
Të nderuar miq, bashkëqytetarë shijakas dhe dashamirës,
Është nder dhe kënaqësi e veçantë edhe për mua që t’ju paraqes librin tim të dytë, të titulluar “SHIJAKU – KY OAZ FISNIKËRIE, ATDHETARIE DHE HUMANIZMI”. Ky libër është vazhdim i botimit të parë “COPËZA JETE”, i publikuar në vitin 2007. Në të do të gjeni pjesërisht materiale të njohura, por shumicën e përbëjnë të dhëna të reja, të publikuara në shtypin e përditshëm, sidomos në fejsbuk, si edhe të tjera, të të zgjeruara, ku jam munduar të pasqyroj gjjithanshmërinë historike të trevës së Shijakut.
Materialet janë kryesisht të vjelura nga dëshmitarë të ngjarjeve, nga veteranë të luftës për liri, materiale arkivore si edhe nga përditshmëria, e cila të jep informacion të bollshëm.
Siç e kam theksuar vazhdimisht, qëllimi im është të pasqyrojë momente të rëndësishme të jetës politiko-shoqërore dhe ekonomiko-kulturore në periudha të ndryshme, me karakteristikat e veta të Shijakut dhe të rrethinave të tij. Trajtimi i tyre është bërë duke u bazuar tek ndarja e hershme administrative, kur nënprefektura e Shijakut përfshinte territorin nga Ndroqi e deri në Prezë, me mbi 64 fshatra.
Asnjëherë nuk kam pretenduar të mbaj monopolin e historisë lokale, por, nisur nga botëkuptimi im, jam munduar të analizoj ngjarje që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme si dhe figura që nuk kanë kusyer asgjë në të mirë të popullit dhe atdheut. Ato janë produkt i një reflektimi thjesht personal, pa shumë pretendime.
Gjykimi dhe vlerësimi i librit i takon lexuesit të nderuar.
Nikolla Sudar - “Mjeshtër i madh”,
historian, përkthyes
Shijaku në vitet 40 të shekullit të kaluar…

Në perlat e Shqipërisë së Mesme, Shijaku ynë i dashur, zë (mjafton të kujtojmë thënien-lapidar të kreshnikut të maleve Bajram Curri: “Shijaku me të drejtë mund të quhet “Malësia e Madhe e Shqypnisë së Mesme”), njihet qysh në lashtësi. I ndodhur në pastokën e Durrësit, vetëm 11 kilometra larg kësaj qendre të famshme në të gjithë Mesdheun, ai përmendet edhe në regjistrin kadastral turk të vitit 1431-32. Qyteti është ndërtuar mbi një kodrinë të butë me lartësi 30 metra mbi nivelin e detit, ku dikur ka ekzistuar kisha e Shën Jakovit, prej nga e ka burimin vetë emërtimi Shijak, i këtij vendbanimi, të cilin e mban edhe sot.
Lumi Erzen, 91 kilometra i gjatë, e ndan qytetin në dy pjesë, duke i dhënë një bukuri të veçantë. Jo më kot Shijaku i tërhoqi vëmendjen mjeshtrit të madh evropian të fotografisë, Marubit, i cili, në vitet 30 të shekullit të kaluar, atë do ta quante: “… qytet provincial perëndimor”. Kartolinat e bukura me pamje të qytetit për dekada me rradhë do të qarkullonin si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Fiset më të vjetra të Shijakut janë Kërtajt, Deliallisët, Keçtë dhe fisi Kasa. Pas Kongresit të Berlinit me dhjetra familje boshnjake, për t’i shpëtuar sundimit të ri austro-hungarez, u larguan nga vendlindja dhe u vendosën afër qytetit, duke krijuar fshatrat e përmendura Koxhas dhe Borake. Këtu ata gjetën mikpritjen e vërtetë dhe u bënë banorë të denjë të kësaj treve.
Me ferman të veçantë, në vitin 1880, Shijaku u shpall kaza (nënprefekturë), duke pasur në varësi rreth 68 fshatra, ku përfshiheshin Ndroqi, Peza e Vogël, Sauqeti, Rromanati, vetë Shijaku, Sukthi, Maminasi, Marikaj, Ishmi dhe Preza. Kajmekami (nënprefekti) i parë i kësaj qendre urbane u bë atdhetari Sali bej Deliallsi.
(Në vitin 1949 Shijakut iu hoqën arbitrarisht fshatrat e Ndroqit, Prezës dhe Marikaj (në vitin 1962) e iu bashkangjitën Tiranës).
