top of page

Nijazi Halili: Efekti Trump–Putin në politikën e jashtme


Efekti Trump–Putin në politikën e jashtme: Kur diplomacia personalizohet dhe rrezikon rendin global


Autor: Dr. Nijazi Halili


Në dy dekadat e fundit, skena ndërkombëtare ka përjetuar një transformim rrënjësor. Dy figura me ndikim të madh – Donald Trump dhe Vladimir Putin – kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën si konceptohet dhe zbatohet politika e jashtme. Edhe pse vijnë nga realitete të ndryshme – njëri lider i një demokracie liberale dhe tjetri i një regjimi autokratik – efekti i tyre i përbashkët ka qenë goditës: personifikimi i diplomacisë, sfidimi i rendit liberal ndërkombëtar dhe nxitja e një klime të re mosbesimi gjeopolitik. Trump, me stilin e tij të paparashikueshëm dhe retorikën populiste, e reduktoi rolin e institucioneve tradicionale amerikane dhe anashkaloi aleancat strategjike shumëpalëshe. Nga ana tjetër, Putin ka vepruar me qëllim të qartë: rimëkëmbjen e influencës ruse në arenën globale përmes përdorimit të fuqisë ushtarake dhe destabilizimit politik të zonave të ndjeshme si Ukraina, Lindja e Mesme dhe Ballkani. Kulmi i këtij ndikimi u pa në samitin e Helsinkit (2018), ku përballja mes Trump dhe Putin nuk shënoi një garë midis dy superfuqive, por një bashkëbisedim personal, jashtë kornizës së politikës shtetërore. Kjo i dha sinjal botës se diplomacia globale po kalon nga institucionalizimi drejt një epoke të marrëdhënieve personale dhe kalkulimeve të pashkruara, larg transparencës dhe llogaridhënies. Rendi i pas Luftës së Ftohtë – i ndërtuar mbi vlera demokratike, ligj ndërkombëtar dhe bashkëpunim shumëpalësh – po zbehet. Në vend të tij, po formësohet një rendi i ri i fragmentuar, ku liderët autoritarë gjejnë më shumë hapësirë për të ndikuar, ndërsa fuqitë demokratike gjenden në mbrojtje. Në këtë sfond, edhe rajone si Ballkani ndihen më të pasigurta. Me një SHBA më të tërhequr nga rajoni gjatë administratës Trump dhe me ndikimin gjithnjë në rritje të Rusisë përmes mekanizmave të butë dhe të ashpër, krijohet një vakum që prodhon tensione, polarizim dhe stagnim në procese integruese. Përfundimisht, efekti Trump–Putin nuk është vetëm një përballje politike. Është një fenomen gjeopolitik, që sfidon rendin e njohur ndërkombëtar dhe kërkon një ripërkufizim të rolit të lidershipit global në kohët moderne. A jemi duke hyrë në një epokë të re të diplomacisë së fuqive të mëdha, apo po rrëshqasim drejt një bote të re të paqëndrueshme, ku personaliteti mbizotëron mbi parimin? Autori është profesor i shkencave politike, botues akademik dhe analist i politikës ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe është autor i veprave që trajtojnë çështjet e rendit global, krizave gjeopolitike dhe paqes ndërkulturore.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page