Vullnet Mato
NGJASIME GAZMORE
Po rendis disa ngjasime gazmore,
krahasuar vetëm me gjallesat ujore.
Se po t’i ngjasoj me kafshë të mira,
shumë njerëz më dalin egërsira...
Gjysma e botës ka njerëz të zgjuar
ngjajnë me delfinët në det të trazuar.
Çereku i gjysmës tjetër, janë budallenj,
ngjajnë me peshqit nëpër lumenj.
Çereku i dytë, janë mendjelehtë,
ngjajnë me peshq notues në kënetë.
Nga këta, një pjesë janë pasanikë,
ngjasojnë me balenat, në Atlantik.
Disa prej tyre kriminelë, po të jenë,
ngjajnë me egërsirat peshkaqenë.
Ka të djallëzuar, ngjajnë me ngjala
rrëshqasin në batak, trupin pa hala.
Kush gjen veten, në këto ngjasime,
mbase pyet, ku e fut unë veten time.
Ne poetët, luspa të ndritshme kemi,
ngjajmë më tepër, me koran liqeni.
Ka që shkruajnë, po talenti s’i mbush,
ngjajnë me të cekëtinave, peshq belush.
Po e mbyll, pa ngjasuar kafshët tokësore,
mos hap problem me egërsirat njerëzore.
Comments