top of page

   Nga Vasil Premçi: PËRKTHYESI QË I MUNGOI LETËRSISË SHQIPE


      

                

 

Me përjashtim të ca përkthimeve të  rralla, por plot përkushtim e talent, ai do t’i mungojë  për jetë  e mot fushbetejës së  letërsisë  që  e deshi aq shumë  në  rininë  e herëshme. Në portretin  e mësuesit të popullit Gjergj Canco, si në një skulpturë të gdhendur nga jeta, tashmë nuk mund të lëvizet asgjë. Por për  aftësitë dhe cilësitë e tij, si intelektual i përmasave të mëdha dhe përkushtimin në dobi të zhvillimit dhe përparimit të vëndit, duke lënë pas vetes gjurmë të thella, është shkruar prej kohësh në faqet e shtypit  të përditshëm nga kolegët, të njohurit dhe nxënësit e tij të shumtë.

Kam patur rastin të njihem me dëshmi dhe vlerësime të shumta që i janë bërë  atij në fushën e arsimit politeknik, pioneres dhe fidanishtes së parë të arsimit teknik e profesional të Shqipërisë së  shekullit të kaluar.

Veçanërisht, mbresëlënëse janë kujtimet e nxënësve të tij të shumtë…

-Nuk e di si m’i njohu aftësitë, por unë arrita të mbaroj fakultetin e inxhinierisë elektrike në sajë të ndihmës së profesor Gjergj Cancos, që më kaloi në degën elektrike, kur fillova shkollën e  mesme, - kujton plot respekt një nxënës i t ij.

-Në qoftëse nuk do të kishte ndërhyrë në organet kompetente, drejtori i shkollës, Gjergj Canco, as që do të kisha shkuar nëpër mend përfundimin e  Politeknikumit  dhe më vonë të fakultetit, sepse gjëndja ime ekonomike ishte mjaft e keqe, - kujton një tjetër.

Gjergj Canco  lindi në fshatin Boboshticë të Korçës, në 21 prill të vitit 1906 dhe vdiq në Tiranë, në moshën 65 vjeçare, në vitin 1971. Ai i përket asaj plejade  arsimtarësh  të klasit të parë, të shekullit të kaluar, që me punën e tyre vetmohuese në fushën e arsimit  e ngritën shkollën shqiptare në nivele të pakrahasueshme. Pas përfundimit të saj, shumë nga nxënësit  e shkollës së Mesme të Përgjithshme Teknike do të vazhdonin e përfundonin me sukses studimet në universitetet më të njohura të Europës.

Në dekadat e para të shekullit të kaluar u hapën njëra pas tjetrës Shkolla e Liceut të Korçës, Shkolla Teknike amerikane, Normalja e Elbasanit, Gjimnazi i qytetit të Shkodrës, Tiranës, Gjirokastrës, Beratit dhe Shkolla Tregëtare e Vlorës.

Gjergj Canco ishte njëri nga nxënësit e Liceut të Korçës, që iu akordua bursë për të studiuar në Francë.

Ai do të fillonte studimet në Monpelie dhe do t’i  përfundonte ato në Paris, në vitin 1932, kur dhe  kthehet në atdhe. Menjëherë nisi nga puna në krah të Harri Fulcit, në Shkollën Teknike Amerikane, duke dhënë lëndët: Gjeometri Diskriptive, Topografi dhe Matematikë. Në vitin 1936, Gjergj Canco dha mësim në gjimnazin e Tiranës. Pastaj ai transferohet në gjimnazin e qytetit të Shkodrës, ku punoi deri në vitin 1945 duke dhënë lëndën e matematikës.  Pas çlrimit të vëndit caktohet në drejtimin e Shkollës Teknike të Tiranës, në të cilën punoi 22 vjet.

Në vijim  do të hedhim dritë për një  veprimtari tjetër,  të panjohur më parë, të këtij intelektuali të shquar, atë në fushën e përkthimeve.

Duke  patur sot në duar disa prej  përkthimeve të tij nga klasikët e letërsisë franceze, na pushton  një keqardhje e thellë, kur ndërmendim se, letërsia shqipe, për shkaqe dhe rrethana ende të panjohura saktësisht, ka humbur një përkthyes të talentuar, si Gjergj Cancon,  të cilin, sot mund ta kishim pranë emrave të përkthyesve  të talentuar Vedat Kokona, Sotir Caci,  Mitrush Kuteli, etj. 

