si mosmirënjohësit, tha dikur, kur iu bë e ditur se pjesë gjithnjë e më të mëdha të njerëzve e admironin si të për-gjithnjë-shëm. U ndje i mrekulluar prej aftësisë së vetes për të dyshuar teksa pyeti, edhe pse nuk mori përgjigje, për numrin e saktë të atyre që, në pa-shpresë të bëheshin më Vulë Shteti, po mësoheshin të jetonin pa të. Megjithatë askush tjetër nuk do mësonte më shumë rreth përfundimeve ku ai arriti në orët e vetmisë së tij.

“S’kam kohë, as fuqi e as nerva, të gëzohem a të trishtohem me gëzimet e hallet e tyre! S’është detyra ime, tek e fundit. Unë vë Vulën. Nuk jam regjistri i Maternitetit, defteri i Zyrës së Funeraleve dhe as regjistri i Gjendjes Civile. Jam si vula, i njëllojtë për të gjithë. Si shkresa jam, ku vë vulën në fund!”

“Ajo s’ishte vulë...Ajo ishte…”, jehonte kori i të lumturuarve atje matanë, në oborr.

Dikur ndjeu se as po shqetësohej më, nuk ia vlente, kur i kumtonte dikujt “nuk ta hedh ty Vulën e Shtetit”. I vinte më për kollaj të përdorte trajtën “nuk e merr dot vulën time ti...” Nuk i dukej e tepërt të besonte që pa të, jo vetëm që s’ishte e mundur dhënia e Vulës, por as kuptim s’kishte vet vula. Nuk po thoshte më “…prandaj ne jemi këtu”, por “prandaj Jam Këtu”, që edhe këtë e shndërroi në “Unë ndaj jam këtu…” e, më tej akoma, “…Jam unë këtu!” Ose “Këtu Jam Unë…”

Askush nuk u befasua kur u ndryshua edhe emërtimi. Përhiruar me stemën e shtetit, me llampa për tu mund të lexohej edhe netëve: VULA E SHTETIT.

***

Një mëngjes, i bëri të ditur Rojës së Parë se nuk ndjehej aq mirë. Nuk kishte ndodhur kurrë ta thoshte këtë, që Tjetri të priste edhe ndonjë hollësi. S’mund e as kishte përse. Pavarësisht raportit mes atyre që ishin gati të vdisnin për të dhe atyre që po mësoheshin të jetonin edhe pa vulën e tij, ishte më mirë për të gjithë, por edhe për atë vet, t’ia zbuste idenë e të qenit i për-gjithnjë-shëm. Edhe pse, kur ndodhej vetëm, e shkonte ndërmend, nuk e përdorte termin “I Pa-Vdekshëm”.

Të nesërmen i tha, gjithnjë Rojës së Parë, se atë ditë, ose për pak ditë, s’do shkonte në zyrë. Me vehte, ishte gati t’i thoshte “E po le të bëjnë një ditë pa vula...”

Ditën më pas, sido si, nuk po ndihej rehat gjer sa u ngrit nga divani dhe doli në ballkon. Thjesht të hidhte një sy për nga Sheshi përpara Pallatit të Vulës. Se si u ndje, kur vuri re se njerëzit, që ditë të zakonshme do ishin në radhë për vulën, ishin qasur deri pranë shtëpisë së tij.

Nuk pyeti, priti sa i bënë të ditur se s’ishin aty për vulën. “Duan të dinë shëndetin Tuaj...”

U shfaq në ballkon, valëviti pëllëmbën e dorës me lëvizje të lehtë parakrahu, i sigurt se sido si nuk ia shihnin thonjtë që ndjente se i ishin zgjatur brenda ditësh. Ata e vunë re, megjithatë, në mugull të distancës gjer ku ishin lejuar të qaseshin. Dhe u shpërndanë, me një frymë, si të komanduar pazëshëm. Më pas, sa herë do t’i thoshin se e donin të gjithë, i gjithë populli, i dëgjohej sikur “e urrenin të gjithë”. E rëndësishme për të ishte se, pa vulë, ata nuk bënin dot. Sigurisht që të gjithë e mendonin ditën kur u duhej të zinin radhën për vulën dhe të shfaqeshin përpara sportelit.

