top of page

NINULLA E DJALIT


NINULLA E DJALIT, “10 SHQIPONJAT E TËRBAÇIT” ME SHPRESËN KRYESHQIPONJË NË FESTIVALIN E GJIROKASTRËS, 2023


Ninulla polifonike e Shpresës me grupin “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, sa risi e festivalit, po aq burimore e traditës - një mrekulli etnofolklorike në kalanë e festivaleve të mëdha të Gjirokastrës


MSc. Albert HABAZAJ

drejtues artistik i Ansamblit folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit”


Ku folklori ka kurorën

ku Argjiroja pret Vlorën,

ku kemi ardhur për festë

ku bëhet dasm' e vërtetë.

Shqipëri, me këngë e valle

si një familje e madhe,

lart, në kala ç'pasuri

shpirt i popullit flori…

Qarku i Vlorës u paraqit siç i ka hije në Festivalin Folklorik Kombëtar (FFK) të Gjirokastrës 2023, me 25 numra folklorikë, me një atlas etnofolklorik të mrekullueshëm dhe me një hartë gjeografike të admirueshme, si një kartolinë e gjallë mesdhetare. Ishin rreth 200 festivalistë që vinin nga 7 bashkitë e qarkut të Vlorës: Konispoli, Finiqi, Saranda, Delvina, Himara, Selenica dhe Vlora, që u ngjitën të parët në Kala natën e dytë të Festivalit, të dielën e 25 qershorit dhe tejmbushën skenën e Festivaleve. Polifonia labe, ninulla, kënga vllahe, monofonia, vallja e minoritetit e mbushën me frymë lirike atë natë të rrallë magjike, që shfaqej më madhështore me natyrën liriko-epike, kur kënga dhe vallja burimore gërshetohej bukur me ato bashkëkohore.


Si pjesë integrale e Ansamblit të Vlorës, grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” u përfaqësua denjësisht me ninullën e djalit “Qumësht blete mjaltë zgjoi”, në skenën e Kalasë së Festivaleve të Mëdha, që na dukej si një sofër e shtruar me bujari me këngë e valle të kënduara për dasmën e madhe shqiptare në skenën e kalasë së lashtë të Argjirosë.