E tërë kjo trevë historikisht është e përmendur për atdhetarizëm, trimëri e bujari. Populli i saj ka dhënë kontributin e vet në të gjitha ngjarjet madhore të vendit. Me dhjetra banorë të kësaj treve janë rreshtuar në Ushtrinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa mjaft të tjerë kanë marrë pjesë në luftimet për mbrojtjen e Ulqinit, në vitin 1880. Çetat atdhetare të komanduara nga patriotët Ibrahim Kërtusha, Mak Troplini, Osman Picari etj., mbajtën gjallë frymën patriotike dhe u bënë tmerr për pushtuesit turq gjer në Shpalljen e Pavarësisë.
Në mesin e Nëntorit 1912 populli i Shijakut zgjodhi përfaqësuesit e vet për në Kuvendin e madh të Shpalljes së Pavarësisë. Ata ishin patriotët: Ymer Deliallisi, Ali Shahini dhe Xhemal Deliallisi. Në pamundësinë për të ngritur flamurin në Durrës, karvani i patriotëve më në krye plakun e urtë Ismail Qemali, mori drejtimin për në Vlorë. Me dhjetra shijakas, të komanduar nga togeri patriot Masar Deliallisi bashkë me vullnetarë të tjerë, morën në mbrojtje karvanin e përfaqësuesve nga të gjitha trevat e vendit. Në mëngjesin e datës 27 nëntor 1912 delegatët e Shijakut i nisën një telegram qytetit të vet, ku theksohej:
Parësisë – Shijak
Durrësi, Tirana e Elbasani e shpallën indipendencën.
Ju, në mos e paçi shpall, shpallnie sa ma parë dhe na lajmëroni.
Delegatët.

Në mes të një entuziazmi të paparë popullor, me datën 27 nëntor mbasdite, në ballkonin e nënprefekturës u ngrit flamuri kombëtar, kurse në procesverbalin e Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor të vitit 1912, në Vlorë, përjetësisht kanë mbetur edhe firmat e patriotëve shijakas Ymer bej Deliallisi, Xhemali bej Deliallisi dhe Ali Efendi Shahini.
K U J T I M E
(Ymer bej Deliallisi):

“Në vitin 1912, kur plaku i Vlonës dul në Durrës e do të nisesh për në Vlonë me shpall indipendencën shqiptare, mora pjesë bashkë me kushërinin tim, Xhemal Deliallisi, si delegatë të nënprefekturës së Shijakut. Sot, ruj kujtimin e shtrejtë të asaj tube historike atdhetarësh që përçau fushën e Myzeqes, e cila ato ditë kje e transformume në nji knetë të gjanë nga shiu i dendur.”- shkruan Ymer Deliallisi në kujtimet e tij... - Njerëzit e tij, jo vetëm u bënë dëshmitarë të ceremonisë historike të Vlorës, por ata më herët morën përsipër sigurimin e karvanit të Ismail Qemalit në rrugëtimin drejt qytetit të pavarësisë. Këtë e pasqyron mjaft mirë në kujtimet e tij nënshkruesi tjetër i aktit të pavarësisë, Ferit Vokopola:
“Më 21 nandor na lajmëronte Hamid bej Toptani me Servis Telegrafik nga Durrësi se Ismail beu arriti dhe janë marrë masat e duhura deri në Shkumbin në shoqërim të Z. Ymer bej Deliallisit me shokë..” (Revista “Njeriu” - Ngritja e flamurit kombëtar (Nr 5, 1942, fq 3-7)“.
Siç dihet Shijaku është një nga qytetet ku flamuri u ngrit para se të ngrihej në Vlorë. Porosia u dha që kudo të shpallej Pavarësia para se serbët te hynin ne Shijak.
“Nga Vlora, - shkruan Ymer Deliallisi ne kujtimet e tij - i drejtova nji telegram parisë së Shijakut, që të ngrinin Flamurin Kombëtar.” Ky telegram pasqyrohet në “Dokumentet historike”, të Lef Nosit, 1924, Nr.4. fq. 107. Teksti është ky:
“Durrsi, Tirana dhe Elbasani shpallën indipendencën. Ju në mos e paçi shpallë, shpalljeni sa ma parë dhe na lajmëroni. Për formalitetet e rastit pytni Durrësin, Tiranën dhe Elbasanin.“
Sa morën mesazhin, shijakasit reaguan me shpejtësi. Nën drejtimin e parisë së qytetit shpallën pavarësinë.