Jam vula, mendoi, me zë, më në fund, atë që e besonte pa e thënë. Jam fati i të gjithëve. Vulës së Tij do t’i bindeshin, edhe nëse s’e donin. Netëve vonë, teksa trupi pashmangshëm donte të prehej, truri rrekej ta provokonte ububushëm. Vetëtinte ide të çuditshme. I ofronte trupit ftesën të merrte formën e një cilindri, që rrihte e godiste pa pushim, vertikalisht. Në bazën e poshtme të cilindrit, trupit të tij, e fiksuar, vula. Cilindri ngrihej e godiste të-poshtë, vula stampohej mbi shkresa, mbi çeqe. Aq jetike sa asnjë ndryshim s’kishte sikur vuloste mbi trupa e gjymtyrë njerëzish. Mbi trurin e zemrat e tyre…

Turma e vulosur duartrokiste. E qeshur, deri në lotë. Gati, e tëra, të binte përmbys, ekzaltuar që trupi cilindrik binte si tupan mbi të. Vulosur fati. Shënjuar me vulë, të mund të punonin, zemrat, truri, trupat, jetët. Edhe pse erdhën ca kohë, kohëve të fundit, që edhe ai vet bezdisej. Mos e tepronin me bindjen? Ua ngrij qeshjen në buzë, unë…Pse duartrokisni ju atje? Ç’ka për të gëzuar këtu? Kush jua kërkoi?

Kur numri i njerëzve në radhë, vulë-shtyrëve pa kohë të caktuar, vulë-refuzuar përgjithnjë, qe rritur ca si shumë, vet radha për vulën kishte ndërruar kuptim. Vetë jeta matej me kohën në radhë për vulën. Pikërisht atëherë, pa shenjën e as lejen e tij, nisi të flitej për-gjithmonë-shmëria e tij, për-herë-shmëria, deri edhe tërë-jetësia e Tij. Evret Dimrit. Për shkak të hijes së Vulës së Shtetit, që e ndante vetëm ai, kurrkush s’guxonte të përmendte emër zëvendësuesi. Tashmë i pa-tjetërt, sa domosdoja për vulën, prekte trupin e vet, gjer në dystin e këmbëve, putrave, për të verifikuar praninë e vulës aty…

Si për ta ushqyer edhe vet zjarrin e bisedave, që pastaj ta shuante me një frymë, nuk u shfaq, për disa ditë. As te sporteli, as në pallatin e vulës. Madje as në ballkonin e shtëpisë së tij.

Njerëzit, gjithashtu, intuitivisht, nuk u shfaqën te sporteli. As te Sheshi i Vulës. Madje sikur iu frikën edhe pranisë së rastësishme afër Pallatit me Zyra. Si në një marrëveshje të heshtur, të pa-nënshkruar, mbase i kishin lënë për më vonë punët me vulë. Edhe pse bindur se vula, herët a vonë…dikush do t’ua kërkonte, pra dikush do t’i hidhte vulat. Nëse jo Evret Dimri…dikush do…Njeri Vule. Në kohë të midistë, kur vulat ishin në fuqi por askush nuk e ofronte vulë-vënien, nisën të pëshpëriteshin, të bëheshin me zë, biseda të padëgjuara më herët…

“S’besoja të vinte dita të rrëfeja ç’ndjeja kur Evret Dimri më tha se kurrë, s’kisha për të marrë vulë shteti. Sa të jem unë në këtë zyrë…jo!- më tha. Në sy…Në momentin kur e dëgjova, këtë betim, këtë munxë, e pashë aq të vendosur, ndërmenda se duhej të prisja të mos ishte…kjo zyrë...Diçka e panatyrshme për natyrën time, të mendoja vdekjen e tjetrit, të shtetit, por njeriu ekzistencën e kërkoka në instinkt...”

“Ca si ju i merrnin vulat me lehtësi, të tjerë braniseshin vite me radhë, por më në fund e merrnin, edhe ata. Tek e fundit, tërë ju e patët, dikur, lejen për tu parë në Sheshin e Vulës…” “Faleminderit Zot, s’na ndodhi refuzimi i vulës! S’dimë në do mund ta kishim përballuar…” “Mos e provoftë as hasmi!”, shtonte njeri nga të pa-vulët, ende gjallë, sidosi t’i gëzohej mbetjes gjallë. “Po, po, por…s’dimë të themi ende, pse ju ndodhi juve dhe s’na ndodhi edhe neve...” Trishtimi, çuditshëm, luan pamje-hutuar, teksa njoftohet se s’do ketë më as Shesh Vule. As Njeri Vule. “Sikur u mësuam me atë njeri! Me ceremonialin e vulë-marrjes, më saktë..!”, tha njeri prej atyre aty. Tjetri përbri e vështroi edhe më hutuar. “S’po të kuptoj...Sikur po më thoshe tjetër gjë...” “Po, tjetër po të thosha. Na kishte ardhur vërtet në majë të hundës. Për çdo gjë kërkohej vulë dhe vula lëshohej vetëm nga Ai...” “Por, nëse s’kemi për të shkuar atje, te Sheshi i Vulës, te ai Sportel, ku do shkojmë? Dhe, tërë ajo kohë që rrinim në radhë, do të na dalë tepër tani, ç’të bëjmë me të...?!” “Sheshi aty është! Shkojmë atje, për qejf, dhe flasim…!” “Të flasim?! Kot? Pa vulë, pa…?! Se si duket…”

21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page