top of page

Nga Ditari i një ish diplomati


Alfred Papuçiu

Qershor 1994. Rëndësi ka sipas edhe bisedave me analistë dhe që merren me problemet e vendeve në tranzicion, që të zhvillohen edhe shërbimet në Shqipëri. Profesor Orio Giarini, profesori im i nderuar i ekonomisë së shërbimit, thotë në studimin e tij me titull: “Shoqëria e konsumit përballë ekonomisë së shërbimit”:“Në rast se ne shohim sot çdo sektor të veprimtarisë ekonomike, do të rezultojë se pjesa kryesore e sistemit të prodhimit dhe të shpërndarjes të të mirave materiale dhe të shërbimeve përbëhet nga shërbimet e çdo lloji. Për çdo prodhim që blejmë, qoftë kjo veturë apo qilim, kostoja e prodhimit apo e fabrikimit rrallë mund të kalojë 20-30 për qind të çmimit përfundimtar. Kostoja e funksionimit të sistemit kompleks të shërbimit dhe të shpërndarjes përfaqëson gjërësisht 70-80 për qind të çmimit përfundimtar. Kjo tregon se funksionet e shërbimit janë sot në zemër të shqetësimeve dhe të investimeve edhe tek ndërmarrjet industriale më tradicionale”.

1995. Gjatë këtyre viteve si funksionar ndërkombëtar kam mësuar shumë lidhur me funksionimin e tyre, por edhe mbi mundësinë e bashkëpunimit të vendeve të vogla me to por edhe të tërheqjes së fondeve. Vetëm se në këto raste duhet vepruar shpejt, pasi koha nuk pret.

3. Qershor 1995. Sot u shkrova një letër dy të afërmve të mij. Ndër të tjera u thashë: “Të dashurit e mij! Pas kaq vitesh, vendosa t’u shkruaj. Im atë ka 20 vjet që është larguar nga kjo tokë, atë ditë të fillimit të qershorit, vetëm 53 vjeç, atje në Shkodër ku e donin dhe ai i donte dhe i respektonte shkodranët. E ndjente veten të çliruar dhe i harronte brengat dhe hallet. Kishte miq e shokë si Lajde Stakun, Skënder Drinin e shumë shkrimtarë, letrarë e piktorë që i kishin faqet e “Fatosit” gjithmonë të hapura për shkrimet apo skicat e tyre. Pas vdekjes së babait, të them të drejtën kam shkruar, por jo aq, pasi nuk kisha besim në vetvete. Ai m’i shihte të gjitha shkrimet e mija, m’i redaktonte dhe kur nuk i pëlqente diçka m’a thoshte haptaz. E kisha baba por edhe shok që asnjeri nuk m’a ka zëvëndësuar në jetë. Edhe sot e kësaj dite e ndjej sikur e kam pranë e sikur më këshillon.. E shoh shpesh në ëndërr. Do të kisha dashur të kishte jetuar më shumë edhe për veten, por edhe për mua, pasi do ta kisha udhërrëfyes të çmuar për hallet që kam kaluar. Nejse, jeta kështu është. Mjekësia nuk bëri dot gjë atëhere, para dëshirës së njerëzve për të jetuar edhe Tuni pranë të afërmve të dashur. Iku shumë shpejt. Dy pengje më kanë mbetur: që nuk e gjeta gjallë kur shkova në Shkodër dhe i thashë mjekut të bënin diçka për të, pasi m’u duk se hapi sytë kur hyra unë. E dyta: nuk e kam zërin e tij. Kaseta e vetme, me sa kujtoj u muarr atëhere nga Ed. M. që nuk e ktheu më. Sigurisht që ai nuk e ka ruajtur. Do të kisha dëshirë, dhe të drejtohem ty B., si njeri i afërt, nëse ke ndonjë kujtim të babait, nga zyra e tij tek “Fatosi”, të lutem m’a jep dhe ta kthej përsëri. Dua të shkruaj prapë për të, pasi ndjehem borxhli ndaj atij njeriu shumë të mirë e të pastër, që bëri tepër jo vetëm për të afërmit e tij. Pra m’i dërgo dhe t’i kthej përsëri. Unë jam shumë i kujdesëshëm në këto gjëra. Më kujtohet kur isha i vogel, në bodrumin e shtëpisë së Kristaq Shtëmbarit kam gjetur libra të shumtë me autografin e babait, por asgjë nuk mora nga to, jo vetëm se isha në moshë të vogël, por edhe pse më dukej sikur nuk më përkisnin mua, megjithëse kishin firmën e tim eti dhe do të ishin kujtim i bukur për mua…” Im atë lexonte shumë edhe më vonë, kishte një korespondencë të pasur me të afërm dhe dashamirës të letërsisë, edhe me dajën e tij, Vangjel Lulen, por shumë prej tyre tashmë nuk i kam“.

