top of page

Një thesar me POEZI


LOVE, një thesar me POEZI, DASHURI, EMOCIONE...!


Nga Xhevat MUSTAFA


Pak biografi për Skender Sherifin, si NJERI E POET...

Publiçisti, poeti dhe përkthyesi Skender SHERIFI u lind në VITI të Kosovës në vitin 1954. Më 1 gusht 1956, kur Skënderi ishte vetëm një vjeç, familja e tij emigroi në Bruksel, si refugjat politik. Në vitin 1980, ai u diplomua me titullin “Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë frënge”. Për një kohë të gjatë, Skënderi punoi si gazetar në fushën e artit dhe kulturës, në radion dhe shtypin belg, duke realizuar rreth 700 intervista me krijuesit më të famshëm bashkëkohorë francezë, por edhe me artistë anglezë, italianë e spanjollë...Është autor i disa veprave me poezi, në frëngjisht dhe shqip, të botuara në Paris, Tiranë, Prishtinë dhe Bruksel. Ai shprehet me një lirizëm vezullues, eksepcional dhe na i hedh fjalët e tij, sikur Diejt mbi Detin e trazuar, duke i përzier me një lumturi të rrallë, stilet gjuhësore tepër të rafinuara, me ato më popullore, argotike dhe zhargonore. Autori na tërheq me muzikën e kohës, në bordin e “Anijes së tij kozmike”. Në veprat e tij poetike, (Dikund Dikush – 1980; Lojë dhe Kundërlojë – 1980; Oksigjeni – 1989; Ora e Meteorëve – 1996), zhargonet argotike dhe ironia e tij shpërthyese, na imponojnë apo mundësojnë vullnetshëm depertimin e thellë dhe fare të lehtë në një modernitet, që të marramend, emocionon, magjeps, të shyn të meditosh e filozofosh në vetveten, me femrën në shtrat, me shokun apo mikun në kafe apo ulur një stol lulishteje, plazhi në bregdete, bordurë trotuari... Skënder Sherifi, shkrimtar e poet i njohur, konsiderohet si një nga përfaqësuesit më të denjë të krijuesve shqiptarë jashtë atdheut. Gjatë karrierës së tij rreth 45 vjeçare në fushën e letrave ai është afirmuar dhe bërë i njohur në Belgjikë e përtej këtij vendi dhe hartës frankofone si një poet origjinal, si përkthyes, gazetar, si një krijues i pasionuar pas letërsisë, filmit, teatrit dhe pikturës...Por, thesari i tij poetik e thuajse jetik, është përmbledhur në vëllimin LOVE. Ky libër është botuar fillimisht në Belgjikë, më 2008, duke fituar shumë shpejt një pritje masive dashamirëse dhe vlerësime befasuese e marramendase, sidomos për vetë autorin. Pas 14 vjetësh, LOVE ka dalë në gjuhën shqipe në shitje tek Librari «ILAR » në Tiranë, më 10 shtator 2022. Është një korpus poetik apo një enciklopedi me poezi dhe thënie prozaike prej afro 700 faqesh kushtuar dashurisë, femrave e artistëve më të famshëm në botë te artit të shtatë. Mund të quhet enciklopedi për dashurinë, për dy arësye apo këndvështrime. Së pari, sepse e vështron, analizon, përshkruan, zbërthen, detajon, hymnizon me nivel të spikatur poetik dhe me individualitet të padiskutueshëm...dashurinë si trupin e njeriut në një skaner. Së dyti, sepse poezitë dhe thëniet për dashurinë, të përfshira në këtë libër unikal, kanë gjeografi dhe hartë të përbotshme, janë me motive nga të gjithë kontinentet e banuar nga njerëz...Me përmbledhjen LOVE Skenderi e paraqet veten dhe POEZINË e tij më të mirë ndër vite, denjësisht, si një nga KULMET e poezisë kombëtare shqiptare dhe padyshim, edhe përtej shqiptare, të asaj frankofone dhe mbareuropiane! Nuk është as e rastit dhe as subjektivizëm apo tifozllëk jurishë që”La Libre Belgique” e ka klasifikuar LOVE në listën e 10 librave më të mira gjatë vitit 2008 në Belgjikë, brenda një konkurrence të gjerë dhe të fuqishme, që i përfshin të të gjitha botimet letrare të atij viti (roman, tregim, ese, biografi, monografi dhe libra të vizatuara) në katër shtetet të Europës frankofone (Francë, Zvicër, Belgjikë dhe Luksemburg). LOVE është një homazh poetik madhështor kushtuar botës femërore dhe dashurisë në përgjithësi, me të gjitha variantet e saj, format, detajet, hollësitë, veçantitë … por është gjithashtu edhe një himn fantastik mbi botën e arteve, krijimtarisë dhe kulturave planetare. Mund të konstatojmë në këtë libër, një mori informatash nga të gjitha fushat, një shumë referencash të panumërta, që dëshmojnë mbi background-in artistik e kultural të pashoq, të autorit. Dhe çka është më e çuditshmja, është fakti që të gjitha këto elemente aq të ndryshme kombinohen me mjeshtri dhe artikulohen natyrshëm, në një harmoni globale të mahnitshme.

