
- Fragment i një romani në proces
NGA SPASSE THANASI
Fejesa dhe martesa me Merjemen (Gjena ) ….
Një ditë duke ndjekur “gjurmët” e një vajze, mbërriti nën disa blirë dhe fare instiktivisht u përball me shoqen e tij që kishte studjuar në pedagogjike për mësuesi dhe punonte si mësuese në Rëshen. Instikti e çoi deri në “kënaqësitë e ndaluara” dhe atëhere kjo ndjenjë u bë pasioni i gjithë jetës. Në heshtjen e tij, në atmosferën e ndjenjave me ton gurgullues, ndjeu se kaloi shpejt në vështrimin e pashmangur. E hapi bukur këtë “dritare” me dëshirën për tu bërë burrë !...
Ishte viti 1967…Për të mos humbur as edhe një orë të vetme nga ky vrull i zjarrtë që e shtynte drejt jetës, asistoi në atë “fuqi hipnotike” të shpirtit dhe shfaqi fejesën. I dha fluturim shpirtit mbi vetveten !...
Secili mori nga tjetri zjarrin e shenjtë, secili mësoi nga tjetri që e ka në krahë, secili me zemër të pasionuar shpalosi përpara “gjeninë unike” të kohës rinore për këtë bashkim të madh ku rridhte gjaku i jetës !...Gjena ishte vajzë e Ymer Metohut nga Berati dhe Rushes nga Dibra. Ishte vetëm një vjeç kur erdhi në Tiranë. Pas një viti pune në Rrëshen të Mirditës, ajo u rikthye në Tiranë e punoi mësuese në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”, “Shkolla e Kuqe” e “Siri Kodra” ku dhe doli në pension.
Në mes të ndjenjave rinore dhe maredhënieve shumë të çiltëra kalonin ditë të bukura e të lumtura,argëtoheshin e gëzoheshin pambarim në mjediset e kulturuara të artit,të historisë, të muzikës,kinematografisë e sportit…Edhe Gjena e priti e ngazëllyer dashurinë e tyre të brishtë !... Kjo dashuri e madhe i çoi në vendimin për tu bashkuar në një familje.
U martua me Gjenën në vitin 1968 dhe nga kjo martesë ka dy djem të mrekullueshëm. GENTI i datëlindjes 1970 dhe VISI i datëlindjes 1977. Një lumturi e çmuar dhe pasuri e jashtëzakonshme për një çift ideal që “sundonte” gjithë nektarin e ndjenjave të pastra njerëzore në sy të fëmijëve… I rriti, i arsimoi, i krijoi kushte për një jetesë normale nëpërmjet punës. Genti studjoi për Fizikë në shkencat ekzakte, kurse Visi studjoi për ekonomi në Universitetin “Lasapjenca” të Romës në Itali. Sot ata janë integruar në biznesin e tyre elitar në Rezidencën “Kodra e Diellit”, që prej vitit 1995.
Jeta me djersë e me fëmijë të ditur e të kulturuar është merita e drejtpërdejtë e Astritit, që arriti të kultivoj ndër vite dhe shpesh thoshte me krenari :- “ Fati im më i madh janë fëmijët, dy djemtë i kam si dhuratën më të bukur dhe gëzimin e vetëm të jetës !”.
I ndriste në sy kjo lumturi sublime sa herë bisedonte e bënte kujtime me ta, që në hapat e zërat fëminorë e deri tani në atë stadë të avancuar të marëdhënieve familjare,shoqerore e të biznesit. Gjithmonë i konsultuar me ta, përherë me këshilla dhe nga “kritika” e tyre ndjehej i shpërblyer…Gjithë jetën nuk u thye nga vështirësitë. Bashkë me Gjenën, si një çiftë “i kalitur” mes punësh të vështira, i dhanë kuptim jetës bashkëshortore dhe kësaj ujëvare ndriçon pavdekësia e jetës. U bënë një model interesant i progresit bashkëshortor. Fëmijët kanë fat të kenë prindër thellësisht të përkushtuar, të dashur, të paqtë e frymëzues. Himnizimi u përket të dashuruarve, ëndrrave të bardha të jetës si ajo kënga e pambarimtë :
- Hymni im dhe i asaj
Valë e rreze skaj më skaj
Nëpër shekuj, kohë pa limit
Dy të dashur bëhen dritë !...
E gjithë jeta e tij qendronte në dy fjalë : në ndërgjegjen për dobinë e tij dhe në guximin për ti bërë ballë jetesës. Këmbëngulja që të shkosh deri në fund, të jesh besnik ndaj vetvetes, të kapesh fyta – fyt me fatin, ti bësh ballë fuqisë së padrejtë, të qendrosh si trim e ti bësh ballë çdo gjëje me krenari e burrëri, - ky është shembulli që la Astrit Sulo me një dritë që elektrizon, me një vërtetësi që shpërthen e drithëron nëpër kohë…
Sa gjë e madhërishme dhe e shkëlqyer në rrezatimin e jetës !....
-
Vrulli i pandalshëm i jetës…
Në vitet 1970 Tirana ishte një qytet i vogël me aromën e luleblirit. “Mbi qiejtë e mallit” lundronin zërat kalimtar të të rinjve mbi Bulevardin madhështor “Dëshmorët e Kombit”, që ishte si një arenë me pritje cep më cep…Atëhere Astrit Sulo ishte një djalë i pashëm, me moshën më të bukur rinore dhe me një grup shokësh 4 – 5 veta dominonte jetën e këtij qyteti në shëtitjet e mbrëmjes. Ishte mjaftë elegant, i veshur bukur dhe pëlqente sidomos muzikën e këndshme të “Broduejt” tek lulja e kumbullës së kuqe !...Si vetë qyteti plot dashuri, ishte nostalgjik ndaj maleve dhe detit, ndaj siluitës së këndshme të cicërimës së zogjve dhe gjithmonë fantazonte netë pa gjumë në imazhet rinore të Kryeqytetit në Dajt ku malli të prek në çdo grimcë si Odiseu !....
Rinia e Astritit në bulevardet e gjera të Tiranës së hijshme, ishte si ndjekje e reve të bardha në hapësirat e vjeshtës. Ai gjithmonë nxitonte për diku, “vriste” monotoninë me një amshim të mbushur me shumë dashuri dhe ishte i rrallë në “magjinë” e qytetit si të dashuroj e të ndaj kujtime… E mbante pas vetes qytetin si një “fërshëllimë” e zgjatur malli dhe një “sirenë lokomotive” që nuk e linte asnjëherë bosh. Tirana njësoj si Libohova e tij e hershme i dukej “çudane” dhe e ëmbël me “liri tunduese” dhe “mendime të çuditshme” përthyer në mërmërinë e thellë të fushës deri në lartësitë e Dajtit ku shkëlqente drita e diellit !...
