top of page

Nikolla Sudar: TË SHKUARA, POR… TË PAHARRUARA….



Nga Nikolla  Sudar,

historian e përkthyes (“Mjeshtër i madh”).


(Mbresa kushtuar gazetarit “rebel”, krijuesit të talentuar e të pamposhtur

FAIK BALLANCA).

         

Intelektuali „rebel“,

dhe i pamposhtur   FAIK BALLANCA.

 

          Njeriu përjeton gjatë jetës së tij ngjarje nga më mbresëlënëset, por ka nga ato që nguliten fort në kujtesë dhe që i vënë vulën të ardhmes së tij. Njëra prej tyre ka lidhje me figurën epike të intelektualit të shquar të kohës së diktaturës, të gazetarit dhe krijuesit të mirënjohur e të talentuar, FAIK BALLANCA, që u nda shumë shpejt nga jeta.       

Ishte vera e vitit 1971 dhe jehona e një ngjarjeje do të linte shije shumë të hidhur për një kohë të gjatë. Në atë kohë redaksinë e revistës prestigjioze “NËNTORI”, e drejtonte shkrimtari i mirënjohur Fatmir Gjata; rubrikën e artit e mbulonte piktori dhe studjuesi i fushës, Andon Kuqali, ndrsa problemet e letërsisë i mbulonte gazetari energjik, dhe “rebel“, i paharruari Faik Ballanca. Revista kishte botuar në disa nga numrat e saj librin kushtuar babë Myslymit dhe Pezës, me titull “NËPËR PEZËN PARTIZANE”, të autorit Sali Verdha. Jo vetëm sot, në këndvështrimin e saktë kësaj ngjarjeje, por edhe në atë periudhë, kur ideologjia sunduese komuniste synonte ta shndërronte “njeriun e ri” në robot plotësisht të bindur, përmbajtja  e librit në mjaft raste linte një shije shumë të hidhur.

         Unë do të ndalem tek analiza tendencioze, aspak reale, madje denigruese ndaj figurës së kreshnikut të Shqipërisë së Mesme, QEMAL DELIALLISIT. Atë libri i ri e quante rebel, imoral dhe antikombëtar.


Por cili ishte në të vërtetë Qemal Deliallisi?

      

   Ai ishte një djalë shijakas, tipograf në Tiranë, i cili kishte qenë dënuar nga regjimi në vitin  1936 me burgim të rëndë, por që doli prej tij pas pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Menjëherë ai vajti në Pezë dhe u bashkua me çetën e Babë Myslymit. Këtu u dallua për trimëri të rrallë, madje në një rast u plagos randë për të shpëtuar djalin e Babë Myslymit, Skënderin. Jehona e këij trimi ngjalli xhelozi ekstreme në Pezë, prandaj në qershor të vitit 1941 ai u largua nga Peza dhe krijoi çetën e parë atdhetare në zonën e Shijakut, me pesë anëtarë. Në bagazhin e vet kjo çetë ka një sërë përleshjesh heroike me fashistët. Më 1 qershor 1942 Qemal Deliallisi dhe zëvëndësi i tij, Fadil Vezi, u gjendën të rrethuar nga milicia fashiste në fshatin Sallmonaj të Shijakut, ku pas një beteje heroike disaorëshe, Qemali mbeti i vrarë, kurse Fadili mundi të çajë rrethimin.

       Nisur nga dokumetacioni i shumtë që ndodhej në Arkivën Qëndrore të shtetit, në Tiranë, unë, në krye një grupi arsimtarësh shijakas, hartuam një letër, ku jepnin realitetin kushtuar figurës së Qemal Deliallsit. Këtë letër ia dërguam redaksisë së revistës “Nëntori” për ta botuar. Pikërisht përmbajtja e saj krijoi një situatë shumë të ndërlikuar e të rrezikshme për grupin studjues. Domethënin e letrës e përbënte fraza sintezë: „Fashizmi nuk e pranon Qemalin, sepse e ka luftuar, „ne“ e mohojmë, atëherë lind pyetja: „A mund të qëndrojë në hava kjo figurë epike kaq e dashur për popullin e Shqipërisë së Mesme, që i ka ngirtur këngë trimërisë dhe atdhetarizmit të tij?“. Letra u quajt ”tendencë e qëllimshme për të denigruar Myslym Pezën, figurën e dytë popullore pas Enver Hoxhës”, gjë që nuk ishte e vërtetë. Ne donim te hiqej balta e hedhur nga Salë Verdha për Qemalin dhe shpalljen e tij dëshnor i atdheut”.