“Pa e zgjatur, po ju dërgoj një pjesë të shkrimeve që u thashë, që do të mbeten vetëm midis nesh, derisa, nëse mund të piqet mendimi, të shohin dritën e botimit…”

5 qershor 1995. Shpesh bie në pesimizëm, kam një karakter të vështirë, por të pastër si babai: nuk i duroj meskinitetet, flas hapur për diçka që nuk shkon, megjithëse koha sot është ndryshe. Nuk duhet të flasësh, sidomos me disa, pasi të nxjerrin sytë. Kombi ynë do të ecte më përpara po ta donim njeri tjetrin si çifutët, italianët, spanjollët, britanikët, amerikanët. Unë pata fatin të kaloj një pjesë të jetës sime me njerëz të kombeve të ndryshëm në Kombet e Bashkuara, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në Byronë Ndërkombëtare të Punës, në UNCTAD dhe të them të drejtën shqiptarët nuk mbeten pas, si nga formimi, si nga sjellja, por kanë fatin e keq se vijnë nga një vend i varfër, që nuk ka këllqe të japë të holla për organizatat ndërkombëtare, pra edhe vendet për të në këto organizata janë me pikatore. Edhe ai që ka mundur të gjejë një vend në to, herë pas here ha shkelma nga meskinët, burracakët që hedhin gurin e fshehin dorën, sa që ai është i detyruar të gjejë ndonjë qoshe diku, që të mos duket, e jashtë dëshirës së tij, të mos bëjë më tepër për të ofruar bursa apo pjesëmarrje në seminare, pasi mund të marrë “damkën” e ndërhyrjes nga ndonjë “qoftëlarg” që nuk sheh më tepër se rrezja e ngushtë e tij.

Korrik 1995. Muzikologu me fame botërore, Marcel Cellier na ka ftuar tek shtëpia e tij në Shebrë. Aty është edhe e shoqja, Aleksandri, i biri, si dhe nusja e djalit. Ai më dhuron diskun e ri që ka realizuar me muzikë shqiptare, me një shoqëri franceze. Përsëri shpreh dëshirën të realizojë nga ato këngë që ka grumbulluar me “nagrën” e tij, një disk me muzikë popullore shqiptare, duke patur mbështetjen e autoriteteve të kulturës në Shqipëri. Nuk di si të veproj, pasi në fakt nuk më takon mua të merrem me realizimin e dëshirës së mikut tim, sidoqoftë e transmetova kërkesën e Marcelit. Ky njeri është pritur me respekt të veçantë në disa vende të Ballkanit, ka realizuar me kompetencë disa emisione të bukura për muzikën popullore shqiptare në Radio Suisse Romandë, por nuk e kuptoj se ku duhet të konsistojë angazhimi i tij për realizimin e një disku, kur ne si shqiptarë kemi interes ta tërheqim një figurë të tillë të njohur botërisht në fushën e muzikës “arkaike”, popullore. Ai ka fiituar një “Oskar” për muzikën popullore të Ballkanit.