LOVE, një libër unikal


LOVE është gjysmë poezi, gjysmë prozë, duke i integruar më se 500 citate nga autorët dhe dijetarët e botës, të cilët përfaqësojnë 5 Kontinentet ose kapitujt e veprës, dhe në prapavijën e fshehtë, të librit, kemi si në një tip eko-jehonë, në një lojë perspektive ose dialogu multi kulturor që i ofrohet lexuesit, i cili gjëndet papritmas para prezencës të 500 krijuesve botëror të fushave të ndryshme kinematografike, pikturës, muzikore, teatrale, fotografike, arkitekturale e korregrafike, të cilët e shoqërojnë poezinë e Sherifit. Tingëllon edhe ky fakt si një homazh respekti ndaj të gjithë këtyre emrave prestigjioz, që na kanë zbukuruar dhe pasuruar jetën tonë, me kontributin artistik të tyre.

Duke u ndjerë i paaftë për ta analizuar dhe vlerësuar këtë libër monumental poetik me gjithë sa paraqet dhe përmban, zgjodha vazhdimin me citimin e opinioneve të disa personaliteteve të mirënjohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë, për të dy botimet.


Skender Sheri dhe LOVE sipas kritikëve letrarë shqiptarë dhe ndërkombëtarë


Ndue Ukaj:(kritik letrar, autor i parathënies së librit LOVE) 16.12.2013,

Poezia e Skender Sherift është një oazë e veçantë letrare, ku gërshetohen e bukura dhe e dobishmja, brendapërbrenda një konfigurim të përpunuar, ku idetë dhe figurat letrare, harmonizojnë tërësinë e një poezi specifike, si tematike dhe realizim estetik. Në të vërtet, nëse e lexojmë me kujdes librin me poezi Love, vërejmë se ajo është poezi ndryshe, ashtu siç është autori i tyre ndryshe, një krijues me një potencë të fuqishme, me perceptim të çuditshëm për botën rreth nesh, për historinë dhe të tashmen, për metafizikën dhe realitetin, e sidomos për dashurinë dhe perceptimet për dashurinë, këtë ndjenjë fisnike dhe temë të përhershme të letërsisë, që di ta manifestoj bukur në poetikën e tij, madje qysh me titullin inicial, Love. Poezia e këtij libri, që po vjen shqip me një përkthim të bukur nga Albert Nikolla, është një realitet estetik origjinal, i cili buron nga shpirti i një poeti me potencë të fuqishme krijuese, nga shpirti i një poeti që eksperimenton me fjalën dhe e gdhend mendimin, deri në imtësi. Poezia e tij, e ndërthurur nëpërmjet harmonizimit të së bukurës dhe dobishmes (Horaci), është një polifoni poetike, ku emocionet ecin krahas figurave të gjetura, ndërkaq imagjinata poetike përplotësohet me dijen për artet, e veçmas për artin e poezisë....Kur e lexojmë poezinë e Sherifit, ne kuptojmë se ajo është një poezi e shkruar me kulturë të gjerë, me njohje universale për botën e artit dhe kësisoj, kjo poezi është universale, jo vetëm në shprehje, por edhe intencën poetike.

