top of page

NGJALA NUK JETON NË AKUARIUM


Thani Naqo

NGJALA NUK JETON NË AKUARIUM


Tregim nga Thani Naqo


Që ditën kur Xheni, llogaritarja mulate, filloi punë në seksionin e shitjeve ”Paisje për kuzhina,“ Bobit iu shprish monotonia e jetës. Ai ishte punësuar në këtë kompani dhjetë vite më parë, kur interneti dhe televizori krijuan lehtësinë për shitje on line. Pagesat kryheshin me kartë krediti, por ende vazhdonte edhe mënyra e vjetër me çek. Seksionet postare të transportit, ngritur në çdo cep të Amerikës, e çonin mallin në adresën e porositësit në ditën dhe orën e premtuar. Kjo mënyrë shitje, sidomos pesëvjeçarin e fundit, shtoi numrin e klientëve, nga ata që nuk kishin kohën e tepërt për të gjurmuar mallin nëpër raftet e supermarketeve. Bobi gjeti rastin, se shefi ishte me orë të mira, dhe i pohoi se nuk mund të përballonte veprimet financiare edhe se shpesh qëndronte në punë dy e tre orë më tepër. Kështu u miratua një tjetër vend pune dhe Xheni pati fatin të përzgjidhej nga vetë shefi midis njëqind aplikantëve. Lëvizja dhe pozicioni i gishtave mbi tastierë i la të kuptojë Bobit se Xheni zotëronte kompjuterin më shpejt se ai. Zyra ishte e vogël, 12x10 këmbë, njëlloj si zyrat e nëpunësve në Amerikë, dhomë pa dritare dhe me mure të veshur me

rafte për dokumentat. Për këtë arsye tavolinën e Xhenit e vendosën pranë të tijës. Afëria përkrah një femre e shqetësoi Bobin. Që tani e tutje nuk do ishte më vetëm në zyrë, por në shoqërinë e një fytyrëdhelpërusheje me sy të zinj e lavrakë. Aq më tepër se, sa e pa, iu tipos se femrat hollake si ajo, kanë vesin për të spiunuar e shpifur për kolegët. Pavarësisht nga këto pandehma sfilitëse, në fund të javës së dytë filloi ta këqyrë Xhenin me sy erotik. Ai zbuloi se Xheni ishte afërsisht e një moshe me të, kurse atij nuk ia përcaktonin dot për shkak të mbipeshës, fytyrës buçkalane dhe tipareve hijerënda. Përveç këtyre, Bobi ishte edhe tip serioz, nuk qeshte kurrë dhe rrallëherë vinte buzën në gaz. Kurse Xheni, edhe pse ish tepër e zënë me punë, mbulohej me një vello magjike prej lumturie të natyrshme. Atë lloj velloje lumturie Bobi nuk e kishte hasur në ndonjë fytyrë tjetër femre, as të ndonjë aktoreje, as në revistat pornografike dhe as në videot internetike, fiksuar në çastin e kënaqësisë seksuale të orgazmës. Diçka e ngjashme, por si sekuencë filmike prej dy a tre sekondash, pra, këtë lloj lumturie të natyrshme, e kishte parë në fytyrën e meksikanes Denet, e cila ishte emigrante ilegale dhe punonte e jetonte në fermën e gjyshit të tij. Në krye të javës së tretë, Bobi zbuloi se Xheni nuk ishte tërë kohës e lumturuar, porse edhe atë e kaplonte trishtimi. I lëviste buzët sikur fliste me vete dhe atë çast veç ajo e dinte çfarë mendonte a në ç’park shëtiste siluetën e saj hollake. Atëherë sikur të donte të mos ia shihnin trishtimin, ajo ulte kokën. Sytë, por edhe