Nuk mund të shpalosej kaq mirë burimi i forcës rinore, se sa në gjirin drithërues e flakadan, plot zjarr e curril njerëzor të kësaj femre gjigande, që quhet TIRANË…Si djalë i ri me shtatëkrenar, shoqeruar me një finesë trupore me prarimin e bronxtë të rrezeve të diellit, Astrit Sulo kishte vizatuar në mendje me ngjyra të gjalla gjithçka jetësore përball zbehtësisë së kohës të vështirë !...Falë vullnetit të punës ai kishte për ëndje disa profesione dhe dëshira për të lexuar e udhëtuar i jepnin atij një vizion intelektual që kapërcente “kornizën” e kohës socialiste. Ai udhëhiqej jo nga imazhet e fantazisë, por nga ide të konceptuara qartë dhe i nënshtrohej parimit të Aristotelit “ Jeta është lëvizje”. Njihte mirë mendimin e intelektit, shpirtin e njohjes (deduksionin) dhe dialektikën e ndryshimit duke dhënë shpjegimin domethënës.
Drejtimi politik i kohës kishte ngritur shtyllat e fuqishme të edukimit kulturore patriotik, bazuar në ato tradita familjare e kombëtare. Si i ri karakterizohej nga një modesti e veprimeve, nga dashuria në shoqerinë e punës dhe atë publike, nga solidariteti dhe devotshmëria. Si protagonist të një ineligjencie të re e vlerësonte shumë punën intelektuale si një mision dhe përkushtim për ecjen përpara të kombit. Si shumëkush, në mënyrë të ndërgjegjshme ishte zhveshur nga stimujt material dhe ishte i vetëdijshëm për të sakrifikuar, për të punuar në frontet më të vështira.
“VULLNETAR” NË ZONËN MALORE TË SHËNGJERGJIT
- 55 vite më parë, duke nisur një karrierë profesionale në
shërbim të komunitetit në fshat…
Në vitin 1968 Astriti iu përgjigj inciativës vullnetare për të shërbyer në Zonat malore të rrethit të Tiranës dhe u emërua Sekretar i Byrosë së Partisë të Zonës së Shëngjergjit që përmblidhte fshatrat nga Qafë Priska,Vëri, Fagë, Shkrep, Urë, Shëngjin, Shënmëri, Facesh,Vakuman, Parpunj, Damje etj… Në atë kohë ky pozicion pune emërtohej funksionar “vullnetar” në linjë partie për emancipimin e jetës dhe punës në Zonat malore të vendit. Qendra e Lokalitetit ishte fshati Vërri ku më i njohuri ishte Ramazan Hoxha nga Shënmëria. Me të Astriti krijoi një miqësi të madhe dhe njohu nga afër edhe djemtë e tij Selim Hoxha e Rrapush Hoxha, që kanë qënë gjithmonë një “derë e hapur” shtëpie për Astritin në çdo kohë e rrethanë të punës e jetës në atë Zonë të vështirë malore. Lidhje të shpeshta miqësore ka patur me Sabri Shini, kryetar i kooperativës Vërri, me Haxhi Muka, kryetar i kooperativës së bashkuar Shëngjergj; me Skënder Hala,kryetar i Këshillit të Bashkuar, me Bedri Koçi,kryetar i këshillit popullor të fshatit Shënmëri, me Sefedin Roçi, veterinier në fshatin Shënmëri, me Rexhep Cani, agronom i kooperativës bujqësore Shëngjergj etj.Gjatë 6 vjetëve punë intensive në kooperativën e Bashkuar Shëngjergj, krijoi lidhje të qendrueshme me prodhimin, me jetën reale të popullsisë, me hallet e problemet që kishin fshataret e këtyre zonave. Ai u bë njohës i mirë i gjendjes dhe nivelit të jetesës jo vetëm në këto zona, por edhe në të gjithë rrethin e Tiranës e më tej…
Mirësjellja e Astritit me fshatarët e këtyre Zonave, ndihma e tij për jetesën dhe punën e të rinjve të shumë familjeve në nevojë, bëri që ai të fitojë një respekt të veçantë dhe një emër të mirë, gjë që u evidentua edhe nga instancat e larta të shtetit e qeverisë. Në kooperativën bujqësore të “Shëmërisë” u organizua një sesion shkencor me organizatat bazë të partisë dhe kuadrot e kooperativës të Zonës së Shëngjergjit me temë: “ Mbi disa problem të organizimit socialist të punës në kooperativat bujqësore të Zonës” ku Astrit Sulo mbajti referatin kryesor. Gazeta “Zëri i popullit”, e datës 3 Maj 1969 do të shkruante:-“Në Sesionin shkencor që u organizua në Zonën e Shëngjergjit me organizatat bazë të partisë dhe kuadrot e kooperativave bujqësore, morrën pjesë komunistë e kuadro nga Zona e Shëngjergjit dhe kuadro nga kooperativat bujqësore të rrethit të Tiranës. Në këtë eveniment lokal mernin pjesë Sekretari i Parë i komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës Manush Myftiu, nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tiranës Faik Ahmeti etj. Referatin me temë : “Si kanë punuar organizatat e partisë për kuptimin ideologjik e politik të problemeve të organizimit socialist të punës dhe për vënien e tyre në jetë” e mbajti sekretari i komitetit të partisë së Zonës Astrit Sulo. Gjithashtu në këtë sesion shkencor u mbajtën edhe katër referate dhe u bënë shumë diskutime rreth tyre nga komunistë, kooperativistë dhe kuadro të tjera që ishin të pranishëm në këtë veprimtari. Në mbledhje foli edhe shoku Manush Myftiu”… ( Gazeta “Zëri i Popullit” ,datë 3 Maj 1969 ).
HISTORI JETE DHE IMAZHE NË FOTOGRAFI

Krahina malore e Shëngjergjit është me grumbuj shkëmbinjsh, që i ngjasojnë një qyteti të tërë, me gërmadha historike që kanë toponime të vjetra si edhe vende natyrore plot burime uji që nuk shterrin kurrë. Kjo Zonë ka pasur figura historike dhe “zhurmë shekullore”.
Natyra me male dhe fusha në mes tregon se këtu gjithçka mbetet me “gjurmë arkeologjike” dhe studjuesit Sefedin Roshi e Jonuz Trimi tregojnë për legjendën që mbështjellë shumë kohëra më parë…Prej kohësh ka pasur 4 qytete dhe 3 kështjella me vende të tilla si “Qyteza e Trimave” ( mbi 1600 vjet përpara), “Guri i Burrave” ( ku vinin gjithë burrat e krahinës e bënin mbledhje), “Blini i Malushit” apo dhe “Përroi i Meshit ”. Thuhet gjithashtu se këtu ishte edhe “Kështjella e Bjeshkës” ku stërviteshin nipërit e Skëndërbeut.
Vendi është “mitik” dhe me masivin shkëmbor ngjason me trimat e ngurtësuar në “kryqëzim rrugësh” të vjetra. Që këtej del në Mat të Dibrës dhe nga Biza në Elbasan. Mesjeta arbërore fillimet i ka në këtë zonë me “maja të heshtura”. Të parët e Gavril Darës vijnë nga kjo krahinë historike.Edhe kënga “E Sprapsme e Balës” ka motivet e ngjashme dhe lidhen si një ‘mozaik” me Shëngjergjin, Martaneshin dhe Cermenikën.
Fisi “Trimi” sot ka në fshat vetëm një familje në lagjen e “qyezës së trimave” dhe toponimi nuk është bosh, - tregon Qamil Xharra. Rrëzë malit me Gropa dalin tjegulla, qeramike të përmasave të ndryshme, por enigma mbetet si një “vegim” i largët me bllokun e “varrezave me gurë” e deri te “krahina e të mëdhenjve” apo dhe “rrëpirat” me majat e larta !...