Sherifi është poet i veçantë, me botën e tij poetike, me motivimet poetike, me mënyrën e të shkruarit dhe sidomos me perceptimet e tij për realitetet e ndryshme, ato që i transfiguron në poezi. Origjinaliteti i poezisë së tij buron nga qenia e tij, e cila dhembjet dhe pasionet njerëzore, i bën komunikime universale.


DAIM ILAZI, poet, publicist, studjues, ish diplomat karriere, Tetovë, 23.10.2022


Skënder Sherifi, shkrimtar e poet i njohur, konsiderohet si një nga përfaqësuesit më të denjë të krijuesve shqiptarë jashtë atdheut. Në një klimë të gjallë intelektuale, mes kulturës franceze dhe belge, ai hyri me një autoritet të pabesueshëm, me një sërë krijimesh, me një force të tillë, saqë vargu i tij letrar së fundi, mbizotëron përkrah shkrimtarëve të tjerë më mbresëlënës të kohës.

Më 1 gusht 1956, kur Skënderi ishte vetëm një vjeç, familja e tij emigroi në Bruksel, si refugjat politik. Në vitin 1980, ai u diplomua me titullin “Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë frënge”.

Për një kohë të gjatë, Skënderi punoi si gazetar në fushën e artit dhe kulturës, në radion dhe shtypin belg, duke realizuar rreth 700 intervista me krijuesit më të famshëm bashkëkohorë francezë, por edhe me artistë anglezë, italianë e spanjollë, (Sergio LEONE, Vittorio GASSMAN, Alberto SORDI, Gérard DEPARDIEU, Jeanne MOREAU, Annie GIRARDOT, Jean RÉNO, Juliette BINOCHE, Denis LAVANT, Charles AZNAVOUR, Alain BASHUNG, Serge REGGIANI), etj.

Edhe pse Skënderi ka punuar si gazetar dhe profesor në arsim, në thelb ai është artist autentik i lindur dhe në esencë POET. Me një kulturë apo trashëgimi të dyfishtë (edhe pse ishte foshnje kur erdhi në Belgjikë ai u rrit dhe u edukua nga familja me frymën shpirtërore kombëtare, me dashurinë absolute ndaj atdheut dhe origjinës së tij.


Artan Fuga, anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.Diplomuar në filozofi në Universitetin e Tiranës në vitin 1978, autor i shumë librave në fushën e filozofisë, sociologjisë, komunikimit dhe publicistikës... ...Skender Sherifi, është një magjistar, i cili i ka përzier të gjitha zhanret artistike dhe i ka bërë të mundshme, të gjitha të pamundshmet. Ndoshta është”David Copperfieldi” i vargut dhe i rimës? Ky Poet, kur e lexojmë, na duket si një UFO ekstra tokësor. Thua që i ka jetuar 1000 jetë të tjera, dhe tani është i ngopur me gjithçka. Për këtë arsye, na duket që është dikund tjetër, i rrënjosur në një tjetër Planet, dhe pastaj na shikon neve ”Njerëz të shkretë në jetën tokësore me plot probleme”, sikur një astronaut me një vizion special prej nga hapësirat e larta, me atë distancë kritike, ironike por edhe tepër humaniste.