fytyrën, deri nën buzën e poshtme, ia mbulonin bajluket e përdredhura, që edhe flokët e tyre ishin aq të holla, sa atij i ndërmendnin thekët e shallit prej lesh deveje të së ëmës. Nga që në tru iu tulatën dyshimet, javën e tretë u mësua me frymëmarjen dhe praninë e saj përkrah tij. Me bisht të syrit, filloi të shikonte gjunjët e saj vogëlake, sa një vezë pate, ndërkohë që kënaqej edhe me aromën e parfumit që atij i kujtonte trendafilët e verdhë në fermën e gjyshit. Sytë i shkisnin edhe më poshtë mbi pulpa dhe mbi noçkat që ishin në harmoni me gjunjët, me krahët, me qafën, edhe me fytyrën. “Domethënë, - tha Bobi me vete, - veç spiune mos jetë. Çdo gjë e Xhenit, shto edhe vithet majuce, gjinjtë vogëlake, sa një gjysëm vezë, padyshim edhe pubisi, janë në harmoni me siluetën e saj hollake,“ paçka se i ndërmendte stekën e bilardos. Ndryshe nga më parë, që flinte tetë orë, kishte raste edhe nëntë, për shkak të dyshimeve sfilitëse dhe të sajesave erotike, gjumin filloi ta bëjë me copa dhe me një sy hapur. Aq sa iu hakërua edhe vetes, “ç’të hëngri gjuha të ankoheshe para shefit?“- sepse nuk i shqitej pandehma e hidhur se Xheni ish e aftë të kryente edhe detyrën e tij. Atëherë atë, Bobin e Pazëvëndësueshëm, do ta pushonin nga puna. Edhe pse shefi e ftonte shpesh të pinin kafen së bashku, që kur u shfaq Xheni, mospërfillja e eprorit ia dyfishoi pandehmat sfilitëse. Ato i shtuan përskuqjen e syve dhe djersë të ftohta i pluskonin mbi lëkurë. Megjithëse zyra ishte me ajrim e kondicionier automat, regjistruar në temperaturën e pranverës miçiganase, çurkat i kullonin nën sqetulla dhe përgjatë shtyllës kurrizore duke i njomur këmishën dhe mbathjet.

“Sa mirë që ti më ke ngjarë mua dhe jo tyt eti,“ - i thoshte shpesh e ëma, sepse edhe asaj nuk i kutërbonte djersa thartirë. Mirëpo ajo s’ia përmendi kurrë se prej saj kishte trashëguar edhe oreksin e papërmbajtshëm dhe genin e shëndoshjes. Ajo kot mundohej ta ngushëllonte, mbasi ai nuk e fajësonte të ëmën për këtë; ishte bindur se mbipesha nënë e bir kishte të bënte me genin e gjyshit, atit të saj.

“Do vijë dita, biro, - i tha ajo veç një herë dhe kishte nënqeshur me djallëzi, - kur të mbushësh të tridhjetëepesat, do fillosh të trasformohesh pak e nga pak, nga trupi dhe nga tekat, njëlloj si yt gjysh.“

Për pak do t’i kishte thënë, por u përmbajt:

“Mama, le të më kutërbonte djersa si kërmë, veç obez të mos isha.“

Ishte në moshën e duhur kur filloi t’i lutej Zotit të vinte dorë që trupit të tij të majmur t’ia treste dhjamin, t’ia gdhendëte edhe mishin e tepërt, mjafton t’i jepte sado pak formën e siluetës elegante të të atit, por nuk e dëshironte si të gjyshit nga nëna. Kur shkoi në kolegj u ndërgjegjësua: trashëgimia është pashmangshmëri e nuk kishte ç’i bënte as Zoti. Gjer pa u shfaqur Xheni, ishte në vigjilje të asaj që do ndodhte pasi të mbushte të tridhjetepesat. Mirëpo, në krye të javës së tretë, prania e Xhenit e nxiste të përfytyronte me zell veten si gjyshi. Padurimi, për t’i ngjarë e për të jetuar si ai, iu shtua pasi pa gjyshin të vdekur në ëndërr. Intuita e tij, për të

zbërrthyer ëndrrat, e qetoi. Iu tipos se jeta e tij nuk ishte në mëshirën e kompanisë që shiste paisje për kuzhina, as e të kujt tjetër, pasi po afronte dita të bëhej fermer e të fitonte lirinë, si fermerët amerikanë. Këtë mendim e kishte shprehur ditën kur festohej shtatëdhjetëvjetori i gjyshit, por e shoqja e kishte parë vëngër nipin e të shoqit, e kishte thënë:

“Gjersa të ndodhë kjo, Bob, në Amerikë nuk do ketë më ferma, por fusha golfi.“

Pikërisht prania përkrah tij e siluetës sa hollake aq edhe erotike e Xhenit, i shprishi edhe dëshirën e përnatshme për të luajtur shah me kompjuterin, por ama iu rizgjua dëshira për të lexuar leksione agronomësh dhe veterinerësh. Nuk shkonte të luante më bilardo, por vazhdoi të darkonte, si çdo herë, i vetmuar në apartamentin e tij; dy hamburger, ose dy sanduiçë, ose një picë, shoqëruar me Pepsi ose Coca-Cola.Në krye të javës së parë të muajit, pandehmat sfilitëse u shembën nga pohimi i beftë i Xhenit se gjer pesë vite më parë ajo kishte qenë më shumë se një kuintal, kurse tani rreth gjashtëdhjetë kile, iu duk i pabesueshëm. Bëri sikur e besoi, sepse ky pohim vërtetonte se ajo ishte shpirtmirë dhe ndjente keqardhje për trupin e tij të shpërfytyruar. Pastaj Xheni kishte shtuar me seriozitet se ndryshimi i saj trupor nuk kishte ndodhur në sajë të ushqimeve që ofronin kompanitë për t’u bërë elegante, porse ishte mbyllur tre vite në fermën e prindërve duke u ushqyer sipas rregullave vegjetariane.

-Vërtet? – pyeti ai me thirrmë dhe kishte brofur në këmbë.

-Yes, my friend, - ishte përgjigjur Xheni me zë kumbues e pamje trumfatoreje sikur atë çast të ishte kthyer nga beteja e gjatë me hamburgerat, sanduiçët, picat dhe tortat. Megjithëse e besoi që ajo ishte bërë aq elegante në sajë të vegjetarizmit, gjer pa e zënë gjumi, e kishte përfytyruar si shumicën e mulateve: të kolme, vithengrehur dhe gjoksngrehur. Aq më tepër se nga ky përfytyrim erotik, pasi masturboi me kurmin e saj përfytyruar të shëndoshë, Xheni iu shfaq dy herë në gjumë. Herën e parë para mesnatës dhe herën e dytë kur po zbardhte dita. Në të dyja ëndrrat ajo e kishte prekur jo me gishtat kockore, por me gishta të buta, si sfungjer i lyer me sapun, atje ku përkëdhelen meshkujt, dhe të dyja herët i kishte thënë të njëjtën shprehje:

“Bob, ti nuk je mashkull i kompletuar.“

Kaluan tre javë nga kjo ëndërr e dyfishtë sfilitëse, kur dhjetë minuta para se të mbaronte orari i punës, pa dashje a me qëllim, Xheni rrotulloi 360 gradë karrigen me rrotëza dhe fshiku me gju kofshën e tij. Bobin e kishin prekur edhe femra të tjera kur luante bilardo ose në ndonjë ceremoni festive të kompanisë, apo meksikanet në fermën e gjyshit, por asi lloj prekjesh atij i ishin dukur tallëse, për ta vënë në lojë e jo për të kryer marrëdhënie erotike. Atë çast dëshiroi t’i tregonte Xhenit sekretin e tij: në javën e parë të muajit të ardhshëm do kapërcente të tridhjetë e pesat. Që nga ai çast do të fillonte procesi i natyrshëm që të bëhej si

gjyshi i tij nga nëna, i fuqishëm si dem dhe horr pas femrave. Hezitoi, pasi dyshoi se kësi bisedash, qofshin edhe me humor, mund të nënkuptoheshin si provokime seksuale në vendin e punës dhe kjo përfundonte me pasoja. Atëherë, për të shpëtuar nga pandehmat sfilitëse të ëndrrës dyfishe dhe nga ndonjë fjalë me dy kuptime, apo nga ndjesia që i shkaktoi fërkimi i gjurit të saj me kofshën e tij, vendosi të mos e kthejë kokën nga tavolina e Xhenit. “Paçka, - tha me vete, se tetë orë në ditë do ta kesh përkrah për kush e di sa kohë. Duhet të bësh kujdes,“- këshilloi veten, mbasi gjyshi në telefonatën para një muaji, kishte këmbëngulur se fermerët anglosaksonë jetojnë më shumë se astronautët.