Kjo magjepsje shpirti, me histori të lashtë e natyrë të mahnitshme, i shkonte aq shumë imazheve të bardha të një djali simpatik me ëndrra të paqta si Astrit Sulo. Punoi 6 vjet në këtë Zonë të madhe malore të rrethit të Tiranës. Fitoi një “eksperiencë diturie” mjaftë të vlefshme për fshatin, për njerëzit, për punën, për“parimet” e ngurta që nuk materializoheshin kurkund, për fjalët e mëncura të të parëve, që përcollën brez pas brezi aq shumë filozofi jete, aq ndjenja dashurie e mënçurie…Ai njohu pedagogë-shkencëtarë për dituritë e tyre, njohu agronomë të mirëfilltë të bujqësisë shqiptare, njohu njerëz profesionistë që ngulmonin në idetë e tyre, njohu fenë, dasmat e bukura, dashurinë e të rinjve, ëndrrat që kapnin të nesërmen e gjithçka tjetër të vyer që kishte panorama e fshatit në ato mjedise të lira, të larmishme e plot jetë. Me pasionin e një të riu bujar ai jetonte e punonte nën trysninë që ushtronte “burokracia” e organeve shtetërore të Tiranës dhe kur ai takohej ballë për ballë me aparatçijë të ministrive qendrore apo Komitetit Ekzekutiv ballafaqonte qartazi distancën e madhe mes njerëzve dhe të “besuarve” të Partisë. Ai ishte një “komunist” i devotshëm, i sakrificës dhe i punës operative e të gjithanshme dhe urrente me shpirtë padrejtësitë dhe luftën klasore që “kërdiste” vetëdije të shumta kuadrosh e punonjësish të thjeshtë. Zbriste nga lartësitë dhe ndalej për takim me aktorët e Taeatrit Popullor. Në Tiranë fliste me artistët vetëm për fshatin, për natyrën, për dashurinë rinore dhe i shmangej rutinës së kohës politike dhe ideologjike. Nuk i zinte besë thashëthemeve, bisedave boshe e krenarisë së shtirur.Ai kishte tjetër “kudhër”kalitjeje,jo atë “revulucionare” të Partisë.
Kësaj kujtese të mirë për këtë Zonë me “gjurmë” në jetën e tij, Astriti do ti kthehej njerëzve të këtij komuniteti në vitin 2018 duke dhënë ndihma për familjet në nevojë të Komunës“Shëngjergj” për festën e Fiter Bajramit !... Vajti vetë në krye të komisionit dhe kamionit të shpërndarjes së ndihmave. Nga kjo iniciativë personale të Astrit Sulos nga Kompania “AGIKONS” SHPK perfituan ndihmë 40 familje në tërë Zonën, nga të cilat 6 familje në Vërri; 5 familje në Urë; 3 familje në Shëngjin; 4 familje në Shëngjergj; 5 familje në Shënmëri; 2 familje në Facesh; 5 familje në Fagë; 3 familje në Parpunjë dhe 7 familje në Vakumonë. Ndihma e dhënë ishte me artikuj ushqimorë, fruta dhe ëmbëlsira të gatshme. Cdo pako ushqimore përmbante 1 pulë, 1 kg Oriz, 1 kg Vaj “Lule dielli”, 1 kg sheqer, 1 kg miell, 1 kg makarona, 1 pako nisheste, 1 kuti salcë domate etj.
Kjo ndihmë u përsërit edhe në vitin 2020 me rastin e Festës së Bajramit ku u dhanë 48 pako me ushqime e mallrat ë tjera ku Astrit Sulo morri një “Certifikatë Mirënjohje” nga Administratori i Komunës “Shëngjergj” Shpëtim Sina.
Janë dhe disa foto nga ceremonia e shpërndarjes së ndihmave ku Astrit Sulo uroi “GËZUAR” banorët e komunitetit në Shëngjergj. U ngazëllye shumë në atë ambjent natyror të freskët e të gjelbëruar, u mahnit nga ngjyra e natyrës plot jetë dhe u gëzua si fëmijë që arriti të plotësojë ambicjet e tij për të ndihmuar njerëzit e varfër në nevojë ekonomike…Aspirata “kur ke, ndihmo dhe të tjerët” gjeti tek ky njeri intelektualin human, profesionistin njerëzor dhe familjarin korekt e të edukuar me norma kulturore e plot vyrtyte.
Portreti meditativ me pamje plot mençuri i Astrit Sulo, është si një “lavjerës” në labirinthin e jetës dhe na zgjon të gjithëve një “shkëlqim të veçantë”në dashurinë e jetës.Ai shëmbëllen me “adhurimin elegant”, me fytyrën “kah qiellit me yje”, me qetësinë “që jep e merr heshtjen”, me “vetminë ëndërruese” dhe “magjepsjen me dritë hëne”, me “kujtesë dashurie” dhe “bukuritë e ndjenjës” !...
Kudo që shkoi mbarti supeve peshën e shtëpisë së prindërve me “ujin e kristaltë” të pusit, me rrënjët e drurëve të Manit e agrumeve, me zërin e Nënës përhënuar në rrugicën e Kalasë…Pëlqente “shtëpitë e zogjve” dhe në majën e luleblirit ai gjithmonë do kënaqej me pamjen e kanarinave.
Në mes të oborrit të shtëpisë i gëzohej “magjisë” së një pike vese !...
Poshtë kurorës së limonave e portokalleve, çdo buzëmbrëmje, i dukej Veranda e shtëpisë si një “kupë hëne” e dehur me bukuri !... Dhe ndizte një cigare nëpër shkallët e pritjes në oborr !...
KOHË TALLAZESH ME SILUETË KTHYER PËRMBYS !...
I vlerësuar për punën partiotike si “vullnetar” në Zonat malore, kreu kursin e lartë në Shkollën e Partisë (1971 – 1973) dhe punoi si instruktor i Komitetit të Partisë të Rajonit Nr.4 Tiranë ku Sekretar ka qënë Veli Kaleshi nga Tragjasi i Vlorës. Mbulonte sektorin e propagandës me përgjegjës Seksioni Fisnik Preza. (Të dy patën një afrimitet të ngushtë shoqeror, por edhe një ndarje të hidhur e të trishtuar për shkak të një plani djallëzor partiak në fushën ekonomike për rrethin e Tiranës ).
Në këtë kohë Astriti u përball me shumë probleme që u krijuan nga vetëvrasja e Ndue Marashit, që ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës dhe nga ndërimi i Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës Fadil Lami. Ky precedent ‘misterioz” i krijoi Astritit mjaftë debate e polemika me anëtarin e Byrosë Politike dhe Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës Manush Myftiu,i cili mbante mbi supe “peshën” e “enigmës” së grupimit të sabotatorëve në ekonomi në rrethin e Tiranës. Tentativa ishte që Astrit Sulo të përfshiheshe me doemos në këtë “grup armiqësor” për të justifikuar shumë probleme delikate në linjë partie për krizën ekonomike të krijuar në rrethin e Tiranës…Por Astriti, me përvojën e tij të kualifikuar në punët organizative e drejtuese e kapi “prej briri” këtë situatë të jashtëzakonshme në jetën e tij dhe pa asnjë pasojë për vete e familjen u ndodh në terrenin e duhur njerëzor, jashtë “ciklonit” të luftës së Partisë dhe cënimit të figurës së tij plot dinjitet….Siç tregonte vetë Astriti me gojën e vetë : “nuk ishte i lehtë ky përballim aq i rëndë !”.