Cili ishte Ymer Deliallisi?
Ai u lind në Shijak më 1873. Emigroi herët në kolonitë e shqiptarëve jashtë atdheut, nga ku mori formimin e parë të tij si veprimtar i lëvizjes kombëtare. Bashkë me miqtë e tij Abdi e Murat Toptani, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme, e cila çoi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Deliallisi mori pjesë në këtë ngjarje historike dhe firmosi çertifikatën e lindjes së shtetit shqiptar, me siglën “Ymer”. Duke qenë rrugës për në Vlorë, në përcjelljen që i bëri Ismail Qemalit, ai i dërgoi telegram veprimtarëve që ndodheshin në Shijak që ta ngrinin flamurin kombëtar sa më parë. Kundërshtar i politikës së Esat pashë Toptanit dhe përfaqësues Shijakut në Kongresin e Lushnjes. Viti 1920 shënon ngarkimin e tij me detyrën e kryetarit të bashkisë së Shijakut. U mpleks me kryengritjen e vitit 1922 dhe pas dështimit të saj, u largua jashtë vendit. Pas disa vitesh, i kthyer në atdhe, u arrestua e u burgos. Më pas iu vu veprimtarisë tregtare dhe materializoi ndihmën ndaj luftës antifashiste. I internuar nga nazistët, vdes në burg, në Tiranë më 1944.

“Secila familje me të shkuar patriotike gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë mori goditje të rëndë nga regjimi komunist dhe një prej tyre është dhe ajo e Ymer Deliallisit. Një patriot i shquar që është ndër firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë dhe njeri me emër në zonën e Shijakut, Durrësit dhe Tiranës. Goditja ndaj pinjollëve të Ymer Deliallisit filloi që në periudhën e luftës. Në fillimin e vitit 1944, ekzekutohen pa gjyq nga forcat partizane në fshatin Arbanë, Kapllan dhe Jakup Deliallisi (vllezërit e Ymerit). Po atë ditë, ekzekutuan edhe djalin e tij, Shefqet Deliallisi. Krime që mbuloheshin shpejt e nuk linin gjurmë, pasi ishte periudha e vështirë e kohës së luftës, por me çlirimin e vendit dhe ardhjen në pushtet të komunistëve të drejtuar nga diktatori Enver Hoxha, nisi vala tjetër e vrasjeve, dënimeve dhe persekutimeve. Në vitin 1945, pak pas përfundimit të luftës dhe instalimit të pushtetit të egër, arrestuan djalin tjeter të tij, Beqir Deliallisin. Për shkak të torturave të rënda e mbytën në qelitë e errëta të hetuesisë së Durrësit, pa mundur që të dilte qoftë edhe në atë gjyq formal që mund t’i bëhej. Pas vrasjes së Beqirit, komunistët arrestuan Tefik Masar Deliallisin (nipin) si kundërshtar të regjimit komunist. Në mbledhjet e Byrosë Politikë, që i ngjanin “grupeve ekzekutuese”, emri i Tefik Deliallisit u përfshi bashkë me të tjerë. I vetmi “diskutim” ishte forma e ekzekutimit, më varje apo pushkatim. Vendosën që të pushkatohej dhe më pas gjykata thjesht konfirmoi urdhrin politik, që në këtë kohë vinte nga Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe. Tofik Deliallisi u pushkatua në Lumin e Tiranës, më 10 tetor të vitit 1948. Pak javë më vonë, ndërsa ende kjo familje e njohur patriotike qante të vrarët nga regjimi, një tjetër burrë i familjes do mbyllte sytë nga armët e pushtetit komunist.

Në vitin 1948 u vra në përpjekje me forcat e Sigurimit dhe djali i Kapllanit, Dalipi, i cili kishte dalë në mal pas vrasjes së të atit, ngaqë nuk e duronte dot shtypjen e komunistëve. Po në atë kohë në përpjekje me forcat i Sigurimit, u vra edhe vëllai tjeter i Ymerit, Mustafa Deliallisi. Genocidi i egër i komunistëve ndaj familjes nuk mbaroi me vrasjen e këtyre shtatë burrave, pasi në atë kohë nga presioni i madh i organeve të Sigurimit të Shtetit, u vetëvra në burg dhe djali i Shaqir Deliallisit, Bujari, i cili në atë kohë ishte vetëm 16 vjeç. Terrori vazhdoi. Në kohë të ndryshme arrestohen dhe përfunduan në burgjeve me dënime të rënda edhe anëtarë të tjerë të fisit Deliallisi, Abaz Mersin Deliallisi, Selami Shaqir Deliallisi dhe Skënder Gani Deliallisi.