dhjetor 1996. Kam filluar punën në një shoqëri multinacionale. Kam një kontratë të rregullt, me afat të pacaktuar. Puna me organizatat ndërkombëtare ishte gjithashtu dobiprurëse për mua. Atje mësova shumë. Me punën time arrita edhe postin e profesionistit P-4. Por nuk kisha ndonjë mbështetje të veçantë nga vendi im. Megjithëse këshilltari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, ish drejtori i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, francezi, Francis Blanshard, më thoshte gjithmonë: “Alfred, duhen vetëm dy gisht letër nga autoritetet shqiptare dhe unë do të bisedoj për një post që ti e meriton”. Nuk e di por e kisha bezdi t’i lutesha dikujt atje në Tiranë dhe mbi të gjitha kisha patur një përvojë të hidhur me një “qoftëlarg” që në vend të vinte vetullat nxorri sytë. Tregoi veten, por edhe mua më dëmtoi. Më kujtohet se një funksionar i lartë amerikan në UNCTAD që e kisha koleg dhe mik, më kishte thënë një ditë: “Dikush nga shqiptarët që punon në një organizëm ndërkombëtar në Tiranë i ka thënë drejtorit të këtij organizmi se ne të dy s’kemi pse merremi me projektet që kanë të bëjnë me Shqipërinë. Kjo është e pabesueshme. Të vësh duart në kokë. Ti dhe unë po ndihmojmë në mënyrë modeste për projekte me vlerë dhe këtë mund ta bënim edhe për një vend tjetër kudo, në Ballkan apo Europë. Çfarë emri mund t’i vihet një logjikë të tillë që dëmton ecurinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare. Unë vete ndoshta do të tërhiqem pak, pasi mund të ndihmoj një vend tjetër ballkanik me përvojën time, por ti në asnjë mënyrë nuk duhet të tërhiqesh…”

Mora vesh se ambasadori shqiptar, miku im Ksenofon Krisafi, para se të largohet nga detyra ka bërë një kërkesë në OIT dhe organizma të tjera ndërkombëtare që unë të mund të vazhdoj punën atje si funksionar ndërkombëtar. Siç duket dikush atje në Tiranë ka menduar se unë jam i vlefshëm edhe duke qënë funksionar i pavarur, për vendin tim. E vlerësoj një përçapje të tillë nga ana e ambasadorit, për të cilin kam respekt të veçantë, por tani është tepër vonë. Unë kam filluar punën tek shoqëria multinacionale, në sajë të këmbënguljes edhe të mikut tim italian Roberto Cerboni, i cili ruan si kujtim të mirë që unë e kam ndihmuar dikur për të përfunduar një biznes për grurin me Shqipërinë. Më mungojnë kolegët e mij të punës tek Departamenti i Botimeve dhe Licensave të Byrosë Ndërkombëtare të Punës, ku kalova disa vite gëzimesh, përpjekjesh dhe kënaqësish të përbashkëta. Më mungon Denisi, Fabio, Ivani, Shërlei, Zhan-Mari, Irma, Beatris e shumë të tjerë. Shoh shënimin e drejtorit tim danezit Elsmark, i cili përveç karakteristikës shumë të mirë për mua, në një kartëpostale më shkruan ndër të tjera: “We have very much appreciated to have you as a collegue in PUBL. We wish you and your family all the best in 1996. Ivan Elsmark”. (Ne kemi vlerësuar shumë që ju kemi patur si koleg në PUBL. Urojmë për ju dhe familjen tuaj çdo gjë të mirë në 1996. Ivan Elsmark). Ndërsa Beatris më shkruan: “Kurajo Alfred. Kujtoju se gjithmonë diku ndodhet edhe një qoshe qielli ku jemi edhe ne. Të dërgoj miqësisht këtë mesazh”. “ Gjithmonë është një rreze drite që ndriçon edhe për ne. Fat të mbarë dhe mos na harro. Zhan-Mari”. Ndërsa Denisi, informaticien i zoti që shpesh më nxirrte nga situata kur nuk “punonte” mirë ordinatori më shkruan: “I dashur Alfred! Faleminderit shumë për punën tënde të çmuar dhe sjelljen tënde shëmbullore. Mirupafshim së shpejti. Sinqerisht. Denisi”.