Në pushimet dhjetëminutëshe çdo dy orë, por dhe në gjysmëorëshin e ngrënies së drekës, Xheni mbushte mjedisin me çuçuritje gazmore lumturie, sidomos kur tregonte për Maksin, qenin bulldog dhe macen Cicina. Vetëm njëherë përmendi peshqit shumëngjyrësh, por pohoi se ngjala nuk jeton në akuarium. Që ta dëgjonin edhe të tjerë, kur ishte i pranishëm edhe shefi, ajo përsëriti:

“Ngjala nuk jeton në akuarium.“

Asaj here e qeshura e saj i ndërmendi Bobit këngën e laureshave që e kishte dëgjuar kur shkonte me pushimet shkollore në fermën e gjyshit në Kaliforni. Edhe atje nuk i pëlqente të shoqërohej me moshatarët e fermerëve, por mjaftonte hapësira e fermës dhe pylli i fazanëve, të shëtiste i vetmuar dhe i zhytur në mendimet dhe trishtimin e tij të pafajshëm. I dredhonte

përballjes me fermeret dhe meksikanet e shkrehura që punonin sezonale në fermën e gjyshit. Ama nga dritarja e papafingos në katin e tretë të shtëpisë prej druri, që ish foleza e tij intime, vëzhgonte me dylbi gjer një milje përtej gardhit të fermës. Shuante kërshërinë rinore kur meksikanet bënin seks me stil lopthi me meksikanët, por edhe me gjyshin e tij. Asokohe gjyshi i kishte lënë të gjashtëdhjetepesat, rëndonte një kuintal e dhjetë kile, por ishte i fuqishëm dhe i shkathët si dem. Shfaqjet erotike ndodhnin zakonisht në ditë të ngrohta, në mes të parcelave me misër, kurse në kohën e shirave dhe në dimër, në hangarët e sanës për lopët. Këtë proçkë gjyshi e bënte fshehurazi të shoqes, bashkëshortes së dytë, mbasi e para, gjyshja, kishte vdekur kur Bobi mbante ende bebelina. Gruaja e dytë kishte qenë fermere vejushë, i shoqi pati vdekur nga kanceri në prostatë dhe, pas një viti zije, mjaftoi shembja e gardhit dhe hapësira e fermës së gjyshit u dyfishua. Ajo ishte trupmadhe, njëlloj si gjyshi, një kuintal. Edhe se u rimartua, mbeti bashkëshorte e sertë, e rreptë dhe egërshane. I grahte kalit dhe makinës më mirë se meshkujt dhe përdorte armët e gjahut, për të mos thënë se ishte edhe xheloze dhe raciste. Meksikanët i quante milingona, por kur shtronte tavolinën për ta, ua bënte qejfin, duke u thënë se dhjetë milionë prej racës së tyre mjaftonin për të pastruar dhe për të ushqyer Amerikën me perime e fruta. Bobit i tha veç njëherë, me përzemërsi, finesë dhe humor: “Je i mirëpritur në fermën tonë, të vish sa herë të duash, sepse je i shëndoshë si unë e gjyshi dhe je i

vetmi trashëgimtar.”

Xheni regjistron shifrat në kompjutër, kurse ai heq mendjen nga ferma dhe përfytyron fytyra të dikurshme playbois. Kështu i kishte ndodhur edhe në kohën kur njeriu i Marlboros ishte në kulmin e famës. Burrin Malboro e kishte përzgjedhur në rininë e hershme; i nxiste fantazinë e admirimit mashkullor.