Sa i çuditshëm ëshë fati i njeriut! Sa larg njëra-tjetrës mbeten ëndërrat që ta ndezin kraharorin me një  zjarr të pashuar!

Me këto ëndërra u mëkua edhe shkrimtari i  madh rus, Leon Tolstoit,  që  i kushtoi mjaft kohë dhe energji hapjes së shkollave në krahinën  e tij, duke shkruar edhe vetë një numër librash  shkollorë, për të cilat mendonte se  do t’i jepnin famën e ëndërruar,  të cilën ia  dhanë vetëm novelat e romanet e tij të mrekullueshme…

 Kurse një tjetër shkrimtar i famshëm,  Stefan Cvajgu,  ka shkruar  dhjetëra monografi për disa prej figurave më të mëdha të njerëzimit, si Çarl Dikensin, Balzakun, Dostojevskin, Zigmund Frojdin, Magelanin, Tolstoin, Stendalin, R. Rolanin, Mari Stauartin, Erazmin e Roterdamit, Montenjin, Floberin, Fushen, Maria Antuanetën, etj, të cilat, janë jo vetëm vepra të mrekullueshme letrare, por edhe historike. Por, emrin e madh, që ka sot, më së shumti, ia dhanë tregimet dhe novelat  me temën e  dashurisë.

Por le të kthehemi pranë figurës së Gjergj Cancos. Në se nuk do të  ishte botuar  revista “Shpresa”,  organ letraro-artistik i  studentëve të Liceut të Korçës, ndoshta, nuk do t’i kishim  as edhe gjurmët  e përkthimeve të tij në fushën letërsisë franceze.

Kjo revistë nisi botimin në  mars të vitit 1923 dhe vijoi të botohet nga brezat e asaj shkolle deri në vitin 1925, pra, gjithsej 17 numëra. Duke shprehur keqardhjen për numërin e saj të fundit,  nënvizojmë se, sot nuk kemi në duar  asnjë dekument,  që mund të hidhte dritë mbi shkaqet  që çuan në ndërprerjen e botimit të saj.

Në  revistën “Shpresa” u botuan artikuj e krijime letrare në fushën e prozës dhe të poezisë nga nxënës dhe mësues të Liceut të Korçës. Por, një vënd të veçantë në faqet e kësaj reviste do të zinin përkthimet e Aleksandër Tashkës, Sinan Imamit, Gjergj Cancos, Andrea Xegës, Dhimitër Godos, Kel Gashit, etj. nga autorë të letërsisë franceze.

Nga leximi i pjesëve të përkthyera, të botuara në këtë revistë, krijon  përshtypjen e  menjëhershme  se këta përkthyes të rinj e të talentuar njihnin në mënyrë të shkëlqyer të dy gjuhët: si shqipen, ashtu edhe frengjishten. Kështu, mund të themi se, autorët francezë më në zë të kohës, Viktor Hygo, Lamartin, Zhyl Vern, Busse, Volteri, etj., u përkthyen  me sukses nga nxënësit e talentuar të kësaj shkolle, me një frazë të  gjallë, të  pastër dhe të zhdërvjellët  edhe në gjuhën e Naimit dhe Fishtës.

Në vitin 1923  Gjergj Canco  përkthyeu në faqet e saj autorë klasikë francezë, kur ishte vetëm  17 vjeç!  Ndaj dhe kemi të drejtë që për një të ri të asaj  moshe, të hamëndësojmë fare lehtë shpërthimin e ndjenjave më të bukura për jetën, me lule dhe një gjelbërim që nuk vyshket kurrë në mëndjen dhe zemrën e djaloshit  nga Boboshtica, me tipare të imta e të rregullta  të fytyrës, i  cili  nisi të ëndërrojë shumë  shpejt  për të ardhmen. Të mos harrojmë se, qyteti i Korçës, me arkitekturën e veçantë të ndërtesave, me rrugicat e drejta dhe të pastra, me ballkonet me kangjella, të punuara me hekur të rrahur, kararkteristike  e veçantë kjo e godinave tre-katër katëshe të Parisit të vjetër,  të jeshiluara nga luledredhkat dhe vilet e jargavanëve,  mbi çatizat me tjegulla të kuqe,  nga fytyrat e qeshura dhe të  ëmbla  të vajzave, që dëgjonin trupzgjatur mbi pezulet e dritareve serenatat e djemve çapkenë, do t’i jepnin  me të drejtë këtij qyteti plot hijeshi,  emrin aq shumë të lakmuar “Parisi i vogël”.  Pra, çdo gjë, si nga jashtë, atmosfera e veçantë  “Parisiene”,  ashtu edhe  bota e brendshme shpirtërorë e djaloshit Gjergj Canco, do të shkonte “kreshendo” dhe  në harmoni të përsosur. Kështu, mund të themi se, përkthimet e tij të para në gjuhën frënge, ngjasonin me atë lulen e bukur, që vajzat e dashuruara  e vendosin  si  kujtim të një emri dhe një zemre fërgëlluese në faqet e një libri të paharruar jetë e mot dhe në herbariumin e shpirtit të tyre…