Logjika e kësaj paraqitjeje ishte, se vërtet me sakrifica, por mundësinë e kishin pikërisht këto nëna shembullore dhe gjyshe të mrekullueshme që duhet të vinin në Kala me këtë prurje, ku feksi një harmonizim i brendshëm, i domosdoshëm dhe bukur i dukshëm i etnolgjisë me folklorin, që ishte një numër i rrallë, të cilin jo çdokush e bën; sepse atyre dhe pikërisht atyre u takonte vërtetsisht, natyrshëm dhe për nivelin e lartë artistik. Me këtë ninullë zë bazë nisja e jetës, zanafilla jonë dhe kështu transmentohen vlerat folklorike burimore tek të rinjtë, sepse në fund të fundit, janë thesare shpirti. Ky është misioni i grupit, që këto visare të shpirtit t’ua përcjellin brezave me mesazhe të larta jete, edukimi, morale, estetike dhe patjetër shumë artistike. Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” u cilësua ndër grupet më të spikatura të qarkut të Vlorës në këtë festival. Se e vlerësuan si një peshë të madhe ngjitjen në skenën e Festivalit të Gjirokastrës, 2023, u përfaqësuan denjësisht me motivet që paraqitën, prurje burimore qindra vjeçare, si ritet e lindjes me këngë djepi/ ninullë polifonike, realizuar në kushtet e mbijetesës të kësaj pasurie të shtrenjtë, që as shitet dhe as blihet dot. Fuqia e imazhit të kësaj prurjeje, sa të lashtë, aq moderne dhuroi emocione të veçanta tek të pranishtimit e shumtë. Kemi parë e dëgjuar që ninulla interpretohej nga një grua. Po, por kur gëzimi merr përmasa tutje, edhe shpirti i nënës a gjyshes i shpërndan tingujt në familje, në fis, në mëhallë, në lagje, në fshat, përtej lumit e përtej malit dhe mblidhen graria me harè se do t’i vihet emri djalit (në rastin e kësaj paraqitjeje), apo vajzës sipas rastit të lindjes. Ato (hallat, tezet, krushka, kunatat, apo gjitonet etj.,) nuk mund të rrinë statike në skenë, sepse në fakt, te vatra familjare ato nuk rrinë në heshtje, të palëvizshme në shiltè apo lèshe ku janë ulur, apo në këmbë, sipas rastit, ato s’ka sesi të mos e shfaqin kënaqësinë e tyre, kur gjyshja tund djepin e nanuris beben. Kjo ninullë (që në festivalet e mëparshme, së shumti, është paraqitur si interpretim monofonik) erdhi e pasuruar me elementin polifonik, sepse gratë kanë disa vjet që e kanë diskutuar këtë gjë me njëra-tjetrën (të dhjeta janë nëna dhe gjyshe), kanë pyetur nënat apo vjehërrat e tyre (ato që i kanë ende fatlumturisht), kanë pyetur dhe më tutje në mëhallë e miqësi, e kanë bërë prova shumë herë, e kanë prurë në “gonenë” e saj, e kanë pëlqyer vetë, e kanë kënduar për të tjerët (në skena kanë dalur vetëm me një ninullë vajze) dhe publiku e ka pëlqyer dhe vlerësuar në disa veprimtari të rëndësishme folklorike si në Kukaj- Prishtinë, Bylis, Horë dhe Vlorë, ku kanë fituar admirim, duartrokitje dhe çmime). Kjo ishte risia e kësaj ninulle, që kur gjyshe Shpresa vë djalin në gjumë duke i kënduar e duke e përkundur në djep, gëzimtaret, artistet popullore nga Tërbaçi e shoqërojnë atë ëmbël, lehtë, me zë koke, siç dinë ato, që kanë bërë e rritur fëmijë, nipër e mbesa. Si të thuash, e përjetojnë gëzimin, kënaqësinë e qetësinë e gjyshes, e shoqërojnë atë, se ndaj kanë ardhur, që ta ndajnë së bashku gëzimin dhe kështu derë më derë.

Artistja e shquar popullore Shpresa Kapo Çelaj ka rreth 55 vjet me këngën labe, qysh kur ishte në klasën e tretë fillore, e organizuar me grupin polifonik të fatosave të shkollës 8-vjeçare “Halim Xhelo” Tërbaç, ku drejtor shkolle ishte i madhi Kujtim Mici, njëkohësisht poet kryesor i teksteve të këngëve dhe valleve të Grupit të Tërbaçit. Shpresa shkëlqeu si hedhëse në Festivalin e Tretë Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, 1978 me këngën “Gjurmë të kuqe latë mbi borë”, me tekst të Kujtim Micit, ku marrëse ishte artistja e lindur Nazo Dautaj (Diana Ribaj), virtuoze deri në tronditje me zërin e saj. Dhe ishin vetëm 18 vjeçe. 7 çupa. Gjimnaziste të shkollës së mesme “Laze Nuro” Brataj, të cilat në festival u paraqitën si Grupi i 7 Vajzave të Mesaplikut ndërsa kënga e tyre u bë e të gjithëve dhe vlerësua Perla e Festivalit.

Kështu përsëritet historia në një trajtë tjetër. Shpresa, tashmë gjyshe, së bashku me simotrat e saj, që përbëjnë ansamblin sa simpatik aq dinjitoz “10 Shqiponjat e Tërbaçit” i falën magjinë fisnike të shpirtit të tyre të bardhë festivalistëve dhe artdashësve që kishin mbushur Kalanë atë mbrëmje të ngrohtë qershori me këngën e djepit për kapedanin e vogël që u ndriti derën…

Ato janë artiste të vërteta popullore që ditën ta mbanin ndezur me ngjyra të ngrohta dhe të ëmbla shpirti atë natë gjirokastrite, duke i dhënë kështu më shumë hijeshi dhe emancipim Detashmentit folklorik të Qarkut të Vlorës.

Mirënjohje të gjithmonshme për dinjitozet e Labërisë grupin unikal “10 Shqiponjat e Tërbaçit”!