“Sido të rrjedhë jeta, nuk ka shkak madhor që njeriu të vrasë veten,” – e këshillonte dhe e ngushëllonte gjyshi. Ishte ai që i ngriti nipit kurthin për ta zhvirgjëruar dhe, siç e mori vesh më vonë, Denetin, meksikanen, e kishte parapaguar me një ditë pune. Ajo dhe gjyshi i lidhën Bobit duart e këmbët dhe ia zunë gojën me shami. Zhvirgjërimi u krye pas dy orë përpjekjesh, përkëdheljesh e kundërtish, në hangarin e barit, kur ai ishte shtambëdhjetë vjeç e dy muaj. Mbrëmjen e asaj dite gjyshi kishte hyrë në papafingo dhe i pati thënë:

“Denet u kënaq me ty,” - ndërsa në të vërtetë ajo kishte lodruar dhe kishte qeshur, duke i përzier fjalët anglisht dhe spanjisht:

“No uno is perfect, amigo.”

Mirëpo ndryshe nga Denet, prania e mulates Xheni i zbehu intuitën vetëmbrojtëse. Mospërfillja e saj në javën e katërt i rikujtoi moshën adoleshente, kur dëshironte të vriste veten. Nga që në shkollë e nofkuan “derkuc”, e stërmundonte mendimi se ish i tepërt në këtë botë. Më pas hoqi dorë nga vetëvrasja sepse pati zbuluar dhe ishte ngushëllim madhor që njerëzit obezë

në shekullin e 21-të do të ishin më të shumtë në numër se njerëzit me peshë normale. Pikërisht ky zbulim ndikoi që nuk iu dorëzua dëshirës për vetëflijim, pavarësisht se meksikanet në fermën e gjyshit e ndillnin të bënte seks me to me pagesë. Nga që s’kishte lënë pa rëmuar skutë në internet, kishte gjetur shkrime interesante dhe bindëse të psikologëve amerikanë dhe suedezë. Gjer pa u shfaqur Xheni, ishte ndërgjegjësuar se prozvalja ndaj vetes nuk duhej të kalojë në fiksim, përndryshe pasoja është e pashmangshme.

Mendon këto dhe instinktivisht kthen kokën dhe sheh Xhenin që po e vëzhgon me kërshëri.

-Bob, everything, okay?

-Oh, yes! – kumbon zëri i tij, aq sa dhe vetë habitet dhe e kaplon euforia; zbulon se zërin e ka mashkullor.

-Ti je shumë i ndjeshëm, - e lajkaton Xheni. – Jam kurioze të di çfarë mendoje pak më parë?

Në çast dëshiron t’i thotë të vërtetën, se ajo i qe shfaqur dy herë në ëndërr, por sërish heziton; Xheni mund të mos zemërohet, por ëndrrën do t’ua tregojë edhe të tjerëve dhe ai do bëhet objekt talljeje erotike.

-Të lutem, mos u druaj, por tregomë çfarë po mendoje, - këmbëngul Xheni.

Ajo rrotullon karrigen me rrotëza dhe kthehet e gjitha përballë tij. Fillimisht, për disa sekonda, heton fytyrën e saj, pastaj qafën e gjatë, pastaj gjoksin dhe së fundi sytë mbërthehen mbi gjunjët vogëlakë.

-Ndodh që ndonjëherë ndjehem i tepërt në këtë

botë, por nuk është shkak për të vrarë veten, - thotë dhe për herë të parë në jetën e tij ka ndjesinë se sytë i pikojnë mbi pllakat e dyshemesë.

-Oh, - klith Xheni dhe klithma pason me një të qeshur sikur nga gryka e saj vërshon një përrua me guralecë. – Kështu si ti, - shton ajo me zë të ulët e mistik, - kam menduar edhe unë dikur.-

Ajo ia kap llërën dhe ia përkëdhel me pëllëmbën e saj kockore.

-Ne të dy, - thotë ajo, - jemi njëlloj dhe mendojmë njëlloj. Kjo gjë, - shton dhe e sheh drejt në sy me guxim femëror, - ndodh rrallëherë në jetë. Unë jam e lumtur që bisedoj e punoj me ty.

-Oh, Xheni, sa shumë më lumturove me këto fjalë, – thotë Bobi dhe sytë i mjegullohen nga lotët.