Këta miq më kujtojnë gjithmonë thënien e “Kathleen Partridge” që shkruante për “Miqësinë”: “Miqtë e vjetër janë si këpucët e vjetra, ne kemi kaluar sëbashku shumë rrugë. Le t’i njohin ata përpjekjet tona dhe të ndajnë frikat tona më sekrete. Ata kanë ecur me ne dhe ne i kemi pritur, kur ne shpresonim për ditë më të mira, si në shqetësim apo në lavdi, të varfër si Xhobi, krenar si një mbret, dhe megjithëse për arsye të ndryshme, këpucët grisen dhe miqësia shteron, ne humbim një pjesë të jetës sonë, pas çdo zënke me një mik”.

Dhjetor 1996. Beni Nati vjen nganjëherë në Gjenevë. Është i muhabetit dhe ka shumë shaka. Më tregon historinë e atij Sokolit që i hypi aeroplanit për në Gjenevë dhe nuk e dinte fare frëngjishten. Kur e pyetën si ja bëre me gjuhën. Ai ishte përgjigjur: Ke parë ti, sa hyra në Zvicër m’u zgjidh gjuha. Më erdhi një frëngjishte e bukur. Vajta dhe në restaurant dhe kamarjeri më tregoi disa djathra, duke më treguar me gisht, një lloj djathi që nuk ja mbaj mend emrin: “A e njeh këtë djath?”. “Unë i thashë, përgjigjet Sokoli, vij nga vendi i djathit, Gjirokastra”...Beni na tregon dhe një histori tjetër. Vite më parë, ministrja e arsimit shqiptar, do të priste një delegacion nga Zvicra. E shqetësuar merr në telefon dikë dhe i thotë: “Lutemi, na gjeni një përkthyes për zvicerançen, se presim një delegacion të rëndësishëm!!!”

Janar 1997. Napolon Roshi nga Ljubljana më dërgon me një dedikim librin e tij “Terminologji, ngjarje, organizata, Personalitete shqiptare dhe botërore”. Në të ndër të tjera ai shkruan” Shokut tim Alfred Papuçiu, me respekt dhe dashuri, Ljubljanë, 21.01.1997”. Më kujtohet se kur u botua libri im, hartuar sëbashku me profesor Omer Hashorvën, vite më parë, për “eurokomunizmin”, ai më përshëndeti përzemërsisht dhe në faqet e gazetës “Bashkimi”, si dhe në “Drita”, ku unë isha bashkëpunëtor i rregullt i faqes së katërt, bashkë me Shaban Muratin dhe Kastriot Gjinin, dilte rregullisht për 3 javë rresht citimi i botimit të librit. Pastaj, papritur një heshtje. Më thanë se libri ishte hequr nga qarkullimi (ndërkohë ishte shpërndarë një pjesë e mirë e tij), pasi E.Hoxha nuk e kishte përdorur deri atëhere akoma termin “eurokomunizëm”, në fjalimet e tij. Megjithatë, libri u pëlqye dhe ishte një punë e gjatë e skedimeve dhe analizave të mija, lidhur me “eurokomunizmin”, figurat e tij kreysore, Marshenë në Francë, Kariljon në Spanjë dhe Berlinguerin në Itali. Libri përmbante sidomos fakte nga jeta e këtyre “eurokomunistëve” apo manjatëve të tjerë “eurokomunistë” që shpesh mendonin për interesat e tyre vetiake dhe aspak për popujt e tyre.

Dhjetor 1997. Detyrohem të shkoj në Tiranë, lidhur me një biznes që multinacionalja jonë amerikane ka realizuar me disa kompani shqiptare. Njëra nga to që e quan veten si më e forta, ka nxjerrë një problem të kotë dhe pa baza. Kur të tjerët festojnë Krishlindjet unë shkoj në Durrës tek anija e mbushur me mall, bashkë me kolegun tim francez dhe përfaqësuesin e Shoqërisë Ndërkombëtare të Kontrollit të Cilësisë. Atje na presin disa përfaqësues të kompanive, disa “profesorë” (njeri prej tyre kishte qënë student në Zvicër dhe disa herë kishte shërbyer si ciceron, për të fituar ndonjë frangë më tepër, kur vinin ansamble shqiptare për të dhënë shfaqje. Më kujtohet se në një rast kisha shkruar për të në gazetë). Kërkova kapitenin e anijes. I thashë të na përgatitet një drekë me ushqimin që kishte ardhur. Pijet do t’i paguaja unë. Ftova të gjithë të hanim drekë sëbashku. U theksova se unë do ta ha i pari ushqimin e përgatitur me mallin që ka ardhur enkas për juve. Nëse unë pësoj ndonjë gjë, jam i siguruar dhe familja ime do të ketë një rentë. Fillova të ha dhe të tjerët më shihnin. Kolegu im francez buzëqeshte. Më vonë më tha se veprove shumë mirë dhe në kohën e duhur…

