top of page

NGA POEZIA E SOTME ITALIANE



NGA POEZIA E SOTME ITALIANE

CINZIA DEMI

SHKAKU I DITËVE

Në Itali shkruhet shumë poezi dhe është e dashur si kënga italiane, sa duket se ai gadishull i mrekullueshëm po aq sa është rrethuar nga ujërat mesdhetare, po aq dhe goditet nga baticat e dallgëve të vargjeve dhe melosit, vazhdueshëm si në rilindje dhe sot.

Duke qenë pranë, edhe shpirtërisht, dhe kërshëria është më e madhe, gjithsesi dhe mundësitë e njohjes janë më të shumta.

Këtë radhë kemi zgjedhur një poete, mbase dhe për të treguar sado pak dhe përditshmërinë e poezisë italiane sot, Cinzia Demi, jeton në Bolonja dhe është nga Piombo pranë.

Ajo laurimin magjistral e ka kryer në Italianistikë dhe drejton kolanën Cleide në botimet “Minerva” dhe rubrikën “Missione Poesia, Altritaliani” dhe është kryeredaktore e revistës, që del në letër “Menabò (Terra d'ulivi edizioni).

Ka botuar në mjaft shtëpi botuese vëllime me poezi, eseistikë, narrativë. Ja, disa nga titujt e saj, që duket sikur krijojne një rrëfim: Takohemi në ferr; Tërheqja që na bashkon; Takime dhe Magjepsje; Caterina Sforza. Forcë e natyrës midis mitit dhe poezisë; Ersilia Bronzini Majno. Imagjinari biografik i një italiani mes rolit publik dhe atij privat; Unë isha Maddalena; Maria dhe Gabrieli. Pritja e nënave; Në emër të detit; Zërat e Parë.

Ka përgatitur antologjitë: Midis Genovas dhe Livornos: poetë të dy qyteteve. Homazh për Giorgio Capronin; Të dashurit e dashurisë; Portrete poetësh.

Poezia e Cinzia Demi-t është përkthyer në anglisht, frëngjisht, rumanisht, hungarisht, arabisht, spanjisht, tani dhe në shqip, ndërsa ajo vetë është dhe përkthyese për editorinë “Puntoacapo” të autorëve në gjuhët neolatine.

Drejton disa veprimtari si “Çaj me poezi”, Bolonja; “Festivali i Artit”, Piombino dhe është vlerësuar me çmime te ndryshme letrare. Ndër më të fundit janë:

2019, “Académie Mihai Eminescu – Craiova”, “Médaille pour ses mérites dans la diffusion de la Culture universelle” dhe “Prix Special pour l’excellence de sa création;

2020, Anëtar i emëruar i “Académie Tomitane of Constance”

2021, Çmimi “Inter.le Camaiore” për “Trup i pamundur” të Attila F. Balás, përkthyer prej Cinzia Demi-t, Çmimi “Narrativ INPS” për “Zërat e Parë” dhe videot në “Rai Cultura Letteratura”.

Poezia e saj duket se sjell traditën për ta thyer atë, ka një realizëm dhe surealizëm të ndërthurur, ku vërshimin e fjalëve nuk e ndërpret me shenja pikësimi, madje as me shkronjën e madhe nistore, duke dashur kështu t’i ngjajë ligjërimit të gjallë apo monologut të brendshëm sipas parimit të “përroit psikik”. Parapëlqen një arketip të ri, atë të Matrioshkës, vërejnë kritikët.

Përmbledhja e saj e fundit “Shkaku i ditëve” është një përvojë poetike e bazuar në fakte, ngjarje dhe ndjenja që shkaktojnë një efekt specifik, i cili, nga ana tjetër, krijon një fakt tjetër, në një lloj lidhjeje ngjarjesh: çdo kalim i jetës është i lidhur në mënyrë të pashmangshme me të mëparshmen dhe me atë që vjen, e tërhequr nga forca ose dobësia e asaj që s’ikën. Peizazhi shfaqet pas leximit me dritësirat e veta, erërat ngurtësinë, ciklin e stinëve, impulset, pritshmëritë dhe zhgënjimet që shkakton koha. Ritmi i poezisë për Cinthia Demi-n është si ritmi i frymëmarrjes dhe i ndjenjave, i thyer nga ngjarjet e jetës. Fillimi i saj është si një vazhdim...