Me shokun e zyrës Fisnik Preza u shpërndanë me hidhërim të madh, pasi ai në vitin 1975 u përjashtua nga Partia për sabotim ekonomik me grupin e Ndue Marashit, që iku tragjikisht nga jeta. Momenti ishte i vështirë për të dy sikur “plasi bomba” dhe partia “mprehu shpatën” për “grupin armiqësor” në rrethin e Tiranës….Sa vit i tmershëm !..
Këtë “tronditje diabolike” në asfiksinë e kohës plot kriza, Astriti e lexonte herë pas here në mendjen e tij si një stuhi në “kryqëzimin e viteve”. Ai gjithmonë do të ecte vrulltas me rrjedhën e puhizave njerëzore edhe pse ndjehej zbehtë si violinat që ndërrojnë “stinët e gjetheve” apo dhe si “porta e atdheut në përgjim”. Prova e kohës së egër më fjalët “armiku i klasës”, “lufta e klasave në gjirin e partisë” etj që afishoheshin deri në faqe malesh, ishin për të slloganet me qirinj të shuar…Në ngjyrat bardhë e zi të kohës komuniste u bë rob vetëm i “durimit të madh”, edhe pse ishte një komunist i saj. Për vite e vite jetonte me humorin e hidhur në buzë, ngushëllonte veten si ta mbajë këtë “trishtim misterioz” qe e shoqeronte në heshtje….
Thënë troç ndjehej si një Promete i lidhur nga prangat, se jetonte një kohë të tallazeve me siluetë të kthyer përmbys !...
Si intelektual i formuar Astriti kurrë nuk mbajti inat e mërri për tu hakmarrë për padrejtësitë e bera nga të tjerët. Ai veçse kujtonte “historinë e hidhur” dhe fati e mirësia e hodhën në punën e vetë pa i rënë në qafë kujt. Ata që u përpoqën ta futin në “humnerë”, hapën vetë “gropën e ndëshkimit” në jetën e mëvonshme….

NJERIU I DENJË !....
- Duhet një jetë e tërë, për tu berë njeri i denjë !
Zanafilla e trashëgimisë buron nga familja, nga ideali e kultura e të parëve të fisit, nga përkushtimi dhe pasioni për tu bërë një “njeri i denjë”... Një mundim jetësor, gati “biblik” është të fitosh këtë “status” në botën e qytetëruar. Ndër 100 fise të shquara shqiptare, ne njohim fakte e dukuri të shumta tradicionale që transmetojnë ndër breza vyrtyte të larta patriotike, atdhetare e të dashurisë. Ashtu si fiset e “Taulantëve”, “Enkeledëve”, “Dasaretëve”, “Dalmatëve”, “Dardanëve”, “Molosëve” etj, që luajtën një rol të madh në historinë e Ilirisë, edhe historia shqiptare moderne ka fisnikërinë e shndritshme të një gjaku që le “gjurmë” jetike nëpër breza me shembullin e krenarisë dhe dashurisë. Në qytezën e Libohovës, fisi “SULO” qendron si urtësia e të parëve të mençur e të edukuar, mban atdhetarinë e patriotizmin e një qyteti që nxorri burra të shquar e të fisëm. Si një dashuri e denjë për adhurim,solemniteti i jetës së gjyshit HAJDAR SULO, qendron si “prekje bekimi” në shpirtin e Astritit për tu bërë një njeri i një dere të madhe të “Sulatëve”...Siç thotë me krenari Perlat Sulo për këtë “pinjoll” të vyer : “ unë pata fatin që kjo lidhje gjaku me Astritin ( djem xhaxhallarësh) të ndikonte e të më bënte më të gëzuar jetën time në gjirin e “Sulatëve”. Mirësia që reflektonte në të gjithë qënien e tij, i krijonte mundësinë të bënte shokë e miqë të shumtë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të vendit...”.
Astrit Sulo me “ballin e gjerë”, me portretin e tij fisnik si një “monument” ka mbetur në kujtesë si “burri i madh me vyrtyte”,siç thotë investitori i ndërtimit Behar Malaj në Tiranë : “burrat e mirë dje, mbeten burra të mirë edhe sot !”...Ndërsa Shefqet Meko e përshkruan Astritin si një “vigan” në Panteonin e së “Mirës Shqiptare” në shekullin e 21-të, duke rrëfyer një histori interesante të viteve 1980.
- Komiteti i Partisë i Rajonit Nr.4, që mbulonte rrethinat e Tiranës, kishte ngritur një ekip pune dhe na dërgoi në Kllojkë. Nuk kisha qënë kurrë në atë pjesë të thellë të malësisë së Tiranës. Kur kaluam Qafën e Pëllumbit, rrugën më të frikshme, Tirana dukej si një tis i hollë tymi të bardhë, si për të thënë ishte atje, dhe na priste të ktheheshim. Kur zbritëm në terren, kur takonim njerëz që na ftonin në shtëpitë me një varfëri ekstreme, por me bujari të pashoqe, unë sikur dridhesha...Isha 20 vjeçar që më bënte përshtypje çdo gjë. Më duhej të shkruaja për jetën, për bukuritë, për “begatinë socialiste”...Ne ishim kudo si një ekip dhe do të përpilonim raportin për “udhëheqjen e Rajonit”. Nuk di se ç’do shënoja në bllokun që kisha me vete, por kujtoj se Astrit Sulo, që ishte pjesë e ekipit më tha : “ Shkruaj për natyrën, përlartësinë që i kacavirret Dajtit, për bujarinë e njerëzve...të tjerat na i lerë neve”. Më kishte hedhur dorën në sup, me ata sy të shndritshëm dhe atë ballë të gjerë, sikur më “pushtoi” me një heshtje. Ai ishte instruktor në Komitetin e Partisë së Rajonit Nr.4, ishte anëtar partie, ishte njeriu i aparatit. Më mbeti në mendje ai “pushtim” i heshtur në ballin e gjerë të Astrit sulos. Ma kishte lexuar makthin në ato lartësi, ku vec ajrit të pastër, skamja ishte si në rrëfimet e Migjenit. E pash sërish drejt në sy Astritin, dhe ai me një heshtje sikur desh të më thoshte dicka tjetër, që të mos e dëgjonin “shokët e ekipit”. Ishte heshtja më domethënëse që kam përjetuar në Kllojkë, nga ku Qafë Krraba dukej si kodrinë !....”
Ai “vështrim në Kllojkë” më mbeti në mendje dhe jeton brenda meje tani kur përpiqem të kuptoj Amerikën dhe sistemin e saj itegrues, që me ingranazhet e veta “të shtyp” po nuk munde të hedhësh “vallen e punës”. Astrit Sulo i dinte mirë këto gjëra, ndaj nuk emigroi kurrë,por me“ballin lart” ndërmorri në Shqipëri një sipërmarrje të veten, bëri “një copë Amerikë” si për ti thënë të gjithëve :“ bëni dhe ju Amerikën tuaj !”.