Faleminderit Shpresa Celaj Kapo, Liri Gacaj Shkurtaj, Antoneta Mehmetaj (Antoneta Goxho Mehmetaj), Liljana Kapaj (Lirjana Rrapi Kapaj), Hava Mucaj (Hava Çelaj Muçaj), Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Seferaj (Evjeni Habili Seferaj), Flutura Nanaj, Fatmira Hodo Skendaj, Lavdie Goxho Xhakaj, aq virtuoze si bartëse, ruajtëse, pasuruese dhe përçuese në breza të traditave më të mira të stërgjyshërve, gjysheve, nënave dhe thesaret e shpirtit të tyre, se janë nëna e gjyshe të lumtura, që u këndojnë ninulla/ këngë djepi aq ëmbël, ngrohtë e me dashuri si ato nipërve dhe mbesave të tyre, siç u buron urimi nga shpirti i tyre aq i pasur e i pastër. Kjo është tradita e burimit, kjo është kultura popullore e kultura kështu bëhet dritë dhe ato bëjnë dritë shpirti e janë të ndritura.

Ato u shfaqën siç janë, përcjellëse dinjitoze të vlerave folklorike burimore të trevës, trashëguar nga stërgjyshet, gjyshet dhe nënat e tyre, që dhe vetë po i çojnë më tej, se janë vetë nëna shembullore e gjyshe të mrekullueshme, artiste të vërteta. Një interpretim brilant në harmoni me një veshje që shkëlqen, ky kostum ceremonial vërtet dinjitoz, stafetë e pasuruar e veshjes popullore për gratë tërbaçiote, ardhur sipas Historikut të Tërbaçit, të paktën që nga shek. XVII. “10 Shqiponjat e Tërbaçit” përçojnë brezave ato tradita të bukura, që zanafillën e kanë në këngët e djepit, në vënien e emrit, në jehonën e gëzimit, që buron nga shpirti, se lindi një jetë, një djalë (në rastin e ninullës “Qumësht blete, mjaltë zgjoi” e gjyshja e ndan me familjaret e më tutje. Ta marrë vesh bota që nusja lindi djalë!... Janë vargje lakonike, vetëm 10 vargje (5 strofa dyshe) të thjeshta, jo bombastike, por të dala nga gurra e zemrës në 2’ e 16’’. Ja si shprehet poeti dhe regjisori Gentjan Banaj: “Një realizim i sinkronizuar mrekullisht dhe që përcjell ngrohtësinë e nënës e traditën e këngëve të djepit. Suksesi dhe frytet e punës së 10 Nënave Shqiponja janë të padiskutueshme" Nërsa Edlira Derjai shkruan: “Ndërmarrje e lavdëruar. Sa bukur gratë që bëjnë punë dore”. (Të më falë zonja, që nuk e njoh, por sinqerisht, e falënderoj nga zemra për fjalët). Ing. Evarist Koliçi shprehet me gjuhën e tij: “Suksese progresive me rritje eksponenciale”.

Është një ansambël kompakt, unik, në shtrat të Tërbaçit me Kryeshqiponjë Shpresën e lum ne që e kemi, për atë zë shpirti të pastër, kumbues ku çdo fjalë tingëllon bukur, siç dinë gjyshet që përkundin nipin në djep.

Ninulla e “10 Shqiponjave të Tërbaçit” me Shpresën është vlerësuar si “Tjetër arritje në artin folklorik”. Një ninullë për kopertinë, një mrekulli madhështore jo vetëm në llojin e vet, një numër i rrallë, që i dha shkëlqim të ëmbël dhe të ngrohtë skenës dhe kalasë së festivalit. Fjalë nga më të mirat dëgjojmë për grupin “10 Shqiponjat e Tërbaçit”: “Të mrekullueshme. U trashëgofshin brez pas brezi traditat, kultura dhe pasuria jonë folklorike!”