Librat e Cinzia Demi-t zakonisht në ballinë kanë nga një pikturë të bashkëshortit të saj, Maurizio Caruso, i cili ka hapur ekspozota të ndryshme dhe shquhet për portrete të artistëve, shkrimtarë Italianë dhe nga bota, ku kanë tërhequr vëmendjen e tij dhe heronj shqiptarë si Skënderbeu e At’ Viçens Prennushi.

Po i sjellim së bashku.

Përgatitën dhe përkthyen Eda & Visar Zhiti




KOHA SI NJË KOPSHT

Poezi nga Cinzia Demi -

*

por koha është një kopsht

ku shëtisin ngjyra dhe stinë

dhe toka hapet në lule

në shije frutash të lagura

sipas dëshirës së erës


ulur përballë

ndjej frymën tënde të ndezur

shoh faqet prej fëmije

purpur livadhesh por

sytë - ndryshim fluturimesh


si zogjtë janë si zogjtë

i njohin mendimet e botës

mbushin oborret me përpjekje

dhe britmat e një sfide

gabimet në flakë flatrash



Autogra nga poetja Cinzua Demi


duhet të kuptojmë se ç’sjell

që të besojmë në drithërat e bëra

rërë klepsidre ndër duar

për të mos thyer kristalet e arta

që të kthehemi atje ku kemi lindur

në shtëpinë me mure të bardha

ku çdo gjë ka një emër

për të zbuluar çdo kufi

dhe ka një kujtesë që shpejton

dhe zgjerohet nëpër botë


me një gulçim të fryrë midis

kokrrave të akacies e lirit të lehtë

në dritën e pjerrët të grilave

në sakramentin e betimit

mbi memorialin e kthjellët të detit


duhet të kuptojmë se ç’mbetet

nga çmenduria e festës nga

nxehtësia e flakës që ende

mbron rininë

e trupave tanë të përqafuar


në agim mes avujve, ndërsa

fundoset hija e siluetave

që ishin pranë dhe një copëz

kujtese është një e keqe

mahnitëse e njerëzimit që zhytet


në arsyet e errëta

lulëkuqet përpiqen të lulëzojnë

dhe një kohë e palëvizshme nuk

shpjegon nuk lavdëron por jo

të mohojë shkakun e ditëve


Nga rubrika: Në emër të detit

pret gjithmonë që diçka të ndodhë

teksa ngre sytë

te pemët që i druhen vjeshtës

rruga bëhët dhe më e gjatë dhe

ky pllakat nuk ishte dje

është i milicisë së kohës

e gatshme në ushtrinë mercenare

për luftërat në altarin e gurtë

të kishëzës – në kufi me Gjirin[1]

kundër zbehjes së detit në tetor

paguani dhe lëreni të lirë të ndalë

që të pushosh pak pa u ngutur

provo të lash duart

ku rrjedh rërë hematite

merr një copëz vazoje


dhe me të bëj një gotë

pi një gllënjkë mistral

nga ajo çarje që zmadhohet

ajër i kripës së lashtë detare

ndoshta kështu dhe rritesh


pas bukës me sheqer dhe vere

pas vjeljeve dhe trëndafilave

kur të gjitha gjërat zbehen

në një ndjesi të largët dhe thua

kështu rritesh për kryqet

të cilëve u shmangemi

për këtë ajër mbytës të shtëpisë

ku horizonti ishte vetëm një vijë

ndoshta kështu takohen teatrot

me kuintat gjithë ngjyrë të ndezura


përfillu që rëndësi s’ka fare

sa kilometra ikin kështu

trupat shtrëngohen i hedhin veshjet

argjendi vesh pa vlerë më

pa zjarrminë që bëhet shkollë

dhe duke pritur kthehemi në fillim

ngrihen sytë te pemët

që tashmë janë plot pranverë

rruga është më e shkurtër

dhe në pllakat është zbehur shkrimi

________________________________________

[1] Gjiri i Baratti-tè në komunën e Piombino-s (LI),

ku kam lindur ( Shën. i autores)