Ndersa Asllan Sulo nga Berati, si njeri i letrave tregon hollësi jete, duke vijuar me rastin e veçantë të një miqësie të përhershme me Astritin dhe trashëgimin e gjakut me rrënjë e degë :– “ Ne ishim djem xhaxhallarësh dhe miqësia jonë është transformuar në një edukatë jetësore, - tregon ai. Të ishe me Astritin në konakë ishte kënaqësia më e madhe, se ai ishte njeri i muhabetit, i memorjeve të gjalla historike, i tregimeve jetësore. Njeri me sedër të madhe, me guxim dantesk, me mirësi të paparë në cdo situatë. Kur unë shkrojta monografinë historike “ Doktor Hajdar Sulo ( 1866 – 1936)” Astriti më përgëzoi pamasë dhe u gëzua si një fëmijë për këtë përkushtim të merituar gjyshit të tij. Ai erdhi vetë edhe në përurimin e librit në Berat. Edhe në një botim tjetër që bëra për Beratin Astriti ishte spronsori i librit nga ana financiare. I jam shumë mirënjohës figurës së tij, dashamirësisë njerëzore dhe tani në amshim i përcjell dhimbjen e thellë për ndarjen aq shpejt nga jeta…”
-“Për një njeri të mirë gjithmonë flet gjëra të mira. Siç thashë edhe më parë Unë me Astritin ishim djem xhaxhallarësh. Im atë Sybi Sulo ishte vëllai i madh i Shabedin Sulo, babait të Astritit, që ishte një gjahtar i rrallë në Berat….Kishte çiften, zagarët dhe shpesh na merrte pas si vëzhgues kureshtar. Ai gjithashtu gëzonte një popullaritet të madh në detyrën që kryente në rekrutimin e ushtarëve të rrethit tonë.
Nga 6 vëllëzërit, vetëm Shabedin Sulo dhe Sybi Sulo jetonin në shtëpinë e vjetër të Hajdar Sulos me një oborr të madh përpara, me pusë uji e manë të madh. Shtëpisë së vjetër iu bë edhe një shtesë të re dykatëshe nga vëllezërit e tjerë e kjo “saraje” me portën përpara ishte një “mëhallë e bukur” ku ne kaluam fëmijërinë tonë të hershme. Më vonë pas ikjes së Shabedinit në Tiranë me familjen, djemte e tjerë të Hajdarit, domethënë xhaxhallarët e mi që u larguan nga Berati, shiten një pjesë të shtëpisë dhe nga kurora e babait tim Sybi Sulo mbeta unë që trashëgova ndërtesën e vjetër të shtëpisë, të cilën e rikonstruktova totalisht po brenda këtij oborri, që ruan hyrjen e portës së vjetër. Këtu banon edhe një familje tjetër nga “Vojvodët”, që më parë banonin tek 6 katëshi në hyrje të Beratit nga pjesa e Kombinatit dhe blenë një pjesë të shtëpisë së Hajdar Sulos.
Astriti ishte mjaftë i sinqertë dhe dashamirës, me shpirtë punëtor e ndjenjë humane.Të tregosh për Astritin është “histori e pafund” që nga fëmijëria e deri në moshën e plotë. Ai ka histori interesante pune, mbresa të veçanta jete, kënaqësi të këndshme shokësh e miqsh. Ishte nga ata burra që i pëlqente “tradita”, por edhe “modernja” e kohës së demokracisë. Ai nuk kishte kurrë “perde para syve”, vështronte me mirëkuptim e dashuri. Kurrë nuk ishte “ziliqarë”, por ngazëllyes, dëfryes dhe realist.Ishte model që e kishe gjithnjë përpara vetes…
Është rast i veçantë në brezin e tij. Meriton mirënjohje e dashuri !
Njeri nga tre sinonimet e shoqerisë së pandarë me Astritin, në rini e deri sa u ndanë nga jeta, ishte Agim Basha. Ai kujtonte :- “ Rreth viteve 1962 – 1963 unë punoja në Teatrin Popullor të Tiranës, kurse Astrit Sulo vazhdonte si mekanik në Uzinën “Misto Mame”. Lidhja midis nesh u bë një simbol jetësor dhe gjithmonë ishim tre shokë :
1. Astrit Sulo, një bukurosh plot simpati e duarartë
2. Kujtim Qinami, pedagog në Teknikumin e Ndërtimit
3. Agim Basha, si N/Drejtor i Teatrit Kombëtar.
Qendra e takimeve tona në ato kohë ishte Teatri Kombëtar. Këtu Astriti filloi të njoh edhe trupën e teatrit si Kadri Roshi (kolos i filmit e teatrit), Naim Frashëri (një artist potent që dominonte artin skenik me rolin e Hamletit dhe Shekspirit), Lazër Vlashi ( artist i shquar nga Durrësi që filloi aktivitin në Teatrin kombëtar që në vitin 1948), Thimi Filipi, Sandër Prosi, Lazër Filipi etj, me të cilët u miqësua shumë. Kjo kohë ishte një periudhë e rëndësishme e jetës sonë dhe të tre ishim beqar.
Gjatë viteve 1966 – 1968 Astriti shkoi “vullnetar” në Zonën e Shëngjergjit, i përzgjedhur nga ndërmarrja “Misto Mame” për të kryer dhe stazhin e Partisë ( pasi ishte pranuar anëtar partie i organizatës së ndërmarrjes). Për këtë entuziazëm të Astritit, ata si shokë i vunë nofkën “Davidov”, që ishte një personazh i romanit “Tokat e Cara” të Tolstoit të madh rus.
- Na erdhi në shoqeri një“Davidov”,thoshin kur takoheshin dhe ambjenti merrte zjarr me këtë atribut pozitiv të njeriut që sakrifikon…
Tetatri u bë dhe ajo “foleza” e pasioneve e miqësive brilante që linte mjaftë “gjurmë”…Ndërtesa e Teatrit ishte e vetmja godinë futuriste e inxhinjerit dhe arkitektit Italian Giulio Berte, projekt i nisur në vitin 1938 e që përfundoi në shtator 1939 mbi bazën e planit rregullues të qendrës së Tiranës dhe përfshinte 13,000 m2 truall, prej të cilit 7,000 m2 mbulohej nga vetë godina brenda së cilës ishte biblioteka, zyra e informacionit, zyra e përkthimeve letrare etj. Vetëm në vitin 1945 u bë ndryshimi i fundit duke u shndërruar në Tetatër Popullor e më pas kombëtar.
Kur vinte Astriti në Teatër nuk diskutohej për artin, por për fshatin. Shumë shokë të Teatrit ishin kuriozë të dinin se çfarë bëhej në fshatin tonë socialist, që partia i ngjiti “solidaritetin” e qytetit. Astriti shpjegonte vetëm fakte pozitive, fliste vetëm për njerëz optimist, për punë që kërkonin mbështetjen e gjithë shoqerisë në ato kohë të vështira….Me iniciativën e Astritit trupa e teatrit ka shkuar për shfaqe në Zall Mner dhe fshatarët i prisnin aktorët në shtëpi me gëzim të madh.Në mëngjes biseda bëhej se kush i kishte pritur më mire.