Por, le të zbresim nga qiejt e asaj bote të lakmuar  që  e grishte parreshtur atë dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë; t’i ndërpresim ëndrrimet e bukura, ashtu siç i ndodhi edhe vetë personazhit të  këtij shkrimi. Natyrisht, këtu bën majë  mendimi se, ndoshta, kanë qënë kushtet e vështira ekonomike ato që i dhanë jetës së Gjergj Cancos një drejtim tjetër…

Mos vallë, ajo matematika e “tmerrshme”, si një bukuroshe e fjetur i prishi djaloshit ëndrrat e gjumit dhe e ndolli në skutat e saj të fshehta, të numrave dhe vlerave të pafundme, si vetë natyra dhe jeta?!

Sidoqoftë kjo çështje, meriton një hulumtim tjetër, më të veçantë, të ditareve të Gjergj Cancos, për të cilët është vendi të themi se, shkëlqejnë nga profesionalizmi, për të hedhur pakëz më shumë dritë mbi figurën e tij dhe për të zbuluar fijet e padukshme që e larguan atë nga fushat sociale, të lidhura aq ngushtë me përkthimet  e autorëve  klasikë e modernë të shekullit të shkuar, mbushur plot e për plot, me ëndrrën e re revulucionare të mbarë njerëzimit për  “Liri, Vllazëri dhe Barazi”, atdheu i së cilës ishte Franca dhe revolucioni francez, vend dhe gjuhë në të cilën  Gjergj Canco do të shkëlqente qysh në rininë e tij. Vërtet, tani  zë e na hedh përpjetë, padurimi e kureshtja  për zbuluar të fshehtën e  misterishme dhe për të mësuar diçka më shumë për  ndryshimet në jetën e tij, për heronjtë aq shumë të ëndërruar në rininë e hershme,  që e  frymëzuan  Cancon e ri me idetë e reja revolucionare për shoqërinë njerëzore, si  Kandidi dhe i padjallëzuari, (Heronj të veprave  të Volterit), Gavroshi, Fantina e Zhan Valzhani, të Viktor Hygosë, etj.

 Natyrisht përmasat e çdo lloj pushtimi që kryehet me “ushtri të armatosur dhe me kolonë të  pestë”, janë tragjike. Terratisu amur, poezi,  tregime, novela dhe romane! Largohuni  nga mëndja e kujtesa, ju fantazmat e Sen Simonit, Sharl Furiesë, Hegelit, Fojerbahut, Niçes, Robispierit, Maratit e Dantonit!   

Dalngadalë idetë e tyre zënë e ua lëshojnë vëndin emrave të tjerë, (po sërish ngre krye mendimi, në çfarë rrethanash vallë?!) hijerëndë e seriozë, autorëve të fushës së gjeometrisë, si Pitagora e Euklidi, të fushës së matematikës e fizikës, si Isak Njutoni, Karl Gausi e Albert Anjshtajni!

Medet! Mos vallë Cancua i ri, që jetonte zenitin e jetës së vet rinore kishte  mundur të zbuluonte mesazhet e fshehta dhe të rrezikshme të librit  “Zhozef Fushe” të Stefan Cvajgut, për revolucionet proletare dhe fatin e udhëheqësve të tyre, Robispierit, Dantonit, Maratit, (dhe pasuesve të tyre: Leninit, Trockit e Stalinit?! Po as ata të atdheut të vet, nuk do të bënin përjashtim: Enver Hoxha, Koci Xoxe, Nako Spiru, Tuk Jakova, Beqir Balluku,  që i hëngrën  kokën njëri-tjetrit, nën akuza të ndërsjellta nga më absurdet dhe mendësitë bizantine?! Sa frikë dhe trishtim të ngjall vargani i  shokëve proletarë e  të lavdishëm që u shpërblyen nga “timonieri i pa gabueshëm”  me dënime makbethiane! Gati u eksperimentuan të gjitha format e ekzekutimeve: me plumb, me vdekje nga torturat, me helmim dhe…varje në litar. O tempo o mores!

