Nga libri me poezi “Stinë e thatë” i Michael D. Higgins, libër të cilin besoj ta sjell së shpejti në shqip.
Ndrek Gjini
Poezi
Pluhur yjor
Ne jemi pluhur yjor
i formuar prej avujsh dhe grimcash
nga krijimi dhe shuarja e galaksive.
Ne jemi ato thërrmijat e vockla të kozmosit tonë,
ikur nga mbetjet e shtratit të memories
vjedhurazi, duke ecur gjithmonë në drejtim të imazhit tonë,
të shpresave të parealizuara, dhe duke u venitur.
Premtimi për përsosjen tonë akoma të parealizuar ekziston ende,
megjithëse i vakët.
Në këtë lëvizje ne e gjejmë shpëtimin
brenda qelizës së arsyes.
Prej këtij lloj burgu
dëgjohet vajtimi ynë
ç’ka tregon se ne nuk jemi veç fëmijët e arsyes.
Shikimin kemi hedhur nga trojet e shpirtit.
Trubullirat e së tashmes janë tërhequr.
Mish-mashi i gjërave që janë përtej
kohës dhe hapësirës jehon.
Dyshimi na fton në një udhëtim
për të dalë kundër sigurive të rreme
të bëra me punë të pakëta dhe metoda primitive.
Një predikim të përvajshëm
do të mbajnë fjalët tona të debuara
si ushtima të një profecie të humbur.
Thellë brenda vetes e dëgjojmë atë thirrje
që na dhuron më shumë se ngushëllim
duke krijuar një histori të re të një kohe të re
dhe hapësirë të mrekulleshme.
Premtim i një lumturie ende të palindur
krijuar nga pluhuri yjor.
Një stinë e thatë
Po vjen një errësirë
e cila s’e mbart aspak vlagën e ndonjë shenje drite.
Është një errësirë e thatë që kërcënon.
Errësirë e një kohe shkretëtire.
Mungojnë fjalët e majftueshme për të ndezur zjarrin
e shqisave.
Ka pllakosur një heshtje
që bujarisht terrin e mirëpret
atje ku hijet e gjërave të së shkuarës
fluturojnë njëra pas tjetrës
duke trembur kujtesën
që gati sa s’po i ndalet fryma
në këtë kohë të pajetë.
Dhe nga brendësia e kësaj kohe pa ajër
një ofshamë gjigande del
nga përmallimi i madh.
Është ofshama e dhimbjes së një fillimi të ri
për fjalën
për dashurinë
për shpresën.
Kur qetësia thyhet
britmat dhe lutjet nën zë
drejtuar një Perëndie
që hesht si lis i thatë
mbushin ajrin.
Në këtë ajër të thatë
pa përgjigje mbetën këto britma dhe lutje.
Dhe në këtë kohë të paimagjinueshme
kur planetet vdesin
nuk do të ketë më gjurmë
të kohës së vjetër të fjalëve.
Gjithçka do të jetë rikthyer
në pluhur
prej nga dhe ishte krijuar.
Në këto memente gjysmëdrite
ne duhet të mos kemi frikë të derdhim lot
për errësirën që po vjen.
Dhe nga vlaga e këtyre lotëve
do të shpërthejë një ndriçim i fortë
i shqisave
me të cilat ne mundemi të ëndrrojmë
për hapësirën e përbashkët njerëzore që ndamë
në kohën që na u dha për ta jetuar.
Në këtë muzg do të ndodhë që
të pafrymët
do të kërkojnë njëri-tjetrin
duke vajtuar për fjalët e humbura të dashurisë,
që s’arriten të thuhen në kohën e ndërrimit të stinëve.
Duke krijuar një trishtim të thellë
në këtë errësirë të pashpresë.
Por në këtë gjysmëdritë le të këndojmë,
të gëzojmë
dhe të qajmë gjithashtu
me ndershmëri
për ato fjalë të humbura
që nuk u thanë,
për dashuritë e pafat,
për duart e thata
qe s’u shtrënguan e as s’u puthën.
Ne mes stinëve po presim.
Kohë e thatë po na fton
dhe bukuria e gjërave të thjeshta
bëhet e çmuar.
Lulet nuk çelin
për sa kohë që ne me habi vështrojmë bimët e këqija.
Sepse në rrënjët e këtyre bimëve tani të vlerësuara
në këtë pritje tonën midis stinëve
nuk ka veç pluhur
por dhe ca fara mjaft të bukura
të shpërndara në këtë shtresë të hollë të dheut
fara të shpresës e cila mund të mbijetojë
edhe në kohën pa ajër.
Dhe askush nuk e di
nëse në hapësirën pafund
do te flitet ndonjëherë
apo dhe as të kujtohet
fakti që ne u përpoqëm të bejmë një histori
me arsye arrogante
në një kohë normale.
Në fund të fundit,
ne jemi të etur për shpresë
dhe për një vendbanim të ri
për frymën e shpritit.
Sepse në vendbanimin e shpirtit
një jëtë e re mund rilindë përsëri
me rregulla të reja loje
për mendjet dhe fjalët.
Kjo është lutja jonë
në këtë prag errësire.
Nuk është zbrazëtia
ajo që pret
përtej errësirës
por hapësira e dashurisë së përjetshme.
Lutja jonë e fundit
është thenë
brenda kësaj
heshtje të mirëpritur.
Në fillim 1
Në fillim që Fjala
por Fjala nuk qe fillimi.