        Pikërisht në këtë kohë do të fillonte ai kalvar i paprecedentë i sulmeve kundër meje si drejtues grupi, që zgjati tetë muaj rresht. Nën një presion të jashtëzakonshëm u  vu redaksia e revistës “Nëntori”, sepse kishte pranuar të merrte letrën ”poshtëruese”, sipas autoriteteve në qendër. Filluan kërcënimet e njëpasnjëshme, thirrjet në mesnatë në Komitetin e partisë në Durrës, ofendimet  banale nga drejtuesit në Shijak (humanisti liberal, i paharruari Iljaz Reka, në atë kohë sekretar i parë i Komitetit të Partisë për rrethin e Durrësit e mbështeste në heshtje qëndrimin tonë). Unë u izolova plotësisht, Fatmir Gjatadhe Andon Kuqali  nuk u thyen, por disi u tërhoqën, kurse në ballë të situatës doli i paharruari Faik Ballanca. Ai, midis në rreziku evident, erdhi disa herë në Shijak për të më takuar dhe për të më dhënë kurajo. Takimi edhe me të vëllanë e Qemalit, veteranin Enver Deliallis, që kishte 12 plagë në trup, si pasojë e torturave në kampin e nazist të Prishtinës, e tronditën thellë djaloshin gazetar. Nga lart u krijua një grup pune për të shuar këtë “rebelim”, i cili mori përmasa, sepse me dhjetra fshatarë të ndershëm të zonës, ish strehuesit e çetës nga shumë fshatra të Shijakut iu drejtuan Komitetit Qendror, që Qemali të shpallej dëshmor. Në qendër u ngrit një grup pune më në krye instruktorin e Komitetit Qendror, Shyqyri Ballvora, i cili u përpoq me të gjitha forcat për të mposhtur qëndrimin e redaksisë si edhe atë të grupit tonë studjues. Ndërkohë u morën masa ekstreme ndaj mjaft përkrahësve të Qemalit në Shijak nga drejtuesit e bazës. Faiku u ndesh me kurajo të madhe me Shqyqyri Ballvorën, i cili e kërcënoi me pasoja të rënda për qëndrimin e paepur ndaj Qemalit. Situata u ndërlikua shumë por falë dy kuadrove të paharruara të kohës, Iljaz Rekës, sekretar i Komitetit të partisë për rrethin e Durrësit dhe ushtarakut të lartë, Halil Zeneli, unë shpëtova nga burgu, por mora vërejtjen e rëndë me paralajmërim për pushimin nga puna. Gjithashtu u kritikua rëndë i gjithë stafi i revistës “Nëntori”, për qëndrimin e mbajtur, por veçanërisht u godit rëndë Faiku, i cili për asnjë cast nuk u lëkund në qëndrimin i vet. Më kujtohen fjalët e zjarrta të këtij gazetari të paepur: “Si rrallëherë jam entuziazmuar nga jeta dhe veprimtaria e kreshnikut shijakas Qemal Deliallisi dhe më vjen shumë keq sesi arrihet deri atje sa të hidhet kaq shumë baltë kundër këtij trimi i cili duhet shpallur „Hero i Popullit. Si mund të denigrohet kaq rëndë një figurë kaq popullore si Qemali, të cilit, që nga viti 1942 populli i këndon këngë këtij kreshniku të paepur?“

        Për turp të diktaturës autoritetet u detyruan ta shpallin Qemalin „viktimë lufte”, kur ai kishte dhënë jetën në moshën 24-vjeçare, në përleshje me milicinë fashiste.

       Por konsekuenca unikale këtij intelektuali të shquar do t’i kushtonte shtrenjtë. Periudha menjëherë pas Plenumit famëkeq të 4-t ka hyrë në histori si ndëshkim me shpatën e Demokleut ndaj çdo risie në art e kulturë dhe pasojat do të ishim si ato  të Inkuizicionit mesjetar. Këtij rrebeshi nuk do t’i shpëtonte as letrari i mirënjohur Faik Ballanca. Ai u vu në shënjestër për gjoja „shfaqje të huaja në letërsi“. (Diktatura nuk mund t’ja harronte edhe qëndrimin e paepur në çështjen e Qemal Deliallisit). Kritikat denigruese ndaj tij arritën deri atje saqë ai nuk i duroi dot dhe kaloi në depresion,  gjë që i kushtoi jetën në moshën më të bukur(vetëm 32 vjeç) këtij gazetari dhe letrari që premtonte shumë. Faiku la pas kujtimin e një intelektuali të shquar, që u përlesh dhëmb për dhëmb me diktaturën më të egër të kohës.

        Njerëz të tillë si FAIK BALLANCA përbëjnë krenarinë, jo vetë të gazetarisë, por edhe të popullit shqiptar.

 

 Tiranë, më 11 tetor 2024.

15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page