Mos vallë iu skalit në kujtesë me shkronja zjarri si një paralajmërim ogurzi për vitet që e grishnin përpara  ato që lexoi në librin    “Origjina e pabarazisë mes njerëzve” të  Zhan Zhak Rusoit?

            “…Nga gjiri i këtij pështjellimi dhe këtyre kthesave rrënjësore, duke ngritur shkallë pas shkalle kokën e tij të frikshme dhe duke gllabëruar gjithçka që do të diktonte të mirë dhe të shëndetshme në të gjitha pjesët e shtetit, do të arrinte më së fundi të shkelte nën këmbë ligjet dhe popullin, dhe të lartësohej mbi rrënojat e republikës. Kohët  paraprijëse të këtij ndryshimi të mbramë do të ishin kohë trazirash dhe mënxyrash, por më në fund gjithçka do të përpihej nga përbindëshi dhe popujt nuk do të kishin më as drejtues e as ligje, por vetëm tiranë. Nga ky çast, gjithashtu, nuk do të kishte më çështje zakonesh dhe virtutesh pasi, gjithkund ku ai mbretëron, despotizmi, cui ex honesto nulla est spes, nuk lejon asnjë parim të epërm; sapo flet ai, nuk ka më ndershmëri apo detyrim që të këshillohet dhe bindja më e verbër është i vetmi virtyt që u mbetet skllevërve…” 1Zh.Zhak Ruso“Origjina e pabarazisë mes njerëzve”, faqe 129.

Përfundimi logjik ishte  tronditës! Edhe kur e ndërmend të ikin mend e kokës! Ajo rrugë dhe ato shtigje, mund t’i rrezikonin jetën, ndërsa rruga tjetër, ajo e shkencave ekzakte, vërtet gëlonte nga ekuacionet dhe formulat që, më e shumta, mund të ta sillnin mëndjen vërdallë deri në dhimbje koke, si bie fjala ajo formula  anjshtajane e masës së energjisë atomike: M = EMC2 por, asnjëra prej tyre (pas gjyqit të inkuzicionit në mësjetën e hershme) nuk mund të ta rrëzonte kokën për tokë …

Në vijim do të ndalemi në disa nga përkthimet e tij të njohura…

 Dihen mirë vështirësitë e gjithanshme  që mpleksen e  ngërthehen aq shumë me rrethanat e jetës së një përkthyesi. Përkthyesi i klasit të parë, duhet të jetë së pari,  vetë krijues dhe duhet të njohë në mënyrë të përsosur gjuhën e popullit të tij si dhe atë të popullit nga gjuha e të cilit përkthen.

Wilhelm von Humboldt, në letrën e datës 23 korrik 1976, i shkruan  Schlegel-it:

“Çdo përkthyes duhet detyrimisht të hasë në njërin prej këtyre pragjeve si më poshtë : ai do t’i qëndrojë me saktësi ose origjinalit, në dëm të shijes dhe gjuhës së popullit të tij, ose origjinalitetit të popullit të tij, në dëm të veprës për t’u përkthyer…”

Le të japim një shëmbull fare të thjeshtë për të kuptuar sadopak  gjykimin e mësipërm, nëpërmjet sjelljes në sytë e lexuesve vetëm të një prej  idiomave të gjuhës italiane: Questa gola, fa la testa.  Një përkthyes i zakonshëm, do ta përkthente: Kjo grykë, bën kokën, dhe, ndoshta, do ta meritonte notën dhjetë. Por, po të njiheni me kuptimin  e saj metaforik: Ky burrë është burrë grash, pra, që ka frikë nga gruaja dhe bën çfarë  i thotë ajo, do të kuptonim sadopak, humbjen e vlerave nga përkthimet mekanike ose ad literam. Ndaj dhe thuhet rëndom për përkthyesit një  thënie që u vë kapakun të gjithave: ”Tradutore-traditore”, e cila as më pak dhe as më shumë, përçon tek ne  kuptimin,: “Përkthyesi është tradhëtar”.