Kur nën ndikimin e rregullave
që u vendosën në kohë të dhunshme
drita u venit
grimcat që u shpërndanë në errësirë
nuk u vetorganizuan ndryshe
veçse në formën e mosarsyes.
Nuk që fillimi pa rregulla
dhe as fjala ajo që kërkoj rregulla në fillim.
Fjala që në formën e mosarsyes
përtej vështrimit dhe frymëmarrjes.
Ishte një errësirë e thellë dhe rrëmuje e plotë
kur Fjala erdhi.
Ajo klithma e parë për ndihmë
është fillimi
i një nënshtrimi të gjatë
i cili nuk krijohet lehtësisht.
Lufta për të rigjetur heshtjen
do te jetë e pambarim.
Veshtrimi që i parapriu fjalës
si fantazmë do shfaqet.
Fryma që e ndërmjetësoi
herë pas here do leshojë
një klithme pikëllimi apo dashurie.
Dhe, nëse në me dobesinë tonë
i ledhatojme fjalët pagdhendura
të ardhura nga kreshtat e thepisura të kohëve të gurta
e i bëjmë rruzare për lutjet tona
ose muzgut të ngopur të një të Diele ulërime,
atëherë shpirtrat tanë nuk i këndojnë
venitjes së dritës
dhe as valëve të detit larguar nga bregu.
Fytyra e lodhur
është e mbushur me lot.
Jo të bardhë
por të zi,
ne e kerkojmë
një zë nga errësira
e paralindjes së Fjalës
dhe premtimin e rremë të qetësisë.
Kripa e lotëve
është arka e kujtesës
se fillesave tona detare.
Aty ruhet
psherëtima e thellë
e gjithë kohës sonë
të humbur në hapësirën e pafund.
Në fillim 2
Fryma dhe mushkëritë komplotojnë
kundër heshtjes së shpirtit
në interes të mbretërimit të zërit.
Nuk jane vetem fjalet.
Çdo rrokje është
një formë e mëjtejshme rrokullisje
larguar nga hapësira e frymëmarrjes
që ndërmjetëson për një moment
para së të dorëzohet
tek goja e hapur e dhimbjes fillestare
nën vështrimin e rreptë të rregullit.
Dhe fjalët rendin pas njëra-tjetrës
pandalim në udhëtimin e tyre të gjatë
drejt një rrugëdalje
të padëshiruar dhe plot pengesa.
Të dënuar jemi të lexojmë
kujtimin e gjërave të parealizuara.
Shumë shpesh ndiejme brerje në ndërgjegje.
Ato gjëra të parealizuara na shkatërrojnë
dhe e bëjnë te paaftë krejt gjeneratën
në ndjesitë e reja aq të nevojshme
qe janë brumi i fillimit të ri.
Ato momente të humbura kristalizuar
brenda memories
janë një verejtje
e cila vazhdimisht iu bëhet
përjetimeve të së tashmes
duke krijuar një listë strikte
peytjesh,
qortimesh
për ndjesitë e humbura.
Pse ne nuk pamë nga yjet
bashkë
dhe të hidhëroheshim
qanim hallet e këndonim
apo këtu nën henë
në ujë të hidheshim
po bashku.
Kurrë nuk mund të mohohet fakti
që ne nuk kemi qenë të informuar
rreth asaj që thelbi asaj çka trashëgohet
është formuar
nga mënyra se si është parë rregulli.
Do vdesim, na është thënë,
të mbyllur brenda ca gjërave të sigurta
jo nga ato që kemi ndërtuar vetë,
do biem në heshtjen e trishtuar
rrethuar nga veç vetvetja.
Duke kërkuar magjinë e së ardhmes
ne krijojmë një këngë
kushtuar mërgimit
në burgun e vetvetes.
Marrim frymë përsëri dhe pohojmë
se asgjë s’është e pashmangshme.
Stërmundimi ynë
nuk është thjesht iluzion.
Krijimi i një bote të re po jep sinjalet e saj.
Drita qe ndriçon përsëri
errësirën kaotike të fjalëve të humbura
premton shërim
është ftesë drejt një ngrehine
e një vendi të ri të përbashkët
të qetë
ku nuk kërcënon asgjë.
Profetët po qajnë
Njerëzve ne rruge u është thënë se,
Profetët po qajnë,
për abuzimin e bërë
me fjalët e tyre
të shpërndara për të mbjellë farën e shejtanit.
Gjithandej thonë se
Profetët po qajnë
për shtrembërimin që u është bërë
shkrimeve të tyre,
për vdekjet dhe shkatërrimet,
që bëhen në emër të tyre.
Dielli po zhurit,
Fëmijë që veç qajnë
Në udhëtimet e gjata
Që përsëriten.
Pa përgjigje mbeten peytjet e tyre,
Nënat dhe baballarët e tyre fshehin fytyrat,
Në pamundësi për të shpjeguar,
Pse ata duhet që pambarimisht,
Pa asnjë shpresë te afërt,
Të enden në kerkim të një strehe,
të ushqimit, sigurisë, shpresës.
Profetët po qajnë,
për fjalët e tyre të vjedhura.
nga librat që ata dikur ofruan për të mësuar,
në kohët e lashta,
lidhur me bashkëjetesën, dashurinë
e përkujdesjen për mikun
mbi të gjitha.
Përktheu: Ndrek Gjini - poet, përkthyes. studiues, shkrimtar, kulturolog.
Comments