Nga seksioni: Material jo i riciklueshëm

ne për jetën

ne për vdekjen

ne për ndjenjën e përjetshme

ne për të mos kuptuar

ne që ishim dhe që jemi

njerëzimi i dhimbshëm

e asaj dhimbjeje të fortë

që verbon mendjen

njerëzimi i humbur

i ndotur nga njerëz trashanikë,

ne që besuam

ne që nuk besojmë

ne që shpresonim

ne që nuk shpresojmë

ne që kemi dashur

ne që nuk duam


ne që nuk jemi më

pa familje pa virtyt

me një ëndërr që vdes

çdo çast

çdo çast të vetëm

një ëndërr e ndalur

në një grusht në një rënkim

në ujin që ikën

në erën që shqyen

në diellin që djeg ende më shumë

nga seksioni: Ajo shenjë që mungon

shoh orkidën në tryezën e kuzhinës

herë pas here lëshon një lule

thahet dhe bie nga dega

duke humbur freskinë e saj

e zhvesh ngjyrën

është ende e bukur mendoj

çarë nga ajo rreze e fundit e dritës

së tradhtuar nga palosjet e portokallit

të tendës po të kishte zërin e vet

do më tregonte për këtë kohë

do më thoshte që po humbas konturin

e fytyrave të atyre që dua ngjyrat e

syve linjën e vizatuar të profileve

gjestet e duarve që fjalët janë

thekë të zbrazëta edhe në celularë


do më thoshte se është zbehur fustani

i detit dhe horizonti nuk është më

një linjë për të mbështetur shikimin

se bora nuk ka rënë këtë vit

dhe bari me durim pret kthimin

do më thoshte që ëndrrat janë makthe

që e qara që dëgjoj është larg

por e vërtetë që nata ka varrosur

më të mirët prej nesh në rrugën e kryqit

të kamionëve të dritave varg

do më thoshte që s’e kuptova jetën

se nuk mund të ndodhë veçse kur

uji rrjedh dhe gota mbushet

se tunika nuk luhet me zare

por pritet dhe qepet me dorë

dhe do më thoshte orkidea e Pashkës

shfaqjen e përpiktë në dritaret tona

si atë njollën e gjineshtrës që rishoh

në pyllin e dendur dëshirën e dritës

kthjelltësinë përhapëse të Ringjalljes


ra shi kaq shumë

kësaj nate jasemini

duket i përtërirë kërcelli

i hovshëm aromatik

gjethet kanë pirë diell

burimeve të bollshme

Unë s’di gjë për të

vërtet si për shumë të tjera

shoh të hapur degëve

plot pika qiellore

të reve të holluara

ndërsa bluja përparon.

është ende i zbehtë mëngjesi

në kontrast me trëndafilin

e kuq në anë të kopshtit që

duket se dikton linjën e

guximit atë që kërkoj

në rrjedhat e venave

një grerëz gumëzhin përreth

në lulemuret përhumbem

në endjet e saj rrethore në

mjeshtërinë e saj të pandërprerë

në kërkim të qiellit do t’i jepja

timin kur ta gjej

vrullin dhe atë shije

mjalti të orëve festive

pas stuhisë së breshërit

dhe rërës që ka mbuluar

rrënjët e ëndrrave të mbështjellë

me pastërtinë e zambakut

kërkesat dhe përqafimet e

nënës dhe atit dhe birit teksa

në atë copëz drite që

rrjedh mes pjeshkës dhe hardhisë

ku shihen frutat dhe zogu alodol

që nxiton nëpër këngë


Nga seksioni: Hija e shtëpive

e para ishte si fillimi

i një alfabeti të mundshëm

në orët delikate

të preludit të mbrëmjes

dhe lëvizin e tendosen

çastet në rruzare

pa një dritë

me erën pezull

por ishte dashuria

gjatë fillit të rrugës

dhe qumështi i ëmbël

të një gji nëne

*

E mbështjell veten në flokët e mi

si bletët në koshere

hiri dhe uji në urnë

dhe është mjalti që pikon nga lotët

nëse shikon qytetin në rrugë

përçarjen e gjetheve të çmendura

ringjalljen në vajtimet

Unë kthehem

tek molla e thartë që ishte

dhe në ata sy sirene

të një gruaje vetëm

si heshtja si ndëshkimi

*

rrush vere të mirë

dhe ndërkohë

digjesh për atë fluturim

shpëtues mbi të keqen

me një guxim të munguar

të një lëvizje një ngrohtësie

të një zoti që shndërrohet në njeri

dhe nuk mund ta prekësh

bëje gjestin që ke thënë

jepi atij dashurinë

gjithë dashurinë e botës

mbush çantën e yjeve

vër shenjën e puthjeve të tua

bari vërshon

nga gjaku yt prej drite

*

Është një emër që po kërkoj

që del nga ajo derë e përplasur

që më hipën përsipër

si balta

në pëllëmbë dhe në shpinë

rëndë në duart e tij

si zëri që bërtet

fërgëllimë fluturash vajtuese

që mirëpret të njëjtën

torturë bishën e turpshme

që pastaj më përkëdhel

më tundon dhe më thotë të qëndroj



29 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page