Kafen e mëngjesit të ditës së nesërme Bobi e piu në shoqëri me shefin. Shefi i rikujtoi bisedën e lënë përgjysmë gati një muaj më parë, por kryeneçësia anglosaksone e Bobit sërish këmbënguli se shumica e yjeve të Hollivudit nuk ishin aq të talentuar sa trumbetoheshin. Pastaj heshti nga që iu kujtua se që kur ishte adoleshent, i kishte mbirë në trurin e njomë këshilla e gjyshit nga i ati:

“Mos trego, mos pyet.”

Ndërkohë që hiqej sikur dëgjonte me vëmendje aventurën e shefit një natë më parë, pati dyshuar menjëherë: mulatja nuk ishte e gjetur rastësisht në rrugë. Shefi e përshkroi me hollësi trupin e saj hollak, e krahasoi me ngjalën dhe tregoi me hollësi mënyrën si e

pati zhveshur.

-Për herë të parë, - tha, - m’u bë se bëra seks me një qenie të çuditshme që përdridhej pas meje si gjarpër a si ngjalë dhe më shkiste nga duart.

Ç’kishte ndodhur më pas në apartamentin e shefit, Bobi i pati dëgjuar përciptazi. Në çastin që porositi një copë tortë, i qe kujtuar e ëma dhe trashëgimia shfajësoi grykësinë e tij. Sepse, një javë para se ajo të vdiste, kishte arritur pothuaj dy kuintal dhe e kishte shprehur me humor grykësinë e saj:

“Më vjen të gëlltis edhe mbulesën e tavolinës.”

-Vlerat e tua si financier dhe intuitën tënde i kam zili, - e kishte përmendur lavdërimi i shefit. Megjithatë Bobi nuk dëshironte t’i tregonte shefit për oreksin e papërmbajtur të së ëmës, por nuk u bë xheloz, e s’kishte pse t’i thoshte se mulatja e natës së kaluar kishte qënë Xheni. Ndërsa shefi pohoi se ai ishte ende i pazëvendësueshëm si llogaritar dhe zotëronte vlera intuitive, Bobi e këshilloi veten që xhelozia e mbipesha s’janë shkaqe për t’u vetëvrarë. Ndërgjegjësimi për jetën e shfrenuar të të atit në klubet e natës, përdorimi i alkoolit dhe simulantëve artificialë për aftësi seksuale, e kishin shqetësuar Bobin, sidomos dekadën e fundit. Sa herë i mëshonte logjikës se ai më shumë anonte nga nëna sesa nga babai, pas disa sekondash i rikthehej qetësia e natyrshme dhe kjo ishte meritë e dijeve të tij, të cilat ndikonin pozitivisht në intuitë. Mirëpo për të risjellë qetësinë trupore e shpirtërore, qe i detyruar të rindizte flakën e urrejtjes ndaj të atit. Ngacmimet e

hershme të moshatarëve Bobi nuk i pati kuptuar. Qenë prozvalje adoleshentësh dhe ai qe larguar instinktivisht nga shoqëria me ta, por nga ajo prozvalje e kishte shpëtuar e ëma kur mori vendim për të jetuar në një shtet tjetër. Shkak i asaj lëvizje kishte qenë vrasja tragjike e t’et në një klub homoseksualësh, vrasje e pakuptueshme për Bobin. Por disa vite më vonë, pas përgjimit të pëshpëritjeve në telefon të mikeshave të nënës, kuptoi se xhelozia midis dy meshkujve ishte më vrastare se ajo midis mashkullit dhe femrës. Kur shkoi në kolegj, ishte përpjekur të formonte trungun gjenealogjik, por pema e paraardhësve doli tejet e ngatërruar. Nuk egzistonin të dhëna të sakta dypalëshe, për shkak se shumica kishin ardhur në këtë botë nga shuarje epshesh të çastit. Nga e ëma mësoi se gjyshi nga ana e të atit pati shërbyer në ushtri. Kishte patur tendenca heteroseksuale, pavarësisht se në gjoks mbante varur dekoratat e luftës së Vietnamit. Qe martuar në moshën 55-vjeçare dhe dy vjet pas martese kishte vdekur nga sida.