Të shumta janë rastet me urime të shkallës sipërore, si dashamirësja e grupit Vita Vreko, emigrante në Greqi që shkruan: “Jeni fitueset e festivalit, më të mirët”. Ndërkohë që ne, grupi e ka të qartë që nuk ka vend e arsye për t’u gremisur nga lëvdatat, qoftë ato që qëndrojnë, qoftë ato që nuk i shkojnë kostumit tonë. Por, është interesante, se janë të shumtë dashamirësit, artistë me emër, kolegë, studiues të etnologjisë dhe folklorit në Shqipëri e Kosovë, si folkloristja e shquar e Institutit të Albanologjisë, Prishtinë, prof.dr. Arbnora Dushi që shprehet: “Urime! Sa bukur!”

“Sa më kënaqe moj Shpresa, me ninullën e nënave tona! Ti je modeli më mirë i gruas Tërbaçiote. Ti je modeli i këngës dhe i valles Labe. Ti je modeli më i mirë i shoqërisë kolektive!” - shkruan mësuesja Meri Smaci, aq e pasionuar pas grupit dhe artistes. Në zërin e saj, në shkrimin e saj jemi të gjithë ne, që e njohim sadopak dhe e duam aq shumë këngë labe, sidomos polifoninë femërore.

Edhe sikur të ishte tërbaçiote, studiuesja dhe poetja izraelito-shqiptare Rashel Solomon nuk do të shkruante me kaq dashamirësi: “Bravo grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, për ruajtjen e traditës së bukur shqiptare jo vetëm në përhapjen e muzikes labe por e gjithë veprimtaria juaj është model e historia dhe brezat do t'ju falënderojnë”.

Intelektuali dhe valltari i shquar i grupit tw Vranishtit Bashkim Canodemaj shkruan:

E ndoqa me vëmëndje të madhe këtë prurje të “10 shqiponjave të Tërbaçit” në festival dhe mund të theme se ishte nga prurjet e rralla burimore folklorike që zbukuroi vërtetë festivalin. Unë s'mund ta kuptoj dot një festival kombëtar folklorik ku mund të mbledhësh zëra të spikatur të këngës, të cilët mund të jenë të mrekullueshëm, por nuk përfaqësojnë me kartë identiteti asnjë fshat si cellulë e parë e kombit shqiptar, për këngën Labe apo traditën në origjinë, përveç Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve. Ky ansambël i vërtetë tërbaçiotë që përfaqëson plot dinjitet Tërbaçin, por në mungesë të ndonjë grupi tjetër edhe Labërinë për këngën grarishte, është meritë e këtyre pjesmarresve me pasion e dëshirë, me cilësi të spikatura si Labe të vërteta, por edhe e profesorit që ka marrë shumë nga tradita e këngëtarëve e valltarëve elegantë të Tërbaçi që do të doja ti përmëndja edhe me emër, por po cilësoj vetëm Kujtim Micin si poetin që shkel mbi borë, mbi lule dhe brenda shpirtërave njerëzor, Albert Abazin, biri i atij vendi që e përkundi për të na dhuruar kaq e kaq ëmbëlsi e dashuri në këto kohë. Ju uroj shëndet e jetë të gjithëve si Ansambël dhe suksese të mëtejshme!”

Mësuesi veteran, Poeti lirik Hiqmet Mehmetaj shprehet: “Urime dhe suksese pa fund 10 shqipeve të Albert Habazajt ! Njē thesar i Labërisë i gërmuar dhe i nxjerrë në dritë si një pasuri e madhe kombëtare. Trashëgimni kulturore që do të pasohen nga brezat. Respekte për këtë ushqim shpirtëror që na mbush me oksigjen !”.

Shkrimtarja shqiptaro-kanadeze Esmeralda Zace Bregaj (e cila nuk njeh asnjë nga anëtaret e grupit) shkruan: “E pashë në televizor live, shumë emocionuese! Na ktheu fëmijë”...

Aktori i mirënjohur i teatrit “Petro Marko” Vlorë, Ilirian Ali, njohës i folklorit, këngëtar shumë i mirë dhe vëllai i marrësit brilantit të Tragjasit Tartar Avduli shprehet: “Bukur, e veçantë dhe por me shumë vlerë”.

Artistët e mëdhenj, ata të vërtetët, dinë të vlerësojnë; vogëlushët bëhen xhelozë. Ja si shprehet këngëtarja e shquar, zemërbardha Bardha Brahimaj (Fatbardha Hosi, që në Festivalin Foklorik Kombëtar të Gjirokastrës, 1988 u paraqit me ninullën monofonike “Rritu, se të pret martina”: “Ju lumtë goja që mbani gjallë traditën dhe ritet e bukura labe!”