Përsëri, për shkak të ngulmimit të atij “profesori”, ekspert i analizave, malli qëndron i bllokuar. Nuk kam asnjë respekt për atë njeri fodull, por kam respekt për ata profesorë të vërtetë shqiptarë që e meritojnë atë titull, pasi dijnë të argumentojnë dhe mbrojnë pikpamjen e tyre. Është e lehtë të jesh snob që i gjen me shumicë edhe në Perëndim që nga lypësat e deri tek milionerët. Atë natë nuk më zinte gjumi. Pastaj kllapita. M’u shfaq para syve ai “profesor” i cili më bënte pyetje nëse me të vërtetë mendoja se kjo tokë ishte krijuar nga snobizmi. Tamam sikur ai njeri e vinte baraz veten me Zotin dhe tekstet e shenjtë. Ose prano, më thoshte ai që unë jam si Zoti, ose Zeusi.

Kur u zgjova isha mbushur me djersë dhe për ta hequr atë mundim bëra një dush të lehtë dhe me ujë të vakët.

Ndërkohë, dy nga kompanitë e kanë shkarkuar pjesën e tyre dhe kanë filluar shitjen. Bile një këshilltari të lartë të presidencës së asaj kohe I kujtova se kompania multinacionale kishte dhënë si dhuratë pajisje me vlerë dhe kishte qënë ajo që furnizonte me korektesë me mallra Shqipërinë. Pak më vonë, anija iku, duke marrë me vete pjesën tjetër të mallit që duhej shkarkuar në një rajon tjetër të Ballkanit.

Mendoja atë ditë të kthimit në Zvicër. Si është e mundur një gjë e tillë? Shoqëria multinacionale kishte humbur shumë të holla nga mbajtja e “anijes peng” në Durrës. Disa muaj më parë drejtori më kishte lavdëruar për punën e mirë me Shqipërinë. Në fakt unë kisha ndërtuar një rrjet miqsh të kompanive private, të cilat ishin të interesuara të merrnin sheqer, grurë, vaj, misër e produkte të tjera të nevojshme për popullsinë. Çmimet ishin tepër të arsyeshme, pasi gjithmonë gjeja mundësinë e transportit nga porte afër me Shqipërinë, si Itali, Kroaci, Bullgari, apo Rumani. Kishte raste që me vende të tjera shoqëria jonë fitonte një tender prej 50.000 tonë grurë, elb, apo misër, si dhe sasira të konsiderueshme vaji apo produkte të tjera që shkonin në tërë anët e botës, që nga Algjeria, Egjipti, Kina, Qipro, Malta, Maqedonia e Veriut, ish-Jugosllavia e kudo në botë. Se shpinim në Shqipëri çdo muaj 5000 ton grurë, apo 2000 ton sheqer, apo 1000 ton vaj, nuk ishte ndonjë gjë e madhe dhe me vlerë të kosniderueshme për multinancionalen, por unë ndjeja kënaqësi, sepse çoja diçka për bashkëkombasit e mij. Mbi të gjitha kisha edhe mundësi të udhëtoja shpesh në Shqipëri, ku përfitoja vetëm biletën e udhëtimit, pasi për t’u strehuar dhe ngrënë nuk kisha nevojë se kudo isha i mirëpritur unë dhe kolegët e mij të huaj që vinin me mua.