Claudio Pazani(poet i njohur italian):

Në poemat e Sherifit , mbi të gjitha, vërehet gjithnjë prania e një dielli të madh, verbues, përvëlues e shndritës në të njëjtën kohë, një burim drite, si një shpërthim i menjëhershëm, që duket sikur del nga strofat e tij, madje edhe te më melankoliket prej tyre. Ndodh edhe që të ndihemi në një mjedis diçka më me kreshta, që ndriçohet nga një dritë jo shumë e fortë, por po aq krijuese, që ka dalë drejt e nga ata prozhektorët e vegjël të sallave të vogla të Kinema Parajsës, së lagjeve periferike, ku njëëndërrimtar i përjetshëm shfaq ca filma të vjetër për dinozaurët e fundit që kishin pasionin e kinemasë. Sepse libri i Sherifit bën lidhjen e të gjitha epokave dhe është plot e përplot me ndjenja nga më të ndryshmet, me romantizëm, nostalgji, melankoli, me hove surrealiste dhe provokuese. Jetë e vërtetë që shpërthen ngado …


Hughes LABRUSSE(lindur në Francë më 1938, shkrimtar, eseist, profesor dhe doktor në filozofi), 22 nëntor 2011:

I gjithë interesi për librin e Skënderit, përfundimisht, gjendet në këtë marrëdhënie poetike, aty ku kryqëzohen vargjet dhe idetë që ai shpërndan me to. Aty zbulojmë mënyrën e tij për të pranuar pa asnjë rezervë hapësirën e një modernizmi ku rrethanat njerëzore mbesin peng i hipertrofisë së tyre.

Pjekurisë së pazëshme Skënder Sherifi i kundërvë goditjen e befasishme, hutuese, shpërqëndruese. Pastaj, në fund të fundit, Dashuria nuk mund të mëtojë tjetër veç të jashtëzakonshmes...Të dashurosh nuk do të thotë të jesh i dashur, joshës. Ajo është dhuna vetë në shfaqjen e saj më gjallëruese e ndonjëherë vrasëse. Love është ftesë t’i hysh rrezikut që të përshkosh provën e ankthit e pasigurisë, në atë labirint të pambarim, ku drita duket në fillim fare, thjesht në dedikimin që autori i bën gruas së tij, Besa Zhutës. Gdhendja e firmës përthyhet në anonimatin e saj.


Claudio POZZANI, (u lind më 19 shtator 1961 në Gjenova të Italisë. Autor i disa librave me poezi, por edhe romancier dhe muzikant...)16 nëntor 2011:

Libri i Sherifit bën lidhjen e të gjitha epokave dhe është plot e përplot me ndjenja nga më të ndryshmet, me romantizëm, nostalgji, melankoli, me hove surrealiste dhe provokuese. Jetë e vërtetë që shpërthen ngado…

Pa dyshim që poezia e tij është origjinale. Dhe kjo në të dy kuptimet: origjinale sepse përfshin brenda aq shumë ndikime (bile të shprehur me krenari në formë epigrafesh nga vetë autori) dhe që më pas i sjell në një shteg të ri dhe të kapshëm për të gjithë, për të na dhuruar atë tërësi të bukur e origjinale në fund. Në një kuptim tjetër sepse është një e shkruar e shumëfishtë që në nisje dhe që bëhet tejet moderne dhe aq aktuale në fund, nën veprimin e një pune të detajuar montazhi, një alkimi me gramatikë të veçantë që është e vetë autorit. Është një poezi shprehje e një momenti të caktuar dhe njëkohësisht pa kufij kohorë, e përzier e sintetike, me ngjyresa të ndryshme në shumë pike vështrime leximi, që e merr tharmin e saj në kujtesën kolektive të Njerëzimit për të nxjerrë nektar nga e gjithë kjo, për të krijuar markën e tij vetjake dhe figurën e tij stilistike...