Më lart vumë në dukje se, përkthimet e botuara në revistën kulturore-artistike “Shpresa” i përkasin periudhës kur Gjergj Canco ishte nxënës  në Liceun e Korçës. Atëherë, a nuk kemi të drejtë të mendojmë se, pas studimeve në Monpelie dhe Paris, aftësitë e tij në fushën e përkthimeve ishin  aftësuar  shumë më tepër?!  A nuk mund të themi se tashmë e gjithë qënia e tij, i ngjante atij  avionit, që ka ndezur  të katër motorët i gatshëm të çajë tej e përtej qiejt e  letërsisë dhe të  filozofisë farnceze?!

Por, duke njohur rrugën që zgjodhi Gjergj Canco, kemi të drejtë të hamendësojmë për dilemën e cila,  me siguri e ka munduar atë aq shumë, qysh nga rinia e hershme, për zgjedhjen që duhej të bënte midis ëndrrës për t’u bërë një përkthyes i shquar apo mësues, ashtu siç edhe u bë.

Po, çfarë duhet të bëjmë me përkthimet e hershme të Gjergj Cancos, të botura në  revistën modeste të nxënësve të liceut të Korçës, të cilat paralajmëronin  daljen në horizontin e kohës të një përkthyesi të ri plot pasion, talent e vitalitet?

 A nuk do t’i mjaftonin një arkeologu, vetëm ca gjurmë të dyshimta muranash të një kështjelle të vjetër, -bie fjala, ca shpata,  heshta  e mburoja të mbuluara nga ndryshku i kohës, që të parashtronte plot  zjarr e pasion, zbulimin e një beteje të panjohur dhe të zhdukur në mjegullën e kohës?!

Me sa duket, ne jemi më fatlum për rrethana të cilat ende nuk i njohim me saktësi dhe as që  i dimë “psetë” e braktisjes së rrugës së përkthimeve nga Gjergj Canco, por nga dekumentacioni që zotërojmë kemi të drejtë të hamendësojmë…

Nëpërmjet shkresës që mban datën 05 dhjetor 1932, Drejtori i Shkollës Teknike të Tiranës, Harri T. Fulc, sëbashku me ftesën për vendin e mësuesit të Gjeometrisë Diskriptive, i dërgon edhe shablonin (skeletin) e programit  mësimor të temave  që Gj. Canco duhet të mbante me nxënësit e kësaj shkolle gjatë vitit 1932.

               05  Dhjetor 1932

Zotit Canco: Bashkëngjitur po ju dërgojmë një model të mësimeve që ne dëshirojmë që ju të përfshini në Gjeometrinë Diskriptive I. … 

            Do të jemi të kënaqur në se gjatë këtij viti studentët do të marrin një ide të qartë mbi projeksionet e pikave, të vijave dhe sipërfaqeve (planeve). Keni kohën e duhur  për t’u dhënë studentëve  idetë dhe dijenitë  për të cilat ata kanë nevojë dhe mund ta përpjestoni kohën në mënyrë  të balancuar ndërmjet diskutimeve në fushën teorike dhe  provave dhe problemave praktike që do të zhvillohen gjatë mësimit në dërrasën e vizatimit.

            Asnjë problem sa do që mund t’ju duket i thjeshtë nuk duhet lënë pas  dore, sa të mos keni krijuar bindje  për  çdo student  të klasës në se i  ka përvetësuar dhe i ka kuptuar mirë ato. Gjysma e vlerës së punës së një mësuesi qëndron në aftësinë e  të kuptuarit në se studentët e tij i kanë përvetësuar me të vërtetë mësimet apo jo. Për ne nuk është i pëlqyeshëm mësuesi i cili  vetë qëndron në këmbë dhe flet me orë të  tëra mbi një temë të caktuar, pa e kuptuar në se studentët e tij i kanë përvetësuar mësimet e shpjeguara. Ne na intereson më shumë  që studentët të mësojnë e përvetësojnë  sa të flasin vetëm mësuesit…

Natyrisht për sa i përket  shpjegimit të mësimeve, besojmë se do të gjeni format dhe mënyrat më të përshtatshme për të çuar edhe më përpara nivelin e përvetësimit nga ana e studentëve. (Nënshkruar: Harri T. Fultz)

Tashmë është hedhur dritë e mjaftueshme mbi rolin e  Misionit Ushtarak Amerikan gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare. Roli i këtij misioni ishte të mbidhte informacione sekrete mbi dislokimin e forcave gjermane në vendin tonë dhe t’ia transmetonte qendrës në Mesdhe, ndërsa misioni anglez duhet  të kryente furnizimin e Forcave që do t’i bënin Rezistencë okupatorit Italo-Gjerman.