Udhëtimi i dhjetorit më bëri që të jem më i matur me konkaktet me ndonjë kompani shqiptare që nuk tregonte seriozitet. Më vonë doli se ata që vendosnin tek ajo kompani, as nuk mirrnin vesh fare nga biznesi dhe tregtia reciproke, sidomos me shoqëritë multinacionale amerikane.

19 Janar 1998. U mbushën 10 vjet që Todi Kokoneshi u largua nga kjo jetë. Iku edhe ai i ri. Kishte mbushur vetëm 62 vjeç. Më kujtohet se ishte tepër gazmor, por mbi të gjitha me karakter dhe i drejtë. Gjithë jetën u rropat atje fshatrave të Pogradecit. Ndihmoi shumë njerëz jo vetëm të rrethit të tij, por edhe bashkëfshatarë që i kërkonin një ndihmë apo këshillë. Kishte shumë respekt për njerëzit dhe familjen e kishte si diçka të shenjtë. Lexonte shumë dhe dinte të tregonte historira për njerëz e ngjarje, si dhe bënte shaka. Fëmijët i donte shumë. Pak më tepër të bijën e madhe, sepse edhe ajo e donte shumë dhe bëri gjithçka që mundi për t’i lehtësuar dhembjet që i shkaktoi poliartriti rematoid. Edhe fëmijët e donin shumë si Flora, Vaska dhe Piro.

Njeriu është i ndërgjegjëshëm për pavetëdijen e tij. A mund të pritet që fëmijët tanë të mendojnë një ditë se kanë ardhur në jetë në sajë tonë ? Natyrisht këtë duhet ta meritosh, duke gëzuar respektin e tyre, duke ju qëndruar afër atyre, duke i ndihmuar në rravat e tyre të jetës, pa u imponuar diçka, duke u treguar për paraardhësit, kombin, kulturën, me dëshirën që ata të gëzojnë një jetë më të mirë, në paqe, në harmoni me fqinjin, me shokun, me bashkëkombasin, me…

Këto mendime më vinin në mendje këto ditë kur shihja atë kolegen time përkthyese, e cila gjithë jetën e ka shkrirë për të ardhmen e fëmijëve të saj të mirë e të urtë, pa harruar të kujtojë edhe të atin që e solli në jetë, e që nuk jeton më, pa harruar nënën e saj që është atje larg, por që shpesh e fton të qëndrojë pranë saj dhe kujdeset për shëndetin e saj, megjithëse ajo po i afrohet të 75-save…Kam dashur të shkruaj edhe më parë për të, për rrugën e saj të mundimshme në jetë, për hallet dhe gëzimet e saj, për gjithçka që i jep kënaqësi, por ajo nuk më ka lejuar. Jeta e saj, siç shprehet ajo është tepër e zakonshme, dhe nuk ja vlen të shkruhet, ashtu siç nuk ka diçka të veçantë të shkruhet për prindërit tanë…Unë kësaj radhe, nuk po e dëgjoj atë, megjithëse e dij se do të më zëmërohet kur të lexojë këto rradhë, si edhe bashkëkombasit e saj në Zvicër apo gjetiu, ku i kanë çuar rrugët e jetës. E di se ka qënë sypatrembur dhe do të mbetet e tillë. Në këtë drejtim ka marrë diçka nga i jati, që u largua ashtu papritur nga kjo jetë, 15 vite më parë, atë ditë të 19 janarit 1988. Iku për të mos u kthyer më, por la kujtimin e mirë të babait të urtë, të sjellshëm, që i edukoi fëmijët me frymën e dashurisë për Atdheun, për Llëngën e Pogradecin, me frymën e solidaritetit dhe respektit për njeri tjetrin. Ai ishte një njeri i thjeshtë, për të u shkruajt vetëm disa rreshta kur vdiq, por ai ishte një njeri me zemër të madhe. I donte njerëzit, shokët, të afërmit, i ndihmonte kur mundte, kurrë nuk bërtiste apo të shihte vëngër, por vetëm drejt në sy. Kishte ardhur në Tiranë, pas viteve të shumta të kaluara në qytetin e tij, buzë liqenit të Pogradecit, pas një pune të lodhshme fshatrave, për t’u bashkuar me shokët e tij. Vinte nga një familje me tradita patriotike. I jati, Dhimitër Kokoneshi ishte i njohur, si prifti i Llëngës, i cili kishte arritur të blinte malet rreth Llëngës dhe nuk kishte lejuar për asnjë çast që fshatarët e varfër të paguanin taksa, pasi rropateshin për të fituar bukën e gojës. Ai u bë edhe kryepeshkop i Shqipërisë dhe rrojti shumë, 87 vjet, por i biri iku shumë më shpejt. Siç duket vitet e kaluara, duke ecur në baltë e duke punuar pa parë orarin dhe interesin vetiak, i kushtuan që të ikte shpejt nga kjo jetë. Edhe në fund ishte gazmor dhe nuk i linte shakatë e tij me kripë. Kishte respekt të veçantë për bashkëfshatarët e shumtë që nuk mungonin t’i bënin vizitë në Tiranë. Shpesh shkonte edhe ai tek ata, i takonte dhe shkëmbente me ta mendime, duke u dhënë këshilla dhe duke mësuar prej tyre. Me thjeshtësinë e tij, me maturinë dhe kujdesin që tregonte për ta, si edhe për të afërmit, për t’u siguruar një shkollë në bazë të aftësive të tyre, apo për t’i çuar tek një mjek i mirë, gjithë jetën e tij pati privilegjin të ndante çastet e gëzueshme apo hallet me ta.