Rasti e solli që vetë shoku i tij Kujtim Qinami me dy klasa mësimore të nxënësve të angazhohej në fshatin Zall - Dajt e Zall – Mner duke ndërtuar banjo brenda shtëpive, duke lyer me gëlqere gardhet e avllitë e oboreve të shtëpive. Nxënësit shkonin për praktikë mësimore dhe nën drejtimin e Kujtimit bënin punë të mëdha për fshatin, siç i orientonte me këmbëngulje Astrit Sulo…
“Tresh-ja klasike” e shoqerisë preferonte të shkonte në tre Barë –Restorantet më të pëlqyera, që ishin më të njohura historikisht për frymëzimin e artistëve si te Barë –Restorant “Vollga”(aty ku ishte “Drini”), te Barë “Sahati i Tiranës” dhe te “Klubi i Gjuetarëve” ( te ish-Shtëpia Qendrore e Ushtrisë). Ato ishin hapësira takimi për të diskutuar e ndarë ide të përbashkëta. Këto vende ishin unike ku takoheshin e shoqeroheshin, flisnin për dëshirat, ëndërrat, por edhe krijonin histori të thjeshta jete…Për këto vite,ka një detajë nga fejesa e Astritit me Gjenën. Të dy u paraqitën te Teatri Kombëtar te “Klubi i artistëve” për të marrë “viston” ose “testin” shoqeror mbi këtë akt jetësor. Kur Agim Qinami ngriti dollinë tha me ton miqësor “rakia është shumë e mirë”, d.m.th miratohet bashkimi i prezantuar para shokëve, të gjithë duatrokitën dhe i bënë urimin e çiftit. Martesa e parë e shoqerisë ishte e Kujtim Qinamit, vazhdoi Astriti dhe i treti ishte Agimi.
Si një njeri i edukuar, Astriti ishte pa xhelozi për shokun dhe kjo shikohej edhe në pjestarët e tjerë të familjes. Babai i tij, Shabedini ishte njeri i qetë. Pavarësisht moshës e ëma Bedrija, që punonte si edukatore kopshti, lexonte shumë. Kjo ishte çudi e madhe në atë kohë. Edhe dy vëllezërit e motra Liri ishin zemërbardhë e të sinqertë. Me motrën Astriti kishte kofidenca të mëdha, ajo lironte shtëpinë kur festonin si shokë Vitin e Ri.
Astriti shijonte shumë muzikën e Shqipërisë së Mesme. Kishte njohje me vëllezërit ZENA të Elbasanit ( me të cilët ndante një miqësi dhe doli kushëri me ta )…Me Kadri Roshin kishin pasion gjuetinë. Shkëmbenin bashkë grepa peshkimi dhe shpesh shkonin për gjueti peshku në Patok të Lacit dhe në Kavarasta të Divjakës. Gjuanin edhe me kalimero ose rrjet e thurur enkas për këtë gjueti.
Në pije Astriti ishte mjaftë i rezervuar, nuk fliste për lekë asnjëherë, shijonte shumë turshitë e gjithë llojeve. Nga natyra ishte mjaftë i zgjuar, i thelluar në mendime,bisedonte si njeri i shkolluar dhe jo rrallë fshatarët e Zonës së Shëngjergjit thoshin për të se “flet si ndonjë Zotni !”. Në të vërtetë fizionomia e tij kishte pasur sukses.
Ai nuk shpërdoronte në asgjë. Shoqerinë e mbante si ujët e pakët në burim. Vështirë të gjeje shok si ai. Hovet e tij i kishte në varësi të fjalës që nxirrte nga goja. Fytyra e shqetësuar dhe hijerëndë ishte veçoria e tij në “çaste kritike”. Zakonisht i përkiste kureshtarëve të heshtur që ngjallnin besim dhe shpresë.
Të tre shokët ishim lidhur shumë e me familjarët e njeri – tjetrit. Prindërit e tyre ishin krenar për harmoninë e kësaj shoqerie. Shtëpia e Agim Bashës ishte “celula” ku mblidheshin të tre çiftet dhe gjithëkush sillte ushqimet e përgatitura dhe kështu ambjenti i përbashkët kthehej në hare me muzikë, kërcime e valle.
Astriti kishte “qejfe të pambukta”, që nuk kushtonin shumë, i pëlqente arsyetimi dhe i përngjiste filozofisë. Midis shokëve ai ishte “strumbullari i shoqerisë” dhe zhvillonte gjithë “ortekun” e ndjenjave shpirtërore të jetës.
I futur në disa episode kujtimesh rreth vlerave dhe cilësive të Astritit, të cilat pa asnjë mëdyshje ishin pjesë e formimit dhe edukimit të tij familjar, që në fëmininë, rininë e hershme dhe më pas në ndërtimin personal të jetës dhe familjes së sotme, Perlat Sulo kujton shumë detaje të jetës së Astritit. Të përshtatura për këtë roman memorial po i rendis një e nga një sipas detajeve që të ngazëllejnë :
Njeriu që më “zgjoi”lidhjet e gjakut në fisin e “Sulatëve”…
Bashkë edhe pse djem xhaxhallarësh, u njohëm nga afër në moshë të rritur, kur ishim në gjendje të vlerësonim njeri – tjetrin për atë çfarë na lidhte të dyve. Jeta na bashkoi e kështu u krijua mundësia të bëheshim dhe të mbeteshim përgjithmonë të dashur e të respektuar reciprokisht. Që në takimin e parë ndjeva se kisha fituar një kushëri, i cili më mungonte prej kohësh, një lidhje gjaku që do të ndikonte dhe do të ma bënte më të gëzuar jetën time në gjirin e “Sulatëve”.
Nuk ishte aspak e vështirë që në natyrën dhe karakterin e tij të shikoje cilësitë dhe vlerat më të mira njerëzore që e dallonin në maredhëniet me njerëzit në përgjithësi dhe me familjen dhe fisin në vecanti…Mirësia që reflektonte në të gjithë qënien e tij, i krijonte mundësinë të bënte shokë e miqë të shumtë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të vendit.
Tipari më karakteristik i tij ishte dashuria e madhe që kishte për familjen, gruan fisnike Gjenën, për fëmijët Gentin dhe Elvisin, nuset e djemve Gentën dhe Xhemin, për nipërit, mbesat e stërmbesën më të re Diella. Familjen e konceptonte si “kryevepër të natyrës” dhe “shkollën e detyrave”, prandaj gjithmonë kishte ndjerë përgjegjësi të lartë për mbarëvajtjen e saj, edukimin dhe shkollimin e djemve, inkurajimin dhe mbështetjen për jetën,duke e kombinuar me përkushtimin e Gjenës si bashkëshorte dhe nënë e fëmijëve të tij.