Për arsye që dihen, midis këtyre dy misioneve dhe orientimit lindor të Enver Hoxhës lindën kontradita të cilat do të  shënonin kulmin e tyre në vitin e parë pas çlirimit të vendit. Acarimi mbërriti deri në largimin e misionit Amerikan nga Shqipëria. Tani qeveritë e dy vendeve perendimore (Amerika dhe Anglia) do të nisnin  operacionet për përmbysjen e regjimit që doli nga Lufta Anti-fashiste në Shqipëri. Një ndër drejtuesit  e kësaj luftë të ftohtë dhe të nxehtë të palës amerikane, do të ishte Drejtori i Shkollës Teknike të Tiranës H.T. Fulci.

Po, cili ishte në të vërtetë Harri T. Fulci?

Herri T.Fulc (Harri T. Fulc), emri i koduar Gejts (Gates) ose Plak, gjatë luftës  ishte shefi civil  i zyrës shqiptare të OSS-it  (Zyra për Shërbime Strategjike) në Bari të Italisë. Fulci ishte ekspert për Shqipërinë dhe kishte drejtuar para luftës nga viti 1922 deri në vitin 1933 Shkollën Profesionale Amerikane  e njohur edhe si Shkolla e Fulcit në Shqipëri. Ai ishte shumë i respektuar dhe njihte nga afër mjaft udhëheqës shqiptarë, disa prej të cilëve kishin kryer dikur shkollën e tij.

Gjatë viteve 1945-1960, me dhjetëra do të ishin arrestimet dhe ekzekutimet nga rradhët e ish nxënësve të Fulcit në Shqipëri, duke përfshirë këtu edhe vrasjen apo vetvrasjen e kryeministrit të Shqipërisë Komuniste dhe ish nxënësit të kësaj shkolle Mehemet Shehut... Për të gjitha këto  më vonë  do të bënte fjalë edhe Enver Hoxha në librin e tij me kujtime “Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë, botim i vitit 1982, në të cilin shkruan:

... Amerikanët nga ana e tyre...pak më vonë, dërguan një mision civil të kryesuar nga Xhejkobs me ndihmës agjentin e vjetër amerikan në Shqipëri, Herry Fulcin”. (faqe 344-345.)

Ja, vetëm kjo marrëdhënie vlerësuese e Harri T. Fulcit ndaj aftësive të matematicienit Gjergj Canco, do t’i  qëndronte atij mbi kokë, deri në fund të jetës, si shpata e Demokleut. Kështu, cilido mund t’i marrë me mend hapësirat “me detyrim dhe përcaktim” në të cilat duhet të lëvizte paskëtaj jeta e profesorit të nderuar Gj. Canco. Përkthimet e lidhura ngushtësisht me veprat e shkrimtarëve dhe filozofëve perëndimorë, kryesisht farncezë, do të ishin një gjyle e rëndë e lidhur me zinxhirë në këmbët e tij  dhe do ta komprementonin keqas, sepse edhe vargjet e këngës së Gavroshit në barrikadat e Parisit,  tek romani “Të mjerët” e V. Hygosë, një ditë mund të  interpretoheshin  si herezi! Ku i dihej?!

...Dhe fajin e ka Volteri, tra-la-la-la!...

Ne tani njohim mjaft mirë fushën që ai iu  dha me mish e me shpirt dhe  shkëlqeu në edukimin profesional të  një  brezi  rinor, i cili iu përvesh punës për ndërtimin e Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore.

Duke u kthyer pas në kohë, nuk mund të mos mbajmë parasysh edhe imperativin e kohës, ndaj dhe ndoshta, zgjedhja vendimtare e rrugës së jetës nga profesor  Gjergj Canco u bë sepse  ai jetoi në kohën kur populli i tij  kishte më shumë “uri dhe nevojë për bukën e zezë dhe të përditshme se sa për paninet e ngrohta”...

Por, të gjitha  argumentat e mësipërme, qoftë edhe kundërshtuese, në ndonjë rast, janë më se të denja për një figurë si ajo profesor Gjergj Cancos edhe si mësues i popullit edhe si një përkthyes me fillime të jashtëzakonshme, por që  për disa nga shkaqe të cilat i parashtruam më lart, e braktisi atë.

           

74 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page