Prill 1999. Më tregonte ai miku finlandez për dy bashkëatdhetarë të tij që u takuan pas dhjetë vitesh bashkë. Njëri i thotë tjetrit: “Cfarë do marrim për të ngrënë?”. Shoku përgjigjet:”A kemi ardhur për muhabet apo për të ngrënë…” Në Finlandë edhe në krahun e këmishës mbajnë flamurët e ndryshëm për të treguar se çfarë gjuhësh dijnë...Ndërsa, diku në një vend të botës, ndërsa pronari i hotelit kishte vënë në hyrje: “Këtu fliten të gjitha gjuhët”, dikush i bëri një pyetje në arabisht. Pronari i hotelit nuk dinte t’i përgjigjesh. Klienti i tha: “Si është e mundur, pse e vë kot pankartën?”. Hotelxhiu u përgjigj në gjuhën e vet: “vetë turistët që vijnë e dijnë gjuhën e tyre!”

Qershor 1999. Franko më fton me Rozen tek vila e tij në Francë. Ka qënë një fermë e vjetër, të cilën ai e bleu një të shtunë kur kishte dalë për shëtitje me të shoqen. Me duart e tij të arta ja ndroi krejtësisht pamjen. Kati i tretë mund të pranojë deri në 60 vete, në një mjedis të këndshëm, me xhamllëk, pa harruar edhe me ngrohje në dimër. I jati është me origjinë shqiptare nga Zara e Kroacisë. Ka edhe shtëpinë atje që e ka trashëguar nga i jati. Është brezi i dhjetë i një familjeje që është larguar nga Puka në vitet 1700 për në brigjet e Dalmacisë, si rezultat i konflikteve me osmanllinjtë. E kanë ruajtur fenë e tyre të krishterë, por edhe ritet dhe gjuhën shqipe që përdoret në lagjen e “Arbanasve”. Franko dhe e shoqja Joël, janë shumë mikpritës dhe me time shoqe kemi shkuar disa herë. Kishte ftuar edhe një profesor të dëgjuar polak, që kishte ardhur me të shoqen dhe të bijën që do vazhdonte studimet në Francë. Diskutimet u përqëndruan sidomos në problemet e kulturës dhe të gjuhëve tona.