Astriti vlerësonte rolin dhe rëndësinë e traditave kombëtare, por edhe shqetësohej për fenomenin e dobësimit dhe në disa raste të shpërbërjes së tyre në shoqerinë shqiptare të ditëve të sotme. “Njerëzit janë shpërndarë, - thoshte ai,-dhe mundësia e shkëmbimit të marëdhënive dhe vizitave reciproke brenda fiseve dhe familjeve ka nisur të rrallohet. Ka filluar procesi i harresës dhe me kalimin e viteve po humbasin lidhjet. Brezat më të rinjë nuk i dinë më lidhjet e gjakut dhe të etnogjenezës së prejardhjes së tyre…”
Brezi ynë, por edhe fëmijët tanë më shprehej herë pas here, duhet të bëjnë kujdes në mënyrë të vecantë për njohjen e trashëgimisë dhe historisë së fisit të “Sulatëve” duke mos u mjaftuar me histori gojore, por edhe nëpërmjet studimeve, monografive, sic është vepruar me librin e Asllan Sulos “Doktor Hajdar Sulo, 1866 – 1936” ose të ciftit Anxhaku me librin “100 familje shqiptare”. Këto dy libra ai i quante dhe vlerësonte si kontribute modeste që hapin rrugën për evidentimin e mëtejshëm të vlerave të Sulatëve në të kaluarën dhe në ditët e sotme, aq të domosdoshme për brezat e rinjë.
Lumturia e familjes dhe optimizmi për jetën….
Astriti ishte i çiltër dhe i thjeshtë në komunikim, i përkushtuar dhe i angazhuar për të zgjidhur hallet dhe problemet e ndryshme të njerëzve të afërtë, shokëve dhe nipërve, por edhe të bashkëpunëtorëve të tij gjatë kohës që ishte në punë deri në ditët e fundit të jetës, duke inkurajuar tek ata shpresë dhe besim. Optimizmi për jetën, lumturia familjare, ishin fuqia shtytëse e të gjithë jetës dhe punës së tij, së cilës nuk i përtonte edhe në kushtet më të rënda shëndetësore. “Gëzimin, - thoshte ai,- njeriu e ndjen vetëm pasi të jetë lodhur nga puna”. Këto cilësi ai ja kultivoi dhe dy djemve të tij, Gentit dhe Elvisit. Origjinaliteti, ndershmëria, sinqeriteti përbënin “kolonat” mbi të cilët ai kishte ndërtuar personalitetin e tij. Për këtë unë e vlerësoja së tëpërmi.
Sensi praktik dhe aftësia për tu orientuar, qetësia dhe vullneti pozitiv për zgjidhjen e problemeve të punës gjatë karrierës së tij, të cilat na i tregonte me detaje, ishin elemente të tjera të karakterit solid të Astritit. Sic tregonte, dukej që ai kishte qënë një nënpunës i talentuar që punonte me disiplinë të lartë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për përballimin e vështirësive të shumta në fushën e tregëtisë dhe të drejtimit organizativ të sektorit të ekonomisë në qendër dhe në periferi të rrethit të Tiranës.
Humori i hollë dhe forca morale…
Nuk mund të mos ve në dukje një cilësi tjetër të vecantë, humorin e hollë e të këndshëm që ai shfaqte në takimet tona duke treguar kështu botën e brendëshme dhe forcën morale…Astriti ishte 9 vjet më i madh se mua, por kjo nuk na pengoi që të kishim raporte shumë të mira, mirëkuptoheshim, ndanim opinionet, më dëgjonte me vemendje, kundërshtonte duke qënë sa më argumentues dhe jepte sa më pak “këshilla” prej të madhi. Edhe kur mendonte se duhej dhënë ndonjë këshillë rreth problemeve që diskutonim përfshi dhe ato të punës time si ushtarak i lartë, mënyra e tij nuk ishte aspak autoritare, por gjithmonë e qeshur dhe babaxhane duke më imponuar qetësi dhe respekt. Ai ishte i hapur për debate të çdo lloji nga fusha të ndryshme të jetës.
Mësimi më i vlefshëm që ai jepte në takimet tona ishte respekti për veten dhe të tjerët. Shpesh kisha dëgjuar prej tij për vështirësitë dhe hallet që kishin të afërm të ndryshëm, shokë e miq, anëtarë të stafit në kompaninë “Agikons” ShPK ku punonte cdo ditë. Këto vështirësi dhe halle bëheshin dhe halli e preukopimi i tij për ndihmën dhe lehtësimin e tyre. Dhe këtë gjë, sic kisha konstatuar, ai e bënte pa limite. Pashaporta apo celsi “magjik” me të cilën Astriti hapte dyertë e zemrave të miqve,shokëve e të afërmve, ishte sinqeriteti, thjeshtësia, dashuria dhe respekti ndaj tyre.“Miqtë e vjetër,- thoshte ai,- nuk duhen harruar kurrë, se njerëzit që rrinë pranë e pranë, gjithmonë do të jenë të nevojshëm për njeri-tjetrin”…Në këtë mënyrë ai reflektonte karizëm, bujari, dashamirësi të admirueshme…
Pereceptimi realist i zhvillimeve të jetës….
Unë do të kujtoj kurdoherë kafetë e përbashkëta, sidomos tek Rezidenca “Kodra e Diellit” dhe në Zyrën e punës në Agikons ku ai më fliste aq bukur për ngjarje e ndodhi nga jeta dhe puna, kur shpaloste njohuritë në fushën e historisë, letërsisë, artit e kulturës kombëtare. Me shumë pasion përfshihej në debate me mua për politikën dhe zhvillimet ekonomiko- shoqerore në Shqipëri. Shpeshë herë debatonim për ushtrinë, ku unë si ushtarak ndonjëherë i bëja karshillëk për ta “provokuar” e futur në diskutime principale. Ai kishte një përvojë të madhe si ish-oficer rezervist në batalionin e Shëngjergjit para viteve ’90 ku kishte patur një funksion të rëndësishëm në shtabin e batalionit. Fliste me pasion e respekt për burrat e këtij batalioni, të cilët i njihte nga afër në sajë të qëndrimit për disa vite në këtë zonë me detyra shtetërore.
Më cudiste me konceptet e qarta e të sakta për ushtrinë në mënyrë të vecantë për kontrollin demokratik të Forcave të Armatosura, për maredhëniet civilo-ushtarake në periudhën para viteve ’90 deri 2020. Njëherë nga bisedat tona për këtë temë më tha : “Pas dekadash, spastrimesh dhe izolimi strategjik gjatë komunizmit, doktrina ushtarake u bë shumë dogmatike dhe ushtria jonë iu nënshtrua vijës së partisë. Kultura ushtarake, - vazhdoi ai,- u dëmtua rëndë pas të ashtuquajturat “reforma të mbrojtjes” të vitit 1966 që përfshinë heqjen e gradave dhe rivendosjen e komisarëve e të sekretarëve të partisë. Politikat e mbrojtjes të hartuara nga partia e punës, e nënshtruan ekspertizën ushtarake duke mbivlerësuar dogmën e partisë…”….Mbeta i befasuar nga ky këndvështrim i saktë i tij,nga pereceptimi që i bënte të kaluarës komuniste për ushtrinë. Kjo më nxiti që më pas në takimet tona të hapja diskutime, që ishin në interesin tim personal(ushtarak) të tilla si:“mbi zhvillimin e maredhënieve civilo-ushtarake në Shqipëri”; “problemet post-komuniste për ti reformuar këto marëdhënie” etj…Në një rast diskutimi për këto e të tjera probleme, më habiti konstatimi i tij se : “Qasja e Qeverisë rrallë herë sfidohet dhe publiku bëhet i vetëdijshëm për dështimet e politikave të mbrojtjes që kanë cuar në katastrofa kombëtare, sic qe shpërbërja e shtetit dhe e ushtrisë në vitin 1997”…Këto konceptime të Astritit i konsideroja të sakta dhe vizionare. Por diskutimet tona rroknin edhe tema të tjera, sic ishte psh ekonomia ku nuk përmbahej në argumente dhe kundërargumente të zhvillimit të kësaj fushe para dhe pas viteve 1990, kjo për faktin se ai ishte në profesionin e tij si ekonomist.