( Nga Dr. Shefqet Deliallisi).
Ndërkohë që po përgatitej Shpallja e Pavarësisë, në Shkodër vazhdonte lufta për mbrojtjen e qytetit. Mbi 1000 vullnetarë shijakas të komanduar nga patriotët e shquar Hasan Deliallisi dhe Hafiz Maliq Jakova, luftuan për shtatë muaj me rradhë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Rreth 120 luftëtarë të Shijakut dhanë jetën në luftimet e ashpra në Tarabosh, Bërdicë dhe Gur të Zi.
Populli i trevës sonë në vitet e vështira 1912-1920 u rreshtua në luftë kundër pushtuesve austro-hungarezë, italianë, si edhe kundër intrigave antikombëtare të kohës. Në verën e vitit 1920, batalioni vullnetar i komanduar nga patritoti Kapllan Deliallisi, luftoi heriokisht për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë.

Në vitin 1924, në Shijak krijohet dega e “Bashkimit” me drejtues mësuesin Qazim Domi, që u zgjodh edhe kryetar bashkie, ndërsa sekretar, intelektuali Tahsim Këlliçi.
Vitet 1925-39 të monarkisë, janë vite të lulëzimit të Shijakut dhe të fshatrave të tij, duke e bërë atë një qendër të përmendur në të gjithë Shqipërinë. Më 1924 u ndërtua nga inxhinierë francezë ura madhështore me dy harqe (e dyta në vend nga madhësia dhe bukuria, pas urës së Zogut, të ndërtuar mbi lumin Mat më katër harqe). Ajo ishte me dy kalime për automjetet dhe me trotuarë anësorë. Ura kishte një rëndësi shumë të madhe strategjike, sepse lidhte portin më të madh të vendit, Durrësin, me kryeqytetin. Rruga nacionale që kalonte përmes qytetit, i dha Shijakut rëndësi dhe zhvillim në plan kombëtar. Qysh nga viti 1922 kishte filluar dhe brenda disa viteve përfundoi plani rregullues i qytetit, i cili e transformoi plotësisht atë, duke e kthyer në një qytet mjaft të zhvilluar për kohën. Në vitin 1928 u vu në fuksionim centrali elektrik, ndërsa prodhimet e shumta bujqësore e blektorale furnizonin me bollëk Durrësin dhe Tiranën. Kjo është arsyeja që të huajt gjatë udhëtimit për në Tiranë, të mrekulluar nga natyra piktoreske e Shijakut, ndalonin për të pushuar këtu, ku gjenin edhe mikpritjen e rrallë vendase.
Në vitet 30 të shekullit të kaluar vjen në Shijak një inxhinier gjerman, i cili u mor me problemet e ujësjellësit të qytetit. Atij i pëlqeu jashtë mase natyra piktoreske e mjedisit, sidomos lumi Erzen dhe ura e tij e bukur. Në kohën e lirë ai shetiste përgjatë bregut, nëpër urë, ngjitej në kodër dhe admironte pejzazhin e mrekullueshëm që i kishte falur natyra Shijakut. Këtu inxhinieri i huaj u njoh dhe u miqësua me disa nga burrat e nderuar të qytetit si Abdulla Gashin, Muç Muhaxhirin, Cen Krujën, Abdulla Malltezin, Sulë Zallën, Qazim Domin, Usta Rexhepin etj. Shpesh e gjeje këtë intelektual të zgjuar e me kulturë në kafenenë e Ymer Domit, duke biseduar me ta. Ai u afrua shumë me shijakasit, të cilin e ftonin në dreka e darka, madje edhe në ceremoni festive, siç ishin dasmat. Mikut gjerman gjithçka i bënte përshtypje, por sidomos mikpritja dhe bujaria e vendasve. Mbresat e tij të jashtëzakonshme (siç shprehej vetë), do t’i pasqyronte në njërën nga gazetat më të njohura të Berlinit. Reportazhin ai do ta titullonte: “Çaste të paharruara në qytetin e bukur piktoresk Shijaksbourg, në rrjedhjen e lumit Erzenhausen”.
vazhdon...
Comentários