Nimfa që foli herët...
(Edicioni i 8-të i manifestimit poetik “Trirema e poezisë joniane”)… dhe si një mesazh për Edicionin e Ri 2021
Fatmir Terziu
Jo shumë larg nga vendi ku trajektorja poetike e ditëve të fundit lëvizi, pra edicioni i 8-të i manifestimit poetik “Trirema e poezisë joniane”, përgjatë brigjeve joniane, thuhet sipas arkivave britanike, se aty rreth viteve 1315-të, u gjet një afresk. Afresku u gjet gjatë gërmimeve të bëra në prani të Mbretit të Napolit. Afresku i bukur, përfaqësonte një grup nimfash me sytë e tyre të kthyera nga qendra e figurës. Prapa tekstit zbulohej një dashuri rinore, që vinte dhe dergjej nga një rrugëtim i gjatë, që sipas tekstit ishte mbi një triremë (triremis ose fjalë për fjalë ‘tre-rremtarë’), dhe që teksti poetik e sillte si të ishte një pëshpëritje, një mister. Në këtë zbulim fjala ‘triremë’, që pasohej deri atëherë si një amësi fjalësh mes grekes dhe latines, derivoi emrin e vet nga tre rreshtat e saj të ngarë qetazi nga një njeri në bashin e anijes së lashtë, ose më saktë në ngarjen e tij ‘nga tre rema’.
E lashta udhëtesë mesdhetare e qasur në brigjet joniane, ajo skutë e lashtë e qytetërimeve detare të Mesdheut, ishte një habi dhe një sekret që pasoi të pazbuluarën e përtej pamjes së nimfave deri në vitin 1836, kur një deshifrues papirusesh e zbërtheu atë me sistemin Collini. Prapa enigmës së saj ishte një histori, një filozofi dhe sekreti nuk ishte më i tillë. Bukuria nimfore fliste në artin e saj dhe arti i saj jepte kohëdatimin e shkrimit, që sipas atij sistemi që e deshifroi i përkiste kohës kur në tryeza ishte me bollëk rrushi, dhe vera sapo bëhej gati për dollinë e dashurisë. Teksti ishte sa domethënës, aq edhe poetik. Kjo pasoi mjaft lëvizje të mëvonshme që u qasën deri në edukimin dhe zbulesat e fqinjëve të jugut dhe perëndimit tonë. Arsyet që pasuan forcën e asaj zbulese dhe më së shumti tekstin e saj të dashurisë njerëzore ndoshta janë vetë fati që ne ende e ndjejmë arsyen e bukur nimfore si frymëzim. Aty është edhe një skenë me petkun e një bariu Jonian, që sipas tekstit asaj dashurie i ofroi madhështi e lavdi të kësaj bote, që vetëm një zemër e mbushur me dashuri, besim, dhe nder mund ta realizonte aq mirë e bukur.
Por kjo është edhe një arsye ndoshta, që forcon bindjen se përse prej datës 26 shtator, deri më 28, në ambientet e Grand Hotel Saranda u mbajt edicioni i 8-të i manifestimit poetik “Trirema e poezisë joniane”, që sipas protagonistwve dhe të pranishmëve në komentet dhe shprehitë e tyre e cilësojnë gati sinonime me atë çfarë papirusi mbante sekret. Pra dashurinë dhe respektin me një mikpritje poetike të përkryer. Ajo që poeti dhe ideatori i saj, Agim Mato e citon ishte ‘Konceptimi i saj si një premierë ku të gjithë ishin aktorë dhe spektatorë’ në një farë mënyre plotëson sekretin e mbarëvajtjes. Pra, si në një anije të lashtësisë, ku të gjithë në lëvizjen e saj, ishin të barabartë edhe në këtë manifestim poetik, poetët e shumtë të ftuar nga treva të ndryshme të Ballkanit dhe ato shqiptarë, ishin të barabartë. Ata kësisoj sipas Matos, ndoqën dhe morën pjesë në këtë spektakël poetik, të shoqëruar nga interpretimi i aktorit dhe regjizorit Vangjel Agora, nga violina e Genti Xuxit dhe nga shfaqja në ekran e kartelës së secilit poet, të cilit i konfiguroheshin në hapësirën e sallës përfytyrimet poetike që merrnin jetë para dëgjuesve kolegë.
Ndërsa fjala ‘triremë’ derivon në kohë, hapësirë dhe vend, ajo shpesh përdoret edhe për t’iu referuar galerave moderne. Me të lidhet edhe ai papirus që solli nimfat e çuditshme, misterin e të cilave e pasoi një histori me thelb dashurie. Papirusi Pompeian me një lidhje joniane, që njihet si historia e një afresku misterioz, nuk mbeti i destinuar të ishte një sekret i përjetshëm, siç e thamë atë e zbërtheu sistemi Collini, dhe e tejçoi atë të flasë më tej. Natyra e saj me një letër gjysëm të kalcinuar mbante brenda saj veç sekretit edhe këtë histori dashurie, që edhe sot ka peshë në mjedise të ndryshme shkencore:
“Oh, Callias! Jam lodhur nga bota”.
“Ju jeni i gabuar, Sempronius; ju jeni lodhur nga çdo gjë me përjashtim të botës”.
“Unë e di atë që jam duke thënë, Callias, dhe unë jam me zell. Por si mund të bëj të më besoni në çdo gjë, ju jeni një skeptik nga profesioni, një mendje athinase, një molë që flirton nga një lule në një lule nëpër kopshtet e punuara prej marrëzisë së njeriut, si mund të besoni në një neveri të gjetur të cilën gjithë toka e përmban si të tillë? Ju jeni një kafshë epikuriane”.
“Jo, filozofi im melankolik, unë jam një epikurian i vërtetë, i prerë në miqësi dhe në dashuri për kënaqësi do ta them në të dyja. Unë jam mizor vetëm për të varfërit e shtëpisë, dhe kjo orë pështjellimi e imja është më e thellë se mërzitja, zemërimi, qejfmbetja, është se do të jem një njeri dhe mjafton vetëm kaq të jem një njeri në dashuri...”
Dhe në qoftë se ajo dashuri kishte rezistuar atëherë, pra në kohën e papirusit të arkivave, ajo do të kishte qenë më shumë se sa thuhet, ose më pak e vdekshme. Në atë dashuri shkruhet se “Ajo nuk ishte enigmë, ajo ishte një grua, e vërtetë si natyra, e prekur nga impulset e ëmbëla të natyrës. Kishte triumfuar në rezistencën e saj, tani unë triumfoj në paraqitjen e saj. Unë e pashë me gëzim se bukuria e saj nuk ishte bukuria e një statuje. Fytyra ime u ngjye si ngjyra rozë e vjedhur në shkëlqimin e saj. Një lot ra nga sytë e saj, dhe sytë e mi ishin të lagësht. Me një psherëtimë dhe një buzëqeshje ajo pranoi. Fuqia e zemrës mbi zemër, dhe me lot të heshtur gëzimi la veten të bjerë mbi gjirin e Jonit...” Dhe aty pinë e u dehën breza të tërë poetësh, derisa erdhën ditët e edicionit të 8-të të manifestimit poetik “Trirema e poezisë joniane” dhe ekipit të mrekullueshëm që dirigjohet prej Matos, Agimit të poezisë shqipe.
Comments