Një natyrë filozofi !...
Astriti më kishte bindur se e kishte pasion filozofinë. Shpesh në diskutimet tona përpiqej të më bënte interpretime me nuanca filozofike. Njëherë e ngacmova duke i thënë se po “më dukesh si filozof”. Pasi buzëqeshi më tha : “Filozofia është tërësia e jetës, mund të them e gjithë strategjia e të jetuarit.Sic dihet Perlat, termi filozofi vjen nga grqishtja e vjetër (filozofos), dashuri për dije. Pra, e mbylli ai bisedën është një fushë gjithëpërfshirëse e dijeve”…
I thashë se kjo është e saktë se e ke “mësuar” në shkollën e partisë në Laprakë…Qeshi dhe si me shaka më tha : “ Ju ushtarakët dini vetëm artin ushtarak dhe pak nga filozofia”. Në këtë moment qesha dhe unë. Pse qesh, mu drejtua gjithë seriozitet. Më lejo të të shpjegoj nëse ne ushtarakët e njohim apo jo filozofinë. Po futem në fushën tënde të dijeve ekonomike. Adam Smith ishte një filozof dhe ekonomist skocez i iluminizmit. Vepra kryesore e tij është “Pasuria e Kombeve”. Në këtë vepër mbështetet teoria e liberalizmit ekonomik. “E qartë, tha ai, e njoh mirë thelbin e kësaj vepre e cila synon të jap përgjigje raportit të marëdhënive midis shtetit dhe tregut, duke përmbledhur, analizuar e evidentuar pjesën më të madhe të ideve ekonomike të filozofëve të iluminizmit”. Biseda jonë u përqendrua më tej tek “roli aktiv i shtetit” në ditët e sotme. Ai sapo kishte lexuar një artikull për një nga ekonomistët më të mëdhenj, politikat e të cilit nxorrën nga kriza qeveritë gjatë shekullit të kaluar. Unë nuk kisha njohuri për këtë ekonomist, ndërsa Astriti e kishte studjuar me kujdes dhe më shpjegoi gjithcka dinte rreth Xhon Mejnard Keynes apo edhe për John Maynard Keynes ( 1883 – 1946) me librin e tij “Teoria e pergjithshme e punësimit,interesat e parase”. Një artikull për këtë ekonomist e librin “Liberalizmi” ai i mbante në tavolinën e tij të punës.
Një rast tjetër, duke dashur të diskutojmë rreth praktikave të përzgjedhura të kuadrove në poste drejtuese të larta në administratën shtetërore dhe në ushtri, Astriti më përmendi veprën “Origjina e pabarazisë mes njerëzve” të Russoit, duke thënë se në të dy sistemet kemi qënë të detyruar për të punuar me figura drejtuesish, karriera e të cilëve mbështetej me lidhjet apo interesin partiak dhe jo të bazuara në aftësitë profesionale, morale dhe ngritjen graduale në detyrë. Kjo i thashë unë, ka qënë dhe vazhdon të jetë e theksuar në ushtri. Astriti tundi kokën në shenjë miratimi,por edhe me një farë ndjenje dëshpërimi. Edhe kuadrot e aftë nuk kanë munguar në te dy periudhat, - shtoi ai.
Astriti kishte aftësinë e një audisti serioz edhe për problemet e situatës politike në Shqipëri. Shpeshë herë debatet tona përqendroheshin tek vlerësimet për partitë e ideologjitë e tyre. Nuk ishte dakord me historianët që falsifikonin historinë, sidomos për LANC-in. “Historiani, - thoshte ai,- nuk është gjykatës, por hetues, ai paraqet provat, kurse lexuesi, qytetari i lirë i nxjerr vetë konkluzionet”. Në këtë kuptim, vazhdonte të më argumentonte se koha e sotme karakterizohet më shumë nga urrejtja se sa nga lufta ideologjike mes partive. Në këtë pikë të dy ishim në një mendje.
Pinjoll i denjë i fisit të “Sulatëve”….
Ai rrezatonte nga drita e syve të tij, nga butësia e zërit të tij, nga cdo buzëqeshje, nga cdo qelizë e trupit të tij gjigand, kënaqësinë për origjinën e dyfishtë si nga babai, ashtu edhe nga nëna. Fliste me pasion dhe për familjen, farefisin, për derën e madhe të konakut të “Sulatëve” libovitë,por edhe berates, për zakonet e traditat e tyre, krenohej se ishte një nga pinjollët e këtij fisi të madh, nip i Doktor Hajdar Sulo e Nefize Myftaraj (Shenepremte), djali i Didinit, vëllai i dashur i Hajdarit, Ibrahimit e Lirisë.
Si ish ekonomist i sillte bisedat edhe për ngjarje e mbresa të pashlyera nga karriera në hallkat më të larta të tregëtisë në rrethin e Tiranës, në Vorë, Shëngjergj etj, duke treguar rolin dhe kontributin e tij me thjeshtësi edhe pse mbi supe kishte mbajtur detyra të rënda e me përgjegjësi të larta shtetërore dhe partiake. Gjithashtu tek ky njeri më cudiste vizioni, thellësia e mendimit politik, ekonomik dhe filozofik, ishte i pasionuar në njohjen e artit e kulturës kombëtare e asaj botërore. Njihte dhe admironte shkrimtarë, artistë, historianë, shkencëtarë, ushtarakë të mëdhenjë etj. Pikë të dobët kishte Kadri Roshin dhe Besim Zekthin. Në një moment mbeta i habitur kur ai filloi të më recitonte vargjet e një kënge që lidhej me vallet labce të Besimit dhe që titullohej “Bodrumce”. Për 30 vite e kishte ndjekur atë në skenën shqiptare, por edhe jashtë saj. Për të Besimi ishte një valltar i skalitur me genet e shpirtit, një valltar i madhërishëm !...
Kur diskutonim për librat ai fliste me pasion për Cvajgun, Balzakun, Hygoin, Trockin,Servantesin, Dostojevskin, Xhek Londonin, Pushkinin, Kadarenë, Agollin, Lasgushin, Migjenin, Mjedën, Fishtën etj, etj…Të vecantë kishte Shekspirin, për të cilin thoshte se “forca dramatike dhe tragjike e veprave të tij, është kaq e madhe sa i takon të matet vetëm me vullkane e tërmete emocionale”…Në një rast tjetër më suprizoi duke më thënë se dikur kishte lexuar se anglezët po qe se do ta dinin cfarë ka shkruar Bajroni për mikëpritjen dhe besën shqiptare e Ali Pashë Tepelënën, nuk do ta kishin nguruar ta grisnin “Traktatin e Londrës” për copëtimin e Shqipërisë.
Në mbyllje të këtyre kujtimeve dhe vlerësimeve dëshiroj të theksoj se natyra i kishte falur Astritit gjithçka, që i nevojitej për të qënë një kryefamiljar i mrekullueshëm, i fali portretin aq të veçantë si në skulpturat e Mikelanxhelos…
Opmerkingen