Mësuesja Rita Hasanaj, mjeshtre e arsimit shkruan: “Keni shkëlqyer me këngën e djepit”.

Po të merremi me komentet dhe vlerësimet aq dashamirëse që i bëhen Grupit, ndoshta do të mbushej një libër për Shqiponjat e Tërbaçit si mbrojtëse të traditave labe, por po shkëpus dhe një fjalë nga Jolanda Lekaj, motra e polifonikut të spikatur Nertesi Asllani, poetit të paharruar të Labërisë: “Ndrisni të gjitha dhe Shpresa me atë zërin e ëmbël shkëlqente si rreze drite. “10 Shqiponjat e Tërbaçit” - i vetmi grup karakteristik që ruan vlerat folklorike të zones dhe përpiqet pa fund t’i promovojë ato”.

Dhe ne ndihemi mirë kur thonë: Bravo Tërbaçi! Shkëlqeni yjeee! Dhe marrim të tjera përgjegjësi morale, shpirtërore dhe artistike mbi supe...

Në fakt, ku ka më mirë se t’i këndosh si “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, aq bukur e me shpirt mjaltit të mjaltit!

Si bartëse të rralla të vlerave folklorike të krahinës së Labërisë, ishte misioni që duhet realizuar me ninullën dhe pikërisht nga ATO, 10 SHQIPONJAT E TËRBAÇIT e kryen përsosmërisht.

Të mrekullueshme vërtet. Shprehem kështu jashtë çdo emocioni dhe prandaj e vonova këtë shkrim për publikim, që të mos ndikohesha nga subjektivizmi im, të dëgjoja të tjerët dhe ta vlerësoja këtë prurje të Grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” me Shpresën në krye, jo si i tyre, por si një tjetër, sepse Ninulla polifonike e Shpresës me grupin “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, ishte sa risi e festivalit, po aq burimore e traditës - një mrekulli etnofolklorike në kalanë e festivaleve të mëdha të Gjirokastrës.

Ja dhe teksti:

QUMËSHT BLETE, MJALTË ZGJOI

Ninullë/ këngë djepi

Teksti: Albert Habazaj

Këndon (nis si monofoni): Shpresa Kapo Çelaj [Kjo ninullë interpretohet nga Shpresa Kapo Çelaj, si folklor dhe etnologji shoqëruar nga “10 Shqiponjat e Tërbaçit” me mizanskenë - një sfond femëror me atmosferë shtëpie: nusja çon djepin vjehrrës të nanuris nipin për ta vënë në gjumë dhe pastaj shkon te zonjat/ gratë e plakat e shtëpisë: kunatat, hallat, tezet ..., të cilat, me zë të ulët mund të bisedojnë, bëjnë jehonë shpirti gëzimit e natyrshëm merren me punë dore, ndërsa nusja u bën kafe, çaj a sherbet gëzimi. Shprehin gëzimin me hove të ngrohta e të ëmbla melodike, duke realizuar kështu një ninullë polifonike: Liri Gaçe Shkurtaj, Antoneta Goxho Mehmetaj, Liljana Rrapi Kapo, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habili Seferaj, Flutura Nanaj, Lavdie Goxho Xhakaj, Hava Çelaj Muçaj; drejtues artistik Albert Habazaj.

[në sfond me mbushje me zë koke, si mërmërimë e ëmbël që merr jehonë për të dhënë një mesazh me iso gurgulluese: “O shoqe, o motra, o nëna! Një djalë na erdhi në jetë”…]


Nina - nina djalin-ë,

O ëngjëll i vogël-ë!

Llaj-llaj e nina-nina! [ref.]

O lezeti ynë në djepe

O yll i bukur me cepe.

O gjerdan i art’ për gushe

Shtëpinë me drit’ ma mbushe.

Qumësht blete, mjaltë zgjoi,

Të më bëhesh si dragoi!

Gjum’ i ëmbël, gjum’ i bardhë

Mbi ballë të djepit ka ardhë!

84 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page