(Kushtuar intelektualit të shquar ARBEN TAFAJ, që aksidentalisht u nda nga jeta për të fituar përjetësinë).
“Zgjidhi shokët më të mirë se veten” – thotë urtësia popullore. Por jo të gjithë e kanë fatin e madh për të realizuar një aksiomë të tillë. Në jetë ndeshesh me njerëz të profesioneve dhe mentalitete të ndryshme dhe të komunikosh me ta, për të mirën e shoqërisë, nuk është e lehtë. Këtë dhunti e kanë pak njerëz dhe njëri nga ata, që me të vërtetë mund të quhet “emblema e fisnikërisë tiranase”, quhet ARBEN TAFAJ, i cili fatkeqësisht u nda para kohe nga jeta, duke lënë prapa figurën e shkëlqyer të intelektualit atdhetar shqiptar, modelin e vërtetë, që më tepër se kurrë i duhet sot atdheut.
Po t’i hedhësh një vështrim rrugëtimit të këtij ekonomisti të talentuar (i diplomuar në Fakultetin Ekonomik në vitin 1986), të habit me larminë e jashtëzakonshme të anagazhimit dinjitoz, i cili nuk e njohu lodhjen, që nuk devijoi asnjëherë nga ndershmëria dhe si i tillë i hyri biznesit që në vitin 1991, duke punuar në prodhim, tregti dhe shërbime, pa tentuar që të kalojë “vijën e kuqe”.
Karriera e Ben Tafajt (siç e thërrisni të gjithë), ka ecur në ngritje, duke u integruar në komunitet dhe, duke mbajtur këmbët në tokë. Në angazhimin e tij në fushën e agrobiznesit ai ishte specializuar intensivisht në SHBA e Çeki.
“Sipërmarrjen e kam shikuar dhe e shikoj një angazhim që prodhon, jo thjesht të ardhura, por realisht vlerë të shtuar, vende pune dhe mirëqenie për të gjithë që bashëpunojmë, - thoshte Tafaj, i cili i njihte me detaje të gjithë njerëzit që kishin punuar me të. Realisht ai ishte zyrtari i zgjedhur me votat e qytetarëve, në tre mandate radhazi, ku çdo herë i kishte rritur me progresion votat e tij, madje mund të quhej një sipërmarrës i lindur.
Do të mjaftonte të përmendim shqetësimin e tij për vite me radhë për të realizuar me sukses njërin nga eventet më të rëndësishëm kulturor të kryeqytett, atë të ”Sofrës Tiranase”, për ta nxjerrë me meritë në krye të intelektualëve më të shquar të tij. Ato ditë ai “harronte veten dhe familjen”, me synimin që ky event të arrinte majat e tij. Këtë e vërtetojnë më së miri sukseset e padiskutuara nga njëri vit në tjetrin. Angazhimin e tij të gjithanshëm z. Tafaj e thelloi pasi u zgjodh si kryetar i njësisë bashkiake numër 8, me propozimin e shoqatës “Tirana”. Edhe pse nuk është bërë shumë bujë, realisht Arben Tafaj, ka qenë propozuesi dhe lobuesi direkt i ndërtimit të pedonales në rrugën “Murat Toptani”, kur dolën themelet e Kalasë së vjetër të Tiranës. Në atë kohë, Tafaj u angazhua së bashku me zyrtarët e bashkisë për të ndaluar kalimin e automjeteve në një vend me trashëgimi historike për kryeqytetin.
Teksa e pyetën për sfidën që kishte ndërmarrë jashtë konturit të partive të mëdha, u përgjigj qetësisht: “Shikoni, unë kam qenë në të trija herët i propozuar si kandidat i pavarur nga partitë, por i mbështetur nga koalicionet e qendrës së djathtë. Pastaj, me që po flasim për njësinë nr 8, po ju them se si territor minibashkia që drejtoja përfshinte interesa të gjëra, si pjesën historike me qytetarë të vjetër, pjesën me qytetarë të ardhur pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe me qytetarë të ardhur pas viteve 90 në zonat informale. Madje ka edhe qytetarë të komunitetit rom”.
Një profesor universiteti, lidhur me intelektualin e shquar Arben Tafaj, thoshte: “Bëhet fjalë për një menaxher që e njihte Tiranën si horizontalisht ashtu dhe vertikalisht, që i dinte problemet, që kishte njohje si në aspektin urbanistik dhe administrues, që kishte akses edhe në planin agroushqimor, i cili është një aset jetik, që duhet të nxisë prodhimin, duke krijuar treg për qytetarët e saj”.
Në fund kur e pyetën për votat, si instrumenti final për garën zgjedhore, Arben Tafaj, u përgjigj me profilin e një politikani me përvojë: “Kandidimi im ka qenë dhe ka mbetur akti më natyral dhe dialektik në shoqëri. Mbështetja ka ardhur duke u rritur dhe ky është një tregues për t’i hyrë një gare “fair play” dhe civile, që e meriton jo vetëm Tirana, por edhe stadi i shoqërisë sonë, kur tashmë jemi vend kandidat për në Bashkimin Europian”.
Prej vitesh në krye të shoqatës “Tirana”, që është një grupim civil, i krijuar prej më se 30 vjetësh, kjo shoqatë ka promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe asaj qytetare, jo vetëm të metropolit, por edhe të Shqipërisë së Mesme, duke e shikuar dhe si një instrument për të komunikuar me shoqërinë dhe me organizma të rëndësishme homologe komunitare. Pikërisht Arben Tafaj, arriti të krijojë profilin e një drejtuesi që komunikonte, hidhte ide, por edhe mbronte me forcë vlerat e njerëzve që përfaqësonte. Sukseset në këtë drejtim ishin të jashtëzakonshme. Mjafton të përmenden ngjarjet dhe figurat e promovuara, dhe të vlerësuara me titullin e lartë “Fisnikëria Tiranase”, si dhe botimet e shumta dhe dinjitoze, arrihet në konkluzionin se me plot meritë shoqata është nderuar me titullin e lartë “Nderi i kombit”.
Kohët e fundit një sëmundje e rëndë do ta lëndonte këtë burrë fisnik, megjithatë ai mbeti deri në fund optimist dhe arriti ta mposhtte të keqen e madhe. Para pak ditësh bashkë me miq të nderuar, zz. Rexhep Hida, Spartak Topollaj, Marinko Cullafiq dhe unë drekuam me Benin e paharruar, me rastin e festave të Nëntorit. Por fatkeqësisht kjo do të ishte dreka e... lamtumirës për mikun tonë të shtrenjtë.
Nuk do ta kemi më fizikisht pranë mikun, vëllain dhe shokun tonë, buzagazin, babaxhanin, emblemën e mirësisë Tiranase, ARBAN TAFAJIN! Por ai tashmë është ngulitur thellë në zemrat e qytetarëve tiranas, madje edhe më gjërë, sepse, siç e kanë dashur dhe respektuar për së gjalli, po ashtu edhe do ta ruajnë me dashuri kujtimin për të.
Nikolla Sudar,
Tiranë, më 3.12. 2024 historian dhe përkthyes (“Mjeshtër i madh”).
Comments