Francis MATTHYS, Gazetar i njohur, i respektuar në mjediset kulturore, si kritik e specialist i letërsisë, 15 nëntor 2011:

Skënder Sherifi, para se të hidhet nga ana e tij, në atë çmenduri të ëmbël, që është të shkruarit, ai ka gllabëruar biblioteka të tëra, duke qëmtuar aty këtu të gjithë autorët që mund të gjente, duke ngërthyer kështu pa prehje, madje do të thoja, pa u nginjur universe të ndryshme të të gjithë librave aq kalonin nëpër duart e tij, si çdo autodidakt i denjë për këtë emër. Ja, pra që një nga veprat e tij kryesore, LOVE, ky libër i vëllimshëm, ku lulëzojnë Gra e Zjarre dhe që Skënder Sherifi e ka shkruar pasi bëri të pesëdhjetat, sikundër i zjarrti Fransua TRUFO, autor i të famshmit film ”Burri që deshte gratë”, tregon se edhe për të, gratë kanë luajtur dhe luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e tij. Jeta e vërtetë sikundër dhe jeta e ëndërruar te një poet janë njëra hija e tjetrës. I çmendur pas leximit, do të thoja unë … pa asnjë dyshim, por Skënder Sherifi është po aq i dhënë edhe pas kinemasë, teatrit, muzikës, arteve e krijimtarisë në tërësi…


Koen STASSIJNS, (lindur më 1953 në Flandër – Shkrimtar i njohur, poet, autor i disa veprave, por edhe përkthyes (prej gjuhës frënge, gjermane e angleze në gjuhën flamane), ka përkthyer, redaktuar dhe botuar disa antologji poetike, mes tyre dhe një antologji të poezisë moderne të Kosovës dhe Shqipërisë, me titullin: ”Lamento e një zogu”)12 Dhjetor 2011:

Poeti Skender Sherifi u ikën të gjitha rrymave, shkollave, definicioneve, shpjegimeve, etiketimeve në të cilat neve kishim dashur ta fusim, për t’ia lehtësuar vetës punën, dhe për ta fiksuar dikund për gjithmonë, në një sirtar preciz letrar. Së pari, duhet thënë që është një autor super i talentuar dhe origjinal, pa pike dyshimi! Nëse nuk më besoni, urdhëroni dhe binduni vetë, duke i lexuar analizat dhe komentet që ia kanë bërë veprës së tij, një numër autorësh të konfirmuar dhe prestigjioz sikur: Pierre Seghers, Jacques Izoard, Jean-Pierre Verheggen, Patrice Delbourg, Gil Jouanard, Hughes Labrusse, Jean-Marie Piemme, Claude Gudin, Pietro Pizzuti, Denis Lavant, Frédérick Dussenne, Albert Ayguesparse, Francis Chenôt, Alain Antoine, Luc Norin, Francis Mattys, JeanClaude Vantroyen, Jean-Baptiste Baronia, Guy Vaes, Alain Germoz, Ibrahim Rugova, Jusuf Vrioni, Edmond Tupja, Moikom Zeqo, e shumë të tjerë.

Shikoni pastaj se si e prezentojnë autorin, në Fjalorin francez LAROUSSE të Letërsisë Botërore, ku e konsiderojnë në 26 shkrimtarët shqiptar më eminentë të gjitha kohërave, në 7 shekuj letërsi (1400 – 2011)


IDILET E VERËS


Në barin e freskët dhe blu

mbjellim përherë zemrat tona

Do mbijnë frute me tone

me aroma të panjohura.

Të puth ballin e bukur

nën hijen e qershisë

Alkooli i Dashurisë

të ndezi zjarrin e rinisë.

M’i len ca fjalë të ëmbla

lindur nga gëzimi yt

Mund të fluturojmë aq lart

mbi shpirtrat e pa limit.

Në udhnajat e ëndrrave tua

shëtisin mendimet në egzil

Fans i kopshtit të EVËS:

të mëkatojmë në Edenin tim!

LOVE | 109

Në barin e freskët dhe blu,

mbjellim përherë zemrat tona

Do mbijnë frute me tone

me aroma të panjohura.


Në pijetoren ”Sablon”, të Brukselit, Maj 1976

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page