“Rrofshin dekoratat!” - klithte e ëma sa herë kujtohej emri i tij. Vështronte Bobin me sy tejet melankolikë e të përlotur dhe plandosej në kolltuk duke rënkuar si arushë e plagosur. Çë se kishin kaluar njëzet e pesë vjet, Bobit ende i fanitej pamja përtej xhamave të barit, me trupin e t’et lakuriq mbi dysheme. Palëvizshmëria e të atit atëherë i qe dukur çudia më e madhe, pasi ai i kishte krahët e sytë të hapura.

Në këtë çast që Xheni fluturon gishtat mbi

tastierën e kompjuterit dhe siluetën e saj e ka mbështjellë lumturia, kurse Bobin e mundon pandehma në se i ati e pati vështruar për herë të fundit birin e tij me palëvizshmërinë e syve mistikë. Përveshja e buzëve të t’et, edhe i vdekur, reklamonte smeraldin e bardhë të sistemit dhëmbor. Bobi kishte pandehur se i ati bënte gjoja si i vrarë, befas do të çohej, do të kalonte përmes barit duke reklamuar siluetën e tij elegante; sa të dilte në rrugë do t’ia shkrepte të qeshurit. E gjithë ajo rrëmujë makinash, policësh dhe fotoreporterësh kishte të bënte me ndonjë nga xhirimet e filmave me vrasje, apo qe shaka e tij? Mirëpo dritëzimi i dhëmbëve të t’et i mbiu në sy Bobit për gjithë jetën. Dritat verbuese të makinave të policisë reflektoheshin mbi dorezën e fildishtë të thikës vrastare. Më vonë ai e mori vesh se thika e ngulur në gjoksin e t’et, qe vepër e xhelozisë nga dora e një homoseksuali njëzetvjeçar.

Pikërisht atë çast tingëlloi zilja e celularit.

-Hej, nip, - dëgjohet zëri i gjyshit. – Doktori më tha se kam edhe një javë jetë. Eja të më shohësh të gjallë për të fundit herë. Do të takosh avokatin e të marrësh tapinë e fermës.

-Nesër do jem aty, - thotë Bobi me zë drithërues dhe ia mbërthen sytë tavanit.

-Ku? - pyet Xheni dhe kthehet vrikthi drejt tij.

-Në fermën e gjyshit, - thotë ai me sytë e mbërrthyer ende në tavan.

-E kur do kthehesh?

-Nuk do kthehem më këtu, - shton ai, shkul sytë

nga tavani dhe kthehet nga Xheni. Këqyr disa sekonda siluetën e saj të përthyer në karrigen me rrotëza dhe pastaj fytyrën e saj që e ka pushtuar krejt trishtimi. Ajo nuk e ul kokën, që si çdo herë t’ia mbulojë fytyrën e trishtuar velloja e bajlukeve. – Erdhi dita të administroj fermën time. M’u plotësua dëshira për të qenë i lire - dhe dëshiroi të shtojë se ai s’ka nevojë të kthehet në vegjetarian. Do bëjë jetën e natyrshme të gjyshit dhe do t’i ngjasë atij në çdo aspekt.

-Domethënë unë do mbetem e vetme në këtë akuarium të verbër?

-Do sjellin tjetër llogaritar, ose ndonjë llagaritare, por ajo nuk do jetë e bukur dhe kaq shpirtmirë si ti, - thotë ai.

Atëherë Xheni afron karrigen ngjitur me të tijën, e përqafon dhe e puth në buzë.

-Pranon të jetoj me ty në fermë? - dëgjoi ta pyesë ajo. Ai, pasi lëpiu buzët, qeshi për here të parë në jetën e tij dhe u përgjigj pa u menduar fare:

-Në se shëndoshesh, do bëhesh më e bukur.


97 views2 comments

2 Comments


Thani Naqo Gjithashtu, të përqafoj o Papi, o rrëfimtar klasik!

Like

Perparim Hysi NJatjeta,"LENINI i vogël"! Të përqafoj!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page