Korrik 1999.Shkoj me pushime në Palma de Majorka. Një mrekulli e vërtetë, me ato plazhe fantastike tek “Kala d’Or”, apo në vende të tjera, ndërtuar aq bukur nga dora e njeriut. Plazhet e rregulluara nuk kanë shumë rërë si tek ne, por gjithçka është ndërtuar siç duhet. Më thonë se një pjesë e mirë e hoteleve janë subvencionuar nga emigrantë spanjollë që punojnë në Evropë. Ata kursimet e tyre i kanë derdhur për ndërtimin e këtyre hoteleve luksoze. Kanë të drejtë të shkojnë nga një muaj në vit gratis atje dhe të pushojnë. Në fund të vitit, pasi bëhet llogaria e fitimit, pjesa që i takon çdonjerit derdhet në konton e tij bankare atje ku jeton. A nuk mund të bëhej edhe tek ne në Shqipëri një gjë e tillë? Pse u desh që shumica e shqiptarëve të humbin dhjetra miliona dollarë tek shoqëritë piramidale? Pse duhej të ndodhnin ato drama në familje të shumta shqiptare që humbën shtëpinë e tyre, apo bagëtinë, duke menduar se do të fitonin diçka më mirë? Shqipëria me kanalizimin e atyre të hollave për investime në vend, do të kishte mundur shumë shpejt të kthehej në një vend të begatë me standarte europiane dhe shumica e tyre që rropaten rrugëve të Europës as nuk do mendonin të shonin atje. Shqipëria ka një bregdet të bukur, tokën pjellore, minerale. I duhet vetëm të zhvillojë industrinë ushqimore, turizmin, shërbimet, dhe të krijojë lehtësira për investitorët e huaj seriozë, të krijojë infrastrukturën e përshtatshme në këtë drejtim. Mundësitë janë të shumta. Shumë shqiptarë shkojnë e studjojnë tani në Universitetet më të mira të botës, për biznes, marketing apo probleme që kanë të bëjnë me ecurinë sociale, ekonomike të Shqipërisë. Por ata duhet të ofrohen që të japin ndihmesën e tyre për vendin. Vetëm kështu mund të ecet dhe t’i jepet rrugë përparimit të vendit. A nuk duhet marrë shembull nga një vend i vogël si Zvicra, gjë që e kanë ëndërruar të parët tanë, Rilindasit. Gjithçka që është realizuar dhe realizohet nga zviceranët vjen nga puna, mundi i tyre. Po të shkosh në muzeun “Alimentarium” në Vevei, merr vesh se zviceranët vite më parë hanin vetëm bukë të zezë, nuk kishin mundësi të hanin mish. Vetëm në sajë të progresit të vendit, të investimit nga ana e banorëve që e përbëjnë Zvicrën, në sajë të marrëdhënieve të shkëlqyera me fqinjët europianë, por edhe me vende të tjera të botës, zviceranët kanë arritur një stad zhvillimi të përkryer. Një vend me katër gjuhë e kultura, me temperamente të ndryshme, por kur vjen puna për çështjen kombëtare, të gjithë janë një. Unë nuk jam dakord me ata nihilistë që thonë se Shqipëria nuk mund të avancojë po nuk u bën ndryshime në mentalitetin e njerëzve. Zvicrën unë e admiroj dhe çdo herë që shkoj tek miqtë e mij të shumtë zviceranë apo udhëtoj diku, nëpër territorin e saj mrekullohen me ndryshimet galopante që shoh. Por në asnjë çast nuk mund ta harroj vendin nga kam ardhur, Shqipërinë. Nuk mund të harroj atë kafen e mëngjezit aty në restorantin e vogël pranë shtëpisë. Nuk mund të harroj ato ditët e bukura të kaluara buzë detit Adriatik. Nuk mund të harroj udhëtimet në Rivierën shqiptare, në Valbonë, në Korçën me ato rrugët karakteristike, apo atje buzë Gjanicës në Fierin prej nga e kam prejardhjen nga prindërit. Nuk mund të harroj Apolloninë, ku në fëmijërinë time shkoja shpesh tek të afërmit dhe ku stërgjyshi im kishte ndërtuar kishën dhe ish kujdesur vite të tëra për mbarëvajtjen e saj.. Nuk mund të harroj lagjen “Liri” dhe “Konferenca e Pezës” ku jetonin gjyshërit e mij dhe ku kam kaluar çaste të këndshme dhe të lumtur.


#Alfred #Papuçiu

16 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page